Debate në Kuvend për paketën fiskale – tatimi mbi të ardhurat Berisha, Ramës: Të kanë bërë synet politik. Kryeministri: E dija që je marrë me zemrën

0
128

Florenc Drizari

Berisha: Ky është buxheti i rrënimit të familjeve shqiptare dhe ekonomisë së vendit

 Rama: Ky buxhet është më i madh se buxheti elektoral i këtij viti dhe nuk është një buxhet krize

 

sali berisha edi rama me koken ulur parlament Diskutimet mbi paketën fiskale të qeverisë për ndryshimin e projektligjit të tatimit mbi të ardhurat në Kuvendin e Shqipërisë, u shoqërua me debate dhe akuza mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës. Ish-kryeministri Sali Berisha ngriti një sërë akuzash në drejtim të kreut të qeverisë, Edi Rama, lidhur me paketën fiskale, projektbuxhetin dhe vendime të tjera të qeverisë të marra në 100-ditëshin e parë të qeverisjes, ndërsa qëndrimet e tij u replikuan ashpër edhe nga kreu i ekzekutivit. Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë, ish-kryeministri Berisha tha se Rama ka rritur shpenzimet e Parlamenti me 20 për qind në një kohë kur invalidëve dhe personave në nevojë nuk u janë shpërndarë pagesat.

 

Berisha – Rama

 Përbërja e qeverisë, sipas ish-kryeministrit, shton pagat milionëshe të zyrtarëve. “Do ta mbyll këtë ndërhyrje duke denoncuar marrëveshjen intrigante të dyshes Rama-Meta dhe të garantoj shqiptarët se ky akt i sotshëm ka në bazë vetëm një intrigë banale të këtyre dy zotërinjve që përdorin mandate për të skllavëruar qytetarët, për të qëruar hesapet në çdo moment me bashkëpunëtorët e tyre”, – deklaroi Berisha. Pas fjalës së tij, Kryeministri Rama bëri një prezantim të buxhetit, duke thënë se nuk është një projekt elektoral për të prerë shirita rrugësh dhe për të lëshuar slogane partiake.

“Buxheti i vitit 2014 nuk është një buxhet elektoral, investimesh, për të prerë shirita dhe për të thirrur “përpara, rrugë, rrugë, rrugë”, duke zhytur vendin në borxhe dhe duke e katandisur qeverinë në një “sudepazar”, por është një buxhet i shlyerjes të borxheve”, – tha Rama.

Kryeministri tha se qeveria e tij ka trashëguar shumë borxhe nga kabineti pasardhës. Ai theksoi veçanërisht për borxhet në Ministrinë e Kulturës.

“Nuk keni paguar ende qokat e 100-vjetorit të Pavarësisë, ha e pi dhe fjalime albanofobike, ç’paskeni qenë për të ngrënë e për të pirë. Fondi për kulturën që të ndalim rrënimin, të largojmë gjurmët e shkatërrimit të historisë, sikur e keni bërë me qëllim të zhdukim historinë e këtij vendi”, – tha Rama. Në replikën e tij, Berisha e akuzoi Ramën si hajdut ikonash. “Ajo pjesa që më neveriti më shumë, se për buxhet nuk fole, ishte pjesa për trashëgiminë kulturore, kur ti i vodhe Gjergji Thimios si një hajdut ordiner ikonat dhe del dhe flet këtu. Se kush e bëri zv.kryeministër Peleshin, korçarët më thonë se; Peleshin e bëri zv.kryeministër i ndjeri Vangjush Mio. Po. Me pikturat e tij për të cilat Koçoja përjargej para nudove të Vangjush Mios. Këtu vetëm për buxhet nuk u fol, këtu u fol për opozitën”, – deklaroi Berisha. Pas këtyre akuzave, Kryeministri Rama iu përgjigj duke thënë: “Sali Efendi, zotrote mua më heq mallin e Albert Verrisë tek filmi “Koncert në vitin ‘36”. E mban mend atë plakun që donte të prishte koncertin, shyqyr që të kemi se kujtojmë dhe Albertin e shkretë”. Debati mes tyre vijoi edhe me etiketime për sa u përket profesioneve përtej politikës.

Gjithashtu, Berisha i tha Ramës se ndodhet i ulur në atë vend i bërë synet politik. “Nuk kam dashur me ta thënë këtë, por le ta mësojnë shqiptarët dhe bota, se ata që të bënë synet politik, ata të hoqën edhe forcën e fundit të burrit ty, ndaj dhe çfarëdo që të thuash je krejtësisht bosh, ndaj dhe ajo që paraqite ti këtu ishte mjerim, saqë gjatë gjithë kohës edhe Caci besnik gajasej me ekspozenë tënde”, – tha Berisha, ndërsa në përgjigje Kryeministri Rama iu drejtua me fjalët: “Sali Efendi, unë nuk e dija që je marrë me synete, e dija që je marrë me zemrën. Kjo ishte një surprizë për mua, por ndoshta e mban mend kur të kanë bërë synet para se të të merrnin në Bllok”.

 

 

Paloka: Me paketën e re fiskale dënohen 100% e shqiptarëve

 Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, tha se paketa fiskale e mazhorancës penalizon me rritje taksash të gjithë shqiptaret. Sipas tij, përfituesit e vetëm të kësaj paketa janë Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit.

“Të gjithë e dimë që rritja e çmimit të naftës nuk do të bjerë vetëm mbi tregtarët e naftës apo vetëm mbi ata që përdorin makina, por do të reflektohet në të gjitha çmimet e konsumit duke filluar që nga buka. E këtu më të goditurit do të jenë pikërisht ata me të ardhura me më pak se 300 mijë lekë.

Edhe tek rritja e taksës për banesa Rama është përpjekur të mashtrojë dhe fshehë të vërtetën. Është folur sikur vetëm ata që kanë dy shtëpi apo shtëpi në plazh do paguajnë më shumë, por e vërteta është që, me këtë paketë u rritet taksa për metër katrorë dhe atyre që kanë vetëm nga një banesë të ndërtuar përpara vitit ‘93. Kuptohet, që pjesa më e madhe edhe e këtij grupi janë ata me të ardhura të pakta”, – deklaroi kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend.

 

Taksat, Ruli: Po u jepni lehtësira me lugë dhe po ua merrni me garuzhde

 Paketa fiskale e qeverisë, sipas ish-ministrit të Bujqësisë Genc Ruli, do të ndikojë negativisht edhe në zhvillimin e bujqësisë. Sipas tij, qeveria po u jep fermerëve disa lehtësira në dukje për uljen e taksave, por që realisht ata do të paguajnë më shumë si pasojë e rritjes së çmimeve në tërësi. “Ndikimet në ekonominë rurale. Është ndarë gjerësisht mendimi edhe në nivele politike dhe në nivele shkencore dhe profesionale që rigjallërimi i bujqësisë është jetik për këtë vend sepse atje jeton 48% e popullatës. Në formulat ekonomike ekziston 50% e fuqisë punëtore. Është përthithësja më e madhe e emigracionit që po kthehet. Bujqësia është futur në dinamikën e rritjes së pa ndërprerë. Është i vetmi sektor që mban ende një rritje prej 3%. Eksportet janë rritur vitet e fundit 3 herë. Nuk ka pasur asnjë gabim në gjykimin e rëndësisë që ka ky sektor. Në premtime keni qenë më lart ishit gati partia agrare numër një, por nga premtimi te realizimet është rrugë e gjatë. Po ua përmend angazhimet apo premtimet lidhur me sektorin rural. Reduktimi i TVSH-së për farat”, – deklaroi Ruli.

 

 

 

 

 

7 ministra lanë mandatin, deputetët e rinj bëjnë betimin

 Seanca e djeshme plenare vijoi me raportin e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin “Për verifikimin e mandatit të deputetëve të rinj”. Pas raportit të komisionit, deputetët bënë betimin duke u bërë pjesë e legjislativit shqiptar.

Anëtarët e Këshillit të Ministrave, Ilirjan Celibashi, ministër për Marrëdhëniet për Parlamentin, ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, ministre e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, ministër i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, ministër i Drejtësisë, Nasip Naço, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erjon Veliaj dhe ministre Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito kanë depozituar me shkrim, në Kuvend, më datë 17.12.2013, dorëheqjen nga mandati i deputetit. Dorëheqja nga mandati vjen në kuadër të përmbushjes së zotimit politik për shmangien e funksioneve të dyfishta duke u përqendruar në rolin ekzekutiv.

Ndërkohë që, shtatë deputetët e rinj: Vladimir Kosta, Anduel Xhindi, Enkelejda Shkreli, Adelina Rista, Miranda Rira, Kejdi Mehmetaj, Silva Caka, bënë dje betimin në seancë plenare, si kusht për të filluar ushtrimin e mandatit të deputetit, ndërsa Bedri Mihaj, deputeti i ri i PD-së, që zëvendëson deputetin e PD-së, Sokol Olldashi, i cili u nda nga jeta pak kohë më parë në një aksident automobilistik, bëri betimin rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme, pas një pushimi pesëminutësh të punimeve të Kuvendit.

 

 

Batuta dhe ironi mes Ramës e Berishës në Kuvend

 

Sali Berisha: Paraqitja e buxhetit, llogore e pafundme e zotit Rama. Pata një mori mesazhesh që më thonë se nuk ka psikiatër që e kuron, se në mendjen e tij të sëmurë është e ngulitur një Kushtetutë që i thotë atij unë dhe bota. Ajo pjesa që më neveriti më shumë ishte pjesa për trashëgiminë kulturore, kur ti i vodhe Thimos si hajdut ordiner ikonat. Korçarët më thonë se Peleshin e bëri zv.kryeministër i ndjeri Vangjush Mio me pikturat e tij, për të cilat Koçoja përjargej para nudove të Mios.
Edi Rama: Sali Efendi, zotrote mua më heq mallin e Albert Verrisë tek filmi “Koncert në vitin ‘36”. E mban mend atë plakun që donte të prishte koncertin, shyqyr që të kemi se kujtojmë dhe Albertin e shkretë.
Sali Berisha: Je ulur në atë vend i bërë synet politik. Nuk kam dashur me ta thënë këtë, por le ta mësojnë shqiptarët dhe bota, se ata që të bënë synet politik, ata të hoqën edhe forcën e fundit të burrit ty, ndaj dhe çfarëdo që të thuash je krejtësisht bosh, ndaj dhe ajo që paraqite ti këtu ishte mjerim, saqë gjatë gjithë kohës edhe Caci besnik gajasej me ekspozenë tënde.
Edi Rama: Sali Efendi, unë nuk e dija që je marrë me synete, e dija që je marrë me zemrën. Kjo ishte një surprizë për mua, por ndoshta e mban mend kur të kanë bërë synet para se të të merrnin në Bllok.
Sali Berisha: Efendi, unë thashë synet politik, se për atë tjetrin… dihet.
Ilir Meta: Ju lutemi, se nuk jemi në “Portokalli” këtu, jemi në Kuvend. Ju lutem më me etikë.
Rama-Topallit: Merru me plakun jo me mua, shif plakun aty afër!

 

REPLIKAT MES BERISHËS DHE TAHIRIT

 

Sali Berisha: Shqipëria nuk ra kurrë në recesion, përveç mendjes dhe proceseve psikike të një njeriu që bërtet dhe do t’i japë mend gjithë botës, që u thotë shqiptarëve edhe sot se këtë paketë e kemi të konsultuar me ekspertët më të mirë të gjithë botës që janë Shkëlqim Cani dhe Arben Ahmetaj, dy deficitarë absolutë, njëri është mësues anglishteje e që unë kam respekt shumë për mësuesit e anglishtes, dhe tjetri ekspert patateje.
Arben Ahmetaj: Ti, zoti Sali Efendi, se e meriton atë emër, ti lexon serbisht të gjitha diplomat, historitë e tua. Ti me çmimin tënd “Nobel” në ekonomi krijove Suden dhe Vehbiun. Bëj paqe me humbjen, sepse shqiptarët të mundën në 23 qershor. Ky buxhet mbyll njëherë e mirë kapitullin tënd. Thuaj çfarë të duash, në këtë orë 3 pa çerek këtë zakon ke pasur tërë kohës kështu që vazhdo.
Sali Berisha: Së pari më duhet të them se kur je efendi je efendi, por keq është kur je me kollare dhe je hanem, siç është kryetari juaj, hanem me kollare është më keq. Kjo e para. Së dyti, ai model ekonomik, ai model është certifikuar nga Fondi Monetar, i certifikuar nga Banka Botërore, i certifikuar nga “Forbes”, i certifikuar nga “Standard & Poor’s”, i certifikuar nga “Moody’s”, i certifikuar nga Komisioni Evropian, kurse modeli juaj filloi të merrte goditjet e para, ndërsa shumë shpejt do të marrë “goditjen e mëshirës”, sepse është modeli i padijes, është modeli i injorancës.
Arben Ahmetaj: E kuptoj shumë mirë sikletin tënd, se të ka kapur frika, sepse e shikon, mendon si ka mundësi i lashë me mina e zjarre gjithandej dhe kemi prodhuar një buxhet që mban premtimet.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency