Krujë Grabitën biznesmenin me hanxhar, pranga 2 adoleshentëve

0
148

Anxhela Tato

 

Hetimet, 16-vjeçarët i zunë pritë biznesmenit me një hanxhar dhe i vodhën 2 varëse floriri

Të miturit kërcënonin me thirrje telefonike 27-vjeçarin, duke i kërkuar 200 mijë lekë

 

pranga-policiaKërcënuan biznesmenin me hanxhar mishi dhe i grabitën dy varëse, përfundojnë në prangat e policisë dy adoleshentë. Sipas të dhënave të uniformave blu, dy të arrestuarit i kishin vënë një gjobë biznesmenit dhe me datë 4 dhjetor e kanë grabitur në një rrugicë, duke i marrë çka kishte me vete. Burime nga policia kanë bërë të ditur se biznesmeni i grabitur, një 27-vjeçar me inicialet E. D., kishte bërë denoncimin në datën 19 dhjetor 2013, disa ditë pas grabitjes dhe gjobëvënies prej 200 mijë lekësh. Pas denoncimit, policia e Krujës kishte nisur hetimet, duke identifikuar autorët e kësaj ngjarjeje dhe duke i vënë në pranga. Sipas policisë, ata janë dy 16-vjeçarët me inicialet H. E. dhe S. K., të dy nga Kruja. Arrestimet janë bërë pas denoncimit katër ditë më parë në 19 dhjetor 2013, në polici nga ana e 27-vjeçarit me inicialet E. D., banues në Krujë, pronar në një biznes në qytetin e Krujës, i cili denoncon dy ngjarje që i kishin ndodhur. Biznesmeni krutan ka denoncuar në polici se në datën 4 dhjetor në Krujë, pas orës 20:00, gjatë kohës kur ishte duke u kthyer për në banesë në një nga rrugicat në afërsi të saj, dy persona të maskuar dhe nën kërcënimin e një arme zjarri brezi dhe të një mjeti prerës, hanxhar mishi, i kanë vjedhur dy varëse floriri dhe një aparat telefonik celular. Pak ditë pa grabitjes në celularin e 27-vjeçarit vinin thirrje telefonike kërcënuese, ku dy adoleshentët i kërkon lekë ose në të kundërte do ta vrisnin.

 

Gjoba dhe hetimet

 Nga të dhënat e policisë mësohet se më datën 17 dhjetor dy të arrestuarit kanë filluar telefonatat kërcënuese ndaj biznesmenit duke i kërkuar shuma prej 200 mijë lekësh. Mësohet se adoleshentët i thoshin se nëse nuk do t’u paguheshin lekët, atëherë do ta vrisnin 27-vjeçarin. Pas denoncimit të fakteve pranë Drejtorisë së Policisë Durrës, seksioni për Krimet e Rënda filloi i vijoi hetimet, të cilat, duke qenë mjaft intensive, çuan drejt identifikimit të bashkautorëve në këto ngjarje brenda një kohe të shkurtër, drejt kapjes dhe arrestimit në flagrancë të tyre si dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes. Gjatë hetimit rezultoi se të arrestuarit dy 16-vjeçarë me inicialet H. E. dhe S. K., të dy nga Kruja, kishin shitur sendet e vjedhura në tregun e Tiranës. Ndërkohë, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit S. K., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 26 copë fishekë model 56, të kalibrit 7.62 mm, dhe një sasi prej 9.5 gramësh lëndë narkotike e dyshuar si kanabis sativa. Dosja me materialet për këtë rast i është deleguar Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë për veprat penale “Vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim”, “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie” për shtetasin H. E. dhe “Vjedhje me armë kryer në bashkëpunim”, “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie” dhe “Prodhim e shitje lëndësh narkotike” për shtetasin S. K.

 

 

Trafiku i ikonave

 20 objekte kulti të vjedhura në kishat maqedonase

 Të paktën 20 ikona të koleksionistit Gjergji Thimo rezultojnë të vjedhura në kishat e Maqedonisë. Ky konstatim është bërë nga një grup ekspertësh dhe punonjës të policisë maqedonase, të përbërë nga 5 persona. Ekspertët e ardhur nga Maqedonia kanë vëzhguar nga afër në prani të prokurorit të çështjes mesditën e së hënës në mjediset e Galerisë Kombëtare disa prej ikonave të gjetura në banesën e koleksionistit Thimo. Autoritetet maqedonase pritet që shumë shpejt t’u dërgojnë autoriteteve të drejtësisë shqiptare kërkesën institucionale të shtetit maqedonas për kthimin e tyre. Prokuroria ka kërkuar nga ekspertët maqedonas, që kërkesën ta mbështesin edhe në dokumentacionin përkatës dhe certifikatën e origjinës për çdo ikonë të konstatuar se është vjedhur në kishat maqedonase. Nëpërmjet këtyre dokumenteve, Prokuroria ka kërkuar që ekspertët maqedonas të faktojnë pretendimet se këto 20 ikonat janë pasuri maqedonase, të vjedhura dhe shitura në Shqipëri. Ndërkohë që, sipas hetimeve të deritanishme, Gjergj Thimo ka tregtuar 20 objekte me vlerë 80 mijë euro. Prokuroria e Tiranës ka arritur të vërtetojë shitjen e objekteve falë dy kontratave të zbuluara, të cilat së bashku kapnin vlerën 111 mln lekë (80 mijë euro). Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se 20 objektet (ikona dhe piktura) kanë qenë të certifikuara dhe të regjistruara në emër të të akuzuarit Gjergj Thimo, por ka dyshime ende të pakonfirmuara se objektet e tregtuara janë vjedhur në periudha të ndryshme kohore. Sipas Prokurorisë, nga 20 objekte të shituara, vetëm 18 prej tyre rezultojnë të grabitura në Kishën e Lunxhërisë në vitin 2008. Kallëzimi penal i Arben Spahos do të jetë një nga pikat kryesore, ku do të bazohet akuza e Prokurorisë ndaj koleksionistit Gjergji Thimo. Sipas tij, Gjergji Thimo i kishte pranuar disa herë që ikonat janë të vjedhura në kishat e Përmetit, Gjirokastrës, Korçës e disa në Maqedoni.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency