Psikologji/biznes Konsultim i ideve, si mundësi e jo propozim

0
152

globiMegjithëse është më e vështirë se konsulta me palën tuaj, rrahja e mendimeve me personat e palës tjetër mund të rezultojë jashtëzakonisht e vlefshme. Gjithsesi, është më e vështirë për shkak se ju mund të thoni diçka e cila cenon interesat tuaja, pavarësisht nga rregullat e vendosura për një konsultë. Ju mund të zbuloni një informacion konfidencial duke qenë i pavëmendshëm ose mund ta bëni palën tjetër të keqkuptojë një opsion tuajin si një ofertë. Megjithatë, konsultat e përbashkëta kanë përparësinë e madhe të prodhimit të ideve që marrin parasysh interesat e të gjithë pjesëmarrësve, krijojnë një klimë ku problemet mund të zgjidhen bashkërisht dhe informojnë secilën palë në lidhje me interesat e palës tjetër.

Për të mbrojtur veten tuaj kur konsultoheni me palën tjetër, bëni dallimin ndërmjet një konsulte dhe një seance negocimi, ku njerëzit i deklarojnë pikëpamjet në mënyrë zyrtare dhe çdo gjë që ata thonë shënohet. Njerëzit janë mësuar të takohen për të arritur një marrëveshje, prandaj çdo qëllim tjetër duhet të deklarohet shumë qartë.

Për të zvogëluar rrezikun që ju të dukeni i angazhuar ndaj një ideje të dhënë, mund ta bëni si zakon të paraqitni të paktën dy alternativa në të njëjtën kohë. Ju gjithashtu mund të vendosni mbi tryezë opsione me të cilat, në mënyrë të dukshme, nuk jeni dakord. “Unë mund t’ua jepja juve shtëpinë falas, ose ju mund të më paguanit një milion dollarë në dorë për të, ose…” Meqenëse ju nuk po propozoni asnjërën prej këtyre ideve, ato që vijojnë shihen si mundësi të qarta, jo si propozime.

Për ta kuptuar më mirë një konsultë të përbashkët, le të supozojmë se drejtuesit e një sindikate lokale takohen me administratorët e një miniere qymyrguri për t’u konsultuar në lidhje me mënyrat se si të pakësohen grevat një- apo dyditore të paautorizuara. Dhjetë persona – pesë nga secila palë – janë të pranishëm, të ulur rreth një tryeze përballë një dërrase të zezë. Një moderator asnjanës i pyet pjesëmarrësit për idetë e tyre dhe i shkruan ato:

Moderatori – Në rregull, tani të shohim se ç’mendim keni ju për trajtimin e problemit të ndërprerjeve të paautorizuara të punës. Le të përpiqemi të shënojmë dhjetë ide në dërrasën e zezë për pesë minuta. Në rregull, Tom? Atëherë fillojmë.

Tomi (sindikata) – Kryepunëtorët duhet të jenë në gjendje ta zgjidhin ankesën e një sindikalisti aty për aty.

Moderatori – Mirë, e shkrova. Xhim, ju keni ngritur dorën.

Xhimi (administrata) – Sindikalisti duhet të flasë me shefin e tij në lidhje me problemin përpara se të ndërmarrë ndonjë veprim, i cili…

Tomi (sindikata) – Ata ashtu veprojnë, por kryepunëtorët nuk dëgjojnë.

Moderatori – Tom, ju lutem, nuk kemi filluar ende me kritikat. Ne ramë dakord që t’i linim ato për më vonë, apo jo? Po ju, Xheri? Dukeni sikur keni një ide.

Xheri (sindikata) – Kur del problemi i grevës, sindikalistët duhet të lejohen të takohen menjëherë në mensë.

Roxheri (administrata) – Administrata mund të lejojë që mensa të përdoret për mbledhjet e sindikatës. Ajo mund të garantojë ruajtjen e fshehtësisë së mbledhjeve duke mbyllur dyert e duke mos i lejuar kryepunëtorët të hyjnë.

Karola (administrata) – Po sikur të miratojmë një rregull të tillë se nuk do të ketë grevë pa u dhënë më parë mundësinë drejtuesve të sindikatës dhe administratorëve ta zgjidhin problemin aty për aty?

Xheri (sindikata) – Ç’mendoni sikur të shpejtonim procedurën e ankesës dhe të organizonim një mbledhje brenda 24 orëve, nëse kryepunëtori dhe sindikalisti nuk e zgjidhin atë midis tyre?

Kerën (sindikata) – Po. Unë mendoj që të organizojmë një kurs trajnimi të përbashkët për sindikalistët dhe kryepunëtorët se si t’i trajtojnë problemet e tyre së bashku.

Fili (sindikata) – Nëse një person punon mirë, bëjani të ditur atij këtë.

Xhoni (administrata) – Të krijojmë marrëdhënie miqësore ndërmjet sindikalistëve dhe administratorëve.

Moderatori – Kjo duket shumë premtuese, Xhon, por a mund të jeni më i qartë?

Xhoni (administrata) – Po sikur të organizojmë një ekip bejsbolli me sindikalistë dhe administratorë?

Tomi (sindikata) – Edhe një ekip për bouling.

Roxheri (administrata) – Si ju duket ideja e një pikniku vjetor, ku të mblidhen së bashku të gjitha familjet?

E kështu vazhdon, ndërsa pjesëmarrësit konsultojnë një numër të madh idesh. Shumë prej këtyre ideve mund të mos paraqiteshin përveçse në një konsultë të tillë dhe disa prej tyre mund të rezultojnë si të efektshme në pakësimin e grevave të pautorizuara. Koha e harxhuar për konsultat e përbashkëta sigurisht që është koha e shpenzuar më mirë në negocim.

Bëni apo jo konsultime së bashku, ndarja e aktit të zhvillimit të opsioneve nga akti i vendosjes për to është tepër i nevojshëm në çdo negocim. Diskutimi i opsioneve ndryshon rrënjësisht nga marrja e pozicioneve. Ndërsa pozicioni i njërës palë bie ndesh me atë të palës tjetër, opsionet kërkojnë opsione të tjera. Vetë gjuha që ju përdorni, ndryshon. Ajo përbëhet nga pyetje, jo nga pohime; ajo është e hapur, jo e mbyllur: “Një opsion është… Ç’opsione të tjera keni menduar ju?” – “Po nëse biem dakord për këtë?” – “Po sikur të veprojmë në këtë mënyrë?” – “Si do të funksionojë kjo?” – “Çfarë nuk do të shkonte mirë këtu?” Gjeni opsione përpara se të vendosni.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency