Zbulohet fotografi i Malësive

0
193

shan-pici-1Fototeka Kombëtare “Marubi” ka zbuluar dje në Tiranë fotografin e Malësive, Shan Picin. Në Muzeun Historik Kombëtar është hapur mbrëmë ekspozita fotografike “Shan Pici – Fotografi i Malësive” si dhe u bë promovimi i albumit fotografik “Shan Pici”, një event i përvitshëm që zhvillohet jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetin e Shkodrës.

Shan Pici radhitet në Shkodër krahas emrave të mëdhenj e të njohur të fotografisë si: Marubët, Jakovët e Raboshët. Përveç punës së përditshme si fotograf profesionist i qytetit të tij, që fiksonte e dokumentonte kryesisht në studion e tij portrete të qytetarëve të moshave të ndryshme, malësorëve, nuseve dhe dasmorëve; Shan Pici me pasion e për natyrën, ka lënë një koleksion interesant të fotografisë së peizazhit verior shqiptar. Ai udhëton shumë dhe fikson pamje të natyrës piktoreske malore të zonës së Malësisë së Madhe, të Tropojës, Kukësit, Pukës, Mirditës etj. Ai sigurisht ka vlerën e artistit – fotograf që ka fiksuar bukurinë e natyrës deri atëherë të panjohur shqiptare, magjinë e dritës dhe lojën e saj, transparencën dhe delikatesën e një kompozimi të natyrshëm, por të kërkuar me mjaft durim e dashuri. Në këto vepra fotografike arti, që janë realizuar me mjetet e thjeshta të kohës, edhe sot ndihet i njëjti emocion e kënaqësi në komunikim me imazhin e fiksuar 70 vjet më parë. Drita, magjia e saj, momenti fotografik janë elementet me të cilët mjeshtri Pici kalonte ditë të tëra në pritje të gjetjes . Në veprat e tij fotografike tashmë me vlera edhe si monumente historike, transmeton një lirizëm poetik të padukshëm. Aty spektatori ndjen një qetësi magjepsëse e tërheqëse. Ndoshta në historinë e fotografisë shqiptare të shekullit XX, realizimet e mjeshtrit Shan Pici do të kenë edhe sharmin e fotografisë turistike, që e rreshton autorin në grupin unikal të fotografit të parë shqiptar të fotografisë turistike. Veç kësaj, Shan Pici mund të quhet edhe fotografi i popullit. Janë me qindra foto të mjeshtrit që pasqyrojnë kronikën e jetës reale popullore të kohës, varfërisë dhe të pabarazisë burrë-grua. Një pasion për Shan Picin ishte dhe realizimi i portreteve me pamje jo të zakonshme, kryesisht të malësorëve me portrete të ashpra e me mustaqe të gjatë apo malësoreve. Kemi të bëjmë ndoshta me portretet e para psikologjika të trevës së Veriut në fotografinë shqiptare. Cikli i portreteve ndoshta ka interes në zbulimin e jetës reale e pa mite. Me aparatin e tij fotografi Pici me një krijimtari gjysmëshekullore (1924-1976) ka lënë në arkivin e tij me rreth 80.000 pllaka filmi dhe negative të madhësive të ndryshme.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency