Sfidat e reformimit të RTVSH

0
155

Ani Ruci

 

Radio- Televizioni Shqiptar, e vetmja media audio-vizive publike dhe jo komerciale në Shqipëri ka rënie të audiencës. Sipas analistëve: operatori publik ka ecur larg interesave të publikut ndaj dhe publiku po e braktis.

 

rtshPeizazhi i mediave audio- vizive sot në Shqipëri, më shumë se 15 vite pas lejimit me ligj të radiove dhe televizioneve private, shfaqet me shumë ngjyra për një treg goxha të vogël. Sipas Autoritetit të Medias Audiovizive, (AMA) ekzistojnë 56 stacione radiofonike me licensë lokale dhe dy radio me licensë kombëtare, 71 televizione me licensë lokale, dy me licensë kombëtare dhe 83 stacione kabllore që funksionojnë në të gjithë territorin. Në këtë peizazh një vend të veçantë zë Radio- Televizioni Shqiptar, e vetmja media audio-vizive publike dhe jo komerciale në Shqipëri. Por niveli në rënie i audiencës nga viti në vit është fakt kokëfortë që tregon se i vetmi operator publik në Shqipëi ka ecur larg interesave të publikut dhe publiku po e braktis: sot audienca është 9% nga 20 % që ishte para pak vitesh. Aleksandër Çipa, analist i pavarur dhe kryetar i Unionit të Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë thotë për DW se ka një kontradiktë të dukshme mes statutit që ligji i jep RTVSH dhe praktikës së përditshme. “Është enti i vetëm mediatik që sipas ligjit të shkruar duhet të përfaqësonte cilësinë e të qenit publik. Por ky qëllim ka mbetur vetëm në tentativë dhe përherë si një mundësi që deri më tani nuk ka mbërritur në “destinacion”. RTVSH nuk u shërben interesave të publikut. Ai u ka shërbyer shëmtueshëm interesave të kabineteve qeverisëse dhe partive qeverisëse. Për shkak të këtij deformimi, vlefshmëria e tij publike ka ardhur në rënie dhe degradim të përhershëm. Në RTVSH janë shembur kriteret klasike të rekrutimit të stafeve redaksionale për shërbesë publike dhe të balancuar, për raportim të papolitizuar dhe jashtë interesave partiake” thotë Çipa.

Dikur i konsideruar “pasuri kombëtare” sot RTVSH është operatori audio-viziv që ka humbur publikun, shkakun e egzistencës së tij. “Statusi ligjor i RTVSH është ai i medias publike, status i mbrojtur me ligj dhe me Kushtetutë. Por ky status është shpërfillur deri në masën flagrante të përdorimit të RTVSH si media partiake dhe në dispozicion fund e krye të qeverive të rotacionit postkomunist. Aktualisht është një media me tiparet e medias partiako- qeverisëse që në 20 vitet e fundit ka sjellë prova të përsëritura të shpërfilljes së shumë institucioneve të larta kushtetuese, deri edhe të Presidencës për hir të vënies në shërbimin servil dhe iracional të Partisë së kryeministrit të radhës.” – thotë analisti Aleksandër Çipa.

 

Kthimi tek publiku

Në harkun kohor të 20 viteve të fundit nuk është se kanë munguar përpjekjet për t’i kthyer publikut RTVSH. Por vetë situata në të cilën ndodhet sot operatori i vetëm publik në Shqipëri tregon se ato kanë dështuar. Ndërkohë që ecja e Shqipërisë drejt një demokracie funksionale dhe të maturuar e ka berë reformimin e RTVSH emergjent dhe vendosjen ndër prioritetet e axhendës së qeverisë së re të drejtuar nga kryeministri Edi Rama, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit. Duket se ka ardhur koha që operatori publik të pushojë së qëni “shpërblim” për partinë që fiton zgjedhjet dhe për kryeministrin e rradhës.

“Reformimi i RTVSH është po kaq i domosdoshëm sa edhe mjedisi publik, zëri publik në një shoqëri pluraliste, ku bashkëjetesa mes publikes dhe privates është tipar i kapitalizmit dhe i shoqërisë moderne liberale. Reformimi i tij ka të bëjë me lirinë si cilësi dhe thelb i një demokracie funksionale. Për të mos vijuar kjo histori tranzicioni, nevojitet ikja prej kritereve politike të përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues, themelimi i një strukture audituese të pavarur, ngritja e një institucioni që ofron avokati publike dhe të mëvetësishme , që ka pavarësi në politikat editoriale dhe qëndrimet e drejtorive të informacionit”, nënvizon analsiti Aleksandër Çipa . Reformimi shfaqet shumë dimensional: ai nuk ka të bëjë vetëm me pavarësinë nga politika, me gazetarinë profesionale, por edhe me skema të reja strukturore, menaxhimi dhe financimi. Në një tryezë të rrumbullakët rajonale të organizuar në Tiranë nga prania e OSBE-së në Shqipëri dhe Instituti shqiptar i Medias gjatë këtij muaji, kushtuar reformimit e RTVSH, u diskutua edhe për modele dhe standarde europiane që mund të aplikohen të kombinuara me specifikat e Shqipërisë ku OSBE ofron ekspertizën e saj. “ Për reformimin e TVSH lipset një konsensus i gjerë politik dhe OSBE është gati të ofrojë ekspertizë për dizanjimin e një transmetuesi modern në Shqiperi. Do të ofrojmë ndihmë në forcimin e një medie të pavaruar në Shqipëri”- tha zëvendës-ambasadori i OSBE-së, Robert Wilton

 

Procesi i integrimit europian, dixhitalizimi dhe reformimi i RTVSH

Domosdoshmëria e reformimi të televizionit vetëm publik që ka Shqipëria, në këndvështrimin e standardeve të kërkuara, shprehet qartë në Protokollin e Amsterdamit të Bashkimit Evropian ku theksohet se “sistemi i televizionit publik në shtetet anëtare është direkt i lidhur me demokracinë, nevojat kulturore dhe sociale të çdo shoqërie dhe me nevojat për pluralizmin e medias”. Përpjekjet e Shqipërisë për të ecuar drejt krijimit të një televizioni publik të këtij formati përkojne në kohë me procesin e dixhitalizimit, të kalimit nga transmetimet analoge në ato dixhitale, që duhet të përfundojë, sipas direktivave të BE-së në qershor të vitit 2015.

“Në Shqipëri dhe vendet e rajonit, televizionet publike janë në përballje me sfidën e dixhitalizimit. Në qershor 2015 do të lirohet një Dividend Dixhital që është një transformim teknologjik që do të transformojë sërish jetët edhe të qytetarëve të Shqipërisë ashtu siç e transformuan celularët në vitet 2000. Ky është një proces, ku RTVSH duhet të marrë gjithë përgjegjësinë e saj dhe te jetë lokomotiva e procesit, sepse bëhet fjalë për mbijetesën e vet. Reforma e RTVSH-së mund të zhvillohet krejt e pavarur nga procesi i kalimit në transmetimeve numerike. Të dyja janë të domosdoshme dhe emergjente. Afati i kalimit ne transmetime dixhitale – qershor 2015 – na detyron t’i bëjme të dyja njëherësh dhe në paralel, ndërkohë që kalimi total në transmetime dixhitale e ndryshon krejt peizazhin audiovizual, siç ka ndodhur në të gjitha vendet” thekson ministrja Harito. Sfidat e kthimit të RTVSH publikut janë të shumta: që nga pavarësia prej politikës, strukturat profesionale dhe menaxheriale, mekanizmat e kontrollit të brendshëm, financime që të mos jenë në dorën e qeverisë dhe deri tek plane strategjike dhe analiza e tregut mediatik.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency