Shkodër Maskat grabisin dy shqiptaro-amerikanë

0
149

Anxhela Tato

 

Grabitësit i zunë pritë duke i marrë 20 mijë dollarë dhe automjetin

Dëshmia: Po shkonim për të mbyllur një bisedë krushqie, ku na dolën 3 persona me maska

 

 

maskaGrabitësit i kishin zënë pritë dy shtetasve shqiptaro-amerikanë, të cilët po udhëtonin për të mbyllur një bisedë krushqie. Këto detaje janë dhënë nga dy viktimat e grabitjes për forcat e policisë, të cilët kanë nisur kërkimet për autorët e grabitjes. Ngjarja e rëndë është regjistruar mëngjesin e djeshëm në vendin e njohur si Grabom. Burime nga policia bëjnë të ditur se shtetasit shqiptar me nënshtetësi amerikane Martin Vushaj dhe Luigj Selmanaj po udhëtonin drejt pikës së Vermoshit, me një automjet, të cilin e kishin marrë me qera. Siç bëhet me dije nga uniformat blu dy shqiptaro-amerikanët janë ndaluar në fshatin Grabon nga tre persona të maskuar, të cilët nën kërcënimin e thikës u kanë marrë automjetin, të gjitha paratë dhe sendet me vlerë që kishin me vete. Sipas policisë, Martin Vushaj dhe Luigj Selmanaj kanë bërë rezistencë, duke u përleshur me grabitësit. Mësohet se dy shqiptaro-amerikanët kanë marrë plagë të lehtë dhe janë transportuar për në spital, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Sapo është informuar për ngjarjen policia ka nisur hetimet për të identifikuar dhe arrestuar autorët e grabitjes. Mësohet se rreth 1 kilometër larg vendit ku ka ndodhur ngjarja, efektivët kanë gjetur të braktisur automjetin, ndërsa po punojnë për të identifikuar dhe kapur autorët.

Dëshmia

Sipas të dhënave të para të policisë dy qytetarëve shqiptaro-amerikanë, të cilët u grabitën në vendin e njohur si Grabom, nga persona të maskuar, kishin me vete 20 mijë dollarë dhe ishin duke udhëtuar me një makinë të marrë me qera. Burime nga Policia e Shkodrës që është duke hetuar këtë ngjarje të rëndë, kanë bërë të ditur se, Martin Vushaj dhe Luigj Selmanaj të dy me nënshtetësi amerikane, ishin duke shkuar në Vermosh për të mbyllur një krushqi. Gjatë dëshmisë së dhënë nga dy të plagosurit, tre persona të maskuar u kishin zënë rrugën. Pasi kanë ndaluar makinën, ata janë sulmuar me armë të ftohta të tipit thikë. Siç mësohet nga blutë gjatë përleshjes me autorët njëri prej shqiptaro-amerikanëve është goditur 8 herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Para oficerëve të policisë gjyqësore Martin Vushaj dhe Luigj Selmanaj kanë rrëfyer se persona të maskuar i zunë pritë dhe i kërkuan të ndalonin makinën. Sapo kanë zbritur nga automjeti tre grabitësit e maskuar i janë afruar, duke i drejtuar thikën dhe i kanë kërkuar që t’i jepnin sendet me vlerë dhe paratë. Të dy shqiptaro-amerikanët kanë tentuar të bëjnë rezistencë duke u përleshur me grabitësit. Por pasi janë sulmuar nga personat e maskuar, janë dorëzuar dhe u kanë dhënë shumën e parave që kishin me vete, prej 20 mijë dollarësh. Grabitësit i morën edhe makinën të llojit “Fuoristradë”, të cilën policia e ka gjetur të braktisur më shumë se 1 kilometër larg vendit të ngjarjes. Për gjetjen dhe kapjen e autorëve ka nisur një operacion i madh, nga Policia e Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës. Dy shqiptaro-amerikanët në dëshminë e tyre ka dhënë edhe përshkrimin e grabitësit, duke ndihmuar blutë për krijimin e një identikiti. Sipas përshkrimit të viktimave të grabitjes, tre agresorët ishin veshur me rroba të errëta dhe në kokë ishte maskuar me kapuç të zi. Ndërsa nga ana e bluve janë kryer kontrolle në zonën në afërsi të vendit ku ndodhi grabitja, por vetëm automjeti është gjetur 1 kilometër larg.

 

 

Ministria e Brendshme, publikohet lista me personat e shpallur në kërkim

Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme kanë publikuar ditën e djeshme të dhënat për personat e shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. “Policia e Shtetit sot publikon të dhënat për personat më të rrezikshëm të shpallur në kërkim nga policia dhe organet e drejtësisë. Në një hapësirë të veçantë të faqes së internetit të Policisë së Shtetit, çdo qytetar i interesuar do të mund të gjejë informacion të plotë, përfshirë të dhënat dhe foto, për të gjithë personat e shpallur në kërkim të dënuar nga gjykata me mbi 5 vjet heqje lirie”,- bëhet me dije në letrën e hapur të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për mediat. Ministria e Brendshme bën me dije se ky proces po aplikohet për herë të parë nga Policia e Shtetit. “Për herë të parë në historinë e vet, Policia e Shtetit vendos sot një standard të ri duke shënuar një hap themelor jo vetëm për transparencën ndaj qytetarëve por mbi të gjitha, duke ndërtuar një platformë të re komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet publikut dhe Policisë së Shtetit”,- bëhet me dije nga Ministria e Brendshme. Në letër sqarohet se në faqen e Policisë së Shtetit çdo kush mund të gjejë të publikuara edhe kontaktet e Policisë së Shtetit për të njoftuar në rastet kur ka të dhëna për vendndodhjen e personave të kërkuar, duke ruajtur plotësisht konfidencialitetin e qytetarit që do të japë informacione të vlefshme për policinë. “Kjo praktikë e re, synon së pari ndërtimin e urave të komunikimit me qytetarët që mund të ndihmojnë policinë për gjetjen e dhe kapjen e secilit prej personave të shpallur në kërkim. Ne jemi të bindur se suksesi i Policisë së Shtetit në përmbushjen e misionit të saj është një sipërmarrje, që nuk bëhet dot pa ndihmën aktive të qytetarëve. Por mbi të gjitha, publikimi i personave më të kërkuar, ndihmon në ndërtimin e atyre mekanizmave të imunitetit shoqëror për të parandaluar që këta njerëz të vazhdojnë jetën mes shoqërisë të pashqetësuar, duke shtuar rrezikun për sigurinë e jetës dhe pronës për secilin prej nesh”,- theksohet në letrën e Ministrit Saimir Tahiri. Ministria e Brendshme sqaron se deri më tani në internet janë hedhur të dhënat për 742 persona në kërkim, që konsiderohen si më të rrezikshëm. Prej tyre 47 janë dënuar me burgim të përjetshëm dhe 101 me 25 vjet burgim. Në këtë listë të kërkuarish 23 janë femra, ndërsa numri më i madh i të kërkuarve është dënuar për veprat penale të vrasjes, apo vrasjes së mbetur në tentativë.

 

Shkodër, ndalohen 12 klandestinë në Hanin e Hotit

Dështon tentativa e 12 klandestinëve nga Siria dhe Somalia për të kaluar kufirin. Ata kishin zgjedhur pikën e Kalimit Kufitar të Hanit të Hotit për tu larguar, por falë një operacioni të organizuar nga shërbimet e policisë kufitare tentativa e tyre ka dështuar. Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Policisë Kufitare, bëhet me dije se, në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit janë ndaluar 12 qytetarë nga vendeve të treta, sirianë dhe somalezë. Sipas dëshmive të dhëna pranë grupit hetimor, 12 klandestinët ishin futur në Shqipëri nga Greqia, në qytetin e Gjirokastrës. Atje kishin gjetur një transportues i cili u kishte marrë klandestinëve 3.600 euro, 300 euro për person, për t’i sjellë deri në Hanin e Hotit. Mirëpo tentativa e tyre ka rezultuar e dështuar, pasi janë zbuluar nga policia kufitare. Transportimi i tyre është bërë nga shtetas shqiptar që e njohin mirë zonën dhe policia po punon për identifikimin e tyre e më pas arrestimin, që më pas të mund të çojë edhe në zbulimin e ndonjë rrjeti të organizuar kriminal të qenieve njerëzore. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se shqiptaret që transportojnë klandestinët deri në veri janë të mirëorganizuar, prandaj policia ka nisur hetimet për zbardhjen dhe prangosjen e transportuesve. Në harkun kohor të 1 jave në këtë pikë kufitare janë ndaluar 20 klandestinë kryesisht nga Siria, Somalia dhe Pakistani.

Plagos shokun në fejesë, ishte i dehur

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur rreth orës 17:35 të mbrëmjes së djeshme pas një ceremonie fejese. Remzi Brahimi, 51 vjeç është arrestuar nga policia e kryeqytetit, pasi ka plagosur me armë zjarri automatik Hekuran Aliun 40-vjeç për motive të dobëta në një gëzim familjar ku ishin të dy prezent. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një grindje të vogël momentale mes autorit dhe 40-vjeçarit. Nën efektin e lartë të alkoolit 51-vjeçari Remzi Brahimi ka drejtuar automatikun drejt mikut të ardhur nga Rrogozhina dhe ka zbrazur me breshëri 12 herë. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje djali i autorit ka marrë menjëherë të plagosurin me një automjet triçikël që kishte në oborr dhe e ka çuar në Spitalin Ushtarak. Burime nga spitali bëjnë me dije se gjendja e të plagosurit është e rëndë. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po heton mbi shkaqet e saj. Sipas grupit hetimor pista kryesore është humbje e ekuilibrit dhe vetëkontrollit të autorit për shkak të alkoolit. Policia ka marrë dëshminë e 6 personave, ndërkohë që janë shoqëruar edhe dy persona të tjerë për t’u marrë në pyetje. Në vendngjarje janë gjetur 12 gëzhoja. Dëshmitarët bëjnë me dije se autori dhe i plagosuri janë miq me njëri-tjetrin.

Humb jetën në gurore punëtori

Një 40-vjeçar ka humbur jetën aksidentalisht në guroren ku po punonte në Tiranë. 40-vjeçari ka qenë duke punuar në gurore në Malin e Dajtit në momentin kur është goditur nga skrapi. Sipas policisë, shkak dyshohet të ketë qenë moszbatimi i kritereve të sigurisë gjatë punës. Ndërkaq, policia ka shoqëruar disa persona për të marrë në pyetje, për të zbardhur të plotë ngjarjen ku humbi jetën i riu. Ndërsa trupi i pajetë i 40-vjeçarit është dërguar për në morgun e spitalit, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore. Akti mjekësor do të ndihmojë blutë për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency