23-vjetori i themelimit të PD-së në Berat Basha udhëzon degët e PD-së në rrethe: Mirëprisni çdo kontribut

0
160

Florenc Drizari

“Të rinjtë e FRPD dhe gratë e LDG anëtarë me të drejta të plota në PD”

 

 

Basha ne RreshenBasha ne RreshenKryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, udhëzoi dje nga qyteti i Beratit të gjithë përfaqësuesit e degëve të PD-së në rrethe, që të jenë të hapur për çdo kontribut në partinë më të madhe opozitare në vend. Gjatë fjalës së mbajtur me rastin e 23-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike në qytetin historik të Beratit, z. Basha tha se udhëzimi i nisur prej tij kërkon rifreskimin e bazës së të dhënave të PD-së, duke mirëpritur si anëtarët e rikthyer, por edhe ata që kanë qenë përballë demokratëve në fushata elektorale. Me vendimin e kreut të PD-së, të anëtarësuarit e Lidhjes Demokratike të Gruas dhe Forumit Rinor të PD-së, do të bëhen anëtarë me të drejta të plota në Partinë Demokratike.

Lulzim Basha

“Ky proces po nis e do të nisë anembanë vendit me një shtyllë fondamentale të saj, që është evidentimi i resurseve dhe potencialeve të plota e gjithë kontributeve historike të demokratëve  ndër vite. Për këtë arsye, unë kam nënshkruar sot një udhëzim që u kërkon kryetarëve të PD, të nisin menjëherë “rifreskimin” e bazës së të dhënave, të nisin menjëherë procesin e hapjes dhe mirëpritjes së të kthyerve dhe të rikthyerve në gjirin e PD si dhe kam autorizuar kryetarët e PD dhe të deleguarit të bëjnë mënjeherë dhe automatikisht anëtarësimin me të drejta të plota në gjirin e PD të anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Gruas dhe Forumit Rinor të PD”,- deklaroi Basha.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ftoi të  gjithë ata që janë gati të japin kontributin e tyre të drejtpërdrejtë, të anëtarësohen dhe të jenë pjesë e projektit të ri. “E njëjta vlen pa dyshim për ata qytetarë me përvoja të gjata administrative, publike apo jo publike, ndoshta dikur edhe përballë  nesh në llogore të politikës, por që janë të bindur se ndonëse sot në Shqipëri, falë pluralizmit ka shumë parti politike, njëra dhe vetëm njëra është partia e lirisë se nëse e ndajnë këtë vlerë me ne janë të mirëpritur në gjirin e familjes tonë të madhe”,-tha kreu i PD-së.

Gjithashtu z. Basha tha se procesi i bashkimit dhe ribashkimit të çdo kontributi historik, procesi i hapjes ndaj të gjithë kategorive dhe shtresave, shtresëzimeve dhe individëve që e gjejnë veten e tyre në PD, duhet dhe do ndiqet nga një kulturë e re politike brenda familjes politike, një kulturë e cila sipas tij, ka në bazë garancinë se çdo anëtar i PD, nga tesera më e vjetër e deri tek tesera më e re.

Gjatë fjalës së mbajtur në qytetin historik të Beratit, z. Basha kritikoi ashpër mazhorancën për vendimet e saj të fundit, kryesisht ato me karakter ekonomik. “Sot, çdo shqiptar e di se jo vetëm asnjë vend i ri pune nuk është krijuar në këto 4 muaj por se perspektiva është më e zymtë se kurrë, që ekonomia të gjenerojë mirëqenie, vende pune, zgjerim, rritje dhe begati. Sot e dimë se ekonomia ndodhet nën presionin e jashtëzakonshëm të politikave regresiste të një qeverie e cila ka ndërtuar gjithçka në veprimtarinë e saj, jo mbi bazën e lirisë por shtypjes së saj, jo mbi bazën dhe virtytin e individit të lirë por të shtetit arbitrar, arrogant dhe ligjshkelës”,-theksoi Basha. Sipas tij,  goditja pa mëshirë e administratës publike, për ta zëvendësuar atë me militantë partiakë është një harxhim që u kushton qytetarëve shqiptarë sot miliona e miliona euro e dollarë nga buxheti i shtetit dhe nga buxhetet e europianëve dhe aleatëve amerikanë  qe u shpenzuan për të trajnuar këtë administrate.

 

 

 

Meta me krerët e insitucioneve të pavarura

“Reforma administrative e territorit, Meta: E vonuar, komision bipartizan

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi një pritje me krerë të Institucioneve të Pavarura në Shqipëri, ku të pranishëm ishin Kryeministri, Edi Rama, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu, Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, Ambasadori i OSBE-së, Florian Raunig, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik, etj. Kreu i Kuvendit foli për dy nismat e mazhorancës të cilat kanë hyrë në procedurat parlamentare, si reforma administrative terrotoriale dhe reforma në drejtësi. Në hapjen e këtij sesioni të ri, z. Meta tha se dy reformat pritet të ofrojmë mundësi të reja për zhvillimin e vendit.

Duke folur për reformën administrative territoriale, Meta tha se ajo është e vonuar koha për realizimin e kësaj reforma do të përmirësonte thelbësisht cilësinë e pushtetit vendor e do ta bënte atë shumë efikase për planifikim strategjik të politikave zhvillimore. “Ajo ofron mundësi të jashtëzakonshme për një menaxhim më të mirë të burimeve njerëzore ekonomike dhe natyrore në nivel vendor. Ndaj edhe përshëndes iniciativë e depozituar sot në Kuvend nga mazhoranca për krijimin e komisionit bipartizan për këtë qëllim”,- deklaroi Meta.

Përsa i përket reformës në drejtësi, kryetari i Kuvendit theksoi se është sfida kryesore në procesin e integrimit. “Qytetari i sotëm dhe i nesërm evropian shqiptar ka nevojë për një drejtësi evropiane. Aty është edhe themeli i shëndoshjes së shoqërisë ekonomisë dhe sigurisë së jetës, pronës dhe rendit në vend. Transparenca dhe gjithëpërfshirja jam i bindur do të jenë kushtet e domosdoshme për suksesin e përbashkët për realizimin e këtyre reformave të mbështetura dhe të pranuara nga e gjithë shoqëria jonë. Progresi dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit do të jetë i mundur dhe i garantuar duke zbatuar plotësisht parimet e shtetit të së drejtës duke rritur frymën e bashkëpunimit në respekt dhe në zbatim të ligjit dhe duke vendosur të gjithë së bashku interesin kombëtar e publik mbi çdo interes tjetër të çastit. Kjo është një sfidë dhe unë jam i bindur se ne do ta fitojmë atë të gjithë së bashku”,-deklaroi Meta.

 

 

 

PD: Akuzat kolektive të Ramës, nuk i mbulojnë vjedhjet dhe dështimet e qeverisë me energjinë

Partia Demokratike reagoi dje në lidhje me deklaratat e bëra nga Kryeministrin Edi Rama për situatën e energjisë elektrike, duke thënë se kreu i ekzekutivit akuzon kolektivisht qytetarët shqiptarë si vjedhës të energjisë elektrike. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi tha se kryeministri dhe ekipi i tijë, kanë dështuar në menaxhimin e situatës së energjisë elektrike në vendin tonë. “Akuzat kolektive ndaj qytetarëve shqiptarë, nuk janë të reja për Edi Ramën, por nuk pritej që ato të intensifikoheshin e të bëheshin skandaloze pas marrjes së detyrës së Kryeministrit. Kjo është mënyra më pak serioze që Edi Rama ka gjetur për të fshehur dështimin e tij, dhe të ekipit të tij në menaxhimin e sistemit të energjisë në vend. Nëse akuzon kolektivisht shqiptarët, Edi Rama nuk e fsheh dot faktin se humbja e energjisë në rrjet është rritur qysh se ai është bërë Kryeministër. Nëse i akuzon kolektivisht shqiptarët, Edi Rama nuk e fsheh dot faktin se arkëtimet e energjisë kanë rënë qysh se ai është bërë Kryeministër. Nëse i akuzon kolektivisht shqiptarët, Edi Rama nuk e përligj dot faktin se errësira dhe gjeneratorët janë shtuar qysh se ai është bërë Kryeministër. Hajdutë dhe vjedhës nuk janë shqiptarët, por janë ata që rifutën faturat afrofe, që ulën arkëtimet e shtuan humbjet e energjisë në rrjet. Hajdutë dhe vjedhës janë ata që mashtrojnë me premtime elektorale, janë ata që blejnë votat me 20 mijë lekë, janë ata që dështojnë në menaxhimin e energjisë, janë ata që emërojnë grupet e interesit dhe klientelën e tyre në postet kyçe të administratës”,-deklaroi Vorpsi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency