Prokuroria Vrau 2 vëllezërit për borxhin, dosja në Gjykatë

0
169

Anxhela Tato

Hetimet, Nikola dhe Iglend Haxhialiu nuk respektuan afatin e përcaktuar në marrëveshje për kthimin e lekëve

 Pas konfliktit në makinë, autori Eduart Kurti qëlloi 4 herë mbi vëllezërit Haxhialiu

 

vrauVrau dy vëllezërit, se shkelën afatet e përcaktuara në marrëveshjen për kthimin e lekëve borxh. Ky është rasti i Eduart Kurtit, dosja hetimore e të cilit është mbyllur nga Prokuroria. Në ngarkim të të pandehurit Kurti është ngritur akuza e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese si dhe armëmbajtjes pa leje. Nga të dhënat e Prokurorisë bëhet me dije se autori kishte nënshkruar një marrëveshje me dy viktimat vëllezërit Haxhialiu, të cilët i kishin borxh 6000 euro dhe 150 mijë dollarë. Por në momentin që nga dy borxhlinjtë është vonuar dhe shkelur afati i përcaktuar në akt-marrëveshjen noteriale kanë nisur debatet. Situata ka degraduar me datë 1 dhjetor të vitit 2012, kur Kurti ka goditur për vdekje dy vëllezërit. “Shtetasit Eduart Kurti, Iglend Haxhialiu dhe Nikola Haxhialiu kanë pasur njohje të mëparshme me njëri-tjetrin. Me datë 31.8.2009, ndërmjet shtetasve Nikola Haxhialiu dhe Eduart Kurti është përpiluar një deklaratë noteriale, nëpërmjet së cilës pasqyrohet fakti se shtetasi Nikola i ka marrë shumën prej 6000 euro shtetasit Eduart dhe këtë shumë do t’ia kthejë deri më datë 31.12.2009. Gjithashtu, me datë 27.12.2011, ndërmjet shtetasve Iglend Haxhialiu dhe Eduart Kurti është përpiluar një deklaratë noteriale, nëpërmjet së cilës pasqyrohet fakti se shtetasi Iglend i ka marrë shumën prej 150.000 dollarë amerikanë si dhe 6000 euro shtetasit Eduart dhe këtë shumë do t’ia kthejë deri më datë 25.3.2012. Duke qenë se nga ana e shtetasve Nikola dhe Iglend Haxhialiu nuk u zbatuan kushtet e përshkruara në dy deklaratat noteriale, ndërmjet tyre dhe të pandehurit Eduart Kurti kanë lindur mosmarrëveshje”, – thuhet në dosjen e Prokurorisë.

 

Ngjarja

 Pas një bisede që ka zgjatur rreth 30 minuta në mjediset e automjetit me targa TR 9205 S, Eduart Kurti dhe dy vëllezërit Haxhialiu janë përfshirë sërish në debat mes tyre. Sipas deklarimeve të dhëna në polici nga shoku i Kurtit, shtetasi Ardjan Ndreka, Kurti i ka kërkuar t’u marrë me çdo kusht paratë e dhëna dy vëllezërve, pasi kishte mbetur shumë keq nga ana financiare. Nisur nga kjo situatë, Kurti u ka pohuar se nëse dy vëllezërit nuk pranonin t’i jepnin shumën prej 200 mijë dollarësh, atëherë ai nuk do të zbriste nga makina. Kjo, pasi, sipas dëshmisë së Ndrekës, edhe Eduart Kurti kishte probleme me disa borxhe financiare, të cilat ai ua kishte marrë disa personave të tjerë. Nisur nga kjo situatë, ai kërkonte paratë me qëllim mbylljen e borxheve të tjera. Mirëpo kërkesat e tij të vazhdueshme kanë hasur në këmbënguljen e dy vëllezërve dhe për pasojë, palët kanë filluar të ofendohen dhe përplasur fizikisht. Pikërisht në këtë situatë, Eduart Kurti ka nxjerrë nga xhepi një pistoletë “Miniblow” dhe ka qëlluar në drejtim të Iglent Haxhialiut, i cili ndodhej në sediljen e pasme të makinës. Kanë qenë dy plumba që i kanë hyrë në kokë dhe në qafë, duke i sjellë vdekjen e menjëhershme. Pas dy krismave, arma i është drejtuar vëllait tjetër, Nikola Haxhialiut, i cili teksa ishte duke u larguar ka marrë dy plumba një në kokë dhe një në fyt. Megjithëse me plagë në trup, Nikola ka mundur të ecë disa metra dhe të rrëzohet, ndërkohë që më pas ka gjetur vdekjen në sallën e reanimacionit të Spitalit Ushtarak. Autori i krimit, Eduart Kurti, është larguar me shpejtësi së bashku me shokun e tij Ardjan Ndreka, që ndodhej në sediljen e pasme të makinës. Sipas dinamikës së krimit, të ndërtuar nga ana e policisë, autori i krimit ka qenë në sediljen e parë, ndërsa shoku i tij ka qenë prapa, në shoqërinë e Iglentit, ndërsa vëllai i këtij të fundit Nikola, ka qenë në timonin e makinës.

 

 

Lezhë

 Plagosën fqinjin, arrestohen 2 persona

 Dy persona janë vënë në pranga nga policia e Lezhës, pasi akuzohen për plagosje me dashje. Sipas policisë, Mariglen Medja dhe Vladimir Sinai janë arrestuar pasi kanë plagosur me mjete të forta Muhamet Hutën për motive që ende nuk bëhen me dije. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e konfliktit mes të dyja palëve. Sipas policisë, i plagosuri ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Lezhës, ndërkohë që dy të arrestuarit kanë bërë rezistencë ndaj forcave të policisë.

 

 

Ministria e Brendshme

 Zyrat e aplikimit të pasaportave nuk do të punojnë në 31 dhjetor

 Zyra e aplikimit për pasaporta nuk do të punojë në datë 31 dhjetor 2013. Vendimi për pezullimin e punës së kësaj zyre përgjatë ditës së martë është njoftuar nga Ministria e Punëve të Brendshme. Sipas njoftimit të këtij dikasteri, u bëhet me dije të gjithë shtetasve të interesuar për t’u pajisur me letërnjoftim apo pasaportë biometrike se përgjatë datës 31 dhjetor 2013, të martën, zyrat e aplikimit pranë njësive të pushtetit vendor për dokumente identiteti (letërnjoftime dhe pasaporta biometrike) nuk do të mund të presin aplikime të reja. Po kështu, gjatë ditës së martë nuk do të kryhet as shpërndarja e dokumenteve të identitetit të prodhuara deri atë ditë, pranë komisariateve të policisë.

 

Durrës

 Gërmimet në pallat, gjendet predha e pashpërthyer

 Një predhë e pashpërthyer është gjetur në zonën mes portit të Durrësit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave. Kanë qenë punëtorët e një firme, që po hapte një gropë për të ngritur një pallat, që kanë gjetur predhën e Luftës së Dytë Botërore, e cila është më shumë se 1 metër e gjatë. Burime nga policia njoftojnë se për largim janë njoftuar forcat xheniere që do ta çojnë drejt poligonit për asgjësimin e saj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency