Presidenca greke e BE-së Refuzimi i statusit, Rokanas: Nuk ishte arsye ekstremizmi evropian, Brukseli kërkoi kohë

0
139

Gëzim Saliu

Kufiri detar Shqipëri – Greqi, ambasadori grek: Çështje e rëndësishme, por jo kusht për statusin

Venizelos në fund të muajit, vizitë në Shqipëri, Rokanas: Ky vit do të njihet si viti mesdhetar

 

rokanasNë Evropë ekziston euroskepticizmi dhe ekstremizmi, por ky element nuk ka luajtur rol në vendimin e marrë nga Brukseli në dhjetor për të shtyrë me 6 muaj vendimin e statusit kandidat për Shqipërinë. Ky ishte qëndrimi i ambasadorit grek në Tiranë, Leonidas Rokanas, i cili në kuadër të marrjes së Presidencës së BE-së nga Greqia, bëri të ditur dje përparësitë e këtij mandati 6-mujor, duke theksuar në të njëjtën kohë se për sa i përket statusit, BE kërkoi më shumë kohë për të vëzhguar ecurinë e reformave. “Sa i përket ekstremizmit, unë nuk flas në mënyrë zyrtare, por Presidenca greke dhe shumë udhëheqës kanë thënë që ekziston euroskepticizëm, nuk do të thosha ekstremizmi apo ata ultranacionalistë janë një element përkufizues i Bashkimit Evropian. Le të mos e vëmë theksin vetëm tek ekstremizmi, por euroskepticizmi, ku disa janë euronacionalistë, disa skepticistë, por ky element nuk ka luajtur një rol përkufizues në vendimin e Këshillit në muajin dhjetor. Jo, statusi nuk u refuzua, jo nuk ka të bëjë refuzim, por u tha që ne na duhet një historik më i gjerë. Arsyeja kryesore është se disa qeveri në BE kanë menduar se duhet më shumë kohë, ndaj përfundimet e Këshillit janë që presim të shohim këtë vazhdim të gjërave të mira që ka bërë deri tani Shqipëria”, – tha ambasadori grek.

Zonat ekonomike

Një ndër temat e prekura në konferencën e zhvilluar në qendrën e informimit të BE-së, ku krahas ambasadorit Rokanas merrnin pjesë ambasadorëve të tjerë të unionit, si dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ishte edhe ajo për zonat ekonomike. Kryediplomati grek në Tiranë theksoi se çështja për zonat ekonomike që ndahen nga kufiri detar janë një temë mjaft e rëndësishme mes dy vendeve, por nuk janë kusht për marrjen e statusit të kandidatit nga Shqipëria. “Nuk ka lidhje mes kësaj çështjeje si kusht për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Nuk dua të bëj koment për këtë çështje, po flasim për BE-në, por dua të bëj një koment për Bashkimin Evropian: Çështjet që kanë mbetur do të zgjidhen në frymën e bashkëpunimit dhe miqësisë së mirë. Çështja e zonave ekonomike ekskluzive është e rëndësishme. Nuk mund të hyj në detaje sa u takon çështjeve mes dy vendeve”, – tha Rokanas. Ky qëndrim u përforcua edhe nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, i cili tha: “Konkluzionet e Këshillit Evropian kanë thënë fare qartë se nuk ka kushte. Kërkohet konsolidimi i luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe është qëndrimi i të gjitha shteteve anëtare”. Ndërkohë, lidhur me sfidat e Presidencës greke në 6 muaj, ambasadori Rokanas bëri të ditur se zgjerimi mbetet prioritet kyç. “Zgjerimi i BE-së do të thotë rritje ekonomike. Kjo është një politikat tona më të rëndësishme. Të gjithë udhëheqësit e BE në mënyrë unanime kanë treguar angazhimin e pakthyeshëm për integrimin e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë. Për këtë duhen realizuar reformat për të bërë ndryshime, progres që do të ndihmojë në përmirësimin e sistemeve të vendeve të rajonit me qëllim përputhjen e tyre me sistemet e vendeve të BE-së. Ky vit do të njihet si viti mesdhetar, për ti dhënë një theks të rëndësishëm këtij rajoni, ku është dhe Shqipëria. Ne kemi një destinacion të përbashkët dhe mesazhi i Presidencës greke të BE-së është optimizmi”, – u shpreh ambasadori grek në Tiranë, Leonidas Rokanas, i cili shtoi se zv.kryeministri dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm i Greqisë, Venizelos, do të mbërrijë në fund të muajit në Shqipëri për një vizitë zyrtare.

 

Politikat e reja

BE, bashkim jo vetëm monetar, por edhe ekonomik

Ambasadori grek Rokanas bëri të ditur dje se Bashkimi Evropian gjendet aktualisht në një pikë kthimi të rëndësishme. Sipas tij, BE po përpiqet të ndërtojë një arkitekturë të re ekonomike. “Jo thjesht bashkim monetar, por edhe ekonomik”. Në çështjen ekonomike, Rokanas tha se zgjerimi do të jetë dhe në sistemin bankar, duke e cilësuar këtë si “Bashkimi Bankar”. “Që depozitat tona kudo në Evropë të jenë të garantuara gjithandej jo thjesht në nivelin kombëtar dhe sistemi të jetë më i sigurt dhe kjo ka të bëjë me qytetarët me mbrojtjen e kurimeve tona”.

Vizita

Rama në shkurt, në Serbi. Mrkic: Pakica serbe në Shqipëri nuk është pranuar si duhet

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, pritet të zhvillojë muajin e ardhshëm një vizitë zyrtare në Serbi. Kjo u bë e ditur dje nga ministri i Jashtëm serb, Ivan Mrkic, i cili njoftoi për vizitën e Ramës në muajin shkurt, por duke mos saktësuar datën. “Jemi të gatshëm të takohemi me të dhe të bisedojmë për krijimin e raporteve sa më të mira në rajon”, – tha Mrkic në një deklaratë për gazetën serbe “Politika”, duke shtuar se në axhendën e vizitës do të jetë bashkëpunimi dypalësh në shumë sfera. Sipas tij, axhenda e bisedimeve do të përqendrohet në bashkëpunimin dypalësh që “është në interes të dy vendeve, sidomos në bashkëpunimin në fushën e bujqësisë, turizmit, lidhjeve të komunikacionit, arsimit etj…” Ndërkohë, ministri i Jashtëm serb theksoi në intervistë se shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës i gëzojnë të gjitha të drejtat, ndërsa pakica serbe, sipas tij, që jeton në Shqipëri, ende nuk është pranuar si duhet. “Duhet të shikojmë faktin se në Shqipëri jeton pakica serbe, e cila ende nuk është pranuar si duhet. Unë këtë çështje e kam iniciuar kur kam qenë në Tiranë vitin e kaluar. Duhet të specifikojmë të gjitha mënyrat se si do të trajtohet pakica serbe, pasi shqiptarët tek ne gëzojnë të gjitha të drejtat, sipas standardeve më të larta evropiane”, – ka pohuar Mrkic. Po ashtu, ai ka folur edhe për takimin e përbashkët në mes të dy kryeministrave në Prizren, atij të Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se Beogradi nuk mund t’i japë mësime askujt për veprimet e tyre, por dihet cilët janë kufijtë e Serbisë. Nga ana e saj, gazeta serbe “Politika” thekson se kjo është vizita e parë e një kryeministri të Shqipërisë që prej vitit 1946, kur Beogradin e kishte vizituar diktatori Enver Hoxha.

 

Takimi me Presidentin

Kodheli me Papuliasin, diskutohet ligji i luftës dhe pakti detar

Ligji i luftës, marrëveshja për detin, toponimet ishin në qendër të takimit mes ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, dhe Presidentit të Greqisë, Karolos Papulias. Në kuadër të vizitës dyditore në Athinë, ministrja shqiptare përmbylli dje axhendën e takimeve me kreun e shtetit grek, ku nuk janë lënë mënjanë diskutimet edhe çështjet “e nxehta” në marrëdhëniet mes dy vendeve. Ndërkaq, media greke ka zbardhur disa detaje nga takimi i Kodhelit me Presidentin Papulias ku sipas “naftemporiki.gr”, takimi u zhvillua në një frymë pozitive për t’u dhënë një shtysë të re marrëdhënieve mes dy vendeve. “Ti e di dobësinë time në marrëdhëniet greko-shqiptare”, – mësohet se i ka thënë Papulias Kodhelit, duke shtuar se dëshiron që bashkëpunimi vazhdimisht të rritet dhe beson se çështjet e pazgjidhura mund të marrin një rrugë zgjidhjeje. Gjatë fjalës së tij, Papulias nuk ka lënë pa përmendur edhe emigrantët shqiptarë në shtetin grek si dhe investimet që janë bërë nga Greqia në Shqipëri, duke qenë edhe partneri i dytë i investimeve dhe marrëdhënieve tregtare pas Italisë. “Greqia pret një milion punëtorë shqiptarë, është fuqia e dytë e investimeve në Shqipëri, partner në investime pas Italisë”, – ka theksuar Presidenti grek. Ndërkohë, sipas njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes, takimi mes Kodhelit dhe Papuliasit është zhvilluar në një atmosferë miqësore, ku gjatë bisedës, ata kanë vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, si dy vende fqinje nga më të vjetrit në rajon, me lidhje të vjetra historike dhe tradicionale. Ministria Kodheli vuri në dijeni Presidentin Papulias mbi zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, mbi mbledhjen e fundit mes dy qeverive, duke e konsideruar atë si një model i mirë që mund të bëhet mes qeverive të tjera të rajonit tonë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency