Reforma administrativo-territoriale Basha: Konsensus të gjerë politik midis pozitës dhe opozitës deri në miratimin me votë në Kuvend

0
133

Florenc Drizari

 

“Rama dhe Meta janë autorët e shkatërrimit të konsensusit për nëpunësin civil”

 

basha diberKryetari i Partisë Demokratike ritheksoi qëndrimin e opozitës për konsensus të plotë për reformën administrativo-territoriale. Pas deklaratave të bëra mbrëmë nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta, dhe kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, në mbyllje të Konferencës së Kryetarëve, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i kreut të PD-së, Basha, duke ritheksuar qëndrimin e opozitës për konsensus deri në hallkat e fundit të procesit të reformës administrative për territorin. Gjatë mbledhjes së djeshme të Konferencës së Kryetarëve, opozita nuk mori pjesë dhe në mbyllje të punimeve, Meta dhe Ruçi dhanë nga një deklaratë për mediat, duke theksuar se mbeten të hapur për praninë e opozitës në komisione edhe pse koha për gjetjen e një konsensusi nuk dha një rezultat konkret. Si kreu i Kuvendit, ashtu edhe kryetari i grupit të PS-së, i quajtën më se të mjaftueshme propozimet e socialistëve për të drejtën e vetos së opozitës në komisione si dhe për numrin e barabartë të anëtarëve.

Përtej deklaratave të përfaqësuesve të mazhorancës, kryetari i opozitës Lulzim Basha tha se konsensusi është kusht i panegociueshëm dhe se ky qëndrim është mbajtur edhe në kohën kur PD ishte në pushtet. Gjithashtu, Basha shprehu keqardhje për mungesën e përmendjes së konsensusit nga Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri.

“Sot shpreh keqardhjen që kryeministri e më pas Kryetari i Kuvendit përmendën një sërë termash, morën me radhë anëtarësitë e komisionit, bashkëkryesinë e komisionit, veto për të thirrur ose për të mos thirrur ekspertë, por nuk arritën të shqiptojnë asnjëherë me zë të lartë dhe pa iu dridhur zëri, fjalën konsensus. Në të gjitha hallkat e vendimmarrjes për reformën e propozuar dhe të gjitha aspektet e kësaj reforme, që kanë të bëjnë me decentralizimin dhe reformën zgjedhore”, – theksoi Basha.

Kreu i PD-së tha e konsensusi është një domosdoshmëri dhe kusht i panegociueshëm jo vetëm i opozitës, siç është procesi i ndarjes administrative, por edhe i faktorit ndërkombëtar që monitorin nga afër proceset ligjzbatuese në Shqipëri.

“Rivendosja e konsensusit për ne do të thotë pikë së pari, e më e rëndësishmja; që të gjitha vendimet që nga ato me themeloret për kriteret që do të ndiqen, për diapazonin e kësaj reforme e cila nuk është thjeshtë vizatim kufijsh në hartën e Shqipërisë, por ka impakt të drejtpërdrejtë në kompetencat e pushtetit vendor, ka impakt të drejtpërdrejtë tek demokracia e procesi zgjedhor, e deri tek akti i fundit që është miratimi me votë në Kuvendin e Shqipërisë, të jenë konsensuale. Një konsensus të gjerë politik midis mazhorancës dhe opozitës”, – deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Gjithashtu, kreu i PD-së akuzoi qeverisjen e majtë se ka filluar një sulm politik ndaj institucioneve të pavarura në vend, duke përmendur rastin e AMA-s dhe ILDKP-së. Për këtë çështje Basha tha se nuk është në lojë vetëm reputacioni i opozitës dhe i mazhorancës, por ai i Shqipërisë, në rastin e integrimit të vendit.

Në fund të fjalës së tij, kreu i demokratëve garantoi vullnetin e opozitës për të ndërmarrë të gjitha hapat dhe detyrimet, duke përfshirë reformën administrativo-territoriale, por duke theksuar gjithmonë togfjalëshin konsensus me mazhorancën. “Të japë konsensus për të gjithë vendimmarrjen”, – citoi Basha.

 

 

 

Meta: Keqardhje që nuk u arrit konsensus

 Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Konferencës së Kryetarëve, mazhoranca dhe opozita nuk arritën dakordësinë lidhur me propozimin e nismës së tyre. Në përfundim të saj, kreu i Parlamentit, Ilir Meta, shprehu keqardhjen lidhur me qëndrimin e opozitës, duke i argumentuar pretendimet e saj si politike dhe jo të lidhura me reformën.

“Është për të ardhur keq që edhe pas kaq ditësh nuk u arrit konsensusi, jo për përmbajtjen e projektvendimit as mosdakordësinë për reformën administrative-territoriale, por për arsye të tjera të karakterit politik. Përshëndes angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë, që ndajnë të njëjtën bindje se nuk mund të ofrohen shërbime për qytetarët me këtë organizim që ka pushteti vendor. Vendi sot ka të njëjtën ndarje adminsitrativo-territoriale sikur 22 vite më parë. Ndërkohë që lëvizjet demografike kanë qenë të jashtëzakonshme dhe nuk reflektohet në strukturën e sotme. Shumica e njësive vendore nuk ofrojnë shërbime, por edhe ato që ofrojnë i bëjnë jo në cilësinë e duhur”, – tha ai.

 

 

Ruçi: Drejtimi i komisionit me dy kryetarë, PS dhe PD

 Kryetari i grupit parlamentar të socialistëve, Gramoz Ruçi, gjatë një deklarate që mbajti për mediet në përfundim të Konferencës së Kryetarëve, deklaroi se arsyetimet e opozitës ishin politike, pasi, sipas tij, në 10 pika të propozimit të PS-së nuk kontestoi asnjërën. “Drejtimi i komisioni nuk do të bëhet në mënyrë të njëanshme por me dy kryetar, PD dhe PS. Është përcaktuar një kohë prej 3 muajsh e kushtëzuar edhe nga tërheqja e të gjitha mendimeve të komuniteteve në Shqipëri. Ky komisioni do të asistohet nga ekspertët më të mirë nga pozita dhe opozita që të kenë dhe të drejtën e vetos. Komisioni i posaçëm do të bëjë konsultime të gjerë, që nga ekspertët e ministrive, të të zgjedhurve vendorë, ekspertë të fushës, shoqata etj. Komisioni parashikon që të gjitha partitë parlamentare dhe jo parlamentare të japin mendimet e tyre për reformën territoriale. Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme vetëm kur të jenë më shumë se gjysma e anëtarëve. Vendimet do të merren me shumicën e anëtarëve të komisioni. Është i gjithë vullneti i mirë i mazhorancës që një reformë kaq e rëndësishme të bëhet nga të gjithë faktorët e politikës shqiptare, shoqëria civile etj.”, – tha Ruçi.

 

 

23-vjetori i themelimit të PD-së në Dibër

 Kreu i PD-së: Rama të bëjë transparencë të plotë për projektin e lumit Radika

 Opozita akuzon Kryeministrin Edi Rama për mungesë transparence në raport me të ashtuquajturin projekt për lumin e Radikës. Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Dibër me rastin e kremtimit të 23-vjetorit të themelimit të degës së Partisë Demokratike, kreu i PD-së, Lulzim Basha, kërkoi transparencë të plotë nga Kryeministri Rama, duke theksuar se ai duhet të dëgjojë edhe zërin e çdo qytetari të krahinës së Dibrës, si brenda dhe jashtë kufirit. Në fjalën e tij, z. Basha ishte kritik ndaj Kryeministrit Rama për çështjen e lumit Radika, duke e lidhur qëndrimin e kreut të ekzekutivit me atë të ngjarjeve të armëve kimike siriane. “Transparenca pamundëson ose e bën të vështirë korrupsionin, pamundëson ose e bën të vështirë klientelizmin, sepse transparenca është parakusht i llogaridhënies përpara qytetarëve shqiptarë, ndaj edhe cicërimat e tij të zbehura janë gjithmonë e më shumë jo një shkak për të qetësuar, por një shkak për t’u zemëruar, siç është edhe zemërata e drejtë popullore për heshtjen dhe mungesën e transparencës në raport me të ashtuquajturën projekt për lumin e Radikës. Nga Dibra, por edhe nga sheshet e Tiranës, zemëratës së ligjshme të qytetarëve i është përgjigjur vetëm me cicërima. Cicërimave dhe mohimeve ua pimë lëngun me rastin e “armëve kimike” dhe ai e mori mësimin, ndaj t’i thërrasë mendjes sa nuk është vonë, duam transparencë dhe llogaridhënie të plotë për këtë projekt. Partia Demokratike dhe opozita shqiptare qëndrojnë të vendosur në krah të interesave të qytetarëve dibranë këtej dhe andej kufirit”, – tha Basha. Duke folur për procesin e analizës dhe zgjedhjeve në PD, Basha ishte i prerë në qëndrimin e tij, se analiza në këtë parti nuk do të jetë arenë për të shfrytëzuar mëritë personale, por për të reflektuar gjithçka që duhet bërë më mirë në të ardhmen.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency