Krimet e Rënda Mitro mohon atentatet ndaj Dervishit dhe Kollozit: I kam miq të dy

0
160

Sonja Caka

 

Deklarimi i 42-vjeçarit para Gjykatës, kërkon ballafaqim me dy zyrtarët. Vrasësi tjetër me pagesë, Gjokona, pranon deklarimet e dhëna për krimet ku ishte përfshirë

 

 

 

marjon mitro marionI akuzuar si porositës të disa atentateve në Vlorë, Marion Mitro ka mohuar para Gjykatës të ketë lidhje me këto ngjarje. I arrestuari teksa përpiqej të largohej nga Shqipëria përmes aeroportit të Rinasit, ka deklaruar para Gjykatës, ndërsa i janë komunikuar akuzat se personat që përmenden se ai kishte paguar për t’i vrarë apo paralajmëruar për t’i vrarë, i ka miq dhe nuk ka pasur asnjë arsye për të ekzekutuar si prefektin Besnik Dervishi, ashtu dhe kreun e PD-së për Vlorën, Ardian Kollozi. “Unë i kam miq si prefektin Dervishi, ashtu dhe z. Kollozi. Më ballafaqoni me të dy, m’i sillni para gjykatës dhe nëse ata do të thonë se kanë pasur një përplasje me mua, atëherë mund të më akuzoni. Nuk kam pasur asnjë arsye për t’i vrarë dhe nuk e kuptoj pse këto akuza”, – ka deklaruar para togave të zeza ndërsa vleftësoheshin kushtet e marrjes së masës së sigurisë në mungesë për këtë të akuzuar. Ndërsa në lidhje me të akuzuarin si vrasës me pagesë, Julian Sinanaj, “porositësi” Mitro është shprehur se Julianin e ka mik. “Nuk di pse janë ngritur dyshime dhe akuza të tilla për porosi vrasjesh”. Këto deklarime janë bërë në seancën e masës së sigurisë, ndërsa jashtë gjykatës për median ka reaguar avokati i caktuar kryesisht prej Gjykatës për të, Remzi Ponari. I pyetur nga mediat, avokati u shpreh se klienti i tij dhe dy të dëmtuarit janë miq dhe nuk ka pasur asnjë arsye për të porositur vrasjen e tyre. Megjithatë, pavarësisht deklarimeve të Mitros, Gjykata vleftësoi si të ligjshëm arrestimin e tij dhe la në fuqi masën “Arrest me burg” marrë në mungesë për biznesmenin 42-vjeçar. Seanca e masës u zhvillua me dyer të mbyllura dhe nën masa të larta të sigurie. Pas Mitros u vlerësua dhe masa e arrestit burg për anëtarin tjetër të bandës së tritolit, N. Gj., i penduari i cili pranoi të bashkëpunonte me Prokurorinë për të zbardhur krimet e bandës, dhe çoi më pas në arrestimin e Julian Sinanajt. N. Gj/ mësohet të ketë thënë në seancë se i qëndronte deklaratave të dhëna para policisë. Ndaj dy të arrestuarve prokurorët e Krimeve të Rënda, Behar Dibra e Ardian Nezha, lexuan akuzat “Akte terroriste dhe vrasje të mbetur në tentative ndaj funksionarëve publikë”.

 

Masa

 Më herët, ditën e arrestimit në Rinas të 42-vjeçarit Marion Mitro, Gjykata kishte caktuar masën e arrestit për Julian Sinanaj, i arrestuar si vrasës me pagesë për të paktën 20 vrasje në Greqi dhe të paktën 2 vrasje në Vlorë, si dhe sulme të tjera me eksploziv. Sinanaj ka treguar Mitron si porositës dhe paguesin e tij për krimet e kryera në Shqipëri. Sinanaj ka pranuar se ka marrë 20 mijë euro për bombën me celular që ia ka dhënë Mitros, e cila dyshohet të jetë e njëjta e gjetur nga Garda e Republikës në automjetin e prefektit Besnik Dervishi në hyrje të Kryeministrisë. Gjithashtu, Sinanaj ka rrëfyer pagesat që kishte marrë apo i ishin premtuar për atentatet që do të kryente. Personi që i siguronte bazën materiale për vrasjet dyshohet se ishte Ndriçim Gjokona nga Vlora, ky i fundit personi që bëri të mundur zbardhjen e gjithë aktivitetit kriminal të bandës së atentateve me eksploziv.

 

 

 

Gjirokastër

Sulmi ndaj autobusit, Gjykata lë në burg 4 të rinjtë

 Gjykata e Gjirokastrës caktoi dje masën e sigurisë “Arrest me burg” për katër të rinjtë e akuzuar për sulmin me armë ndaj autobusit të linjës ndërkombëtare Athinë-Tiranë, ku mbeti i vdekur një 25-vjeçar. Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e masës “Arrest me burg” për 4 shtetas, të dyshuar si personat e përfshirë në goditjen me armë ndaj autobusit të linjës Athinë – Tiranë në rrugën Tepelenë-Krahës. Nga goditja me armë ka mbetur i vdekur një person dhe është plagosur një tjetër. Ndaj tyre, organi i prokurorisë ka ngritur akuzën e “Vjedhjes me pasojë vdekjen”, “Plagosje e rëndë me dashje”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Mbajtje, transportim të lëndëve narkotike”. Nga hetimet rezultoi se Klajdi Tringa, Besmir Ruçi e Jugen Lola të ndihmuar nga Gentian Beqiraj, kanë thurur një plan një natë para ngjarjes, në lokalin e fshatit Vasjar. Plani ishte që të grabisnin me armë autobusin e linjës Tiranë – Athinë. Gjatë marrjes në pyetje të rinjtë deklaruan se sulmin e kryen nën efektin e hashashit. Ata kanë marrë armët dhe kanë tentuar të ndalojnë autobusin që vinte nga Greqia. Pasi kanë dështuar në ndalimin e autobusit, ata kanë qëlluar me breshëri armësh. Për pasojë ka mbetur i vdekur 25-vjeçari Laurent Tabaku, ndërsa një vajzë është plagosur.

 

 

Tiranë

Prokuroria zgjat afatet për Frrokun, mbetet në burg

 Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi ankimimin e Arben Frrokut duke zgjatur afatin e hetimeve për të akuzuarin për vrasjen e ish-komisarit Dritan Lamaj. Në seancën e djeshme gjyqësore, trupi gjykues pranoi kërkesën e Prokurorisë, e cila kërkoi zgjatjen me një muaj të hetimeve ndaj Frrokut duke e lënë edhe për një muaj tjetër në “Arrest me burg”. Ndërkohë, avokati mbrojtës i Frrokut, Tonin Prendi, ka theksuar se klienti i tij po mbahet padrejtësisht në burg. Ndërsa vëllai i të akuzuarit, Mark Frroku, theksoi se nuk ka dëshmitarë që të vërtetojnë, që vrasjen e Dritan Lamajt e ka kryer vëllai i tij. Arben Frroku është i dyshuari kryesor i akuzës për atentatin e 24 shkurtit ku Dritan Lamaj u vra përpara banesës së tij. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendim të datës 26.2.2013, ka caktuar ndaj Frrokut, masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency