Në Kryeministri Rama: Mbështetje për njohjen e Kosovës. Kryeministri sllovak: Nuk shoh arsye

0
130

Gëzim Saliu

Fico: Ju mbështesim për statusin. Sllovakia, shembull për qeverisjen dhe sipërmarrjen e lirë

 

 

Rama me Ficon..Kryeministri Rama shfrytëzoi dje vizitën e homologut të tij sllovak në Tiranë për të kërkuar njohjen e Kosovës, gjë që u refuzua nga Robert Fico, i cili pohoi se shteti që ai përfaqëson nuk sheh arsye për të ndryshuar pozitën e tij lidhur me këtë çështje. “Gjej rastin ta falënderoj përzemërsisht Kryeministrin Fico për këtë mbështetje të përhershme të Sllovakisë ndaj Shqipërisë, por gjej rastin ta falënderoj edhe për vëmendjen e treguar në inkurajimin e dialogut me Kosovës dhe Serbisë, marrëveshja mes të cilave, është një nga ngjarjet e mëdha, në funksion të një kohe të re për rajonin tonë. Në kuadër të kësaj qasjeje të Sllovakisë që përfshin dhe mbështetjen për integrimin e Kosovës në BE, ne shpresojmë në bashkëpunimin e mëtejshëm të Sllovakisë për njohjen e Kosovës, si një rast pavarësie që nuk ka paralel në të drejtën ndërkombëtare”, – deklaroi Rama në konferencën e përbashkët me Kryeministrin sllovak. Ndërkohë, megjithëse në fjalën e tij nuk dha përgjigje të drejtpërdrejtë lidhur me këtë çështje, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, Kryeministri Fico bëri të ditur: “Për momentin apo për këtë kohë, le të themi, Sllovakia nuk sheh arsye përse ta ndryshojë pozitën e saj politike kundrejt Kosovës. Nga ana tjetër, sidoqoftë, do të doja të theksoja domethënien e dialogut që aktualisht është në zhvillim mes Beogradit dhe Prishtinës dhe ne e mbështesim këtë dialog. Ne e kemi mirëpritur dhe do të ishim mjaft të lumtur, në qoftë se ky dialog do të sillte një përfundim pozitiv e konkret dhe do të respektojmë çdo marrëveshje të arritur në kuadrin e këtij dialogu”.

 

Statusi

Sa i përket aspiratës evropiane të Shqipërisë, kreu i qeverisë sllovake bëri të ditur mbështetjen e plotë, ku theksoi se vendi e meritonte statusin e kandidatit që në dhjetorin e vitit të shkuar. “Qeveria e Republikës Sllovake e ka mbështetur edhe ambicien tuaj edhe në dhjetor, që ju e përmendët dhe më vjen keq që u mor ai vendim që u mor. Kjo është edhe arsyeja se pse jemi të sigurt që në qershorin që vjen, çdo gjë do të shkojë aty ku duhet të ishte në fakt, dhjetorin që kaloi”, – tha Fico. Në këtë kontekst, duke pohuar arritjet e Sllovakisë në procesin e anëtarësimit në BE, Kryeministri deklaroi se qeveria që ai drejton ofron përvojën që ka përfituar nga procesi i integrimit dhe mbështetjen tërësore për ambiciet evropiane të Shqipërisë. Ndërsa, kreu i qeverisë shqiptare ripërsëriti në fjalën e tij qëndrimin sipas të cilit shtyrja e vendimit për statusin erdhi për shkak ndikimit të forcave ekstremiste brenda dhe jashtë BE-së. “Që statusi i vendit kandidat në dhjetor ishte thuajse në dorën tonë, edhe për sa i takon qëndrimit të vendeve anëtare, edhe kjo është fare e qartë. Dhe, që në fund vendimi u influencua nga qëndrimi i një sërë forcash, në disa nga vendet, dhe nga fakti se në vendet e Bashkimit Evropian ka zgjedhje në pranverë, edhe ky nuk është një sekret. Kështu që, ne jemi të bindur që Shqipëria do ta meritojë edhe më shumë seç e meritonte në dhjetor statusin e vendit kandidat”.

 

 

 

 Qeveria, paketë ligjore me 60 masa. Rama: Liberalizojmë tregun e kolaudimit

Qeveria paraqiti dje një paketë masash ligjore dhe administrative për rritjen e sigurisë rrugore. Në konferencën e organizuar dje lidhur me këtë çështje, Kryeministri Rama deklaroi se kjo paketë do të konsultohet më parë me publikun përpara se të nisë zbatimi. “Një paketë ligjore dhe administrative, që sot, është shkruar, përfshin 60 masa të reja dhe ka nevojë edhe për një konsultim të fundit publik, përpara sesa të kthehet në një instrument të ri, për të rritur nivelin e sigurisë rrugore. Qeveria jonë është jo vetëm shumë e vendosur, por edhe e mirë përgatitur që të ndërmarrë tanimë një hap të rëndësishëm, në funksion të rritjes së sigurisë në rrugë”, – tha Rama. Sipas Kryeministrit, tre janë favoret që kjo paketë sjellë për sigurinë rrugore, duke renditur në vendin e parë lidhjen reciproke me biznesin e përfshirë në ndërtimin e rrugëve. “Dhe këtu jemi në objektivin konkret të një harku 1 vjetor. – Pikësëdyti, e sjell sigurinë rrugore, si ndërhyrje të integruar, ndërinstitucionale dhe si mobilizim tërësor, jo vetëm të shtetit, por edhe të shoqërisë. – Pikësëtreti, shërben si instrument, i racionalizimit, të zhvillimit infrastrukturor të Shqipërisë, që s’mund të mbetet kurrsesi peng i korrupsionit, por s’mund të mbetet kurrsesi peng as i epsheve politike, ose nevojave elektorale, për të marrë lekët nga arka e shtetit edhe për të bërë, rrugë jashtë radhe”. Më tej, Rama bëri të ditur se Paketa e re nuk lë jashtë, as inovacionin në teknologjinë e sigurisë dhe mbrojtjen e infrastrukturës nga dëmtimet e qëllimta, vjedhjet e me radhë. “Tanimë ne jemi gati që verifikimin e gjithë gjendjes fizike të rrugëve, ta bëjmë në mënyrë kompjuterike dhe objektive”.

 

Konferenca

Në panelin ku merrnin pjesë ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ai i Transporteve Edmond Haxhinasto, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, kreu i qeverisë paralajmëroi liberalizim të tregut të kolaudimit të automjeteve. Në këtë kontekst, Rama nuk përjashtoi mundësinë e anulimit të koncesionit në këtë drejtim, pasi, sipas tij, sistemi aktual është i korruptuar. “Është e paanashkalueshme, si një masë afatgjatë, por edhe si një veprim afatshkurtër, vendosja dhe aplikimi i përpiktë i standardeve të kolaudimit të automjeteve. Si mund të kemi siguri rrugore, me standarde teknike automjetesh që janë të predispozuara të çojnë në katastrofë, jashtë standardeve. Paratë që duhet të kurseheshin qoftë për shtetin, qoftë për qytetarin, përmes një koncesioni të tillë, jo vetëm që nuk janë kursyer, por janë rritur shpenzimet, ndërkohë që cilësia e shërbimit është e papranueshme. Ky është një koncesion që është në shqyrtim. Të jemi të qartë që anulimi apo relativizimi i këtyre koncesioneve monopol, nuk është një proces që bëhet thjesht “hajde ta anulojmë partizançe”, por kërkon një ekspertizë ligjore. Është në përfundim shqyrtimi, dhe ne, ose do ta anulojmë, ose do ta relativizojmë, duke e liberalizuar kolaudimin”, – deklaroi kreu i qeverisë. Në fjalën e tij, Rama shprehu kritika ndaj qeverisë paraardhëse lidhur me sigurinë rrugore, ku ndërkohë theksoi se kamerat e sigurisë në kryeqytetet nuk funksionojnë. “Vendosja e kamerave të sigurisë, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë territorin e Shqipërisë është pjesë e këtij projekti për rritjen e sigurisë, për luftën kundër krimit, për transparencën e bashkëjetesës qytetare”. Nga ana e tij, ministri i Transporteve, Haxhinasto, theksoi se paketa e re ligjore alokon më shumë resurse për vetë përdoruesit e rrugës dhe realizon politika e reja të qeverisë në infrastrukturë. Ndërsa ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka prezantuar gjatë fjalës së tij masat e marra nga institucioni që drejton për një siguri më të madhe rrugore, ku theksoi se gjobat do paguhen tashmë dhe tek kolaudimi.

 

 

Vizitë në Tiranë

Venizelos: Do të diskutojmë dhe sjellim rezultatet për çështjet “e nxehta”

Zv.kryeministri Evangelos Venizelos paralajmëroi dje se në cilësinë e kryediplomatit të vendit, që mban Presidencën e BE-së, se do të zhvillojë një vizitë në Tiranë. Në një konferencë për shtyp të zhvilluar dje në Athinë, Venizelos i është referuar marrëdhënieve me Shqipërinë, duke theksuar se Athina, po zhvillon me vendin fqinj “një dialog të rregullt dhe shumëplanësh”. “Me Shqipërinë kemi një dialog të rregullt, në shumë nivele. Ato që kam thënë gjatë vizitës sime në Shqipëri, qëndrojnë. Jemi në kontakt me Kryeministrin, zëvendëskryeministrin dhe homologun tim Bushati. Tani që do të shkoj sërish në Shqipëri, besoj se do kemi për të paraqitur disa rezultate të të gjitha këtyre diskutimeve, që unë, së paku nga perspektiva ime, i kam paraqitur në konferencën që patëm me z. Bushati në Tiranë”, – deklaroi zv.kryeministri grek. Megjithëse nuk bëri publike çështjet, pritet që toponimet dhe çështja e detit të jenë në qendër të diskutimeve mes ministrit të jashtëm grek dhe përfaqësuesve të qeverisë shqiptare.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency