Vodhën paratë e pensionistëve, dënohen 5 punonjësit e shërbimit postar

0
244

Sonja Caka

 

Vendimi, u dënuan me 14 vjet burg në total, u pezullohet dënimi me burg në dënim me kusht

Akuza: Vlera e dëmit të shkaktuar, 150 milionë lekë të reja, për periudhën 2009-2011

 

gjykate-denimPesë punonjës të Shërbimit Postar në Shkodër janë dënuar me 14 vite burg nga Gjykata e Shkodrës, pasi akuzohen se përmes falsifikimit u kanë vjedhur pensionet disa pensionistëve në vite. Bëhet fjalë për një dëm në vlerën 150 milionë lekë, e cila është kryer përgjatë viteve 2009-2011. Por, asnjë nga pesë të pandehurit, katër gra dhe një burrë, nuk do të vuajë dënimet me burg, që variojnë nga 1 deri në 4.6 vjet, pasi u është pezulluar në dënim me kusht, duke u monitoruar në vijimësi nga Shërbimi i Provës, dega Shkodër. Akuzat që rëndojnë janë “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal, “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287/b i Kodit Penal, “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal; ndërsa të pandehurit e akuzuar janë Rajmonda Juka, Nikoleta Harapi, Lirije Gruda, Nevila Muçiçi dhe Rezart Bungaj. Sipas gjykatës, të pandehurit janë punonjës të Shërbimit Postar në Degën Rajonale Shkodër, të cilat shpërndanin pensionet për qytetarë të Shkodrës. Në periudhën 2009-2011, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve kanë realizuar vjedhjen e parave të buxhetit të shtetit në shumën afërsisht 150 milionë lekë të reja.

Kallëzimi

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka regjistruar procedimin penal të vitit 2011 për disa vepra penale në ngarkim te disa nëpunësve të Postës Shqiptare Filiali Shkodër, te cilët janë marrë me ndarjen e pensioneve në bazë të marrëveshjes që ky institucion ka pasur me Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Hetimi lidhur me çështjen ka filluar ne bazë të kallëzimit të paraqitur nga shtetaset V. Smajli e L. Matlija ndaj shtetases Rajmonda Juka, ku kanë pretenduar se kjo shtetase u kishte marrë 2 milionë lekë dhe 2 mijë euro, për të mbyllur çështjen penale që Prokuroria e Rrethit Gjyqësor kishte nisur ndaj kallëzueseve. Ndaj kallëzueseve Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka pasur të regjistruar procedimin penal nr. 1058, viti 2010 për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, që parashikohet nga neni 135 me 25 i Kodit Penal, pasi ne bazë te një raporti final te hartuar nga grupi i auditit pranë Postës Shqiptare, këto shtetase në ushtrimin e detyrës së tyre arkëtare/llogaritare në zyrën postare nr. 12 Shkodër, kishin përvetësuar një shumë afërsisht 4.4 milionë lekë për intervalin kohor gusht – shtator viti 2010.

Mënyrat e përvetësimeve

Sipas këtij raporti auditimi, vërtetuar edhe gjatë hetimit lidhur me procedimin penal nr. 1058, viti 2010, nëpunëset e Postës Shqiptare, filiali Shkodër, kishin përdorur disa mënyra për përvetësimin e fondeve te pensioneve në këto shuma, duke ndërhyrë në dokumentacionin bazë, që shërben për ndarjen e pensioneve. Këto ndërhyrje, sipas gjykatës, kanë qenë shprehur në disa mënyra; konkretisht me falsifikim të nënshkrimit te pensionistit në listëpagesën e pensioneve, sidomos të pensionistëve të cilët jetojnë jashtë shtetit dhe tërheqin pensionin për disa vite bashkë; me korrigjime te datës dhe afatit te vlefshmërisë të urdhër pagesës mbi bazën e të cilës bëhej pagesa e pensionit, duke përfituar me vite pagesa pensioni sipas ndryshimit; me mosshkarkimin në urdhër pagesë të pensioneve te pasqyruara si të ndara, duke krijuar mundësinë e pagesave dyfishe ose shumëfishe të pensioneve, nga të cilat të pashkarkuarat përvetësoheshin nga nëpunëset e postës; me ndërhyrje ne datat e shkarkimit te mëparshme te pensioneve te ndara, duke përvetësuar në momentin e vjedhjes shumat me vlerën e pensioneve te paguara me parë; me përvetësimin e pensioneve te pensionistëve te cilët nuk kanë figuruar në inventarin elektronik te zyrës postare, por në zyra të tjera postare; me pasqyrim fiktiv te emrave të pensionistëve në listëpagesat e pensioneve pa ekzistuar urdhër pagesë për këto pensionistë etj.

Hetimi

Duke shfrytëzuar kallëzimin e kallëzueseve, provat e paraqitura prej tyre, si dhe duke marrë në konsideratë edhe rezultatet e hetimit të çështjes penale nr. 1058, viti 2010, kanë vijuar hetime të tjera. Nga këto hetime kanë dalë të dhëna, të cilat flisnin për një veprimtari të qëndrueshme e të vazhdueshme kriminale edhe të nëpunëseve te tjera të Postës Shqiptare Filiali Shkodër, në disa zyra postare, e cila konsistonte në përvetësimin e shumave të konsiderueshme nga fondet e pensioneve të shprehura në disa dhjetëra apo qindra milionë lekë. Gjatë hetimit është sekuestruar dokumentacioni bazë i ndarjes së pensioneve në këto zyra postare. Pasi është analizuar ky dokumentacion nga ekspertë me njohuri të posaçme në fushën përkatëse, është konkluduar se nëpunëset e Postës Shqiptare Shkodër, përdornin të njëjtat mënyra, të evidentuar edhe në procedimin penal nr. 1058, viti 2010, për përvetësimin e fondeve te pensioneve. Në përfundim të hetimit janë marrë të pandehur 9 nëpunëse te Postës Shqiptare Filiali Shkodër, sipas shkeljeve te kryera prej tyre, për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 me 25 i K. Penal, “Falsifikimi i dokumenteve”, që parashikohet nga neni 186/2 i K. Penal, “Pastrimi i produkteve te veprës penale”, që parashikohet nga neni 287/1 pika “b” e K. Penal etj. Katër persona të tjerë, për sa është pretenduar ne kallëzimin penal te paraqitur nga shtetaset Valbona Smajli dhe Luiza Matlija, janë marrë të pandehura për veprën penale te “Ushtrimi i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, që parashikohet nga neni 245/1 paragrafi 2 me 25 i K. Penal. Nga te pandehurit janë gjykuar vetëm pesë prej tyre, te cilët kanë marrë fajësi për veprat penale që janë akuzuar.

Dënimet

Rajmonda Juka dënohet me 4 vjet e 6 muaj burgim, pezullohet dënimi me burg dhe dënohet 5 vjet me kusht

Nikoleta Harapi dënohet me 4 vjet burgim, pezullohet dënimi me burg dhe dënohet 5 vjet më kusht

Lirije Gruda dënohet me 3 vjet e 6 muaj burgim, pezullohet dënimi me burg dhe dënohet 4 vjet me kusht

Nevila Muçiç dënohet me 1 vit burgim, pezullohet dënimi me burg dhe dënohet 2 vjet me kusht

Rezart Bungaj dënohet me 1 vit burgim, pezullohet dënimi me burg dhe dënohet 2 vjet me kusht

 

Shorti

Ardiana Bera, gjyqtarja që do të gjykojë pedofilin Ardian Prrenjasi

Pas përfundimit të hetimeve dhe mbërritjes së dosjes për gjykim në Gjykatën e Tiranës, do të jetë gjyqtarja Ardiana Bera kryesuesja e trupës gjyqësore që do gjykojë të pandehurin Ardian Prrenjasi, i akuzuar për “Kryerje të marrëdhënieve seksuale me një të mitur”. Prrenjasi është njohur me akuzat nga prokurorja e çështjes, e cila i ka komunikuar zyrtarisht vetëm akuzat e “Heqjes së paligjshme të lirisë” dhe “Kryerjes së marrëdhënieve seksuale dhe homoseksuale me dhunë ndaj të miturit”. Për këto akuza Prrenjasi rrezikon një burgim nga 15 deri në 20 vite burgim, ndërsa gjykimi ndaj tij do të nisë në dhomën penale të Gjykatës së Tiranës së shpejti nga trupa gjyqësore e kryesuar nga gjyqtarja Ardiana Bera. Ndërsa lidhur me rastin e Julian Çelës, pedofili nuk ka pranuar akuzën, duke deklaruar se e ka pranuar nga frika rrëmbimin, përdhunimin dhe vrasjen e tij.

 

Tiranë

Mungon avokati, shtyhet vendimi për Aldo Hoxhën

Gjykata ka shtyrë dje për në 20 nëntor seancën gjyqësore për Aldo Hoxhën, të akuzuarin për vrasjen e Fatbardha Tafës, ngjarje e ndodhur një vit më parë në kryeqytet. Mungesa e avokatit mbrojtës, Saimir Viosha është bërë shkak për shtyrjen e gjyqit, pasi pritej që të paraqiste konkluzionet përpara se gjykata të jepte vendimin për 20-vjeçarin Hoxha. Një seancë më parë, prokurori ka paraqitur konkluzionet përfundimtare dhe kërkoi dënimin me “Burgim të përjetshëm” për 20-vjeçarin. Gjatë leximit të pretencës prokurori Endrit Bime argumentoi para gjykatës se për Aldo Hoxhën ka fakte të pakundërshtueshme që është vrasësi i Fatbardha Tafës. Sipas prokurorit në vendngjarje është gjetur kapelja, e cila i përkiste 20 vjeçarit dhe në të janë gjetur fije floku të tij dhe njolla gjaku të viktimës. Në seancë ishin të pranishëm edhe familjarë të Aldo Hoxhës, të cilët nuk e kanë pritur mirë kërkesën e organit të akuzës. Hoxha akuzohet se 7 gushtit e vitit 2012 vrau Fatbardha Tafën në tentativë për ti grabitur asaj varësen që mbante në qafë. Një mister i pazgjidhur në të gjithë këtë histori vazhdon të jetë bashkëpunëtori i Aldo Hoxhës në grabitjen e cila solli humbjen e një jete.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency