“KORÇA” NË KOLEGJ PD çon në Kolegj zgjedhjet në Korçë, KQZ shpall të hënën rezultatin për Karbunarën

0
151

Florenc Drizari

Bylykbashi: Të vendosur për t’i shkuar deri ne fund lirisë së votës në Korçë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditën e hënë, më datë 11.11.2013, ora 13:00, zhvillon mbledhjen për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e Komunës Karbunarë, qarku Fier të datës 3 nëntor 2013.

 

kolegji-zgjedhorPartia Demokratike çon drejt Kolegjit Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë çështjen e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Korçës. Pamundësia e KQZ-së për t’i dhënë zgjidhje kërkesës së PD-së për zgjedhjet e Korçës bëri që opozita të tërheqë dosjen nga ky komision dhe të shohë mundësinë ligjore për të gjetur zgjidhje në gjykatën e specializuar për çështjet zgjedhore. Një ditë më parë deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, tërhoqi dosjen duke thënë se PD po e bën këtë veprim për faktin se PS dhe LSI e kanë sabotuar KQZ-në në mënyrë të qëllimshme, duke iu referuar kuorumit prej katër anëtarësh që aktualisht ka komisioni më i lartë i administrimit zgjedhor në vend, nga 7 që duhet të kishte në funksionimin normal të tij. Ndërkohë, ditën e hënë, KQZ-ja pritet të mblidhet për të shpallur rezultatin e zgjedhjeve në Komunën Karbunarë të Lushnjës; zgjedhje të cilat u fituan nga kandidati i koalicionit të majtë.

Oerd Bylykbashi

“Sot erdhëm në KQZ për të marrë materialet e nevojshme që na duhen për të vijuar më tej betejën tonë ligjore në lidhje me çështjen e Korçës. Kërkesën tonë për pavlefshmëri ne e depozituam disa ditë më parë këtu siç të gjithë e dimë, dhe ashtu siç pritej Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mundësi ligjore për shkak se Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e kanë sabotuar këtë Komision Qendror që përpara zgjedhjeve dhe në mënyrë të qëllimshme po e bëjnë edhe tani”, – deklaroi Bylykbashi. Sipas tij, provat janë të pakundërshtueshme dhe pavarësisht një hetimi penal që është nisur nga Prokuroria, është detyra kushtetuese dhe ligjore e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve që të bënte transparencën. Por për këtë fakt ai iu referua edhe njëherë pamundësisë së KQZ-së për marrë një vendim.

“Ne do ta ndjekim më tej dhe me forcë rrugën ligjore, do t’i drejtohemi Kolegjit Zgjedhor në mënyrë që të bëhet drejtësi që zgjedhjet e Korçës të kenë legjitimitet dhe të mos bazohen në fenomenin më të shëmtuar që mund të gjesh në këto zgjedhje që është blerja e votës së qytetarëve të lirë”.

Ne do ta depozitojmë së shpejti kërkesën tonë, por e rëndësishme është të theksohet fakti se Parlamenti duhet të kishte vepruar me kohë dhe për fat të keq në mënyrë të qëllimshme kjo mazhorancë vazhdon ta mbajë të bllokuar KQZ-në me qëllimin e vetëm për të shkatërruar aftësitë e saj për të hetuar krimin zgjedhor”, – deklaroi Bylykbashi.

Ndërkaq, gjatë shqyrtimit të dy ditëve më parë të kërkesës ankimore të PD-së, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mori një vendim për shpallje të pavlefshme të zgjedhjeve për Bashkinë Korçë. Mungesa e kuorumit të anëtarëve detyroi institucionin më të lartë zgjedhor që ta mbyllë mbledhjen e djeshme pa marrë në shqyrtim animimin e demokratëve. Relatorja e çështjes Vera Shtjefni, deklaroi se ankimimi i Partisë Demokratike i plotëson dispozitat sipas ligjit, por sipas saj, mungesa e numrit të domosdoshme të anëtarëve të KQZ-së për një vendim me shumicë të cilësuar, bën të pamundur marrjen në shqyrtim të kërkesës. “Fakti përse ne nuk arrijmë dot më tej në relatimin dhe shqyrtimin administrativ të kësaj çështje është pikërisht se vendim marrja e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në lidhje me këtë objekt të çështjes është me shumicë të cilësuar. Në këto kushte ne nuk e marrim dot në shqyrtim kërkesën ankimore të Partisë Demokratike dhe këtu do ta mbyllim mbledhjen sepse edhe vendim nuk marrim dot”, – ka thënë kryetarja e KQZ-së Lefteri Lleshi.

 

 

 

Bardhi: Rama shfrytëzon fatkeqësitë për të bërë politikë

Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Rama për shfrytëzim e situatës tragjike që ndodhi dy ditë më parë në minierat e vendit, ku humbën jetën 7 të rinjve, për kapital politik të tijin.

Koordinatorja e PD-së për media, Silvi Bardhi, deklaroi një ditë më parë se pas debateve Edi Rama po tregon anën e tij cinike në një ditë të rëndë për gjithë vendin, dhe për familjarët e të afërmit e 7 viktimave të pafajshme në minierat e Pogradecit dhe Librazhdit.

“Dje (të enjten)në parlament me skërmitjen e dhëmbëve, sot në gazetën e tij zyrtare, Rama dëshmoi se është një qenie e dështuar humane, e zhveshur nga çdo lloj ndjeshmërie njerëzore, dhe një politikan i pashembullt që fajëson viktimat, dhe e shfrytëzon rastin fatkeq për të fajësuar kundërshtarët politikë.

Shfrytëzonte funeralet dje për të bërë politikë, shfrytëzon sot sërish funeralet për të bërë politikë.

Cinizmi i Ramës nuk njeh kufij, ndërkohë që sot u jepet lamtumira e fundit 7 të rinjve. Ai i që i keqpërdori të vdekurit në miniera kur ishte në opozitë, sot lan duart me ta sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Vetëm një gjë është më e errët se nëntoka që mori jetën e 7 të rinjve, është shpirti i zi dhe pafytyrësia e Edi Ramës”, – deklaroi Silvi Bardhi.

 

 

 

Ristani: Rama dhe Tahiri duan ta kthejnë Policinë e Shtetit në strukturë ushtarake të PS-së

“16 oficerë të sektorit të operacioneve speciale, të trajnuar nga organizatat partnere më prestigjioze ndërkombëtare si FBI, ICITAP, PAMEGA, OSBE dhe nga ekspertët e antiterrorit në Turqi, të angazhuar për vite me radhë në ndalimin dhe arrestimin e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, janë liruar tashmë detyra pa asnjë motiv”. Këto janë akuzat e bërë një ditë më parë nga selia e PD-së në drejtim të qeverisë shqiptare. Deputeti i PD-së, Arben Ristani, tha se opozita është e vendosur për të mos lejuar zhbërjen e shtetit apo vendosjen e tij nën kontrollin e krimit.

Me marifetin banal, shkurtim strukture, elita e policisë së shtetit, oficerë që shpesh kanë vënë në rrezik edhe jetën në përpjekjet kundër kriminelëve ju bashkuan shokëve të tyre të liruar më parë nga detyra si pasojë e shkrirjes së sektorit të hetimit të krimit ekonomik dhe sektorëve të tjerë.

PD denoncon edhe një herë përpara publikut dhe kujt-do që ka vesh të dëgjojë dhe që i dhimbset Shqipëria, se akte të tilla duhet të ndalen sa nuk është vonë dhe në policinë e shtetit duhet kthyer ligjshmëria dhe profesionalizmi.

Oficerët e policisë të këtyre sektorëve jetik të luftës kundër krimit kanë fajin e vetëm se dinë shumë.

Ata janë në dijeni të lidhjeve të elementëve me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe miqësive të tyre politike që shkojnë deri tek Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri.

Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm, duan ta kthejnë policinë e shtetit në një strukturë ushtarake të Partisë Socialiste për ta përdorur kundër kundërshtarëve politikë dhe për interesat e tyre mafioze dhe jo për të ruajtur rendin dhe qetësinë për gjithë popullin shqiptar.

Ky është dëmi më i madh që po i bëhet vendit, që po i bëhet demokracisë, dhe qytetarëve.

Efektet e kësaj paligjshmërie dhe veprimtarie anarkiste janë ndjerë menjëherë me pasoja të rënda për shtetasit e këtij vendi sepse policia e shtetit ka humbur aftësinë për të mbajtur nën kontroll territorin e vendit. Vetëm në dy javët e fundit, ka mbi 20 viktima nga vrasjet, aksidentet në rrugë dhe së fundmi në minierat e braktisura”, – përfundon deklarata e deputetit të Partisë Demokratike, Arben Ristani të mbajtur dje në selinë e PD-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency