Ekuacion vetëm me një zgjidhje

0
122

Çelo Hoxha

 

ÇeloNdjeshmëria e lartë e qytetarëve shqiptarë ndaj lajmit për shkatërrimin e mundshëm të armëve kimike në Shqipëri i zuri të gjithë në befasi, kurse masivizimi i protestave dje i futi panikun politikës. Përfaqësues të opozitës erdhën (unë isha aty) që në drekë në shesh, por pasdite kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u shpreh hapur kundër ardhjes së armëve kimike në Shqipëri. Edhe në anën e mazhorancës reagimi i qytetarëve e bëri punën e vet: deputeti i PS-së, Ben Blushi, u deklarua hapur kundër armëve, kurse disa të tjerë u shfaqën të tulatur nga protestat në studio televizive, por të pasigurt se çfarë do të thoshte shefi i tyre kur të kthehej nga Mali i Zi. Kurse Ilir Meta shkoi te protestuesit, të paktën e pashë në një foto, por nuk e di, deri tani që shkruaj, se çfarë tha.

Për herë të parë, dhe është fillimi, mund të themi se të dyja palët, qytetarët dhe politikanët, treguan se cila është fuqia e tyre: qytetarët janë uragan, kurse politikanët, para këtij uragani, janë objekte të peshës së lehtë.

Fuqia, ama, duhet menaxhuar. Një masë qytetarësh të organizuar në mënyrë spontane, duke i bërë thirrje njëri-tjetrit në rrjetet sociale, është e lehtë të rrëshqasë në kaos, sidomos nëse qeveria vepron në kundërshtim me qëllimin e protestës. Dje në shesh kishte shumë gjimnazistë dhe unë bëra pak humor me disa miq, të cilëve u kujtova se dikur u revoltuan edhe gjimnazistet e shkollës “Nëna Mbretëreshë” dhe dolën në mal (partizane) e na morën të gjithëve në qafë. E në këtë batutë ka shumë të vërtetë.

Këtu hyn në skenë politika, ajo është menaxherja e energjive të masës së njerëzve. Nyja është e pazgjidhshme: politikanët gjithmonë do kenë nevojë për një popull ta drejtojnë, qytetarët gjithmonë do të kenë nevojë për drejtues. Kur politika është e përgjegjshme, edhe energjia e masës jep rezultate pozitive.

Shoqëria civile nuk e luan dot rolin e politikanëve, ajo ka tjetër mision. Ajo menaxhon energjinë qytetare ose e aktivizon atë, jashtë politikës, me qëllimin për t’iu imponuar asaj. Në protestën në fjalë, shoqatat civile kanë luajtur një rol pozitiv, por jo aq sa të mburren pa hesap në televizione, duke i fyer qytetarët e thjeshtë që dolën në sheshe. Këto protesta nuk kishin asnjë lidhje me emancipimin e nevojshëm që kërkon një shoqëri civile. Protesta shqiptare ishte instiktive, qytetarët u ngritën nga ndjeshmëria që ata kanë për jetën, sidomos për jetën e fëmijëve të tyre. Për çështje të tjera, si liria e fjalës, për shembull, është shumë e vështirë që në Shqipëri të organizosh kaq shumë njerëz, për një arsye të thjeshtë: shumë prej tyre, siç tha me humor një miku im dje, s’kanë asgjë për të thënë.

Tashmë topi është në dorën e qeverisë, por s’ka shumë mundësi zgjedhjeje, sepse i është ngushtuar rrezja e veprimit, më shumë për shkak të heshtjes së saj në lidhje me çështjen. Asaj i ka mbetur vetëm mundësia t’i bashkohet shqetësimit të qytetarëve. Nëse ajo do të bënte të kundërtën, do të jetë e kotë që ajo të përpiqet të vazhdojë të qeverisë deri në fund të mandatit një popull të refuzuar.

Sigurisht, qeveria shqiptare nuk dëshiron helmimin e popullit të saj, do të ishte idiote që të mendohej se qeveritarët janë kundër popullit të tyre. Ata kanë më shumë informacion sigurisht, por tani është vonë t’i mbushësh mendjen një populli që ka dalë në rrugë. Qytetarët janë dyshues dhe do të mbeten të tillë deri në fund, përderisa nuk pati një komunikim të hapur me ta që në fillim. Dhe tek e fundit, edhe sikur fitimet nga demontimi i armëve kimike të jenë të mëdha, shqiptarët kanë mbijetuar 100 vjet pa to, e besoj se do bëjnë në të ardhmen. Por, ama, do flenë të qetë.

Dhe diçka për mediet shqiptare: ato bëjnë mirë t’i pastrojnë nga ekranet ambasadorët e vendosur në Shqipëri, të cilët kanë 23 vjet që na japin leksione demokracie dhe, në këto ditë, qytetarët kanë qenë më të shqetësuar se kurrë, e kanë blerë vrimën e miut sa frëngu pulën. Shqiptarët s’kanë nevojë për leksionet e tyre, sepse ata s’janë budallenj. Mund të jenë disi primitivë, por janë më pak të dëmshëm se barbarët që shiten si të kultivuar. Ambasadorët kanë pas tyre axhendat e vendeve përkatëse ose axhendat të neomarksizmit ndërkombëtar, kurse shqiptarët kanë vetëm një axhendë: të jetojnë të qetë, pa i bërë keq kujt, siç kanë bërë që nga dita e parë e tyre mbi Tokë e deri sot.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency