Gëzuar Robotlindjet!

0
149

Artan Fuga

 

fuga170Para disa ditësh ndodhi diçka që sigurisht, ngaqë ishte një ngjarje shumë e madhe, ndofta nga ato që ndajnë shekujt, u kalua pa u vënë re shumë nga media ndërkombëtare, pa folur për median shqiptare, dhe nuk i tërhoqi vëmendjen as publikut.

Ngjarjet e mëdha kështu e kanë, janë si malet e mëdhenj që kur vendos hundën mbi to, pra i ke afër, nuk i dallon nëse janë male apo je afër ndonjë gërxhi te avllia e shtëpisë.

Japonezët prodhuan një robot që shoqëron kozmonautët në hapësirë dhe që duke i dhënë edhe formën e jashtme të një njeriu, disa decimetra në fakt, është në gjendje që nga programet që zotëron, t’u përgjigjet pyetjeve që kozmonauti i bën në mënyrë të pavarur.

Si kalon roboti im?

Mirë mo, për bukuri, rehat fare jam, po ti or mik, ke shkruar gjë në Facebook sot?

Sigurisht është një hap i parë, sigurisht do të ketë perfeksionime, por këto ndodhin shpejt, çështje vitesh e dekadash, kurse hapi është bërë tashmë.

Cili hap?

Sipas meje, ai që matet së paku me tri nivele të ndryshme.

I pari, që njeriu nis të komunikojë me kompjuterin – robot me anë të transmetimit të mendimit me fjalë gjuhe natyrore, pra pa e prekur, pa klikuar mbi të, thjesht si një komunikim virtual i mendjes me mendjen nëpërmjet fjalëve. Sigurisht nuk është fare problem që të komunikojë thjesht edhe vetëm me anë të vështrimit duke i dërguar sinjale me sy ose me çdo mënyrë tjetër imateriale.

I dyti, roboti – njeri – kompjuter ka një gjuhë, një të folur gjenerativ, domethënë ai nuk është thjesht një bletë që edhe ajo ka gjuhën e vet, por ka gjuhë riprodhuese ose një robot i thjeshtë, një kompjuter, që nuk ka gjuhë performative, pra gjenerative. Riprodhon vetëm fjalët apo mesazhet që i ka të gatshme dhe pret komandën e njeriut që të veprojë e të bëjë kalkulimet e veta dixhitale. Jo, roboti i tanishëm kishte aftësinë që brenda një game shumë të gjerë operacionesh kibernetike të merrte të dhënat me fjalët që i jep njeriu, t’i përpunojë, t’i fusë në kombinatorikë me të dhëna të tjera që ai merr në mënyrë të pavarur nga mjedisi dhe të përgjigjet sipas asaj që është “interesi” i tij.

– Hidhu robot tani nga anija kozmike dhe zhduku nga sytë këmbët në hapësirë.

– Ik ore zhduku vetë, pse budalla jam unë që të mos ta rigjej prapë anijen, unë dua të kthehem në Tokë se kam lënë roboten vetëm në shtëpi.

Ai ka aftësinë të mos bindet.

Rrofsh o robot! Na dole nga duart!

I treti, ai jo vetëm “mendon”, se në fakt veprimet e tij kibernetike janë kushedi sa mijëra herë më të shpejta sesa të trurit të njeriut dhe s’ka njeri që mund të luajë shah me të, por edhe komandon në mënyrë të pavarur trupin e tij duke lëvizur në hapësirë dhe manipuluar sendet e tjerë që nuk kanë pikë autonomie.

Roboti – njeri lindi!

Robotlindja!

Gëzuar e për shumë vjet!

Ai do të përkryhet, por ama lindi. Vetë njeriu dikur ka qenë antropofag, por nuk është më.

Tani mendojmë pas disa vitesh apo shekujsh se çfarë mund të ndodhë.

Pamja e jashtme e robotit – njeri nuk përbën problem, ajo mund të bëhet me lëndë që t’i ngjajë mishit të freskët të një trupi rinor. Sa vetë mund të bien në dashuri me robotin – njeri pa e kuptuar fare se është robot.

Të dua shpirt, je i vetmi…

Edhe unë zemër.

Dhe pastaj ushtarë robot – njeri, pa fund ushtarë që sulmojnë pa frikë. Por, edhe robotët e atëhershëm mund të kenë frikë. Çfarë është frika? Ndjenja që lidhet me ardhjen e rrezikut. Por edhe roboti – njeri e ndjen rrezikun pra mund të ketë frikë. Mund të mos i bindet urdhrave, madje t’i kthehet me kallashnikov oficerit njeri që e urdhëron dhe t’i rebelohet.

Nuk ka asnjë çudi.

Po ja del pesëdhjetë-gjashtëdhjetëvjeçari që ka mësuar në shkollën sovjetike se makina nuk e komandon njeriun, por është njeriu që komandon makinën e thotë me sigurinë e vet idiote: Jo, roboti nuk i del dot nga dora njeriut sepse njeriu i heq komandat, nuk i vendos disa programe në kokë, nuk riprodhohet dot, etj, etj, nga këto budallallëqe…

Por, roboti – njeri e ka kaluar këtë fazë pardje. Ai komunikon në mënyrë autonome, komandon trupin dhe ka fuqi performative, pra nga disa struktura racionale krijon të tjera, pra riprodhohet fare bukur.

Nuk ka lëndë?, ai kërkon lëndë të tjera në natyrë për të krijuar robotë të tjerë si njeri, vetëriprodhohet, sikurse robotët bëjnë automobila, avionë etj., një ditë do të bëjnë veten e tyre, pra do të rilindin, riprodhohen, prodhojnë fëmijë nuk e di se me çfarë lloji akti seksual.

Ata duke pasur kibernetikë do të dinë edhe t’i fshihen njeriut, të ndërtojnë një shoqëri paralele, madje edhe të marrin krejtësisht role njerëzore, duke u hequr si njerëz.

Nga frika te hipokrizia nuk është veçse një hap. Çfarë është hipokrizia? Një veprim i thjeshtë mekanik, t’i shfaqesh tjetrit ashtu sikurse nuk je, duke u munduar që qëllimet e vërteta të tua t’i realizosh pa i treguar në mënyrë autentike.

Artin njerëzor në këtë fushë, një robot – njeri nuk e ka vështirë ta kopjojë.

Ne do të kemi atëherë në shtëpitë apo ndërmarrjet tona robotë – njeri që do të hiqen si njerëz.

Dikush prej tyre do të na thotë: Kujdes, se ka robotë – njeri që hiqen si njerëz dhe duan të na marrin sekretet tona, apo të na marrin formulën e platformës tonë elektorale. Rrisni vigjilencën.

Dhe njerëzit do ta besojnë.

Pastaj njerëzit do të humbasin besimin te njeri tjetri, kush është njeri, kush është njeri – robot, kush nuk është njeri. Do të grihen me njeri tjetrin, do të akuzojnë njeri tjetrin se nuk janë njerëz, dhe robotët – njeri do të kenë futur grindjen mes njerëzve. Nuk ka më të lehtë sesa të sundosh njerëzit, mjafton t’i përçash, t’i bësh të grinden e të mos kenë besim te njeri tjetri.

Robotët – njeri do të ngrenë qendrën e trajnimit të njerëzve që grinden dhe do të fusin kudo sherrin.

Midis burrit dhe gruas nuk është vështirë. Mjafton që një robote – njeri t’i vardiset mashkullit dhe ky brenda pak orësh bie në ethet e dashurisë me roboten – njeri duke e harruar gruan për ca kohë. Pastaj një robot – njeri, ose edhe njeri – robot, shkon vetë dhe i bën thashethemin gruas, dhe ja sherri është i lindur. Familja mori fund.

Sherri fetar mes njerëzve? Gjëja më e lehtë në botë për t’u sjellë në gjendje vlimi. Mjafton që robot – njeri të hyjë nudo në objektin e kultit të një feje dhe aty të deklarojë fraza fyese për besimtarët. Kur këta të fundit ta ndjekin ai të hyjë për t’u mbrojtur te objekti i kultit të fesë tjetër. Njerëzit budallenj e hanë dhe sherri fetar nis.

Në Kuvend nuk është problem fare sepse duket sikur robotët – njeri e kanë nisur e rinisur punën e tyre.

E pra, gëzuar e për shumë vjet Robotlindjet.

Roboti – njeri ka lindur pardje, e pashë duke folur me kozmonautin japonez në anijen kozmike.

Por, çfarë them unë?

Robotlindjet?

Pardje? Po sikur prej një shekulli ndofta roboti – njeri të ketë lindur dhe unë të jem mashtruar prej tij? Sikur kozmonauti japonez të jetë në fakt një robot – njeri dhe ai që duket si robot të jetë një njeri i zvogëluar, i trullosur, nga vetë roboti – njeri?

Po sikur fqinji im, padroni im, deputeti im, politikani im, miku im, të dashurat e mija – pyet Qenan K. – të jenë robotë – njerëz? Po sikur, vetë unë – shton Qenan K. – dhe pastaj bie në ekstazë, të jem një robot – njeri që programi që kam në kokë më thotë: Jo, ti nuk je robot – njeri!

Gjithsesi: Gëzuar Robotlindjet, për shumë vjet!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency