Rriten përsëri interesat e kredive të bankave në lekë

0
161

 Ervin Kaduku

 

 

Rikthehet trendi negativ, shqiptarët i marrin sërish me kosto më të lartë kreditë, megjithëse rritin depozitat në bankat, që janë kryesisht me kapital të huaj dhe transferojnë paratë jashtë

 

KrediaSërish një shenjë e keqe nga sektori i bankave që operojnë në terrenin financiar shqiptar. Interesat e kredive të reja në lekë shënuan një rritje të papritur në muajin shtator të këtij viti, duke kthyer mbrapsht tendencën e ndjeshme rënëse që u konstatua në gusht. Të dhënat bëhen të ditura nga statistikat mujore të Bankës së Shqipërisë. Norma mesatare (për të gjitha afatet e maturimit) për kreditë e reja në lekë, që u dhanë gjatë muajit shtator u rrit me 0.66 pikë përqindjeje, në 10.14%, nga 9.48% që rezultoi në gusht, një nivel minimal historik ky.

Në krahasim me shtatorin 2011, kohë ku Banka e Shqipërisë filloi lehtësimin e politikës monetare, duke ulur shtatë herë normën bazë (kjo e fundit është aktualisht është 3.25%, duke u tkurrur me 2 pikë përqindje, që nga ajo kohë), interesat e kredisë në lekë janë tkurrur me më pak se 1 pikë përqindje (0.93).

Në daljen e fundit publike, ku norma bazë u mbajt e pandryshuar, guvernatori i Bankës së Shqipërisë pohoi se politika monetare stimuluese do të vazhdojë, megjithatë ai pranoi se përçimi i saj në uljen e kostos së kredisë në lekë ka qenë i vonuar, ndryshe nga yield-i (interesi i bonove të thesarit), që është tkurru ndjeshëm këtë vit, nga rreth 7% në dhjetor 2012 në rreth 3.85% aktualisht (për bonot me maturim 12-mujor).

Gjatë muajit shtator, kanë qenë interesat e kredisë afat shkurtër në lekë, nga 6 muaj deri në 1 vit, ato që kanë shënuar rritjen më të madhe, nga 8.68% në gusht, në 10.08 në shtator.

Në rritje ka qenë dhe huaja me afat maturimi 1-3 vjet, nga 13.22% në gusht, në 14.28% në shtator.

Edhe kredia mbi pesë vjet ishte më e shtrenjtë, në 9.48%, nga 8.85% në gusht.

Më e lirë ka qenë vetëm huaja afatshkurtër deri në 6 muaj, që zbriti nga 10.01% në gusht në 8.88% në shtator 2013.

 

 

 

Ulet sërish kostoja e borxhit të brendshëm

Bonot e Thesarit regjistruan dje një tjetër rekord në ulje. Interesi mesatar i ponderuar për bonot 12-mujore zbriti në 3.73%, çka e bën borxhin e qeverisë më të lirë se kurrë më parë.

Rekord të ri shënuan edhe bonot me maturim 6-mujor, që arritën nivelin rekord 3.49%. në këtë mënyrë, pas bonove 3-mujore, edhe 6-mujore bien për herë të parë poshtë nivelit të normës bazë të interesit. Politika monetare lehtësuese e Bankës Qendrore po reflektohet mbi të gjitha në ulje të çmimit të borxhit të qeverisë. Por arsyeja kryesore është në thelb dobësia e kreditimit dhe mungesa e alternativave të tjera për të investuar kursimet e ekonomisë shqiptare.

Në ankandet e djeshme, qeveria kishte shpallur një borxh prej 11.3 miliardë lekësh, ndërsa oferta në ankande arriti në 14 miliardë lekë. Ata që nuk favorizohen nga ulja e interesit janë depozituesit. Ulja e normës bazë dhe e interesit të bonove ka ndikuar në ulje të ndjeshme të interesit të depozitave bankare muajt e fundit. Interesi i bonove është në përgjithësi normë reference për kreditë afatgjata në lekë dhe ulja ndihmon kredimarrësit të paguajnë këste më të ulëta.

Por, në njëfarë mase, edhe interesat e kredive të reja po ndikohen nga kjo tendencë. Disa banka po dalin me interesa mjaft tërheqëse, veçanërisht në kredinë për individë. Ndonëse kreditimi vazhdon të jetë në ngërç, për shkak të problemeve si nga krahu i kërkesës, edhe nga ai i ofertës, duket se qëllimi i politikës monetare për uljen e interesave në tregun financiar ka filluar të funksionojë.

 

Rotacioni i pushtetit krijon vonesa në licencën 4G

Dhënia e licencave celulare 4G është peng i kalimit të televizioneve në transmetime dixhitale. Burime nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare bëjnë të ditur se brezi më i përshtatshëm për frekuencat 4G është ai 790-862 Mhz, që aktualisht përdoret nga operatorë televizivë në transmetime analoge. Kalimi i plotë në transmetime dixhitale do ta lirojë këtë brez dhe ai pritet të përdoret për transmetimet 4G. Në strategjinë për kalimin e plotë në transmetime numerike afati i fundit kohor për kryerjen e këtij procesi është përcaktuar qershori i vitit 2015. Por, problemi është se kalimi në transmetime dixhitale ende nuk ka mënyra shumë të qarta. Strategjia kombëtare ka shtruar disa alternativa për operatorët televizivë dhe faza e këshillimit publik ende nuk është mbyllur.

Rotacioni i pushtetit dhe ndryshimet e pritshme në drejtimin e Autoritetit të Mediave Audiovizuale mund të krijojnë vonesa të mëtejshme të procesit. Ndërkohë, në muajin shkurt të këtij viti qeveria miratoi planin e ri të radiofrekuencave. Plani parashikon se brezi i frekuencave 790-862 Mhz do të merret nën administrimin e AKEP, pasi të jetë kryer kalimi në transmetime dixhitale.

Pikërisht ky brez pritet të jepet në përdorim për komunikimet 4G, teknologji që mundëson ofrim të shërbimit të transmetimit të të dhënave me shpejtësi deri në 100 Mbps, çka do të thotë një internet shumë më i shpejtë përmes rrjeteve të lëvizshme. Por, nisja e procedurave për adoptimin e teknologjisë 4G gjithsesi do të kërkojë ende kohë, sepse Shqipëria ende nuk ka mbyllur procesin e dhënies së licencave 3G. Gara për autorizimin e katërt dhe të fundit pritet të hapet brenda këtij viti.

 

 

Letër e hapur

Ç’duhet bërë me makinat e përdorura?

Drejtuar Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes,

Z. Arben Ahmetaj.

Z. Ministër Ahmetaj!

Marr shkas t’Ju shkruaj nga deklaratat Tuaja në media të bëra në lidhje me rishikimin e taksave vjetore të automjeteve të përdorura dhe legjislacionin për importin e tyre. Ju keni kryer një takim me grupin e vogël të interesit që është ai i koncesionarëve në Shqipëri, por a e keni pyetur veten se ç’mendon nga ana tjetër grupi i madh i interesit që është populli i cili edhe ju ka zgjedhur? Në vitet e fundit, një nga ligjet që është prekur dhe ndryshuar më shumë, është ai i taksave të automjeteve të përdorura. Kjo, për shkak se qeveria e mëparshme ka dashur të veprojë si një pjesë e Evropës, por me një popull që nuk ka të njëjtat kushte jetese. Po të ishim ne më mirë, vinin ata te ne, nuk shkonim ne te ata. Kjo ka sjellë shitjen e makinave pa i ndërruar pronarin dhe me prokurë përdorimi duke qenë se i duhej paguar shumë shtetit. Ka bërë që shumë makina të mos paguajnë taksat vjetore pasi rriten dhe vazhdojnë çdo vit më shumë, shqiptarët të mbajnë makina me dokumente të huaja etj.

Motivi gjithmonë ngelet i njëjti: “Nuk na dalin paratë z. Ministër”. Vetë qeveria e sotme e ka thënë dje kur ishte në opozitë: “Vendi është në krizë të thellë”.

Me ardhjen e qeverisë së re nuk ndryshoi fleta menjëherë për popullin. Koncesionarët thonë që kanë rënë shitjet e mjeteve të reja. Kjo vërteton atë që është thënë kur Ju ishit në opozitë: “Ka krizë”. Nga ana tjetër janë rritur shit-blerjet e mjeteve të përdorura. Sigurisht që nuk mund të ndodhë ndryshe. Kur nuk kemi mundësi të hamë pulën do të hamë sorrën. Megjithëse “sorra” po del më e fortë se “pula” e sotme. E kam fjalën për cilësinë e produkteve që po prodhohen sot. Vërtet teknologjia dhe avantazhet që na ofron janë më të mëdha por nga ana tjetër dhe produktet që po prodhohen janë më tepër mall konsumi me jetëgjatësi shumë më të vogël. Mjafton të lundrosh në internet në forume evropiane të mjeteve apo dhe produkteve të ndryshme e gjen patjetër këtë pohim: “Mall konsumi me jetëgjatësi shumë më të vogël”.

Jam dakord që duhet të reduktohet në maksimum ndotja, e cila nuk vjen vetëm nga mjetet e përdorura. Më shumë ndot një kazan plehrash i ndezur në lagje se 100 makina apo më shumë bashkë. Pastaj të shtrojmë pyetjen: Kush quhet mjet i përdorur? Një makinë mund të quhet e re sapo del nga fabrika e deri pak vite më pas që mbulon dhe garancia e koncesionarit. Më pas quhet dhe ajo e përdorur. Kjo nuk do të thotë se një makinë me 5-7 vite jetë ndot më pak se një me 10-15 vite. Unë vetë disponoj një mjet të 1998-ës të cilin e përdor rrallë dhe ka rreth 158.000 km. Njoh persona që kanë makinë më të re dhe i kanë kaluar 300.000 km. Në këtë situatë a mund të themi se makina ime, edhe pse më e vjetër në moshë, ndot më shumë? Ajo që bën një mjet të ndotë, në radhë të parë është cilësia e karburanteve që kemi në vendin tonë. Një mik më tha me shaka njëherë që nëse hedh cigaren në naftë apo benzinë mund të të fiket cigarja.

Përtej shakasë z. Ministër. Kush nuk do të donte të kishte një makinë të re dhe cilësore? Makinat e reja më të lira fillojnë me një çmim rreth 10 000 euro e sipër. Nuk flas për marka si “Mercedes-Benz”, “BMW”, “Volkswagen” etj., që të reja kushtojnë shumë më tepër. Dikush mund të thotë që i japin edhe me këste apo kredi. A mendoni se kemi një mazhorancë populli që mund ta paguajë qoftë me këste apo kredi?

Sot makina nuk është më mjet luksi në vendin tonë, por mjet pune dhe halli. Me uljen e taksave të gjithë përpiqen të tregohen të rregullt për të mos vuajtur ndëshkimin e Policisë Rrugore e pasojave më pas. Por kur taksat rriten, fillon shpesh t’ia vlejë barra qiranë të mos paguash nga halli prej të cilit lulëzon korrupsioni, duke paguar policin e rastit që mund të të ndalojë.

Nëse marrim shembull nga një vend evropian, siç është Italia, makinat e përdorura mbi 15-20 vjet regjistrohen si makina epoke, të cilat paguajnë më pak taksë se makinat e reja. Sigurisht ato duhet të përdoren më pak, pasi janë për t’i ruajtur për vlerën që kanë. Një gjë e tillë në Shqipëri mund ta themi të sigurt që nuk do të ndodhë për shumë vite me radhë.

Makinat që futen në vendin tonë vijnë kryesisht nga BE-ja. Pra, nëse janë përdorur aty, kanë qenë të sigurta dhe nuk bëhen të pasigurta sapo kalojnë territorin shqiptar. Testin e kolaudimit e kryejnë njësoj, si të reja ashtu dhe të përdorura. Dikush mund të thotë që më shumë aksidente ndodhin me makina mbi 10 vjet përdorimi. Sigurisht, pasi ato zënë përqindjen më të madhe të mjeteve në qarkullim e për rrjedhojë do të zënë përqindjen më të madhe të mjeteve të aksidentuara. Po sa për qind e këtyre aksidenteve ishte për faj të mjetit? Jam i sigurt që faji në pjesën më të madhe të rasteve është i drejtuesit ose sinjalistikës rrugore të munguar apo të keqvendosur.

Nëse doni vërtet të ulni ndotjen dhe të ulni korrupsionin, filloni në kontrollin e cilësisë së karburanteve që hyjnë dhe tregtohen në Shqipëri, pasi përzihen me lëndë që rrisin ndotjen, vendosni një limit të ndotjes së një mjeti, testoni mekanikët dhe certifikoni serviset në të cilat punojnë, që të mund të na japin garanci për punën që bëjnë. Kështu do të kemi më pak ndotje, mjete më të sigurta në rrugë, më shumë të ardhura në arkën e shtetit nga fatura tatimore që lëshojnë e karburantet që konsumohen. Atëherë kur të bëhen të gjitha këto mund t’i thuhet qytetarit që mjeti yt duhet të paguajë më shumë se një tjetër ose nuk duhet të qarkullojë pasi ndot më shumë se limiti i vendosur. Në të kundërt duke rritur taksat do të kemi më shumë mjete pa taksa në rrugë, më shumë policë rrugorë me barkun e madh, më pak mjete në qarkullim nga të ndershmit dhe sigurisht jo më shumë makina të reja në rrugë, gjë e cila nuk do të mbushë arkën e shtetit si më parë nga taksat, karburantet e zhdoganuara, pagesat te noteri etj. Ndotja edhe nga makinat është rritur se s’ka me pyje që ta pastrojnë ajrin. Le të investojnë koncesionarët në mbjelljen e pyjeve, nëse vërtet u intereson mjedisi. Tek e fundit ndotja vjen prej makinave që ata kanë shitur vite më parë. Ndotje nga makinat do të kemi edhe vite më pas nga makinat e reja që ata duan të shesin sot. Pse nuk thonë koncesionarët të mbajmë vetëm urbanin, trenin dhe ambulancat, se kështu do të kemi ajër shumë herë më të pastër, meqë duan të tregohen kaq “ambientalistë”. Përveç këtyre mjeteve, le të përdoren biçikletat ose këmbët, se është më e shëndetshme për njeriun ose t’i kthehemi kalit dhe gomarit si dikur. Koncesionarët po ngrenë zërin se kanë rënë në nivel me popullin. As atyre nuk po u dalin paratë z. Ministër.

Qeveria “Berisha”, mbase për efekt elektoral, u kujtua vonë të ulte taksën e mjeteve të përdorura në fund të mandatit. Zgjedhjet vijnë shpejt dhe mendoni me drejtësi për ata që Ju kanë zgjedhur e jo për koncesionarët.

Islam Daja

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency