Artan Hoxha: Ja pse qeveria nuk ka të drejtë me INUK-un

0
145

Intervistoi Gëzim Saliu

Analisti: Qeveria duhet të vetëpërmbahet dhe t’i kthehet kushtetutshmërisë së mjeteve

Hoxha: Veprimi i qeverisë përmes INUK rrezikon të na prodhojë një faturë gjigante dëmshpërblimi për pronarët të cilëve iu është prishur prona

“Opozita po përgjigjet institucionalisht. Nëse do sillej ekstremiste si opozita e djeshme do të niste politizimi i pallateve dhe përkatësia politike e tyre dhe lufta e prishjeve të njëanshme”

 

artan-hoxhaAnalisti Artan Hoxha komenton për “standard” vendimin e qeverisë, e cila përmes INUK-ut dhe mbështetjes se policisë se shtetit ka nisur prishjen e ndërtimeve pa leje dhe të atyre me leje. Në analizën e tij, Hoxha bën të ditur nga pikëpamja ligjore se pse masat e ndërmarra nga Inspektoriati janë anti kushtetuese dhe në kundërshtim me sistemin e ndarjes së pushteteve. Hoxha komenton gjithashtu edhe rrethimin e pallatit në Vlorë si edhe sjelljen e opozitës lidhur me këtë çështje.

 

Cili është opinioni juaj Z. Hoxha lidhur me vendimin e marrë së fundmi nga qeveria që INUK të ndërhyjë në të gjithë territorin e vendit për të prishur ndërtesat pa leje, ato me leje por në kundërshtim me planin urbanistik si dhe ndërtesat në proces legalizimi, ku ligjshmëria e vendimeve mbi të cilat janë ndërtuar godinat do të vendoset nga INUK?

Zelli i tepruar dhe mjeti i gabuar, herët a vonë bëhen armiqtë e qëllimit të mirë dhe/ose janë aleatët më të mirë të qëllimit të keq. Aksioni i qeverisë në fushën ndërtimore urbanistike është një nga këto dy raste. Pra, pavarësisht se shqiptarët mund të ndahen në ata që besojnë në qëllimin e mirë të qeverisë e në ata që e paragjykojnë këtë qellim, bashkimi i të dy grupeve duhet të jetë kundra zellit të tepruar dhe veçanërisht kundra mjetit të gabuar. Ata shqiptarë që nuk kanë ndjeshmëri ndaj mjetit të gabuar të qeverisë, tregojnë se ose nuk kanë kuptuar asgjë nga komunizmi e çdo sistem tjetër arbitrar ose janë nostalgjikë a mbështetës te tij pasi kjo iu intereson. Ne kemi vendosur të jetojmë në demokraci dhe ky sistem nuk justifikon çdo mjet për hir të qëllimit qoftë ky edhe me sublimi i qëllimeve. Demokracia është sistemi i pushteteve të ndara e të balancuara dhe i mjeteve proporcionale e që nuk tejkalojnë kufijtë e së drejtave themelore të njeriut, njëri prej të cilëve është prona dhe garancitë e saj përfshirë një proces të rregull ligjor qe përfundon ne gjykate.

 

Sipas mazhorancës qeverisëse, me këtë vendim nuk janë cenuar drejtat e individit pasi pronarët e ndërtimeve që do të prishen kanë të drejtë për tu ankuar në gjykatë. Si e vlerësoni ju këtë qëndrim?

Ky pretendim i qeverise është njësoj sikur qeveria të nxirrte një vendim që policia ka të drejte të rrahë miletin kur e si t’i mbushet mendja asaj se tek e fundit njerëzit kanë të drejtën të ankohen në gjykatë. Policia, qeveria, INUK duhet t’i përmbahen procedurave dhe radhës se punës sipas përcaktimeve te drejtpërdrejta të ligjit. Në kundërshtim me këtë përcaktim ligjor, në vendimin e qeverisë për kompetencat e INUK, që në pikën e parë përdoret shprehja që INUK vepron “pa asnjë pengesë paraprake”. Një shprehje e këtillë, ne një akt nën/ligjor, në bazë dhe për zbatim të ligjit për INUK, nuk ka parasysh pengesa të këtilla si kodra, male e gërxhe por pengesa ligjore. Ne fakt ligji për INUK ka përcaktuara disa procedura dhe radhë pune si të inspektorateve ndërtimore të bashkive/komunave ashtu edhe të INUK. Këto procedura dhe kjo radhë pune e ligjit kapërcehet me akt nënligjor dhe kjo është sa në kundërshtim me vetë ligjin e INUK ashtu edhe me Kushtetutën. Për këtë shkak vendimi i qeverisë besoj se është i pavlefshëm. Por, përmes tij, INUK i jepet kompetence të gjykojë sipas mendjes së vet mbi akte e leje të dhenë nga institucione të pavarura nga qeveria siç janë bashki/komunat, si dhe të ndërhyjë menjëherë e pa asnjë pengesë procedurale ligjore në rastet kur prona është në proces legalizimi apo ka leje. Dakord që INUK do të veprojë për prishje mbi bazën e një akti administrativ që ai nxjerr dhe pronari mund t’i kërkojë gjykatës pezullimin e aktit dhe veprimeve të INUK. Por se pari kjo radhë pune nuk është kështu në ligj dhe s’mund të ndryshohet me vendim qeverie pa ndryshuar ligjin dhe së dyti, nëse ligji do të ndryshohej, kjo do të thotë se pushteti ekzekutiv, qeveria, i jep të drejtën vetes të bëjë vetëgjyqësi masive. Ky vrull qeveritar si një aksion masiv, frontal, i njëkohshëm dhe kudo ne qytete e fshatra e me natyre inkuizitore e policore më shumë gjasa do të prodhojë, me apo pa dashje, shume vendime dhe aksione të kundraligjshme. Ne fakt kjo po ndodh ne shume raste kur pronarëve, me prona ne proces legalizimi apo me leje, as që iu jepet qoftë edhe një copë letër në dorë nga INUK e kjo mjafton për t’i vlerësuar si të paligjshme këto vendime te INUK apo kur policia padit penalisht 12 vete nga një fshat i humbur i Librazhdit për ndërtim pa leje në token e vet. Eksperienca ka treguar se vrulli dhe sulmi frontal e masiv anti-ligjor të qeverisë nuk mund të frenohet dot me efektivitet nga gjykatat dhe për pasoje një aksion i këtillë i qeverise do te pasohet nga shume gabime dhe kosto te larta e te pariparueshme. Jo me kot, sistemet ligjore e Kushtetuese për garantimin e pronës janë shumë konservatore dhe i kërkojnë qeverisë të jetë e vetëpërmbajtur, që çdo çështje të shqyrtohet nga gjykata, që lejet e dyshimta të kalojnë në procesin e gjykimit administrativ ne dijeni dhe me praninë e palës, e me pas t’i jepet kohe procesit ankimor ne gjykate, që prishjet e objekteve, qofte edhe pa leje e jo me ato me leje, të bëhen e vendim gjykate apo që në rastin e ndërtesave me leje, pas një akti shpronësimi për interes publik dhe pagimit të shumës. Shkurt, gjithçka duhet bërë vetëm dhe ne fund të një një procedure dhe radhë pune diametralisht të kundërt me atë që ka zgjedhur kjo qeveri. Kjo mënyrë veprimi e qeverisë aktuale rrezikon, herët a vonë, të na prodhojë edhe një faturë gjigantë dëmshpërblimi për pronarët të cilëve iu është prishur prona.

 

Ndërkohë opozita e cilëson vendimin e qeverisë si antiligjor dhe antikushtetues, ku sipas të djathtëve VKM-ja e qeverisë cenon rëndë ndarjen e pushteteve mes pushtetit qendror dhe atij vendor. Sipas jush, a janë të drejta qëndrimet e të djathtëve?

Opozita ka një opinion pak a shumë si më sipër lidhur me këtë çështje dhe ka ndërmarrë edhe ankim në Gjykatën Kushtetuese për vendimin në fjalë edhe ka mbajtur, që në fillim kur doli ky vendim, qëndrim të qartë e të hapur publik për rrezikshmërinë e atij vendimi, parashikim ky që po vërtetohet ditë pas dite se është një vetëgjyqësi e qeverisë.

 

Së fundmi qeveria përmes INUK ka ndërmarrë një aksion të gjerë në qytetin e Vlorës, ku pas prishjes së ndërtimeve pa leje, aksioni ka vijuar me ndërtimet me leje, si rasti i kompleksit “Jon”. Si e gjykoni këtë veprim?

Gjithçka që thashë më lart vlen edhe për këtë rast konkret i cili, ndërsa ka kohë që është mediatizuar nga mediat e majta dhe demagogët e majtë si i lidhur me Lulzim Bashën, ky rast po përdoret nga qeveria si një rast instrumental qoftë në favor të propagandës së aksionit të vet e qoftë për të njollosur e kompleksuar opozitën. Opozita po përgjigjet institucionalisht me deklarata, argumente dhe ankim në Gjykatën Kushtetuese. Një opozitë ekstremiste dhe njësoj populiste si ajo e djeshmja që është sot në qeveri mundet fare mirë që të shfrytëzojë pushtetin që ka p.sh. edhe Bashkia Tiranë dhe inspektorati i saj, me të njëjtën mënyrë arsyetimi si ajo qe përdor qeveria dhe INUK i qeverisë, mund të shpallë si të paligjshëm një a disa pallate me leje që janë pronë e ndonjë deputeti socialist apo atë qe u përfol si “pallati në pajë” i Kryeministrit, t’i rrethojë me policët bashkiake e t’i shembë me tritol e ruspa. Kështu do të fillonte politizimi i pallateve dhe përkatësia politike e tyre dhe lufta e prishjeve të njëanshme. E gjitha kjo është një absurd që e çon vendin në republikë bananesh. Opozita po sillet institucionalisht. Qeveria duhet të vetëpërmbahet dhe t’i kthehet kushtetutshmërisë së mjeteve. Jashtë kufijve të Kushtetutës dhe ligjeve, nuk ka asgjë të mirë por veçse djallëzi, poshtërsi, koste, dëme dhe rreziqe serioze për këdo, përfshirë votuesit dhe mbështetësit e kësaj qeverie.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency