Merr fund odiseja 12-vjeçare, Apeli vendos “Drogë apo kërp”, gjykata shpall të pafajshëm 22 fermerët e Shkrelit

0
226

Sonja Caka

 

Shkodër, fermerët u dënuan nga Gjykata e Shkallës së Parë, Apeli u pushoi çështjen

Kreu i Shoqatës së Fermerëve: Do t’i kthehemi përsëri kultivimit të kërpit industrial

 

fermeret e kerpitPas 12 vjetësh odiseje për t’u provuar organeve të drejtësisë se nuk ishin Lazarat duke kultivuar lëndë narkotike, por kishin mbjellë kërp industrial, për 22 fermerët e Shkrelit erdhi fitorja. Gjykata e Apelit në Shkodër i vuri vulën debatit gjyqësor nëse ishte kërp apo drogë, duke pushuar gjykimin për këtë çështje dhe duke u dhënë pafajësinë fermerëve. Dje ky proces ka marrë fund, ndërsa Apeli ka pushuar çështjen e ngritur nga Gjykata e Shkallës së Parë, e cila akuzonte fermerët për kultivim të lëndëve narkotike në vend të kërpit industrial. Pas seancës, një ndër përfaqësuesit e shoqatës së fermerëve të Shkrelit, Alfred Pëllumbi, e quajti vendimin një fitore të rëndësishme, ndërsa ka deklaruar se fermerët e Shkrelit do t’i rikthehen përsëri kultivimit të kërpit industrial.

Apelimi

Fermerët e Shkrelit kishin apeluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila në 13 mars 2012 i shpalli fajtorë duke i dënuar me gjoba dhe burgim deri në 7 vjet. Në vendimin e saj Gjykata e Shkodrës i cilësonte 53 fermerët shkodranë si organizatë kriminale, e cila është marrë me kultivimin e bimëve narkotike dhe jo me kërp industrial që pretendohet prej tyre. Odiseja e gjyqeve për fermerët e Shkrelit ka nisur që në vitin 2001. Janë 12 vite seanca pa fund, nga të cilat, herë dalin fitues fermerët e herë Ministria e Brendshme. Banorët e Shkrelit akuzohen se nuk kultivojnë kërp, por kanabis. Ngjashmëria midis këtyre të dyjave ka sjellë edhe betejën ligjore të fermerëve prej 12 vitesh. Ndërkohë që pas 71 seancash gjyqësore, dje mori fund beteja gjyqësore në Apelin e Shkodrës, duke pushuar gjyqin ndaj fermerëve.

Vendimi i fajësisë

Gjykata e Shkodrës i ka shpallur fajtorë 38 persona nga komuna Shkrel e rrethit Malësi e Madhe në mars të vitit të kaluar. Të 38 shtetasit janë të akuzuar për veprën penale të “Kultivimit dhe shitjeve të narkotikëve”, “Prodhim dhe shitje të farërave narkotike”, si dhe “Mbajtje, prodhim dhe pajisje për kultivim të narkotikëve”, duke i trajtuar jo si individë, por si organizatë kriminale. “Kërp apo drogë” ka qenë çështja që duhet të zgjidhnin gjykata dhe t’i jepnin një drejtim problemit. Pas një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Lartë për rishqyrtim të çështjes në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër, kjo e fundit në mars të vitit të kaluar dënoi 38 të pandehurit. Sipas vendimit, 38 të pandehurit janë dënuar me gjoba deri në 7 vjet burgim, ndërkohë që mosha mesatare e të dënuarve është mbi 50 vjeç. Sipas akuzës, sasia rreth 1 ton lëndë bimore dhe 1.5 kg farë bime, e cila është gjetur në 23.12.2005 në Shkrel, ka rezultuar me përqindje të THC mbi kufijtë e lejueshëm, kështu që klasifikohet në kanabis sativa. Çështja shkoi deri në Gjykatën e Lartë, e cila vendosi që kjo çështje të rikthehet sërish për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër.

Kërpi industrial, projekt anglez

Në aktivitetin e tyre fermerët e Shkrelit u mbështetën dhe nga fondacioni anglez “Partneritet për Rritje”, i cili që nga viti 2000 ka implementuar në Shkrel projektin e rritjes së kërpit industrial. Sipas përfaqësuesve të kësaj shoqate, pas kultivimit nga kjo bimë më pas do prodhoheshin një sërë produktesh, si çaji, vaj kërpi, thasë me fije kërpi, litar kërpi etj., me qëllim që të rritej numri i të punësuarve në komunën e Shkrelit. Që pas problemeve me drejtësinë dhe nisjes së procesit mbi çështjen e kërpit në Shkodër fondacioni nuk ka vazhduar më bashkëpunimin në Shkodër. Pritet që pas publikimit të vendimit të Gjykatës së Shkodrës të dalin dhe reagimet nga ana e të prekurve të kësaj çështjeje.

 

Tiranë

Rigjykimi, Arsim Lita dhe Avzi Çejku, në gjyq për vrasjen e Zhupanit

Pas kthimit për rigjykim, në Gjykatën e Tiranës ka nisur gjyqi për Arsim Litën dhe Avzi Çejkun, dy të pandehurit e akuzuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vrarë 12 vjet më parë Ilirian Zhupanin dhe kanë tentuar të vrasin Ilirian Borovën. Rigjykimi vjen pas kërkesës së të pandehurit Lita, i cili është ekstraduar nga Gjermania kohë më parë. Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin nr. 342, datë 29.3.2005, e ka dënuar Litën me 24 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes”, “Vrasjes së mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtjes pa leje”, parashikuar nga nenet 114/b/2 dhe 109/1, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. I pandehuri Arsim Lita akuzohet se në bashkëpunim me të pandehurin tjetër Avzi Çejku, në datën 7.11.2001, në lagjen “Ali Demi”, në Tiranë, kanë vrarë shtetasin Ilirian Zhupani dhe kanë tentuar të vrasin shtetasin tjetër Ilirian Borova, duke e plagosur rëndë atë. Në vendimin e tij, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë konstatoi shkelje procedurale në zhvillimin e procesit me pasojë pavlefshmëri të vendimit përfundimtar në vendimin e gjykatës së rrethit dhe për pasojë vendimi duhet të prishet dhe çështja të rikthehet për rigjykim. Në rigjykim, gjykata e rrethit duhet të përsërisë njoftimin e të gjykuarit dhe mbrojtësit duke respektuar rregullat procedurale në lidhje me njoftimin dhe mbasi të ketë siguruar konfirmimin nga aktet e njoftimit të vazhdojë gjykimin, duke siguruar zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor.

Masa

Tritol kolegut polic, lihet në burg ish-efektivi Lami

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka lënë në burg Shaban Lamin, ish-efektivin e policisë së Tiranës, komisariati nr. 5, i akuzuar për tentativë vrasjeje të kolegut të tij Shkurt Toplana. Grupi hetimor ka zbardhur edhe mekanizmin e përdorur në atentatin me eksploziv ndaj komandantit të shërbimeve të Patrullës së Përgjithshme të komisariatit numër 6, Shkurt Toplana. Rreth 400 gramë eksploziv i llojit tritol ishin vendosur nga poshtë gomës së parë të krahut të shoferit në automjetin tip “Ford Fiesta”, ndërsa aktivizimi është kryer në distancë nga një pult që përdoret për hapjen e portave. Sipas ekspertëve xhenierë, është përdorur ky lloj mekanizmi për të garantuar shpërthimin e sigurt të tritolit, pasi pulti i derës dërgon në detonator rrymë 9 volt kundrejt 3 voltëve që dërgon aktivizimi me celular. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, lidhur me momentin e arrestimit në flagrancë të të akuzuarit Renato Kazani, ky i fundit mësohet se ka qenë pranë vendit ku ishte parkuar automjeti i oficerit Toplana, ka pritur që ai të mbarojë turnin e shërbimit dhe të hyjë brenda mjetit. Më pas ka aktivizuar eksplozivin për të pasur një eliminim të sigurt të oficerit. Në deklarimet për arrestimin e Kazanit, thuhet se ai është kapur duke u larguar nga vendi i ngjarjes me vrap me kapuç në kokë dhe në momentin e ndalimit, të vetmet fjalë që ka thënë ishin: “Mos më qëlloni se më dhemb koka”. Sipas policisë së Tiranës, ngjarja lidhet me arrestimin e Ervis Lamit, gjatë një kontrolli në Unazën e Re. Lami nuk i kishte ndaluar postbllokut të policisë dhe ishte ndjekur dhe arrestuar pas një debati pranë Doganës së Tiranës. Në automjet ndodhej edhe Kazani. Policia arrestoi për atentatin me eksploziv edhe Bashkim Lamin, babai i Ervisit, dhe efektiv policie në komisariatin e Kamzës. Sipas policisë, Bashkimi akuzohet të ketë siguruar eksplozivin dhe të ketë realizuar montimin e tij. Oficeri Toplana, ende nuk është kthyer në detyrë, dhe për të i është kërkuar Ministrisë së Brendshme një mbrojtje të veçantë pasi dyshohet se arrestimi I Kazanit dhe babait polic të Ervisit të ketë shtuar inatin dhe rrezikun e një atentati tjetër.

 

Elbasan

Vdekjet brenda galerisë, “Arrest me burg” pronarit

“Burg pa afat” pronarit të galerisë ku humbën jetën dy persona në Librazhd. Një javë pasi një inxhinier dhe një minator humbën jetën në një minierë në këtë qytet, Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e arrestit me burg për pronarin e galerisë. Kështu, pas paraqitjes së ngjarjes prej akuzës, Gjykata e Elbasanit ka lënë në fuqi kërkesën e prokurorit të çështjes, i cili i ka kërkuar gjykatës këtë masë arresti për të provuar fajësinë e pronarit Agim Yzo. I arrestuari Agim Yzo, 46 vjeç, është pronari i kompanisë “Yzo sh.p.k”, i cili kishte marrë me koncesion minierën e Librazhdit. Sipas policisë, në këtë minierë mungonin kushtet e sigurisë së punëtorëve në punë. Në 5 nëntor, 2 minatorë humbën jetën brenda minierës. Viktimat ishin Drini Bogdani, inxhinier miniere, dhe Haki Danga, minator. Shkak i vdekjes së tyre ka qenë asfiksimi si pasojë e shpërthimit të gazit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency