Papa: Preferoj një Kishë të kërrusur

0
122

Speciale/ Papa Françesku dëshiron një kishë për të varfrit

 

Papa Françesku ka publikuar shkresën e tij të parë apostolike. Në të ai kërkon një botë më të drejtë. Kisha duhet të vihet më fort në shërbim të të varfërve, kërkon Papa.

 

 

28 nentor papaDeklarata e publikuar nga kreu i Kishës Katolike në Vatikan ngjan me një deklaratë qeveritare dhe nuk është krejt e papritur: Papa po harton modelin e një “Kishe në nisje”. Ai dëshiron një “Kishë për të varfrit”, e cila ushtron më shumë vetëkritikë dhe nuk është e dhënë pas luksit.

Kisha duhet të jetë e hapur, “për dialogun me të gjithë”, thuhet në rreth 180 faqe e shkresës apostolike “Evangelii gaudium”. Dokumenti mban nëntitullin “Njoftimi i ungjillëzimit në botën e sotme”. Shkas për publikimin e dokumentit apostolik është mbyllja e “Vitit të besimit”.

Në dokument kreu i Kishës Katolike përpiqet të gjejë një ekuilibër mes traditës dhe reformës: një kishë vetëkritike duhet të jetë e hapur për zhvillime bashkëkohore pa u larguar nga parimet e saj themelore.

Në të njëjtën kohë Françesku paralajmëron ndaj pritjeve jorealiste nga froni i Papës: nuk besoj se “nga mësimet e Papës nuk mund të pritet një përgjigje e plotë për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Kishën dhe botën”, shkruan kreu i Kishës Katolike. Duke iu referuar kompetencave të ipeshkëve, Françesku thekson “domosdoshmërinë e një ‘decentralizimi’ shërues’“. Ipeshkvët duhet të shfrytëzojnë regullat për të drejtën e fjalës të parashikuara në të drejtën kishtare. Në dialogun me besimtarët ata duhet t’i dëgjojnë të gjithë dhe jo vetëm ata “të cilët u bëjnë komplimente”.

 

Forcimi i konferencave të peshkëve

Përpjekje për reforma të Vatikanit kishte ndërmarrë edhe Papa Gjon Pali II. Sipas Françeskut deri sot ka pasur vetëm përparime të pamjaftueshme. Para së gjithash kërkesa e Koncilit të Dytë të Vatikanit (1962-65) për forcimin e konferencave të ipeshkëve në proceset vendimmarrëse nuk është plotësuar, kritikon Papa.

Në lidhje me polemikën për përjashtimin nga eukaristia të të martuarve rishtas, Françesku tërhoqi vëmendjen se “dyert e sakramenteve nuk duhet të mbyllen për arsye çfarëdo”. Eukaristia “nuk është shpërblim për të përsosurit”. Këto bindje kanë “pasoja pastorale” të cilat Kisha duhet t’i marrë parasysh “me kthejlltësi dhe guxim”.

 

“Preferoj një Kishë të kërrusur”

Papa formulon se cila është sipas bindjes së tij detyra e parë e një të krishteri, e pikërisht kthimi i vëmendjes tek njerëzit në nevojë: “Për mua një Kishë ‘e kërrusur’, e cila është ndotur dhe lënduar se ka dalë në rrugë, është më e mirë se një Kishë e cila është e sëmurë nga qëndrimi brenda, komoditeti dhe kërkimi me çdo kusht i sigurisë”. Për këtë arsye të krishterët duhet të japin ndihmë konkrete. Këtu bën pjesë sipas Françeskut eliminimi i shkaqeve të varfërisë. Si shkak kryesor të të gjitha të këqijave sociale dhe dhunës, Papa përmend ndarjen e pabarabartë të pasurisë në botë. Sistemi aktual ekonomik është “në rrënjë i padrejtë” dhe rregullimi i tregjeve nevojë urgjente.

Papa Françesku propozon “rrugë të reja” dhe “metoda krijuese”. Ai synon t’i rishqyrtojë strukturat kishtare: “Një centralizim i tepruar e ndërlikon jetën e Kishës dhe dinamikën e saj misionare, në vend që ta ndihmojë”, shkruan kreu i Kishës Katolike. Ai dëshiron të forcojë konferencat kombëtare dhe rajonale të peshkëve dhe nuk përjashton as “reformimin e funksionit të Papës”. Edhe gratë Papa dëshiron t’i përfshijë më shumë në vendimet kishtare.

 

Reagime pozitive nga Gjermania

Ipeshkvët në Gjermani e vlerësuan deklaratën apostolike si “thirrje profetike drejtuar Kishës”. Kryetari i Konferencës Gjermane të Ipeshkëve Robert Zollitsch, foli për një “analizë mbresëlënëse të situatës aktuale”. Papa tregon në gjuhë të qartë dhe freskuese se si Kisha mund të guxojë një fillim të ri.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency