Skandali Biznesmenët tërhoqën lekët e rimbursimit nga 3 bankap

0
164

Anxhela Tato

Prokuroria: Tërheqja është bërë 3 ditë pasi 5 mln euro janë transferuar në llogaritë e tyre

Sistemi TIMS, asnjë nga personat e shpallur në kërkim nuk është larguar jashtë vendit

 

 

prokuroria-e-tiranesDy biznesmenët e përfshirë në skandalin e rimbursimit të TVSH-së kanë tërhequr para pak ditësh pjesën më të madhe të të ardhurave kesh nga llogaritë bankare. Bëhet fjalë për një shumë prej 5 milionë eurosh, e cila është tërhequr nga tri degë bankash të kryeqytetit. Nga të dhënat e organit të akuzës mësohet se Gjergji Tupe dhe Mirjan Beneja kanë nxituar të marrin lekë para pak ditësh dhe janë zhdukur. Task-forca e prokurorisë është njoftuar nga tri degë të bankave të ndryshme në Tiranë se shuma e parave është tërhequr vetëm tri ditë, pasi këto para janë transferuar në llogaritë e tyre. Për momentin organit të akuzës nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të bllokohen ato pak para që ndodhen në llogaritë e tyre. Zyra e Regjistrimit të Pasurive do të bllokojë çdo pronë, që ndodhet në emrin e tyre apo të tjerë. Nga verifikimi i sistemit TIMS rezulton se të gjithë të dyshuarit e kësaj dosjeje, Gjergji Tupe, Mirjan Beneja, Ismail Muça, Lauren Vata, Edmond Osmani, Gramos Milushi dhe Kujtim Metalija, ndodhen brenda territorit të Shqipërisë. Dy të arrestuarit e kësaj çështjeje, Afërdita Hysa dhe Tahir Kuka, do të dalin para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me vendimin e arrestit me burg në mungesë. Sipas prokurorisë, biznesmenët Tupe dhe Mineja, me anë të falsifikimit të dokumenteve më datë 3 korrik 2013, kanë blerë 11 kompanitë e shtetasve kinezë, që ishin larguar nga Shqipëria në vitin 2006. Pas marrjes se parave ata i kanë regjistruar subjektet pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe kanë kërkuar likuidimin e tyre.

Skema e mashtrimit

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin bazuar në materialin kallëzues të depozituar nga Ministria e Financave, Drejtoria e Auditimit të Brendshëm, i cili është regjistruar në datë 29 tetor për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Sipas hetimeve të prokurorisë, ka rezultuar se një shtetas shqiptar, nëpërmjet disa prokurave të falsifikuara ka realizuar shitjen në Shqipëri të disa kompanive, të regjistruara nga shtetas të huaj. Nga këto, 6 kompani i ka blerë vetë dhe 5 të tjera, si i autorizuar nga kompanitë e huaja, ia ka shitur shtetasit tjetër. Këto kompani, pas blerjes, këta dy shtetas i kanë regjistruar në QKR. Menjëherë pas blerjes së këtyre shoqërive, përfaqësuesit e rinj të tyre, pra dy shtetasit e pandehur, kanë bërë kërkesë për likuidimin e shoqërive pranë administratës tatimore Tiranë. Më pas, në përfundim të procedurave të likuidimit, sapo shoqëritë kanë marrë rimbursimin e TVSH-së kreditore të mbartur ndër vite nga shoqëritë e sipërpërmendura në vlera të mëdha, kanë kërkuar çregjistrimin në organin tatimor rajonal si dhe shpalljen e falimentit pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Të gjitha veprimet kanë ndodhur brenda periudhës qershor – tetor 2013. Bazuar në kërkesën për çregjistrim, organi tatimor rajonal ka kryer veprimet e likuidimit të detyrimeve dypalëshe, si rezultat i të cilave është dhënë edhe rimbursimi i TVSH-së si detyrim i organit tatimor ndaj shoqërive, duke shkelur procedurat ligjore dhe si rezultat i këtyre veprimeve, administratës tatimore i është shkaktuar një dëm prej 515.455.275 lekë të reja. “Nga verifikimet, krijohen dyshime të arsyeshme se janë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, vjedhjes dhe korrupsionit pasiv nga ana e inspektorëve tatimorë që kanë kryer kontrollin për rimbursimin e TVSH-së në këto kompani, përgjegjësi i sektorit të kontrollit, Drejtori i Kontrollit, dhe drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë, bëri të ditur prokuroria.

 

Ndalohen 8 klandestinë, destinacion Mali i Zi

Policia Rajonale e Kufirit dhe Migracionit në Shkodër ka bërë ndalimin e 8 klandestinëve, të cilët synonin kalimin nga Shqipëria në Mal të Zi e më pas në shtetet perëndimore. Shtatë prej klandestinëve vinin nga Siria dhe 1 nga Somalia. Klandestinët kanë hyrë në vendin tonë nga Greqia dhe janë kapur nga oficeret e policisë kufitare të Shkodrës në afërsi të pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit, në një terren malor teksa tentonin që në mënyrë ilegale të kalonin kufirin e gjelbër për në Mal të Zi. Ky është grupi i dytë i madh i klandestinëve, i kapur në harkun kohor tre mujor nga oficeret e policisë së kufirit të Shkodrës. Klandestinët po merren në pyetje nga oficerë të migracionit dhe po hetohet për identifikimin e personave të cilët i kanë sjellë këta të fundit nga Greqia, deri në afërsi të kufirit me Hanin e Hotit. Policia po vijon hetimet për të zbuluar bashkëpunëtorët e klandestinë, të cilët i kanë ndihmuar për tu futur në kufirin shqiptar.

Gjendet i vdekur 60-vjeçari, dyshohet se pësoi atak kardiak

Një 60-vjeçar është gjetur i pajetë në trotuar, në zonën e “21 Dhjetorit” në kryeqytet. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, 60-vjeçari Zvetan Nikolla kishte dalë nga banesa për të blerë diçka në dyqan, kur është shtrirë në rrugë pa ndjenja. Kalimtarët u përpoqën t’i vinin në ndihmë, por ishte tepër vonë, pasi 60-vjeçari kishte ndërruar jetë. Paraprakisht dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë një atak në zemër, megjithatë ekspertët do të japin rezultatet përfundimtare pasi të kenë përfunduar hetimet. Fqinjët e 60-vjeçarit shprehen se ai ishte një burrë i fortë dhe nuk vuante nga ndonjë sëmundje. Ndërsa trupi i 60-vjeçarit është dërguar për në morgun e spitalit, ku pritet t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore, e cila do të ndihmojë policinë të kuptojë motivin e vdekjes së të moshuarit. Nga ana e bluve dyshohet s vdekja e të moshuarit mund të jetë nga shkaqe natyrore.

“Fundi i marrëzisë”, bllokohet një lokal lojërash fati në Fier

Operacioni i policisë së Fierit për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit dhe pikave të basteve ka vijuar ditën e djeshme me bllokimin dhe sekuestrimin e aparaturave elektronike në një lokal lojërash fati, në fshatin Baltëz, 7 km larg qytetit, ndërsa ka proceduar pronarin e këtij biznesi, 32-vjeçarin A. Koçi. Referuar burimeve policore mësohet se ky shtetas ushtronte aktivitetin e loto-sportit në mënyrë të paligjshme. Ndërsa në mbarë vendi po vijon operacioni i bluve Fundi i marrëzisë dhe strukturat e policisë kanë maksimalisht të angazhuara. Nga ana e bluve bëhet me dije se pjesa më e madhe e rasteve u janë referuar prokurorive të rretheve, ndërkohë që në ngarkim të 32-vjeçarit është ngritur akuza e organizmit të lotove të palejuara dhe vënies në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency