Protesta e opozitës / Skema e organizimit, Paloka: Të mbrojmë themelin e demokracisë

0
130

Gëzim Saliu

Slogani i protestës “Ti japim fund vjedhjes dhe blerjes së votës”

 

shtepia-qendrore-e-ushtrise-300x210Nesër në orën 14:00, para Kryeministrisë, opozita do të mblidhet në një manifestim proteste kundër fenomenit të blerjes së votave, që u evidentua pak ditë më parë në zgjedhjet e pjesshme vendore në Bashkinë e Korçës. Ndryshe nga protestat e zhvilluara më parë me karakter thellësisht politik, opozita e djathtë e ka organizuar këtë manifestim në formën e një proteste të shqiptarëve ndaj fenomenit të blerjes së votës. Në takimet e drejtpërdrejta, ftesat në rrjetet sociale si edhe në organizimin e brendshëm të demokratëve, është vënë fort theksi tek sensibilizimi i qytetarëve kundër vjedhjes dhe blerjes së votës dhe jo tek përkatësia politike. Të djathtët kanë bërë të ditur si nëpërmjet kreut të tyre, ashtu edhe përmes deputetëve, se protesta e ditës së nesërme lidhet ngushtësisht me standardet demokratike dhe liritë e të drejtat e njeriut. Përpos organizimit të strukturave të saj, ku në protestë do të bashkohen edhe aleatët e PD-së, demokratët kanë menduar të përfshijnë sa më shumë qytetarë në këtë manifestim. Ftesa e tyre vë theksin tek cenimi i votës së lirë dhe nënvizon se pjesëmarrja në protestën e opozitës nuk ka lidhje me ndarjen i majtë – i djathtë. Po ashtu, deputetët demokratë janë aktivizuar në mbledhjen e kryesitë në qarqet që ata përfaqësojnë, me qëllim sensibilizimin e elektoratit nga i gjithë vendi.

Ftesa

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, ftoi dje të gjithë shqiptarët që të bashkohen me protestën e opozitës që do të zhvillohet para kryeministrisë. Sipas tij, protestat e nesërme zhvillohet kundër fenomenit të blerjes së votave dhe i shërben lirive dhe të drejtave të çdo shqiptari. “Ju ftoj te hënën ne orën 2 te protestojmë se bashku para Kryeministrisë për t’i dhenë fund vjedhjes dhe blerjes se votës, për të mbrojtur themelin e demokracisë. Te gjithë se bashku te ndalim Republikën e Dy mijë Lekëshit dhe te rikthejmë Republikën e Qytetarëve. Ndal shitjes se votës! Ndal blerjes së pushtetit. Protesta jonë është për lirinë dhe të drejtat tuaja”, – shkruante dje Paloka në rrjetin social “Facebook”, ku i njëjti mesazh është shpërndarë në rrjetin social edhe nga ish-ministri i drejtësisë, deputeti demokrat Eduart Halimi. Ndërkohë i pyetur më parë lidhur me protestën dhe pjesëmarrje e qytetarëve në të, kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka bërë të ditur se nesër do të manifestohet pa ngjyrime politike dhe në kundërshtim të fenomenit të blerjes së votës. Në intervistën televizive të dy ditëve më parë, kreu i PD-së ka sqaruar në përgjigje të pretendimeve të ngritura se asnjë nga administrata e Bashkisë së Tiranës nuk do t’i kërkohet pjesëmarrja në protestë jashtë vullnetit personal. “Duke hedhur poshtë çdo piruetë të mazhorancës për të zhbërë protestën e opozitës, ju garantoj se kjo do të jetë protestë e fuqishme, qytetare dhe e refuzoj me përbuzjen më të madhe këtë shpifje. Sikundër ju them se PD që nga ky moment është në kontakt me qytetarët në mbarë vendin për këtë ngjarje të rëndë të vrasjes së demokracisë. Kjo ngjarje është e fundit në kronologjinë e paligjshmërisë, e cila është futur në kulturën e 7 javëve të fundit. Është kultivuar kultura e paligjshmërisë ndaj opozitës dhe Kushtetutës së vendit, ndaj emergjenca ka qenë e madhe për t’i thënë “jo” zhbërjes së demokracisë”, – ka pohuar kreu i PD-së.

Protesta e opozitës

Të hënën në orën 14:00, duke nisur nga selia e PD-së drejt Kryeministrisë

 

Thirrja

Studentët ftojnë të rinjtë: Në protestë kundër cenimit të demokracisë

Studentët mbështesin opozitën dhe u bëjnë thirrje të rinjve të bashkohen me protestën e opozitës përpara Kryeministrisë. Një grup studentësh kanë ftuar dje të gjithë shqiptaret të bëhen pjesë e protestës kundër blerjes së votës dhe të bashkohen ditën e hënë në orën 14:00. Të rinjtë, kryesisht studentë të Fakultetit të Drejtësisë, u bënë thirrje bashkëmoshatarëve të mos e konsiderojnë këtë protestë thjesht si një organizim të opozitës kundër qeverisë, por si një shans për të protestuar kundër shkeljes së dinjitetit të të rinjve dhe studentëve, si dhe një protestë e njerëzve të lirë. “Me këtë protestë, shqiptarët do të duhet të dëshmojnë se ata e dënojnë blerjen e votës dhe nuk e tolerojnë atë. Kjo do të jetë një revoltë qytetare kundër prekjes së standardeve të demokracisë”, – bënë thirrje studentët.

 

Minoriteti maqedonas i Shqipërisë, Gruevskit: Ndërprit bisedimet me Greqinë

Minoriteti maqedonas në Shqipëri ka kërkuar dje nga qeveria e Republikës së Maqedonisë që t’i ndërpresë bisedimet me Greqinë për çështjen e emrit. “Për ne maqedonasit është shumë e qartë se cila është politika e fqinjëve tanë për emrin e Maqedonisë, gjithçka është e qartë, nuk ka njeri në këtë botë që nuk e kupton, kjo është politika qindra vjeçare në zhdukjen e emrave nga varrezat e varreve të paraardhësve tanë”, – shkruhej në letrën e tyre, ku theksonin se ndjeheshin të turpëruar nga politika skandaloze e Evropës. Tre ditë më parë, kreu i qeverisë Rama zhvilloi një takim në Maqedoni ku theksoi rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit si edhe shmangien e dhunës ndëretnike. “Për ne është e rëndësishme që edhe Marrëveshja e Ohrit të jetë një pikë referimi në gjithë procesin e brendshëm politik në Maqedoni dhe të implementohet ajo dita ditës si një bazë e patjetërsueshme e mbarëvajtjes së punëve dhe suksesit të këtij vendi, që edhe ne jemi të interesuar dhe e mbështesim me gjithë zemër”, – tha ai në konferencën me homologun e tij Gruevski. Ndërkohë që, në një takim që zhvilloi pak kohë më parë në Tiranë me Presidentin maqedonas Ivanov, kreu i qeverisë u kritikua fort nga opozita lidhur me deklaratat e tij, ku, sipas të djathtëve Rama barazoi të drejtave të pakicës maqedonase në Shqipëri me ato të shqiptarëve në Maqedoni.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency