Nga duhet të kalojë dhe ku nuk duhet të bjerë qeveria

0
140

Artan Fuga

 

fuga170Qeveria duhet të kujdeset edhe për popullin, por edhe për kombin.

Duhet të kujdeset për popullin, që ai të ketë një jetë të parrezikuar nga mbetjet kimike dhe rreziqet e tjera ambientaliste.

Por, duhet të kujdeset edhe për kombin, sepse kombi dhe siguria e tij gjeopolitike kërkojnë mbështetje nga fuqitë perëndimore, NATO dhe SHBA. Të mos fillojë dimri i vetmisë së madhe.

Qeveria duhet të kujdeset për mendimin qytetar dhe opinionin kolektiv qytetar, duke dialoguar hapur dhe barazisht me të, ka qytetarë seriozë dhe të ndershëm ky vend, sepse mendimi kolektiv qytetar, nëse nuk orientohet drejt dialogut, kthehet në shpirt kolektiv të turmës. Nga e para duhet kaluar te e dyta, nuk duhet rënë, sepse me turmën nuk ka më mundësi dialogu.

Qeveria duhet të dëgjojë zërat e liderëve të opinionit publik, zëra të shqetësuar dhe që duhen marrë në konsideratë, por pa i lënë në baltë, sepse pastaj flamurin e marrin lloj-lloj sharlatanësh që vetë rastin presin për të shpalosur egon e tyre në patetizma të rrezikshëm. Duhet ndarë lideri i opinionit nga sharlatani që fatkeqësinë e kombit do ta kthejë në at të tij.

Qeveria duhet të masë shqetësimin e fortë popullor dhe të përgjigjet duke informuar fort, pa rënë në presionin e paniqeve dhe anktheve irracionale. Sidomos nuk duhet të ngatërrojë shqetësimet e vërteta me panikun urban.

Brenda këtyre skajeve ka mundësi pa fund, pa fund, për zgjidhje të mira që na japin mundësi për të dalë si komb dhe shoqëri më të fortë nga kjo krizë e rrezikshme, të cilën qytetari dëshiron ta zgjidhë, kurse sharlatani ta përdorë për ta nxjerrë situatën nga kontrolli dhe marrë frenat në dorë.

Mos më kërkoni emra…

Duhet vepruar me maturi, dhe jo duke pasur frikë nga qytetari.

 

Parimet që unë pranoj janë tre:

 

1. Informim publik sa më shpejt dhe sa më real dhe i vërtetë nga ekspertë të besueshëm organizuar nga qeveria, duke mos krijuar rreziqe të kota ambientaliste ose duke ia lënë panikut dhe ankthit kolektiv ndërgjegjen e opinionit publik.

 

2. Vendimmarrje demokratike pas debatesh të lira dhe me procedura pa pasione, por me argumente racionale: politikë – qytetarë – ekspertë.

 

3. Respektim i aleancave perëndimore të Shqipërisë së lirë, kaq jetike për gjeostrategjinë dhe pavarësinë dhe zhvillimin e vendit dhe sigurinë e shqiptarëve në Ballkan dhe më gjerë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency