Aktivistet e Pussy Riot

0
158

aktivistetNë Rusi asgjë nuk ka ndryshuar me amnistinë, mendojnë aktivistet e Pussy Riot. Ato duan të themelojnë një organizatë për të drejtat e njeriut, të largojnë Putinin dhe bëjnë thirrje për bojkot të Lojërave Olimpike.

Pjesëtaret e grupit punk Pussy Riot, që sapo u liruan nga burgimi, në të ardhmen duan të angazhohen për kryerje dënimi më njerëzore. “Në kampet e burgimit të Rusisë ka njerëz, që janë në buzë të vdekjes”, tha aktivistja Maria Aljochina. Gjatë një konference shtypi në Moskë të premten (27.12.2013) ajo njoftoi se së bashku me kolegen e saj Nadeshda Tolokonnikova duan të themelojnë organizatën “Sona Prawa” (Zonë drejtësie). Ajo do të bëhet zëri i të burgosurve, tha Tolokonnikova.

Dy muzikantet dhe aktivistet ishin dënuar në shkurt 2012 me dy vjet burg në kamp pune, pas një aksioni proteste në kishën e Moskës Shpëtimtari Krisht, kundër presidentit Vladimir Putin dhe kishës ortodokse, me akuzën për huliganizëm. Bashkëluftëtarja e tyre e arrestuar gjithashtu për shkak të këtij aksioni, Jekaterina Samuzeviç, ishte liruar më pas me kusht. Dënimet patën shkaktuar protesta në mbarë botën.

 

Opozitarët duan të ndihmojnë

Problemi më i madh i burgjeve ruse është që janë plotësisht të izoluar nga shoqëria, tha Aljochina në konferencën për shtyp. Për këtë arsye ajo dëshiron të angazhohet për komunikim mes shoqërisë dhe institucioneve të vuajtjes së dënimit. Tolokonnikova shtoi se organizata e re për të drejtat e njeriut, Pussy Riot, në të ardhmen do të merret me ankesat kundër kushteve në burgje. Më tej organizata do të tërheqë vëmendjen për dhunën në kampet e burgimit, e cila ndër të tjera është edhe e natyrës seksuale.

Sukseset e para janë shënuar që tani. Në kampin në Mordovi, tha Tolokonnikova, ku ajo vetë ka vuajtur pjesën e parë të dënimit, që prej grevës së saj të urisë është shkurtuar dita e punës. Tani dy të rejat duan që kjo të ndodhë edhe në kampet e tjera.

Kritikët e regjimit rus, ndër të tjerë edhe politikani opozitar Aleksej Navalni, duan të mbështesin punën e organizatës së re për të drejtat e njeriut. Ndihmë kanë ofruar edhe Sergej Vlasov, koordinatori i projektit për të drejtat e njeriut “RosUznik”, si dhe Vladimir Rubashni, anëtar i Komisionit Shoqëror për kontrollin e punës në institucionet e vuajtjes së dënimit.

 

“Putin ka shumë frikëra”

Një tjetër temë qendrore e konferencës për shtyp ishte presidenti Vladimir Putin. “Ne duam edhe më tej të arrijmë atë, që patëm deklaruar në katedralen Shpëtimtari Krisht: ne duam të largojmë Putinin, jo si person por sistemin e ngritur prej tij, të cilin ai simbolizon”, tha Tolokonnikova. Putin është i mbyllur, plot frikëra dhe një çekist jotransparent – një përshkrim për punonjësit e shërbimit të sigurisë në ish Bashkimin Sovjetik.

Njerëzit, që rrethojnë Putinin, e gënjejnë atë, thanë dy aktivistet. “Unë mendoj se ai beson vërtet që shtetet e Perëndimit paraqesin një kërcënim”, tha më tej Tolokonnikova. Sipas Aljochinas Putin është një përfaqësues tipit i forcave të sigurimit. E tillë është edhe politika e tij. “Këtu qendron forca, por edhe dobësia e presidentit rus. Herët ose vonë sistemi i tij do të shkatërrohet”, beson ajo.

 

Apel vizitorëve të Lojërave Olimpike

Dy gratë nuk besojnë se lirimi i tyre i parakohshëm nga burgu ka ndodhur për arsye humanitare. Në të vërtetë në Rusi nuk ka ndryshuar asgjë, mendon Tolokonnikova. Janë liruar vetëm persona, të cilët kanë kryer pjesën më të madhe të dënimit. Por të gjithë ata, të cilët kërcënohen nga dënime të gjata me burg, për shkak të demonstrimeve anti-Putin në pranverë 2012, në sheshin Bolotnaja në Moskë, janë ende në burg.

Aljochina është e bindur: shkak për amnistinë masive janë Lojërat Olimpike së shpejti në Soçi. Për këtë arsye dy të rejat i drejtuan një thirrje të gjithë atyre, që planifikojnë të vizitojnë këto lojëra: “Secili ka të drejtë të vendosë vetë. Por duhet të mbahet parasysh, se kush vjen në Soçi në Lojërat Olimpike, pranon edhe kursin politik nën sundimin e Putinit”, theksoi Tolokonnikova.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency