Basha – Plevneliev Fuqizimi i shtetit ligjor, çelësi për integrim në BE

0
150

Zoti Basha ka shprehur shqetësimin për efektet që do të ketë dhe që ka nisur të japë paketa e re fiskale, e cila, përmes rritjes së taksave, frenon investimet e brendshme dhe të huaja, rrezikon shkatërrimin e vendeve të punës dhe cenon zhvillimin, mirëqenien dhe paqen sociale.

  

basha bullgariKryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, njëherësh edhe kryebashkiak i Tiranës, priti dje në një takim Presidentin e Republikës së Bullgarisë, Rosen Plevneliev. Të dy përfaqësuesit, Basha dhe Plevneliev, diskutuan për bashkëpunimin mes dy vendeve dhe mbështetjen që Bullgaria do t’i japë Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sipas njoftimit të shpërndarë në profilin e z. Basha në “Facebook”, thuhet se ai garantoi angazhimin e opozitës për të dhënë të gjithë kontributin e saj në këtë proces, duke mbështetur të gjitha nismat e nevojshme për plotësimin e standardeve.

Duke iu referuar mosdhënies së statusit të vendit kandidat Shqipërisë, pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian, të dy bashkëbiseduesit kanë ndarë të njëjtin qëndrim se ekstremistët në Evropë nuk kanë qenë asnjëherë forcë bllokuese. Konsolidimi i demokracisë dhe respektimi i shtetit ligjor janë sfidat me të cilat përballet sot Shqipëria. Në këtë kuadër, zoti Basha ka theksuar domosdoshmërinë që shfaqet para qeverisë për të kryer detyrat në raport me këto sfida dhe jo për ta hedhur përgjegjësinë tek të tjerët.

Më herët, Kryeministri Edi Rama ka theksuar se refuzimi i statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në Bashkimin Evropian erdhi edhe për shkak të rritjes së frymës ekstremiste në Evropë ndaj atyre vendeve që duan të anëtarësohen në BE. Gjithashtu, Kryeministri Rama në deklaratën e fundit që ka bërë për këtë çështje, ka theksuar se shtyrja e marrjes së statusit erdhi edhe për shkak të zgjedhjeve që pritet të mbahen këtë pranverë në Bashkimin Evropian. Përtej këtyre pritshmërive, Kryeministri shqiptar ka vënë theksin tek puna që do të bëjë qeveria për të bindur euroskeptikët për statusin e kandidatit që pritet të vendoset në muajin qershor.

Ndërkaq, gjatë takimit të djeshëm mes kreut të PD-së, Lulzim Basha, dhe Presidentit të Bullgarisë, z. Rosen Plevneliev, ky i fundit theksoi se një vend demokratik dhe që aspiron të integrohet në BE, duhet të dëshmojë transparencë në vendimmarrje dhe respektim të shtetit ligjor.

Një vend të veçantë në këtë takim zuri edhe situata ekonomike në vend.

Zoti Basha ka shprehur shqetësimin për efektet që do të ketë dhe që ka nisur të japë paketa e re fiskale, e cila, përmes rritjes së taksave, frenon investimet e brendshme dhe të huaja, rrezikon shkatërrimin e vendeve të punës dhe cenon zhvillimin, mirëqenien dhe paqen sociale.

Presidenti bullgar, duke iu referuar përvojës së vendit të tij, ka theksuar se ekonomia mund të zhvillohet duke stimuluar investimet e huaja përmes taksave të ulëta dhe duke ndërtuar një administratë fiskale profesionale dhe transparente.

Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev, e ftoi zotin Basha të vijojnë bashkëbisedimin dhe bashkëpunimin gjatë vizitës zyrtare që do të zhvillojë së shpejti në Sofje.

 

 

Berisha: Rama, i njohur botërisht për lidhjet e tij të gjithanshme me bandat

 Duke folur për situatën e kriminalitetit në vend, ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi krerët e mazhorancës dhe Kryeministrin Rama për lidhje me bandat kriminale në vend. Sipas z. Berisha, vrasjet, maskat, tritoli, trafiqet kanë mbizotëruar si kurrë ndonjëherë më parë javët e para të këtij viti. “Krimi në shtetin policor të Edi Ramës është në revansh të papërmbajtur. Qeveritarët për të zhdukur gjurmë të hershme të lidhjeve të tyre me krimin i ekzekutojnë me prite shtetërore ato. Policët, të shndërruar në gjobëvënës, nuk merren më me krimin dhe kriminelet, trafikantët apo maskat. Në tërësi për të gjitha këto akte nuk ka autor. Policia merret vetëm me gjobëvënie dhe mbledhjen e gjobave të vëna në kundërshtim me ligjin për të plaçkitur pa maska qytetarët. Situata po degradon me shpejtësi çdo ditë.

Qeveritarët aktualë janë shokët, nunët e kriminelëve të ish-bandave më të rrezikshme dhe banditëve aktuale kryesore ndaj dhe krimi nuk pyet më për policinë, por është ngjitur në zyrat e shtetit duke filluar nga zyra e kryekreut. Rama është i njohur botërisht për lidhjet e tij të gjithanshme me: “bandën e Rrugës së Kavajës”, “bandën e Lushnjës”, “Hakmarrjen për Drejtësi” dhe disa të tjera me të cilat kur drejtonte Bashkinë lante para, rrëmbente prona, por edhe kuti votimi. Po shkojmë drejt pasigurisë së plotë dhe kaosit!”, – ka shkruar ish-kryeministri Sali Berisha në profilin e tij në internet, në “Facebook”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency