TAKIMI NISHANI – PAPULIAS Presidentët, kushte njëri-tjetrit, por jo zgjidhje

0
150

 

Florenc Drizari

 

Presidenti grek Karolos Papoulias viziton Shqipërinë, takohet krerët më të lartë të politikës

Papoulias kërkon respektimin e minoritetit, Nishani, heqjen e ligjit të luftës dhe zgjidhjen e çështjes çame

Karolos Papoulias: Sigurova se gjatë presidencës greke do të avancojmë për ecurinë integruese të Shqipërisë ashtu si ka bërë edhe në të kaluarën

Bujar Nishani: Vlerësuam ecurinë e deritanishme të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, si edhe shqyrtuam mundësitë për ngritjen e tyre në një nivel më të lartë

 

Greek President Karolos Papoulias visits Tirana.Presidenti i Greqisë, Karolos Papoulias, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri. Gjatë takimeve që ai pati me krerët e politikës shqiptare, u përball kërkesën për heqjen e ligjit të luftës, zgjidhjen e çështjes së kufirit detar dhe trajtimin e çështjes së pronave të çamëve. Për më shumë se dy orë Papulias dhe delegacioni që e shoqëronte qëndroi në Presidencën shqiptare, ku pati një takim kokë më kokë me Presidentin Bujar Nishani.

Presidenti grek nuk bëri komente për kërkesat e palës shqiptare, por shpjegoi qasjen e Greqisë për çështjen e kufirit detar mes dy vendeve dhe rëndësinë që marrin projektet energjetike për të dy vendet. Gjithashtu, z. Papoulias deklaroi mbështetjen e palës greke në integrimin e Shqipërisë në BE. Të dy presidentët dolën përpara medias duke lexuar nga një deklaratë, pa pranuar pyetjet e gazetarëve.

Pas ceremonisë së mbajtur në ambientet e Presidencës, kreu i shtetit, Bujar Nishani, dhe Papoulias zhvilluan fillimisht një takim kokë më kokë e më tej vijuan me një takim dypalësh në krye të delegacioneve zyrtare përkatëse. Gjatë vizitës së tij treditore në Shqipëri, Presidenti grek pritet të zhvillojë të martën vizita në zonat ku jeton minoriteti grek në Shqipëri, Gjirokastër.

Bujar Nishani

Kreu i shtetit shqiptar, duke thënë se fryma e traktatit të miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë duhet të përcaktojë dhe drejtojë bashkëpunimin midis Greqisë dhe Shqipërisë, kërkoi që “Parlamenti grek të shfuqizojë ligjin grek të luftës, akoma në fuqi dhe që mban në sekuestro konservative pasuritë e shtetasve shqiptarë në Greqi, si edhe abrogimin e të gjitha ligjeve që rrjedhin prej tij dhe që janë në kundërshtim me nenin 15-të të Traktatit të Miqësisë”.

Gjithashtu, Presidenti Nishani shprehu shqetësimin për “moszgjidhjen ende të çështjes së toponimeve, e cila po bëhet pengesë për lëvizjen e lirë dhe shërbime që lidhen me legalizimin e dokumenteve të tjera”.

Delimitimi detar midis dy vendeve – tha ai, mbetet një çështje për t’u zgjidhur.

“Pala jonë është e gatshme për të gjetur një zgjidhje të përbashkët me palën greke, në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare dhe legjislacionin e brendshëm të secilit vend”, – deklaroi Bujar Nishani.

Karolos Papoulias

Në fjalën e tij, Presidenti i Greqisë, Karolos Papoulias, deklaroi se shqiptarët që jetojnë në Greqi janë një urë lidhëse për marrëdhëniet mes dy vendeve por kërkoi respektimin e të drejtave të minoritetit etnik grek në vendin tonë. Gjithashtu ai foli edhe për mbështetjen që Greqia do t’i janë Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. “Sigurova se gjatë presidencën greke do të avancojmë për ecurinë integruese të Shqipërisë ashtu si ka bërë edhe në të kaluarën. E ftova Presidentin Nishani për të vizituar Greqinë, i uroj popullit shqiptar stabilitet dhe përparim”, – tha Papulias.

Gjithashtu kreu i shtetit grek, tha se kjo vizitë “jep rastin për një shtysë të re marrëdhënieve tona, me interes të dy vendeve por edhe rajonit më gjerë. Minoriteti etnik grek përbën nyje lidhëse të qëndrueshme e të pazgjidhshme, ata janë ndër përbërësit më dinamikë të jetës politike e shoqërore shqiptare e të gjithë jemi dakord se të drejtat e tyre duhet të respektohen. Qindra mijëra emigrantë shqiptarë në Greqi përbëjnë element të fuqishëm lidhës në marrëdhëniet tona”, – theksoi Papulias.

 

 

Papoulias: E presim Shqipërinë në BE. Rama: Të zgjidhim çdo çështje me dialog e respekt

Presidenti i Greqisë, Karolos Papoulias, bashkë me delegacionin që e shoqëronte, u prit në takim edhe nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. “Kryeministri Rama i uroi Presidentit Papoulias mirëseardhjen dhe i shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për t’i dhënë përmasa të reja bashkëpunimit me Greqinë, në dritën e miqësisë e të fqinjësisë së mirë, si dhe në kuadër të partneritetit strategjik.

Në takim u theksua vullneti i përbashkët për avancimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe u shpreh besimi se një kapitull i ri do të shënojë bashkëpunimin e dyanshëm, si dhe atë rajonal.

Kryeministri Rama u shpreh se roli i Greqisë si një vend anëtar i BE-së dhe NATO-s ka një rëndësi domethënëse për rajonin dhe se qeveria shqiptare konstaton me kënaqësi vëmendjen që Greqia po i kushton rajonit. Kryeministri Rama nënvizoi se një epokë e re është hapur në bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, pas marrëveshjes midis Beogradit dhe Prishtinës.

Presidenti Papoulias e uroi Kryeministrin Rama për detyrën e lartë dhe e siguroi për mbështetjen e Greqisë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian. “Greqia, – u shpreh Presidenti Papoulias, – e pret Shqipërinë sa më parë në BE dhe ajo do të jetë në krah të saj, në këtë përpjekje”, – thuhet në njoftimin e qeverisë shqiptare.

 

 

 

Meta: Erë e re në marrëdhëniet mes dy vendeve

Presidenti grek u prit ne takim edhe nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili vuri në dukje rolin historik dhe kontributin e zotit Papulias në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore dhe të fqinjësisë së mirë mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Njoftimi zyrtar thotë se zoti Meta dhe Presidenti Papoulias ndanë bindjen se tashmë ka filluar një erë e re bashkëpunimi mes dy vendeve dhe se marrëdhëniet dypalëshe do të forcohen më tej përmes komisioneve të përbashkëta të punës për zgjidhjen e çështjeve të mbartura nga e shkuara, përmes frymës konstruktive dhe vullnetit të sinqertë.

Kryetari i Kuvendit, Meta, shprehu bindjen se pas vizitës dhe mesazheve domethënëse të Presidentit Papulias në Tiranë, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë do të shënojnë një përparim të dukshëm.

“Parimet e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe parimet e Bashkimit Evropian, janë baza e trajtimit konstruktiv dhe e gjetjes së zgjidhjeve racionale të çështjeve të mbartura nga e kaluara”, – u shpreh z. Meta.

 

 

Protesta për vizitën e Papouliasit në Tiranë, Idrizi: Je çam dhe mbaje fjalën

Gjatë kohës që Presidenti i Greqisë, Karolos Papoulias, po zhvillonte një takim me kreun e shtetit shqiptar, Bujar Nishani, shoqata “Çamëria” dhe PDIU organizuan një tubim paqësor për t’i kujtuar Presidentit grek një premtim që sipas tyre ai ke bërë 20 vite më parë për çështjen çame.

“Zoti Papulias ke premtuar në vitin 1993, 20 vjet më parë, që çështja çame është një çështje që i ka plagët e hapura dhe ta trajtojmë pas 20 vjetësh. Po ja kanë kaluar 20 vjet, por plagët janë tonat dhe ne nuk i harrojmë. Ne nuk dimë që komuniteti ynë të ketë krijuar plagë. Krejt e kundërta ka ndodhur, janë mbi 5 mijë vetë të masakruar, gra, pleq dhe fëmijë. Është 20 për qind e popullsisë e shfarosur, janë 35 mijë të shpërngulur, janë miliarda pasuri të grabitura, objekte kulti të shkatërruara dhe ne do të donim që zoti Papulias, ta mbante fjalën e tij të dhënë para 20 vjetësh”, – tha kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency