Me grupin e PD-së dhe aleatët Basha: I themi “jo” buxhetit të krizës, ta ndalim para se të jetë vonë

0
162

Gëzim Saliu

 

Kreu i PD-së: Ky është buxheti i askujt, sjell varfëri dhe papunësi

 “Hera e parë që një qeveri vendos rritje drastike të taksave dhe godet të suksesshmit”

 

Basha ne grup Opozita nuk do të votojë projektbuxhetin dhe paketën fiskale të sjellë nga qeveria për t’u miratuar në Kuvend. Kështu deklaroi dje kreu i PD-së, Lulzim Basha, në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, ku ishin të pranishëm edhe aleatët, duke theksuar se në thelb të projekt buxhetit qëndron varfërimi dhe papunësia e shqiptarëve. Sipas liderit të opozitës, projektbuxheti i qeverisë godet suksesin e qytetarëve dhe në të njëjtën kohë, theksoi Basha, prej tij ndihen të gjithë të humbur. “Ky nuk është dhe nuk mund të jetë projektbuxheti i Partisë Demokratike, i qendrës dhe qendrës dhe së djathtë në Shqipëri. Alternativa jonë është krejt tjetër në krahasim me alternativën e së majtës. Dhe ne do të mjaftoheshim me kundërshtimet dhe reflektimet tona po të kishim në tryezë një projektbuxhet thjesht majtist. Por ky projektbuxhet nuk është i kurrkujt. Të gjithë i godet, të gjithë pa përjashtim. Kishte një gjë të përbashkët në qëndrimet e grupeve të interesit për këtë projektbuxhet: të gjithë, që nga pensionisti, invalidi, pronari i një biznesi apo dyqani të vogël e deri te specialisti me kualifikim shumë të lartë apo biznesmeni i madh ndihen të humbur me paketën fiskale hileqare, të padrejtë dhe cinike të qeverisë”, – tha kreu i PD-së.

 

Mbledhja

Në fjalën e tij para mbledhjes së grupit të PD-së, Basha bëri edhe një panoramë të katër tryezave të zhvilluara me përfaqësues të biznesit dhe grupeve të interesit, duke numëruar problemet që vijnë prej tij. “Rritja e taksës së karburanteve dhe mallrave të konsumit zeron dhe e çon në minus edhe atë përfitim të vogël, asnjë i fituar, 100% të humbur, ky ishte përfundimi i tryezave. Projektbuxheti i parë që ka në shënjestër suksesin, godet suksesin dhe atyre që kanë mundur të sigurojnë një makinë, ata që kanë një shtëpi të dytë, ata që kanë mundur të ngrenë një biznes. Një përfundim tjetër shumë domethënës ishte ai se ky është projektbuxheti i parë në historinë e demokracisë së re të vendit që ka në shënjestër suksesin, i vërsulet suksesit, godet suksesin; suksesin e vogël të atyre që kanë mundur të sigurojnë një makinë; suksesin e mesëm të atyre që kanë arritur të kenë një shtëpi të dytë, suksesin e qindra mijëra të tjerëve që ia kanë dalë të ngrenë në këmbë një biznes dhe sidomos suksesin e më të suksesshmëve që kanë dëshmuar përgatitje, talent dhe përkushtim më të madh se të tjerët në sistemin e konkurrencës së lirë”, – pohoi Basha. Në këtë kontekst, kreu i PD-së nënvizoi se të papunët janë kategoria më e goditur e projektbuxheti, duke theksuar se kësaj shtrese nuk i krijohet asnjë lehtësi apo nxitës zhvillimi. “Kësisoj kush paguan shumë, do të paguajë më shumë, ndërsa miqtë dhe shokët nuk do të paguajnë fare. Ky është slogani i projektbuxhetit të Ramës me të tijtë – i padrejtë deri në palcë, arbitrar, arrogant, i mbushur nga fillimi në fund me zgjidhje që përfaqësojnë premisat e një katastrofe ekonomike dhe financiare. Prandaj e refuzojmë, prandaj po bëjmë e do të vazhdojnë të bëjmë çmos deri në minutën e fundit për t’i thënë qeverisë “jo” me zërin tonë si opozitë, me zërin e të gjitha grupeve të interesit, me zërin e të gjithë shqiptarëve”, – pohoi ai, duke shtuar se opozita do të mbështesë qytetarët në protestën e tyre. “Së bashku duhet t’i themi “jo” këtij projekti krize, me të cilin çdo shqiptar do të paguajë më shumë e që jo vetëm nuk krijon vende të reja pune, por do të shkatërrojë mijëra vende pune. Duhet ta ndalim, para se të jetë tepër vonë”.

 

 

Paketa fiskale

 Bogdani: Rama po e çon drejt rrënimit ekonominë shqiptare

Deputeti i PD-së, Gerti Bogdani, deklaroi se projektbuxheti dhe paketa fiskale e qeverisë do ta dërgojë ekonominë shqiptare drejt rrënimit. Duke theksuar se kreu i qeverisë, Rama, nuk ka lidhje me financat e vendit, ligjvënësi demokrat theksoi se të gjitha dhomat e tregtisë e kanë kundërshtuar paketën fiskale dhe i kanë kërkuar qeverisë ta ndryshojnë, sepse i dëmton ato dhe qytetarët. “Shkelën të gjitha afatet derisa sollën paketën fiskale në parlament. Pas një viti le ti pyesim biznesin nëse ishin më mirë me taksën e vjetër apo të re. Të gjithë e kemi dëgjuar talljen e fundit të Kryeministrit për qytetarët që për rritjen e çmimit të naftës tha ase kjo do të thotë se ecim më shumë në këmbë se bën mirë për shëndetin. Jam kurioz të di, ky Kryeministër që u kërkon qytetarëve të ecin, sot si ka ardhur në Kuvend. Ose Kryeministri merr vesh nga ekonomia dhe rritjen e bën me vetëdije, ose nuk e di që çmimi i naftës ndikon në rritjen e çmimeve. Rritja e çmimit të naftës rrit koston e fermerit apo ky i fundit do duhet ti kthehet parmendës. Qytetarët shqiptarë do ta ndjejnë këtë barrë në jetën e tyre të përditshme. Çdo hallkë e ekonomisë është e ndikuar nga rritja e çmimit të një litri naftë. Rama po çon drejt rrënimit ekonominë shqiptare dhe ekonominë e qytetarëve shqiptar”, deklaroi në debatin maratonë në Kuvend, Gerti Bogdani.

 

 

Në Kuvend

 Deputetja e PD-së, Tabaku: Paketa sjell informalitet, selektim dhe ndarje klasore

 Në diskutimin maratonë të projektbuxhetit dhe paketës fiskale dje në Kuvend, deputetja demokrate Jorida Tabaku i cilësoi këto dy projektligje në fjalën e saj si vërtetim të pretendimeve të ngritura më parë nga opozita. “Cilët janë sektorët që do të stimuloni? A jeni lodhur për të pyetur se cilët janë problemet që ka biznesi dhe se si mund ta konsiderojmë atë si bashkëpunëtor dhe jo si armikun e popullit? Cilat do të jenë efektet në rritjen e çmimeve, të cilat kanë filluar të rriten që sot? A keni konsultuar bizneset se si do të reagojnë për investimet e ardhshme dhe planet e tyre për punësim?”, – pyeti Tabaku. Në këtë kontekst, deputetja e PD-së theksoi se paketa fiskale e sjellë nga qeveria është e para pas 12 vitesh që sjell rritje taksash. “Një paketë fiskale serioze duhej minimumi të bazohej në një analizë të fortë ekonomike sektoriale, analizë stimuluese për të injektuar kapital të ri në ekonomi. Duhej të përpiqej të gjente sektorë të rinj për të shfrytëzuar dhe për të ri dimensionuar, duhej të përcaktonte drejtimin nga do të shkonte ekonomia nesër. Ju nuk keni bërë asgjë nga këto! Përkundrazi, paketa juaj në thelb ka informalitetin, përzgjedhjen selektive dhe nxitjen e një ndarjeje klasore që kishte vite që Shqipëria nuk e përjetonte”, – tha Tabaku, duke shtuar: “Nuk ka asgjë të majtë në këtë që po bëni! Po varfëroni shtresat më të ndjeshme të shoqërisë. Nuk ka asgjë të djathtë në atë që po bëni, po ndëshkoni bizneset, intlektualët, forcën vitale të këtij vendi. Për ju nuk ka rëndësi asgjë, për ju ka rëndësi që të pasurohet qeveria”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency