INFORMACIONI OMGJ

0
150

Brikena Bogdo

 

“Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra” thotë populli. “E vërteta i ka këmbët e gjata” thotë teknologjia. Kush e modifikon informacionin dhe kush ka interes ta bëjë atë rëndom, gazetarët apo pushteti? Të dy kampet do të ngrenë argumentet e tyre për të mbrojtur tezën se kampi tjetër e modifikon informacionin. Mirëpo, këto kohët moderne kanë arritur të ngrenë një palë të tretë, teknologjinë, që po rezulton një extra partes për një gjykim të paanshëm, e cila na ka munguar gjatë.

Përpara disa ditësh, në një media kombëtare, u përballa në debat me një qeveritare, për dhunën në shkolla, ku informacioni im u sulmua ashpër si i keqinterpretuar, pikërisht për një deklaratë të transmetuar në të gjitha mediat. Unë dhe pushtetarja paraqitëm përpara publikut të vërteta të ndryshme. Publiku natyrshëm corientohet me të vërtetat e dyfishta dhe të trefishta dhe pyet me shumë të drejtë: Po cila ishte e vërteta e vërtetë? Në fakt njëra palë bërtiste dhe kërkonte me dhunë dhe imponim pronësinë e të vërtetës dhe ajo ishte pushtetarja. “Ju gazetarët keqinterpretoni”, “Ju gazetarët dezinformoni”, “Nuk është kështu si e thoni ju”. Ende pushteti në Shqipëri e pretendon me dhunë të vërtetën dhe kërkon me patjetër ta përdorë për interesat e saj.

Fjalën sot me zhvillimet e teknologjisë nuk e censuron dot. Atëherë pushteti kalon në planin B, manipulimi, deformimi i fjalës rrjedhimisht dhe i informacionit. “Nuk është kjo e vërteta”. Nëse nuk funksionojnë planet A dhe B, hyn në fuqi plani C, tentojmë presionin apo deri edhe kërcënimin: “Do t’ju hedhim në gjyq”, duke të vënë nën një presion psikologjik dhe frike.

Por e keni vënë re që kur kanë përballë opozitën hyjnë në një plan tjetër, atë D? Në këtë plan të ri, qëllimi është denigrimi i tjetrit duke e vënë në lojë për gjithçka që ai thotë. Kalojnë në tallje, nënqeshje, qeshje “hahahaha, po çfarë janë këto që thua”. Nuk i keni parë nëpër televizione se si qeshin e tallen me njëri tjetrin, pushtetar–opozitar? Ka dhe një plan tjetër po kaq të sofistikuar, plani E, ulja e vlerës së fjalës, apo më saktë zhvlerësimi i fjalës. Qëllimi është që nëpërmjet talljes t’i ulim vlerën fjalës dhe informacionit.

Kur të gjitha këto plane A, B, C, D, E, nuk i shërbejnë, që të imponojnë informacionin që duan, atëherë kalojnë në planin F, zhurmës i informacionit. Mos e lerë tjetrin të flasë. Këtu arrin maksimumi i zhvlerësimit të fjalës. Nëse censura i jep valencë fjalës, apo i jep mbivlerë, (natyra njerëzore e ngre në mit atë që ja ndalon), antipodi është zhvlerësimi I fjalës, lëre të flasë, por në mënyrë që asnjeri të mos mundet ta dëgjojë apo të kuptojë se çfarë po thuhet (bëjmë zhurmuesin).

Plani përfundimtar, kode të pakuptueshme, për publikun edhe kur deklaratat nga faktorë të tjerë, sidomos ata ndërkombëtarë, janë të shkoqura. “Është informacion i keqinterpretuar nga e gjithë media” thotë pushtetarja në debat. E gjithë media pa përjashtim e kishte keqkuptuar informacionin, kjo sipas pushtetares, dhe i sakti dilte vetëm nga zyra e saj. Ne armata e gazetarëve duhet ta marrim informacionin vetëm në ministri, institucioni i vetëm i cili e ka aftësinë mendore dhe intelektuale të “mirinformojë” dhe “mirinterpretojë”. Por ka një problem pak të vogël, që rruga e mirinformimit nga ministria i bie pak e gjatë, sepse informacioni “internet-ik” është tepër i shpejtë dhe i drejtpërdrejtë, që ne komunitetit të medias, nuk na le frymë ta interpretojmë.

Fjalët sipas logjikës së pushtetares “modifikohen gjenetikisht” nga media, pra transformohen që në gjenezë, në burim, në kuptueshmëri. Por në fakt si mendoni ju, për sa kohë po na modifikohen gjenetikisht prodhimet ushqimore, nuk do të mund të modifikohet gjenetikisht edhe fjala. Sigurisht që po, sepse është tendencë e kohës moderne, së cilës nuk mundet t’i shpëtojë as fjala.

Pyetja mbetet se kush e modifikon fjalën gjenetikisht, pushteti apo media? Kush e modifikon atë, për t’ia servirur, sipas interesave publikut “injorant”. Këtë le ta vlerësojë vetë publiku, i cili pavarësisht se shpeshherë tentohet të trajtohet si i paditur, por po aq shpesh di të orientohet shumë saktë se çfarë ndodh rreth tij dhe për të, kjo falë teknologjisë.

Teknologjia sot transmeton gjithçka në kohë reale, duke hedhur poshtë automatikisht pretendimin e pushtetares, për modifikim apo keqinterpretim duke e zgjidhur si raketë konfliktin dypalësh. Edhe nëse deklaratën në fjalë nuk e ke ndjekur direkt, ke mundësi ta ndjekësh të pamodifikuar, në çdo moment të dëshirueshëm, duke klikuar në internet. Teknologjia ka shmangur censurën dhe dezinformimin, atë për të cilën vuajtëm 50 vjet diktaturë dhe 20 vjet tentativë-demokraci-bërje. Teknologjia po ja imponon dhunshëm pushtetit të vërtetën e vërtetë dhe po fiton terren mbi të vërtetën e modifikuar, apo të censuruar. Teknologjia po rezulton jo vetëm extra partes por edhe mbi pushtetet, qoftë atij qeveritar, apo atij mediatik. Teknologjia po ecën më shpejt se ne vetë, duke shkaktuar deri mospërputhje midis ligjeve biologjike dhe ligjeve shoqërore. Njeriu modern e ka të vështirë sot të përshtatet me frenetizmin teknologjik, aq më tepër kur ai prek interesa pushteti.

Por kjo prepotencë e pushtetit ngërthen në vetvete dhe shumë fenomene të tjera. Në atë emision një nga problematikat e ngritura prej meje ishte trajtimi i fëmijëve si “fajtorë kolektiv”, “Ju fëmijët” duke shmangur personalitetin individual të tyre, duke i trajtuar ata “en block”, metodologji e tejkaluar nga bota evropiane dhe sidomos nga bota përtej atlantikut, Amerika. Kjo me sa duket si një remineshencë 50-vjeçare, ku individi dhe individualiteti shtypeshin dhunshëm.

Si për të vërtetuar tezën time, pushtetarja akuzon, në adrenalinë e sipër, meqenëse informacioni nuk po i konvenonte: “Ju gazetarët”, duke përfshirë dhunshëm të tërë armatën e gazetarëve, për t’i bërë fajtorë kolektivë. Kur kjo psikologji është e rrënjosur thellë në psikën e kësaj pushtetareje, e cila po merret me reformën në arsim, si do ta luftojë ajo tek komuniteti i mësuesve? E pra ky është problemi kryesor tek fëmijët tanë, dhunë psikologjike “në masë”, pjesë e mentalitetit të fajtorëve kolektivë.

Nëse sot, mbi të gjitha po luftojmë, që të hiqet mentaliteti i dhunës verbale në shkolla, pikërisht personi që ka fuqinë e pushtetit dhe që po realizon “reformën”, kryen vetë dhunë verbale, publikisht. Shoqëria shqiptare, mbart mbi vete doza të larta agresiviteti, në të gjitha hallkat e shoqërisë dhe në të gjitha nivelet e qeverisjes. Sa për qind është dhunë verbale dhe sa për qind hyjnë në lojë mekanizmat e prepotencës së pushteti, kjo është pyetje për psikologët. Në fakt, në Shqipëri të dyja janë komplementare të njëra tjetrës sidomos kur përfshihen në një figurë të vetme pushtetari. Kjo është dhunë psikologjike “en block”, me mbështetje pushteti.

Si një pjesë e dhunës psikologjike, pasi dolëm nga transmetimi i drejtpërdrejtë, titullarja m’u drejtua: “Të shpresosh që nuk të kanë dëgjuar titullarët e institucionit që citove, se do të kesh shumë probleme”. Në fakt, u vërtetua, falë teknologjisë, që citimi im ishte shumë i saktë, duke lënë në dritëhije titullaren, e cila kishte frikë nga të vërtetat.

Nuk është hera e parë që ndeshem me dhunën verbale dhe prepotencën e pushtetit për të imponuar të vërtetat e tyre, madje dhe jam kërcënuar, pasi nuk u pëlqenin të vërtetat e mia. Investigoja në atë periudhë disa punë, ku rezultonin abuzime me fondet publike, për ndërtime shkollash. Njëra nga titullaret më hodhi një lumë akuzash për informacion të abuzuar, të modifikuar, për shpifje, derisa më hodhën kërcënimin e fundit, “do të të hedhim në gjyq”. Në fakt, dokumentari investigativ u transmetua, pasi për fat institucioni që e financonte të gjithë nismën antikorrupsion ishte shumë i rëndësishëm, shumë serioz dhe askush nuk guxoi të më hidhte në gjyq.

Për të ndryshuar realitetet nevojitet të ndryshojmë mentalitete. Është një rrugëtim shumë i gjatë, por që duhet ta kishim filluar me kohë. Kjo realizohet ose me ndërgjegje, që si komb nuk shquhemi për një të tillë, ose me dorë të fortë. Por demokracia njeh një kod tjetër të dorës së fortë (dritë larg forcës fizike dhe dhunës psikologjike) dhe që po rezulton shumë i vështirë për t’u zbatuar, atë të ligjit.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency