Ndryshojnë rregullat për deklarimin e fitimeve Destinimi i fitimit deri më 31 mars, jo në 31 korrik

0
160

paketa e re fiskaleNdryshon deklarimi i “kanalizimit” të fitimeve të një ndërmarrjeje, që tani duhet të bëhet nga 1 janari, kur biznesi duhet të përcaktojë shumën e rezervave ligjore, pjesën që do të përdoret për investime ose për shtesë kapitali dhe pjesën që do të shpërndahet në formë dividendi, jo nga data 31 korrik që është aktualisht, por në datën 31 mars, në kuadër të paketës së re fiskale.

Sipas relacionit të financave, propozohet heqja e detyrimit për mbledhjen e organit vendimmarrës për miratimin e pasqyrave financiare dhe destinimin e fitimit brenda 6 muajve nga mbyllja e vitit financiar. Ky ndryshim është në përputhje me legjislacionin tregtar në fuqi.

Propozohet edhe ndryshimi i afatit për dorëzimin e vendimit të organit vendimmarrës të shoqërive tregtare për destinimin e fitimit pas tatimit, duke përcaktuar shumën e rezervave ligjore, pjesën që do të përdoret për investime ose për shtesë kapitali dhe pjesën që do të shpërndahet në formë dividendi, nga data 31 korrik që është aktualisht, në datën 31 mars.

Me ndryshimin e propozuar synohet që të ulen pengesat administrative, duke njesuar momentin e dorëzimit të vendimit të organit vendimmarrës për destinimin e fitimit pas tatimit, duke përcaktuar shumën e rezervave ligjore, pjesën që do të përdoret për investime ose për shtesë kapitali dhe pjesën që do të shpërndahet në formë dividendi, me kohën e dorëzimit të pasqyrave financiare pranë organeve tatimore.

 

Ndryshimi

 

Ndryshimet në ligjin n. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar:

Në nenin 33/1 “Depozitimi i vendimit për miratimin e rezultatit vjetor dhe destinimi i fitimit”, ndryshohet me këtë përmbajtje:

“1. Shoqëritë tregtare, sipas ligjit ‘Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare’, të ndryshuar, pas pagimit të tatimit mbi fitimin, sipas dispozitave të kreut III të këtij ligji, duhet të miratojnë në asamblenë e ortakëve apo organin kompetent vendimmarrës të shoqërisë rezultatet financiare të vitit paraardhës dhe ta destinojnë fitimin pas tatimit, duke përcaktuar shumën e rezervave ligjore, pjesën që do të përdoret për investime ose për shtesë kapitali dhe pjesën që do të shpërndahet në formë dividendi.

2. Shoqëritë tregtare dhe personat fizikë, sipas pikës 1 të këtij neni, duhet të depozitojnë pranë organeve tatimore, vendimin e organit përgjegjës/vendimin e personit fizik, jo më vonë se data 31 mars. Për paraqitjen me vonesë të këtij vendimi zbatohet një gjobë prej 10 000 (dhjetë mijë) lekësh për çdo muaj vonesë.

 

3. Personi juridik duhet të derdhë për llogari të organit tatimor tatimin mbi dividendin e pagueshëm, sipas pikës 1 të këtij neni, jo më vonë se data 31 mars, kur bëhet miratimi i rezultateve, pavarësisht nëse është bërë ose jo shpërndarja e dividendit.

 

4. Vendimi i asamblesë së ortakëve, i organit kompetent të shoqërisë apo vendimi i personit fizik, sipas këtij neni, për miratimin e rezultatit dhe destinimin e fitimit pas tatimit, duhet të paraqitet në organin tatimor, në përputhje me afatin e përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, edhe nëse rezultati për vitin ushtrimor ka qenë me humbje apo zero”. Për mosdepozitimin e vendimit zbatohen penalitetet, sipas pikës 2 të këtij neni.

 

 

BE – Rusi, debat për gazsjellësin jugor

 

Marrëveshjet mes koncernit energjetik rus, “Gazprom”, dhe shtatë vendeve evropiane ishin nënshkruar, kur Komisioni Evropian tërhoqi frenat: Marrëveshjet shkelin rregullat e BE-së, sepse një firmë nuk mund të jetë njëherazi pronarja e një gazsjellësi dhe monopoliste e transportit të gazit. Në janar, eurokomisioneri evropian për Energjetikën, Günther Oettinger, do të udhëtojë drejt Moskës, për të negociuar me përfaqësues të Kremlinit në emër të gjashtë vendeve anëtare, Hungarisë, Bullgarisë, Kroacisë, Sllovenisë, Austrisë dhe Greqisë, si edhe të vendit kandidat të BE-së, Serbisë. Në jugun e Rusisë, në Bullgari dhe Serbi janë vendosur ndërkohë tubacionet e para të gazsjellësit jugor, të njohur si “South Stream Pipeline”. Që në fund të vitit 2015 pritet që gazi rus të kalojë përmes Detit të Zi dhe të transportohet në BE përmes këtij gazsjellësi. Stacionet e fundit janë Austria dhe Hungaria, dega jugore në të ardhmen mund të përfshijë Greqinë dhe përmes Adriatikut të kalojë në Italinë e Jugut. “Një gazsjellës duhet të funksionojë si një autostradë. Gjithsekush mund ta përdorë dhe të paguajë në bazë të tarifave në fuqi”, – deklaron zëdhënësja e komisionerit të BE-së për Energjinë, Marlene Holzner, por kjo nuk është parashikuar në kontratat ndërkombëtare, “sepse “Gazprom”-i pretendon të ketë në dorë të gjitha kapacitetet”, – kritikon ajo në bisedë me “Deutsche Welle”-n.

Ndërsa Antonio Hurtado, drejtor i Institutit për Teknikën Energjetike në Universitetin e Drezdenit, sqaron se kjo politikë, pra kur një koncern ka në dorë të gjithë frenat, është “kundër klientëve”. “Është kuptuar ndërkohë që nuk është as e drejtë nga ana e konkurrueshmërisë, kur firmat janë zotëruese të të gjitha hallkave të zinxhirit të prodhimit”, – sqaron Hurtado. Pikërisht për këtë arsye menaxhimi i gazsjellësit jugor nuk duhet të jetë në duart e “Gazprom”-it.

Megjithatë, jo të gjithë e ndajnë këtë qëndrim. Rusia financon pjesën më të madhe të projektit me 16 miliardë euro, prandaj edhe duhet të përfitojë nga ky projekt, është e mendimit gazetarja serbe Jelica Putnikovic, kryeredaktore e gazetës “Balkan Magazin”. “Kur dikush për shembull ndërton në Berlin një shtëpi, e vë në dispozicion ai një të tretën e hapësirës së banimit për të tjerët, – pyet Putnikovic.  – Prandaj nuk shoh asnjë arsye që Brukseli të kërkojë nga “Gazprom”-i që të ndajë kapacitetet e gazsjellësit me ofruesit e tjerë të gazit”. Sipas saj, reagimi i fortë i BE-së është i motivuar politikisht. Ashtu si për krizën në Ukrainë, edhe projekti i gazsjellësit shërben “për një raund të ri matjesh forcash mes Brukselit dhe Moskës”.

Edhe eksperti për Rusinë, Gerhard Mangott, politolog në Universitetin e Insbrukut, vlerëson në mënyrë kritike qëndrimin e BE-së. “Pse erdhi ky vendim tani? Për mua ishte absurde që BE nuk i njihte plotësisht marrëveshjet ndërshtetërore”. Ky gazsjellës do të rrisë sigurinë energjetike të BE-së. “Nuk bëhet fjalë për gaz shtesë apo për varësi më të fortë nga Rusia, por për një gazsjellës të ri, me më pak defekte”.

 

Propozime nga Brukseli

Pasi ende nuk është e qartë se si do të veprohet me projektin, bankat janë shumë të kujdesshme në dhënien e kredive. Një zgjidhje e mundshme në debatin për këtë çështje, sipas KE-së, është që “Gazprom” të sigurojë një menaxhim të pavarur të gazsjellësit. Marlene Holzner nga Komisioni Evropian thotë se “në këtë rast, “Gazprom”-i do të ishte pronar i gazsjellësit, por pa ndikim në biznesin e përditshëm”. Moska mund të dërgojë zyrtarisht drejt Brukselit një përjashtim nga rregullorja, si në rastin e gazsjellësit verior. Por eksperti Mangott mendon se “Rusia nuk do t’i nënshtrohet një rregulloreje evropiane, prandaj bazohet tek rregulloret ndërkombëtare. Sapo “Gazprom” të paraqesë një përjashtim nga rregullorja, gazsjellësi jugor varet pastaj nga Komisioni Evropian”.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency