Furtunë në diplomaci Ministri i Jashtëm paralajmëron mbyllje ambasadash, pranon emërimet e reja politike

0
161

Florenc Drizari

“A ka qenë z. Bimo këshilltar për politikën e jashtme i kryetarit të PS-së? Po, ka qenë dhe ka qenë fat që kemi bashkëpunuar”

 

IMAG0560Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, paralajmëroi mbyllje të disa prej përfaqësive tona diplomatike në botë dhe shkurtim të stafit në ambasada të tjera, duke e justifikuar situatën me problemet në buxhetin e shtetit si dhe borxhet e prapambetura nga qeveria e mëparshme. Gjatë propozimit të tri kandidaturave të reja për ambasadorë në Vjenë, Bruksel dhe Berlin, ministri Bushati tha se gjysma e shërbimit diplomatik është e politizuar dhe nuk ka asnjë lidhje me shërbimin e jashtëm.

“Buxheti është një problem në vetvete, por le të mos harrojmë, ne përballemi me sfida të jashtëzakonshme. Qeveria paraardhëse na ka lënë një gropë të madhe edhe në fushën e diplomacisë, sepse kemi sot për sot ambasada, të cilat nuk mbyllin dot pagesat mujore dhe borxhe që trashëgohen nga viti në vit”, – tha Bushati para Kuvendit të Shqipërisë.

Më herët, mes tij dhe ish-ministrit të Jashtëm Aldo Bumçi, pati shkëmbime replikash në Komisionin për Politikën e Jashtme lidhur me emërimet politike të ambasadorëve. Deputeti i PD-së, Bumçi, i rikujtoi ministrit Bushati qëndrimet e tij se ambasadat janë kthyer në konvikte dhe ambasadorët janë bërë si drejtorë konviktesh, ndërsa i kërkoi shpjegime për kandidaturën e z. Roland Bimo, i propozuar si ambasador në Austri, duke thënë se ai ka shërbyer prej dy vitesh si këshilltar politik i kryesocialistit Edi Rama para fushatës elektorale. Komisioni i Jashtëm me mbështetjen e të dyja palëve miratoi tri propozime të reja për ambasadorë, Artur Kuko në Gjermani, Adriana Hobdari në Bruksel dhe Roland Bimo në Austri. Në fjalën e tyre, tre kandidatët bënë një prezantim të shkurtër të vizionit të tyre, nëse miratohen si përfaqësues të Shqipërisë në përfaqësitë diplomatike në vendet përkatëse, duke vënë theksin tek intensifikimi i marrëdhënieve me këto shtete, sidomos në fushën ekonomike.

Aldo Bumçi

“Të tria kandidaturat që na propozohen sot, z. Kuko, zonja Obdari dhe z. Bimo, janë persona me një përvojë të gjatë në shërbimin e jashtëm dhe nuk kam asnjë arsye përveçse të shpreh mbështetjen tonë për këto kandidatura.

Pyetja e parë për z. ministër ka të bëjë me kandidaturën e z. Bimo.

Z. Bimo është e vërtetë që ka një karrierë shumë të gjatë në shërbimin e jashtëm, por gjatë dy viteve të fundit ka shërbyer si këshilltar për politikën e jashtme i kryetarit të Partisë Socialiste, pra është bërë pjesë e një projekti politik. A është z. Bimo pjesë e një kandidature politike apo vjen brenda sistemit?”, – deklaroi Bumçi.

Ditmir Bushati

Gjatë raportimit para Komisionit për Politikën e Jashtme, ministri Bushati tha se kandidatura e Roland Bimos si ambasador në Austri vjen sepse ai ka një eksperiencë 30 vjeçare në sistemin diplomatik. Sipas Bushatit, Bimo ka qenë këshilltar politik i kryetarit të PS, por kjo nuk e pengon atë të jetë pjesë e diplomacisë shqiptare. Për këtë ai cilësoi edhe një vendim të Këshillit të Ministrave i miratuar që në vitin 2005, kur qeveriste e djathta. “A ka qenë këshilltar për politikën e jashtme i kryetarit të Partisë Socialiste? Po, ka qenë dhe për ne që kemi bashkëpunuar, ndoshta zonja Dade dhe disa të tjerë, ka qenë fat për të shkëmbyer disa pikëpamje të politikës së jashtme. Ky kandidat vjen sot në bazë të një vendimi të Këshillit të Ministrave që ju z. Bumçi keni miratuar kur keni qenë në qeveri që është vendimi 767, dt. 6.12.2005, për disa ndryshime dhe shtesa në rregulloren e shërbimit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë ku thuhet: diplomati rifiton statusin në shërbimin e jashtëm dhe të gjitha të drejtat e pezulluara kur a) titullari miraton rikthimin e nëpunësit që ka pasur një përvojë pune jo më pak se 3 vjet në shërbimin e Jashtëm. Kemi jo 3 vjet dhe është larguar në mënyrë vullnetare pa kryer shkelje të rënda i parashikuar nga ligji”, – deklaroi ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

Sipas Bushatit, situata në trupin diplomatik është se 50 për qind e ambasadorëve që janë në detyrë kanë begraund të pastër politik.

 

 

 

Adriana Hobdari, kandidate për ambasadore në Strasburg

Nevojitet një koordinim më i mirë i punës së komisionit brenda organeve të Këshillit të Evropës dhe njëkohësisht edhe një koordinim nga ana tjetër më i mirë i institucioneve shqiptare, ministritë e linjës, Ministria e Punëve të Jashtme, për të rritur efektivitetin e asistencës së Këshillit të Evropës. Këtu doja t’i referohesha dokumentit të bashkëpunimit të KE-së për Shqipërinë, dokument bashkëpunimi 2012-2014. Një tjetër pikë ku duhet të fokusohet puna e komisionit është rritja e rolit të Shqipërisë si kontribuuese në organizatë në kuadër të përqasjes si partnere dhe jo vetëm si konsumatore e asistencës së Këshillit të Evropës.

 

Roland Bimo, kandidat për ambasador në Vjenë

Programi i qeverisë kërkon që shërbimi ynë diplomatik të jetë me efikas në përmirësimin e axhendës evropiane të Shqipërisë.
Më duhet të veçoj mbështetjen e vazhdueshme që autoritetet austriake kanë dhënë për Shqipërinë. Siç e tha dhe ministri i Jashtëm në mbledhjen e ardhshme të Bashkimit Evropian, është e garantuar mbështetja e Austrisë për integrimin e Shqipërisë. Theksohet se në marrëdhëniet mes dy vendeve ka një bashkëpunim të frytshëm ndërkombëtar përmes partneritetit të përbashkët dhe sigurisë së përbashkët. Në raportet ekonomike, volumi i përgjithshëm import-eksport kap vlerën e 82 milionë eurove, nga të cilët 27 milionë janë eksporte shqiptare dhe 55 milionë janë importe. Besoj se rritja e eksporteve shqiptare me Austrinë duhet të jetë një prioritet.

 

Artur Kuko, kandidat për ambasador në Berlin

Do të përdor të gjitha forcat dhe aftësitë e mia për të çuar më tej marrëdhëniet e mira që ekzistojnë me Republikën Federale Gjermane. Konstatoj se në totalin e tyre këto marrëdhënie janë karakterizuar nga shpirti i partneritetit të rivendosura në vitin 1987, këto marrëdhënie arritën të merrnin një zhvillim, i cili, për fat të keq, u ndërpre në ato vite për shkak të krizës së ambasadave. Në vitin ‘91-‘92 kam pasur privilegjin të punoj në Ambasadën e Republikës Federale Gjermanë në Tiranë dhe të jap kontributin tim modest në jetësimin e këtyre marrëdhënieve. Gjermania ka qenë tradicionalisht një mike e mirë e Shqipërisë dhe e shqiptareve, një mbështetëse e palëkundur e aspiratave të Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

 

 

 

“Antikorrupsioni” ndan mazhorancën

Gramoz Ruçi kërkon të merren parasysh rekomandimet e OSBE dhe OPDAT për krimin e organizuar

Komisioni për Integrimin Evropian miratoi me votat e mazhorancës projektligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, ndërsa përfaqësuesit e opozitës kundërshtuan nismën e qeverisë me argumentet se drafti duhet të tërhiqet për të përfshirë rekomandimet e ndërkombëtarëve.

Të pranishëm ishin anëtarët e Komisionit, përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Integrimit.

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, kërkoi nga përfaqësuesit e qeverisë që gjatë fazës se konsultimeve me grupet e interesit, të merren parasysh edhe kritikat e OSBE dhe OPDAT. Ndërkaq, gjatë raportimeve të ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, në komisionet parlamentare për çështjen e paketës së “Antikorrupsionit” është vënë theksi tek trajtimi i çështjeve të korrupsionit si krim i rëndë. Por ky qëndrim i përfaqësuesit të ekzekutivit është kundërshtuar nga organizatat ndërkombëtare të specializuara në fushën e drejtësisë dhe që japin një mbështetje për qeveritë shqiptare në këtë fushë, të cilat gjatë disa rekomandimeve me shkrim, kanë nënvizuar faktin se gjykimi i çështjeve të korrupsionit në Gjykatën e Krimeve të Rënda do ta mbingarkonte këtë trupë gjyqësore. Kjo, sipas tyre, do të sillte edhe centralizimin e gjykimit të korrupsionit vetëm në Tiranë, duke lënë në hije shumë njësi të specializuara për të cilat jenë kryer edhe trajnime nga këto të fundit. Por sipas qeverisë, ky projektligj ka për objekt parandalimit dhe goditjen ndaj krimit të organizuar dhe trafikimit përmes konfiskimit të pasurisë së personave të cilët kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik, si rezultat i veprimtarisë së dyshuar kriminale.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency