Komisioni për Reformën Territoriale Mazhoranca e voton me 75 vota. Basha: Pjesë e tij, kur qeveria të rikthejë konsensusin

0
124

Gëzim Saliu

 

Kreu i PD-së, ambasadorit Sequi: Konsensusi në çdo etapë të procesit dhe rikthimi i konsensusit të shkelur në mënyrë të përsëritur nga mazhoranca, kryesore për një reformë të pranueshme

basha, sequiMazhoranca miratoi vetëm me votat e saj ngritjen e Komisionit Parlamentar të Reformës Administrative Territoriale. Pasi opozita kishte braktisur dje sallën e Kuvendit, për shkak të debatit të dorëheqjes së grave deputete të së majtës nga mandati, mazhoranca e votoi ngritjen e Komisionit me 75 vota pro dhe asnjë kundër. Komisioni me mandat tremujor do të ketë 16 anëtarë, ku mazhoranca dhe opozita do të jenë të përfaqësuara me numër të barabartë anëtarësh dhe ai do të jetë i bashkëkryesuar nga palët. Ndërkohë, lidhur me emrat përbërës të Komisionit, në mbështetje të propozimit të kreut të grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, bëri të ditur se opozitës do t’i lihet edhe një javë tjetër kohë. “Komisioni i posaçëm ka për objekt i veprimtarisë së tij, përcaktimin e kritereve për ndarjen e re administrativo-territoriale, hartimin dhe përcaktimin e kalendarit të zbatimit të reformës administrative-territoriale dhe përgatitjen e projektit për ndarjen e re territoriale. Përderisa nuk ka pasur asnjë kontestim nga ana e opozitës për asnjë pikë të projektvendimit, ne do të shprehemi me votë dhe pastaj Kuvendi do të shprehet javën e ardhshme, në mënyrë që t’i japim kohë edhe opozitës që ajo të propozojë emrat e anëtarëve të saj në Komision”, – tha ai.

 

Basha

Ndërkohë, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i bëri të ditur dje ambasadorit të BE-së në vend, Ettore Sequi, qëndrimin e opozitës lidhur me Komisionin Parlamentar të Reformës Territoriale, ku tha se është i domosdoshëm, jo vetëm konsensusi në çdo etapë të procesit, por edhe rikthimi i tij, pas shkeljeve të përsëritura nga ana e mazhorancës qeverisëse. “Duhen dëshmi e prova të besueshmërisë. Nuk duhen harruar rastet kur mazhoranca e sotme është angazhuar në letër për konsensus, dhe më pas e ka shkelur atë, si në rastin e shtyrjes së zbatimit të ligjit të statusit në nëpunësit civil, apo sulmit ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese, si AMA e ILDKP, për çka shumica ishte zotuar të respektonte mandatin dhe autonominë e këtyre institucioneve në rezolutën e përbashkët për integrimin evropian dhe në deklaratën e përbashkët të komitetit parlamentar të stabilizim-asocimit”, – tha Basha. Më tej në këtë takim, kreu i PD-së u ndal edhe tek presioni politik i mazhorancës ndaj institucioneve të drejtësisë, dhe tek qëndrimi antikushtetues i mosrespektimit të vendimit të gjykatave, siç është, theksoi ai, rasti kur qeveria nuk zbaton vendimin për kthimin në detyrë të drejtoreshës së INSTAT-it, pasi Gjykata e Tiranës e shpalli të paligjshëm vendimin e Kryeministrit për shkarkimin e saj. Po ashtu, Basha e njohu ambasadorin Sequi me shqetësimet e opozitës për administratën publike “dhe për politizimin e saj me emërimin e militantëve partiakë në çdo zyrë, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e ka shpallur antikushtetues e për rrjedhoje pa asnjë fuqi juridike, aktin normativ të qeverisë për shtyrjen e zbatimit të ligjit të nëpunësit civil”. Në këtë kontekst, Basha theksoi se qeveria, në vend që të adresojë prioritetet dhe reformat e rëndësishme që kërkon procesi i integrimit, po zbaton axhendën antiligjore dhe antikushtetuese. “Pavarësisht kësaj mësymje antidemokratike të qeverisë ndaj Kushtetutës, ligjit, shtetit të së drejtës dhe parimeve të konsensusit, Partia Demokratike dhe opozita shqiptare vijon të mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për mbështetje pa kushte të të gjitha hapave dhe reformave madhore të procesit të integrimit”, – siguroi kreu i opozitës, Lulzim Basha, ambasadorin e BE-së Ettore Sequi.

 

 

Kreu i grupit

Paloka: Mazhoranca kërkon një hartë elektorale për interesat e saj

 Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, në një dalje publike para nisjes së seancës parlamentare bëri të ditur se PD-ja nuk mund të nënshkruajë asnjë marrëveshje konsensuale me mazhorancën, pasi sipas tij kjo e fundit ka në historikun e saj shkelje të vazhdueshme të marrëveshje të tilla të arritura përmes konsensusit. “Unë e bëra të qartë edhe në konferencën e kryetarëve. Nuk mund të nënshkruhen marrëveshje të tjera me konsensus kur ka disa marrëveshje të tjera që janë shkelur nga mazhoranca e sotme. Janë shkelur dy marrëveshje që janë bërë për mosprekje të institucioneve të pavarura dhe këto janë shkelur. Ka filluar sulmi ndaj ILDKP-së dhe sot jemi në momentet që sulmohet edhe AMA”, – tha Paloka. Sipas kreut të grupit të PD-së, opozita nuk do të pranojë një hartë elektorale të hartuar nga mazhoranca për qëllimet e veta elektorale që synon të vjedhë votat e shqiptarëve. “Ne nuk mund të bëhemi qesharak para shqiptarëve pse kemi një qeveri qesharake, që nuk mban asnjë nga premtimet e saj. Sigurisht reforma është e domosdoshme dhe është e lidhur me një reformë për decentralizimin e pushtetit lokal që deri më sot po shkelet dhe me reformën zgjedhore. Fakti është që kjo mazhorancë synon të krijojë një hartë elektorale për interesat e saj. Të krijojë një hartë ku të llogarisë numrat që zgjedhjet e ardhshme t’i fitojë ma hartë elektorale dhe jo me votat e shqiptarëve”, – deklaroi Paloka.

 

 

Në Parlament

Rama: Nuk ka projekt për Radikën, si qëndron çështja e hetimit të serverit te Tatimet

Në fjalën e tij në Parlament, Kryeministri Rama sqaroi edhe dy nga çështjet të cilat kanë hapur një debat të gjerë mes palëve e më tej në shoqëri, ajo për devijimin e lumit Radika dhe çështje e të dhënave të serverit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. “Shqiptarët më kollaj besojnë se Saliu është komik se Mister Bean, sesa të besojnë që Saliu është patriot më i mirë se Ali Ahmeti. Si nuk u vjen turp të fusin xixa mes shqiptarësh, ndërkohë që shqiptarët e Maqedonisë e kanë përsëritur se projekti nuk ka asnjë shans të përparojë në dëm të shqiptarëve të Dibrës. Na dinë si veten e tyre kur nuk deshën t’ia dinë për asgjë kur falën detin si të ishte një copë bakllava. Nuk ka asnjë projekt, pasi projekt nuk quhet ide e një qeverie, por një projekt zbatimi që e ka në tryezë edhe qeveria jonë, por as ne nuk e kemi, as qeveria maqedonase nuk e ka e as BB nuk e ka financuar një të tillë, e asgjë nuk financohet pa miratimin e qeverisë së Shqipërisë në respekt të marrëveshjes e traktateve ndërkombëtare”, – tha Rama. Ndërkohë, lidhur me çështjen e të dhënave në serverët e Tatimeve e cila po hetohet nga Prokuroria, Kryeministri deklaroi se është më mirë të heshtet derisa të zbardhet ngjarja. “Sa shumë i dëshpëron fakti se dyshja Rama-Meta i qëndron vendosmërisht axhendës për të cilën është votuar. Kur bëjnë hajdutin që bërtet kapni hajdutin duhet t’i mirëkuptojmë se e dimë se përse e bëjmë. S’ka problem ne dhe jo këta, kemi çuar në Prokurorinë e Republikës kallëzimin për çka është gjetur është më mirë të heshtet dhe pritet zbardhja nga Prokuroria e shqetësimeve tona për librin elektronik të llogarive të këtij shteti. Jemi ne që e kemi çuar para drejtësisë atë derdimenin që plaku i shtëpisë e mori në krah”, – deklaroi kreu i qeverisë, Edi Rama.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency