Intervistë Kimisti Enver Osmani: Ju tregoj vitet ‘80, s’kemi teknologji për armët kimike

0
166

Anxhela Tato

 

Është i pamundur transporti i kimikateve

Flet nënkoloneli Osmani: Është një operacion i padëshirueshëm, i cili mund të sjellë dëmtime të rënda në rast aksidenti dhe me të drejtë opinioni publik është i shqetësuar

 

 

5 nentorNënkolonel Enver Osmani tregon se në Shqipëri janë kryer eksperimente me njërën prej lëndëve helmuese, e njohur si Mustardë. Në një intervistë për gazetën “Standard” kimisti Enver Osmani rrëfen se në vitet ‘70-‘80 është realizuar shkatërrimi i Mustardës, lëndë helmuese e llojit ibrid-luizid nëpërmjet laboratorëve të kimisë së ushtrisë. Paralelisht janë kryer edhe stërvitje me trupa ushtarake nëpër terrene të ndotura me këtë helm, por ai shton se nëse do të bëhej fjalë për neutralizimin e një sasie të lartë dhe brenda një afati kohor të shkurtër, Shqipëria nuk ka teknologjinë e nevojshme. Enver Osmani thekson se nëse vendi ynë do të jetë destinacioni final i lëndëve helmuese ushtarake, është e nevojshme që gjithë procesi të jetë nën mbikëqyrje dhe masa të rrepta sigurie, duke nisur që nga kompanitë të cilat do të realizojnë transportin, deri tek teknologjia bashkëkohore e kërkuar për këtë operacion kaq delikat. Sipas nënkolonelit, do të ishte mirë që ky operacion të kontrollohej dhe mbikëqyrej nga specialistë të huaj, vendas, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe shtypi. Ndërsa thekson se në marrëveshjen dypalëshe duhet të specifikohet qartë sasia dhe lloji i lëndëve helmuese, gjendja e tyre e ruajtjes, teknologjia që do të përdoret, siguria që ky proces do të përfundojë me sukses, si dhe largimi i të gjitha mbetjeve dhe kimikateve nga Shqipëria.

A duhet të vijnë armët kimike në Shqipëri?

-Është një operacion i padëshirueshëm, i cili mund të sjellë dëmtime të rënda në rast aksidenti dhe me të drejtë opinioni publik është i shqetësuar, por në vlerësim të të gjitha situatave lidhur me shkatërrimin e lëndëve kimike helmuese në Shqipëri do të jemi më të qartë dhe më realistë, pasi të merret një vendim nga organet e Kombeve të Bashkuara. Ne ende nuk kemi një inventar të saktë për cilat lëndë kimike helmuese bëhet fjalë, për sasinë e tyre, nëse do të jenë të vendosura në rezervuar thjesht si lëndë helmuese apo nëse do të jenë nëpër armatime. Pas vendimit do të njihemi me llojin e lëndëve helmuese për të cilat bëhet fjalë për të ardhur në Shqipëri, nëse do të jenë nga grupi i lëndëve më të rrezikshme (nervo-paralizues) me përfaqësues kryesor në këtë grup Sarinën. Mendimi i kohëve të fundit që qarkullon për këtë grup lëndësh kimike për t’u shkatërruar është që të dërgohen në Francë, shtet që shquhet për teknologji dhe proces sigurie të lartë.

A përmbush Shqipëria kriteret për demontimin e armëve kimike?

-Vendi ynë ka pasur një përvojë me eksperimente të kryera për çndotjen e lëndëve helmuese ushtarake të tipit ibrid-luizid (Mustard) (lëndë helmuese ushtarake që ndot terrenin). Madje, nëse do të ndodhnin incident me këtë grup lëndësh helmuese në këtë periudhë viti me temperatura të ulëta, nuk do të ndodhte asgjë, pasi temperatura e nxehjes është 270 gradë. Me këtë grup lëndësh helmuese ushtarake janë zhvilluar edhe stërvitje me trupa për kalim terrenesh të ndotura me këtë lëndë. Krahas stërvitjeve me këtë lëndë, është punuar edhe për çndotjen dhe shkatërrimin e tyre kryesisht nëpërmjet laboratorëve të kimisë së ushtrisë. Në vitet ‘70-‘80 dhe deri në vitet ‘90 është krijuar një përvojë dhe është e njohur metodologjia e tyre, por kur bëhet fjalë për një sasi të madhe dhe brenda një afati kohor të shkurtër të vënë në dispozicion për shkatërrimin e tyre, në vendin tonë nuk kemi teknologji të instaluar që mund të realizojë shkatërrimin në masë të këtyre lëndëve. Në hapin e dytë të kësaj marrëveshjeje duhet të përcaktohet vlera monetare e këtij operacioni mbi bazën e së cilës do të vendoset edhe për teknologjinë që duhet të përdoret. Për këtë operacion është e nevojshme një teknologji bashkëkohore që t’i shkatërrojë komplet lëndët helmuese ushtarake, përfshirë këtu edhe mbetjet, qofshin edhe toksike.

Cilat janë efektet e lëndëve kimike Sarinë dhe Mustard?

-Grupi i lëndëve helmuese ushtarake të llojit nervo-paralizues me përfaqësues kryesor Sarinën, vepron kryesisht në organet kryesore të trupit të njeriut (sistemi nervor qendror, organet e frymëmarrjes dhe në lëkurë). Ka një veprim të fuqishëm sipas kushteve atmosferike deri në distancë që shkon nëpërmjet shpërndarjes së avujve të tyre nga 1000-15.000 metra. Por për një shpejtësi ere mbi 3 metra në sekondë, ky përqendrim helmues ruhet deri në distancë 3000 metra. E keqja është në qoftë se ndodh një aksident gjatë shkatërrimit të lëndëve helmuese ushtarake, atëherë krijohet precedenti i mësipërm. Prandaj, para mbërritjes së rezervuarëve me këtë lëndë duhet të kontrollohet gjendja e tyre, të mos ketë rrjedhje, bidonë të çarë që përbëjnë rreziqe. Duhet të ketë masa të rrepta si dhe siguri të lartë në transportimin e tyre deri në mbërritjen në destinacionin final. Grupi i lëndëve hibrid-luizid (Mustard) shkakton në organizmin e njeriut veprime të forta në lëkurë që ngjajnë me djegie të fuqishme në dorë. Por në kushte të caktuara dhe në periudhë vere jep efekte të rëndësishme edhe në gjendje të gaztë. Mbrojtja nga ky grup lëndësh helmuese mund të realizohet vetëm duke përdorur kundërgaz dhe mjete të tjera mbrojtëse për trupin e njeriut. Mustarda ka një periudhë të fshehur veprimi nga 2-4 orë, ndërsa Sarina mund të të marrë jetën brenda 2 minutave, nëse ekspozimi i njeriut ndodh në një ambient ku përqendrimi i gazit është i lartë.

Si realizohet procesi i shkatërrimit të këtyre lëndëve helmuese ushtarake?

-Siç e thamë edhe në fillim të intervistës, duhet të përcaktohet qartë para fillimit të procesit llojet e lëndëve helmuese që do të shkatërrohen, kjo gjithmonë në qoftë se do të merret vendimi. Duhet të specifikohet gjendja e tyre teknike, nëse janë armë kimike dhe rrezikun që përmbajnë nga transporti deri në destinacion. Metodologjia për shkatërrimin e tyre është e njohur dhe në qoftë se do të përdoret një teknologji bashkëkohore, e cila duhet të çojë në shkatërrimin 100 për qind dhe në largimin e të gjithë mbetjeve nga ky proces në vendin e origjinës. Nga studimet e deritanishme dhe impiantet bashkëkohore në metodat e avancuara, hidroliza ose djegia janë të mundshme dhe mundësojnë shkatërrimin përfundimtar. Pajisjet për demontimin duhet të sillen nga jashtë, kjo si pjesë e marrëveshjes së qeverisë shqiptare me OKB-në.

A mund të ndodhin defekte gjatë procesit të shkatërrimit?

-Rrezikshmëria do të varet nga gjendja e lëndëve helmuese ushtarake ose armatimet ku ruhen ato. Ekspertët e huaj duhet të japin garanci për këtë dhe të çojnë lëndët helmuese për shkatërrim në një vend të botës së tretë me siguri të plotë. Nëse përbën rrezik rrjedhjeje dhe nuk ka garanci duhet të shkatërrohet aty ku është. Transporti i lëndëve helmuese ushtarake të merret përsipër nga shtete që kanë anije të posaçme për të, të jetë i specializuar dhe kompanitë duhet të jenë të posaçme për transportim lëndësh të rrezikshme, duhet të ketë autorizim specifik, kjo edhe në rastin se kompania që do të ndërmarrë transportin në Shqipëri të jetë vendase. Pra, duhet që kompania që do realizojë transportin e këtyre lëndëve, duhet të ketë përvojë me këto lloj lëndësh dhe të jetë e specializuar. Procesi i shkatërrimit duhet vënë nën monitorimin dhe nën mbikëqyrje të rreptë edhe kur bëhet fjalë për përdorimin e teknologjisë bashkëkohore duhet mbikëqyrje e rreptë. Laboratorët kimikë që do të instalohen duhet të bëjnë sipas intervaleve të caktuara, analiza të veçanta dhe shumë të shpeshta gjatë 24 orëve për ndotje uji, ajri, terreni dhe mbetje që dalin si rezultat i këtij procesi. Ky proces duhet të organizohet dhe kontrollohet nga specialistë të huaj, vendas, nga specialist të shoqërisë civile dhe shtypi. Këto janë kërkesa të rëndësishme që duhet të plotësohen.

Cilat janë kriteret bazë që duhet të kërkojë qeveria në marrëveshje?

-Sasia dhe lloji i lëndëve helmuese që mund të shkatërrohen; gjendja e tyre e ruajtjes dhe rrezikshmëria e transportimit deri në destinacionin final; teknologjia që do të përdoret për shkatërrimin, e lidhur kjo me vlerën monetare të operacionit; konsultë e gjatë dhe e detajuar me specialistë të huaj (për çdo proces dhe mendimin e tyre); siguria që ky operacion do të përfundojë me sukses deri në shkatërrimin përfundimtar të lëndëve helmuese ushtarake; largimi i të gjitha mbetjeve dhe kimikateve që dalin nga territori i Republikës së Shqipërisë (duhet marrëveshje e veçantë dhe në asnjë moment të mos ketë pika evazive).

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency