Pusht-etërit!

0
157

Nga Elis Buba

 

Padija mbështillet në lumninë e vet.

Nuk jam shumë i ditur, jam i vockël, pa masë i vuajtur, por jo për këtë duhet t’ju vijë keq për mua. Jetoj mes katër teneqeve, dhe bota për mua është ende e rrafshët, e vendosur dhe e manovruar mbi dhe nga të tjera vlera. Jetoj në një sokak të urtë, jashtë një shtëpie, që dikur shkëlqente nga nderi. Shtëpia ime e dikurshme, e ëndërruar dhe ndërtuar nga gjyshi im fortë herët, në atë që sot quhet rruga “Naim Frashëri”. Siç thashë, e ëndërruar dhe e ndërtuar prej gjyshit tim, e shijuar nga askush pas tij. Hatri nuk më mbetet, nëse qesh, kur të mësosh se jam 80 vjeç, me një mjekër gjithë lyrë e me flokët më keq. Pasi nuk i kam të gjitha kushtet higjenike! 80, saktësisht kaq! Disa për çudi më thërrasin profesor, pasi vërdallisem si dikur, me një fletore muzike, nga ato me kapak gjysëm të kuq, të dekoruar me nga një yll, kazëm e pushkë, të vendosura një mbi një. Dikush që po pastronte në bibliotekën e Lagjes 9 më dha disa syresh. Shkruaja muzikë dhe shkruaj heshtje tani. Pasi në shtëpinë time, përball së cilës jetoj, për më saktë në rrugicën para saj, unë nuk hyj dotë. Dikush e zotëron ligjërisht atë dhe unë nuk mundem të kërkoj më as edhe një flaut në dhomën-studio ku punonte dikur im at. Madje nuk di nëse kjo dhomë ende gjendet në këtë shtëpi. I rrënuar i largohem tundimit të modelit të jetës jo edhe aq modeste që dikur bënim. Leckat e mija janë të rënda për trupin e për historinë e jetës sime. Më pëlqen të ngacmoj me gishta një shishe të lëtyrshme rakie, si kundrapeshë e mangësive të sotme në egzistencën time, që do mallëngjenin gjithë zemrat që shtiret, sipas ngesë, si kryengadhnjimtare. Më duket zgjidhja më diplomatike që mund të bëj me veten, për të mos rrjedhur edhe pse argument çarmatosës për të mbrojtur shëndetin tim mendor nuk kam.

Historia e jetës sime është një kompromis mes mishit dhe kohës, ose më saktë, kalendarëve, diellit të lindjes dhe të perëndimit. Privilegjin, lejomëni ta quaj të tillë, e leximit të kësaj historie nuk do ta ketë njeri. Mjafton që dijeninë tuaj dhe kureshtjen e saj, ta fashisin disa fakte sporadike të rrjedhës së dhjetravjeçarëve. Im at, si edhe gjyshi im, kanë mbajtur një mbiemër të fortë, pas emrit të tyre. Mbiemër kryeqytetar, por pa lënë mënjanë një origjinë disi të hershme frënge. Dekada e parë e jetës sime ka qenë e vetmja e buzëqeshur, e stolisur për merak, si pjesa fëmijënore e një jete të zakonshme. Vjolina më bënte të harroja ç’do gjë tjetër që e pretendoja si të parapëlqyer. Tingulli i saj ishte mjegulla e praruar e përfytyrimit tim. Herët na u desh të qanim gjyshin dhe xhaxhallarët e tim eti. Madje mua më është dashur të qaj herët edhe për jetën e vetë tim eti. Nga qyteti im i lindjes, na shkulën me një përdhunë të pashoqe dhe të pandershme. Na shpërngulën nga kjo shtëpi, në pragun e të cilës nuk shkela për më shumë se 40 vjet. Në pjesën e brendshme të këtij të fundit ende nuk shkel dotë. Internimi e më pas burgosja ma depërtuan mishin si fitila trishtues, por vëmendshëm e hutueshëm, u mësova të bashkjetoj e të mos e përjetoj shumë skandalizimin nga një padije barbare, që më ka rrethuar e shoqëruar gjithë jetën, në disa vrima që nuk i lezetojnë as minjve. Shpeshherë kam shijuar heshtjen shumë të dëmshme të vetëdijes. Sakaq hapat më kanë ftuar me bujari të shijoj bollëkun e thellësisë së një humnere, por guximi ka qenë po ky i sotmi edhe ateherë. As një flaut në dhomën që më ka përkitur, e ndoshta në një sistem korrekt, hyjnor, njerëzor, human, vlerash ende më përket, nuk guxoj ta kërkoj.

Konfidencialitetit, kuptohemi, nuk ja kam pasur kurrë nevojën. Heshtja ka qenë kënga ime, e folura ime me perëndinë, fantazma e Tij e mjegullt, si e zbritur me parashutë nga majat e atjetejme. Shqetësimi im i palëvizur më turbullonte shpirtin si një krem i rrahur veze. Me shpirt lutesha e përlotesha të më merrte, por fantazma e Tij humbiste tok me tymin e cigars sime, të përzënë nga vrulli i ndonjë veture të shpejtë.

Mendoj se jam asgjë më shumë se një idiot i dehur në fund të tunelit të gjatë të tiranisë. Paksa i spërkatur nga drita e mantelit të bardhë, që solli atë pak liri për shqipëtarët. Që edhe ata t’i kishin duart e lira, për të bërë me vendin e tyre atë që u donte, e u do zemra. Dhe ashtu u bë…Shqiptarët vendosën t’i rikthehen sërisht tunelit nga e para, paksa i spërkatur nga drita, paksa më hirëplotë e joshës. Rrëmbyeshëm kulluan prapësitë nga të katër anët e vendit dhe i shkuan hekurin e zjarrin tej e tej gjithçkaje.

Asgjë nuk më mrekullon nëse ndodh në Shqiperi. Qëllimisht nuk lejoj të më mbushen brekët me atmosferën informative që përcjellin mediat. Jetoj mes dhenëve të tjerë, ndoshta pakëz më poshtë tyre. Nuk çuditem. Madje çudija do të qe fisheku më qesharak, që do të mund të zhbllokonte  gjakun tim të mbetur mbrenda një hiçi me dhjam dhe alkool. Për mua kush vjedh dhe ja mbërrin të mos dënohet, është artist. Do ta duartrokisja gjithë natën duke i thurur lavde e tituj fisnik. Për mua, për ne të gjithë madje, nuk ka më përvijime të nderit të familjes, për aq kohë sa motrat, bijat, mbesat, kushurirat tona etj, të bien në duar të kamura, plot influencë. Dhënëse të çasteve jetëpake të një lumturie jo aq bashkëshortore, se sa e një lumturie të përngjashme me atë që ndjen bagëtia kur nga dora e njërit pronar, kalon tek dora e pronarit tjetër.

Intelektualët janë karreme të flashkët, për të rrëmbyer vëmendjen e për të rrejtur veten tone dhe veten e tyre bashkë. Intelektualët janë një karvan i stërshëmtuar e padomethënie. Sot kur paraja bëhet bigudinë mes leshrave të arapit të një shit-blerje-je shpirtrash, mendimi qëndron në këmbë, mbështetur tek këmbaleci i interesit, vaditur e flladitur nga verdhushka të thata. Intelektualët janë centimetrat e fundit të karvanit të farefisnisë dhe krushqisë së sforcuar të individit me dijen. Rrjesht jo edhe aq i gjatë, kokëkrisurish, tekanjozësh, jo të mirë e jo të dhëmbshur. Të pahirtë, me mendime të qëmotshme pushtuar nga mendtë. Sepse bëhen palë me pushtuesin e intelektit, talentit, e të të denjit integritet.

Kur flas për dijen, nuk moralizoj ata që nuk shkollohen ndershëm, nuk lexojnë, studiojnë apo ku ta di unë. Por do të doja të përfshija me një të sharë egzemplare, prej atyre të sharave që dalin nga gojë të pamësuara me krasitjen e fjalëve, të gjithë ata që me hir a me pahir duan të më kredhin në frikë dhe pasiguri. Sajesa të arrogancës që unë i di stërpërmendësh. Derë më derë ua dërgoj nga një të sharë të ulëriur, specifike për faqet e tyre të paskuqshme, të paturpërueshme, të babëzitur si faqet e prindërve që kanë, të të parëve e të stërparëve që u kanë trashëguar bukëshkalësinë e urryer. Këtyre pompozëve të lumtur me padiskutueshmërinë e tyre, do tu propozoja të shfletonin ca nga ca veten, duke supozuar atë si një libërth. Të kërkojnë aty brenda fakte të errësuara e të ndritura. Të gjykojnë mbi veten, siç gjykojnë mbi një libër, përgjatë nevojës për dije. Mos e dënoni së dyti, me një sjellje jokorrekte, dikë që ka kapërcyer telat me gjemba që ju lidhën rrudhave të gushës. Mendimi i një plaku nuk vlen, e di. Është ushqim tepër i butë për nofullën tuaj. Ndaj nuk grishem për hakmarrje, ndaj dhe pak nga pak aftësia e ç’do individi për tu mrekulluar, tek unë është zverdhur dhe ndrydhur. Kjo qëllimisht, për t’i bërë vend vrrullit të madh të papajtueshmërisë sime karshi kësaj dukurie, mrekullimit ose çuditjes pra. Shpesh herë mendoj me sinqeritet se këta nuk janë fare në terezi. Ata që gati më shkelin duke i kaluar përbri atij vendi delikat, subjekt vështrimesh e pështytjesh, që unë e kam në vend të folesë, fjetinës, shtrojes, strofkës a ku ta di unë. Nuk më duken fort të kthjellët. E njëjta gjë ndodh edhe me ju, edhe pse nuk jetoni në rrugë, por në shtëpi e apartamente komode e të sigurta. Gati sa s’ju shkelin ata që kalojnë përmbi ju. Ata që mendojnë se ju ushqejnë, ju veshin e ju mbathin. Falë zemërgjerësisë së tyre, pandehin se ju jetoni e gjalloni, a thua ata të jenë perëndi e jo njerëz të vegjël si të gjithë ne. Ata të mëdhenjtë e kollareve të rënda, e të punëve të pakollajta, duhet të dalin nëpër fushata elektorale e të thonë shkoqur. –“Kemi nevoj për votën tuaj sepse kemi ngritur aq shumë biznese sa na vjen keq të mos i vjelim edhe ca.”- Sinqerisht duhet të thonë; -“Na vjen keq që portet dhe aeroportet, doganat dhe taksat, t’i shfrytëzojnë ata, kur mund t’i shfrytëzojmë ne, që jemi burra më të mirë.”- Pastaj mund të bëjnë ndonjë sadaka të rastit, sa për të dëshmuar mirësinë e burrërisë së tyre. Por mund të shtojnë edhe; -“Populli të shpejtojë të anëtarësohet në partitë e koalicionit tonë, në mënyrë që të uzurpojë sa më shumë privilegje, kur ne të marrim të gjitha karriget e egzekutivit.”- Mund ta shprehin shqeto;-“Do shkatërrojmë jetën e mijëra familjeve, përkrahës të atyre, që të mund të krijojmë lehtësi punësimi për familjet tuaja dhe të atyre që kanë qenë dhe mbeten përkrahësit tanë. Politika le të behët si futbolli, me tifozë, jo me elektorat. Me grupe njerëzish që brohorazin për të mbrojtur sedrën sportive të njërës palë dhe të tjetrës, krahinizmin ta shpërfaqim me mburrje, përkatësinë krahë të fortëve dhe atyre që dinë të fitojnë me ç’do kusht. Do ndryshojmë me kënaqësi kuptimin e fjalëve brenda ligjeve, në mënyrë të atillë, që miqtë tanë me para, të mos rreshtin së akumuluari edhe më shumë para.”-

Ende e mbaj shpresën tek përfytyrimi im për një Shqipëri me kalimtar të buzëqeshur, sepse nëpër televizione, radio dhe gazeta nuk kanë gjetur asnjë gënjeshtër të vetme, që të mund t’jua prishë humorin. Sepse nëpër foltoret e drunjta e të skalitura me arabeska viktoriane, nuk është thënë asgjë, që të mund të përbëjë lëndë të parë për qyfyre e barcaleta.

Ende i qëndroj besnik imagjinatës sime, sepse kështu më pëlqen, për më tepër i shmangem shkallimit. Kjo e fundit fare nuk është utopi. Edhe pse plak, pak me të vjetrën, e kuptoj këtë debillëk të pashqetësuar që lakmon këtë lëneshë të fyer, që është trualli i etërve të etërve tanë.

Një ditë bashkë me zakonin që qorton fjalën e gojës, do të vijë edhe zakoni që vetqërton gojën dhe pa asnjë kursim të guximit, do të mbijnë nëpër tubime antigalante, tipike shqiptare, nga ata burra që do të thonë; -“ Po, ne vërtet u grindëm, për nja 70 mijë euro a 700 mijë euro të qelbura e nëmura. Ne ngritëm një 21 Janar të bukur, të gjithë burrat dhe gratë që kishim mundësi të paguanim e shantazhonim me përjashtime nga partia, kundër një ndërtese që ishte edhe synimi i pushtimit tonë. Ne u shamë e u ndamë, u kacafytëm gati-gati. E shtymë miletin në luftë. Madje vdiqën nja tre veta. Zgjidhjen konkrete, megjithatë, nuk e mori vesh njeri. Ja që erdhi dita, që për hir të interesave dhe detyrimeve tona të përbashkëta, për më tepër, të shtyrë nga palët e treta, që na financuan me “borxhe”,“dhurata” e “donacione” shumë të çmuara e të çmendura, u bashkuam dhe i bëmë një sorollatje piruetë për hunde këtij populli, që ta mbaj mendë e ta ketë kujtim nga ne.”-

Do të vijë dita, kur pak do të vlejnë retorikat e gjata. Kur trimoshët pa pasur nevojë të vigjëlojnë për ndonjë gërrhitës mallkues a sharës, të thonë; -“ Po, po mor zotërinj, ne e morëm pushtetin, nuk na e dhanë, ne e kapëm shtetin sepse mundëm! Hë bëni dotë gjë?! Jo! Një pëllëmbë ta bëni dhëmbin, gjë nuk na bëni dotë. Sepse ne jemi si ju. Sepse edhe ju në vendin tonë, po të njëjtën gjë do të bënit. Kokainën sheshit do ta thithnit, trafiqet, vjedhjet, kopillëqet, maskarallëkun zgrrapjen e madhe, nuk do t’jua linit të tjerëve, vetë do t’i bënit dhe kurvat e njëri-tjetrit do ndërzenit e çaplenit. Sepse ky është pushteti, i sprovon ata që pandeheshin te vetmit të ndershëm. Ne ju njohim popull. Jua dimë kokën nga i pari tek i fundit. Ju doni atë, Tarras, Shpatin, Ustai! Ndryshe nuk i kihet me ju. Edhe ju e keni të pamundur indiferencën përball hakmarrjes. Edhe ju e keni të pamundur indiferencën, përball mundësisë së vjedhjes, dhunimit, abuzivizmit. Edhe ju briheni nga një zhburrërim nëse bëheni shef dhe nuk keni një copë dashnore në vendin e punës. Nuk është faji ynë pra popull. Nuk është faji ynë që jemi kështu. Ne jemi kështu të gjithë. Të këtillë. Virus i pashok i dheut am. Brejtës. Etër të etur për pushtet…”-

Më quani mua lypsar, zhuls, vjedhhajdut. Më quani mua të pastrehë, katundar, provincial, të poshtër, të prapambetur. Aq më bën. Unë nuk çuditem. Shqipëria nuk është vendi i mrekullimeve, sepse jeni ju aty e ne këtu. Por edhe e kundërta të qe, në po të njëjtën nevojtore do të plandosesha për të fjetur. Unë nuk mrekullohem nga lajthitja për seks e një babai, që shuhet në prehrin e së bijës, ndërsa llahtarisen sytë e të tjerëve të pafuqishëm. Nuk çuditem nga dhuna karshi një zonje, prej duarve të së shoqit e të së birit që i qeth nga koka flokun e munduar. E di që ndaj zonjave kanë ditur të jenë edhe më mizor se kaq. Nuk çuditem nga atentate mafjoze në 2014-ën. Nuk më çudisin disa pleq që blejnë vajza të reja. Nuk më çudisin disa mijëra pallate që i zënë dritën njëri-tjetrit dhe qyteti që duket si koshere dhe njerëzit që lëvizin me karroca Dyli të viteve ’80 a thua të jenë miza. Nuk çuditem nga ky popull që ha plehra të paketuara bukur, që pi ujë të papijshëm, që shkel rrugë që janë thjesht shtigje, që u thotë shtëpi kasolleve. Që tymos e alkoolizohet pafund, për të përballuar edhe këtë rrokapujë tirano-saurësh, siç përballoi monizmin, me faqoren e rakisë varur zverkut. Nuk çuditem sikur që nesër rrogat tona të zerrohen e ne të punojmë për të mbajtur gjallë atë që ata na e quajnë demokraci. Ne t’i rikthehemi punës vullnetare, siç na mësoi ai që përqeshte punën hangari! Për të mbajtur gjallë atë çështjen e përbashkët që na e quajnë demokraci dhe pluralizëm dhe mbeturina klishe të demagogjisë dhe frikës nga ferri i përdhunës që mund të shkaktojë hakmarrja e tyre.

Nuk më çudit ti. Ti. Nuk më bën asnjë përshtypje habija dhe lodhja jote për të lexuar mendimet e mija, që shkasin nga goja e një plaku. Ti je si ata. Një Oniegin i përgjumur dhe i hutuar që do të përmendesh një ditë. Kur koka të të jetë zbuluar nga helmeta e idiotit. Dikush do të ta japë shansin dhe ti do t’i shërbesh si lëpic deri në dhimbje. Për vetëm pak pushtet, për vetëm pak mirqënie.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency