Paketa fiskale Propozimet në grupin e PS-së: Rritje e TVSH-së me 1 ose 2% për produktet jo bazë

0
134

Gëzim Saliu

 

Paketa fiskale

Propozimet në grupin e PS-së: Rritje e TVSH-së me 1 ose 2% për produktet jo bazë

Projektbuxheti i 2014-ës në Kuvend të martën: Do të shlyhen të gjitha borxhet e qeverisë ndaj biznesit

 

Edi-Rama grup i psProjekt buxheti i vitit 2014 do të mbërrijë për diskutim në Kuvend të martën e javës së ardhshme. Në mbledhjen e djeshme jashtë radhe të grupit parlamentar socialist, e zhvilluar me dyer të mbyllura, në qendër të diskutimit mes Kryeministrit Rama dhe deputetëve të Partisë Socialiste, ishte situata ekonomike e përkatësisht projektbuxheti që do të paraqesë mazhoranca për miratim. Për rreth 1 orë e 30 minuta, Kryeministri Rama, ligjvënësit e PS-së e kryesisht anëtarët socialistë të Komisionit të Ekonomisë, të cilët edhe do të përballen me opozitën në Kuvend, ku do të paraqesin argumentet pse projektbuxheti duhet votuar, janë njohur me pikat kryesore të paketës fiskale të përgatitur nga Ministria e Financave, i cili pritet të marrë miratimin përfundimtar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në ditët në vijim. Duke marrë për bazë të gjitha ndryshimet që vijnë në bazë të kësaj pakete, deputetët kanë shprehur edhe propozimet e tyre lidhur me disa pika të draftit, për të cilat ato theksuan se duhen riformuluar.

Diskutimi

Një ndër pikat kryesore të projektbuxhetit të vitit 2014, e cila u diskutua gjatë dje në mbledhjen e grupit parlamentar ishte ajo që lidhet me rritjen e TVSH-së mbi produktet jo bazë. Duke i mbetur premtimit elektoral për uljen e TVSH-së për produktet e shportës, paketa e re fiskale parashikon rritjen e TVSH-së për produktet e tjera. Shifra është ende e pavendosur për këtë rritje, por dy mundësitë kryesore të përfshira në draft janë ato për një rritje me 1 ose 2%. Kjo çështje kanë qenë pjesë e diskutimit mes deputetëve socialistë, të cilët nuk kanë lënë pa vënë në pikëpyetje risqet e kësaj nisme. Ndërkohë një tjetër pikë e diskutimit ishte edhe nivelit i taksimit progresiv kryesisht për bizneset e mëdha. Duke marrë për bazë edhe kundërshtitë e ardhura si nga sipërmarrjet vendase ashtu edhe ato të huaja lidhur me progresivitetin, deputetët kanë sugjeruar që niveli të mos shkojë në shifra të cilat do të largonin investimet në vend. Duke marrë për bazë se në programin qeverisës është parashikuar që tatimi mbi fitimin për biznesin e madh të ketë një normë më të lartë se ajo aktualja, për të reflektuar sipas mazhorancës parimin e taksimit të ndershëm dhe nevojën që kompanitë e mëdha të kontribuojnë më shumë se bizneset e vogla që funksionojnë nëpërmjet vetëpunësimit, ekzekutivi nuk do të tërhiqet nga parimi i progresivitetit mbi këto sipërmarrje, po pritet të reduktojnë nivelin fillestar të rritjes të propozuar nga specialistët në ministrinë e Financave. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar mësohet se është diskutuar edhe mbi situatën e borxhit publik, ku nuk ka munguar nga ana e deputetëve kërkesa për kujdes të veçantë në këtë pikë, duke marrë për bazë edhe sugjerimet e Bankës Botërore. Ndërkohë, kreu i qeverisë, Rama, ka theksuar para deputetëve të grupit se qeveria pavarësisht situatës së vështirë financiare do të shlyejë të gjitha borxhet që i ka biznesit. “Pavarësisht vështirësive financiare, të trashëguara nga qeveria e kaluar, ne nuk mund të lëmë biznesin në baltë. Nuk mund të kërkojmë nga biznesi detyrime, pa i larë më parë borxhet që qeveria ka ndaj tij”, – mësohet të jetë shprehur Kryeministri. Në përfundim të mbledhjes, ministri për Marrëdhënien me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, deklaroi se ende nuk është përcaktuar sa do të jetë saktësisht buxheti i vitit të ardhshëm, pasi ende po diskutohet. Vonesa e projektbuxhetit të vitit 2014, e cila është kritikuar fort nga opozita, është arsyetuar nga qeveria me procesin e verifikimit që po i bëhet borxhit që u ka shteti kompanive private, si dhe për shkak të konsultimeve të vazhdueshme që po bëhen me FMN-në dhe Bankën Botërore. Në tri ditët në vijim pritet të zhvillohet takimi përfundimtar i përfaqësuesve të Ministrisë së Financave dhe FMN-së për të mbyllur përfundimisht projektbuxhetin e vitit 2014, i cili më pas do të diskutohet në Kuvend. Buxheti i vitit 2013 ka qenë 4 miliardë dollarë ose 400 miliardë lekë.

 

Propozimet në grup

Të rritet me 1 ose 2% TVSH-ja për produktet jo bazë

Taksim progresiv, i cili parashikon më shumë se 10% taksë për biznesin e madh (shifër ende e papërcaktuar) të mos kalojë në “asfiksim” të sipërmarrjes

Të shlyhet i gjithë borxhi i qeverisë ndaj biznesit

Kujdes me rritjen e borxhit publik

 

Programi i qeverisë, çfarë parashikon për TVSH-në

Përgjysmim të TVSH-së për ushqimet më jetike të shportës, bazë të konsumit.

Përjashtim/ulje nga ky tatim për barnat dhe shërbimet shëndetësore

Heqje reale të TVSH-së për importimin e makinerive dhe pajisjeve

Ulja/kompensimi i TVSH-së për pjesën e domosdoshme të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve familjarë të varfër

 

 

 

Deputeti i PS-së

Cara: Qeveria të ketë kujdes me progresivitetin, ka një limit që nuk duhet kaluar, rrezikojmë evazionin fiskal

Qeveria duhet të ketë kujdes në aplikimin e taksës progresive, sepse kalimi i kufirit mund të favorizojë evazionin fiskal. Kështu pohoi dje deputeti i Partisë Socialiste, Parid Cara, duke theksuar se taksat progresive, i duhet Shqipërisë në kushtet aktuale pohoi se duhet evituar në maksimum presioni fiskal ndaj biznesit. Cara argumentoi në intervistën për “News 24” se nëse nuk do të ketë kujdes me këtë element të rëndësishëm, rrezikohet që të shtohet evazioni fiskal. “Aplikimi i taksës progresive besoj se do jetë një gjë e shëndetshme për ekonominë tonë por duhet të kemi parasysh që ka një limit për taksën progresive, një limit që nuk duhet tejkaluar sepse tejkalimi i këtij limiti bën të mundur dhe nxit evazion fiskal, evazion fiskal i cili do të ndërmerret një luftë tjetër, një betejë tjetër për ta shmangur. Para disa ditësh në një takim që bëmë me biznesmenët italianë në hotelin “Sheraton” bashkë me Kryeministrin u ngritën edhe pyetje mbi taksen progresive që do të aplikohet. Por kjo taksë, sado që të rritet Shqipëria ngelet përherë një nga vendet e preferuara për të ardhur dhe për të ngritur biznese të reja”, – u shpreh Cara. Për deputetin socialist, i cili vjen nga fusha e sipërmarrjes, taksa progresive, duke marrë edhe përvojën e vendeve të zhvilluara perëndimore, është mjaft pozitive.

 

Rritet taksa mbi pasurinë

Ata që zotërojnë shtëpi të dytë, taksë dyfish më të madhe

Paketa e re fiskale, e cila pritet të miratohet në ditë në vijim, parashikon që të gjitha familjet që zotërojnë një shtëpi të dytë do të paguajnë një taksë dyfish më të madhe. Kështu parashikohet që taksa për shtëpitë e dyta rritet nga 200 lekë për metër katrorë që është aktualisht në 400 lekë për metër nga një janari i vitit të ardhshëm. Sipas kësaj skeme të re, një apartament me sipërfaqe 100 metra katrorë, taksa vjetore që do të paguhet vitin tjetër nga 20 mijë lekë shkon në 40 mijë lekë ose 400 dollarë. Në të njëjtën masë do të taksohen edhe ndërtesat e biznesit si magazinat apo edhe fabrikat prodhuese, taksa e të cilave nga 200 lekë për metër katrorë që është aktualisht shkon në 400 lekë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency