Basha: Afera “Crown Agents” është kapje e shtetit, Banka Botërore e ka përjashtuar 6 muaj për mashtrim

0
143

Florenc Drizari

Basha, Ramës: Ky është një batakçillëk, në përputhje me stilin e një kryeministri, që kërkon të bëjë sukses me gjetjen e një gjëje që ka fshehur vetë

 

basha0104Opozita akuzon për afera korruptive mazhorancën dhe Kryeministrin Edi Rama lidhur me kontratën e nënshkruar me kompaninë “Crown Agents” për konsulencë në doganat shqiptare. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryetari Lulzim Basha e ka konsideruar kontratën e qeverisë me kompaninë angleze si abuzive dhe të paligjshme.

Sipas tij, qeveria do të harxhojë miliona euro të qytetarëve shqiptarë për të paguar një kompani, e cila do të mbledhë të ardhurat e fshehura nga vetë qeveria. Basha tha se qeveria do t’i paguajë 4.5 milionë euro në vit kësaj kompanie private kundrejt shërbimeve ende të paqarta në detajimin e tyre dhe 400 mijë euro do të shkojnë vetëm për të blerë makina luksi për agjencinë në fjalë. Duke folur për kontratën e lidhur mes qeverisë dhe kompanisë “Crown Agents”, kreu i PD-së akuzoi Kryeministrin Rama për fshehje të qëllimshme të të ardhurave nga doganat shqiptare ose deklarimin e ulët të tyre, në mënyrë që të justifikojë veprimtarinë e kompanisë së përzgjedhur për konsulencë.

“Të gjitha këto pagesa dhe favore të tjera do t’i jepen agjencisë për rritjen e të ardhurave doganore, – thotë qeveria. Bashkë me qytetarin e vëmendshëm kemi të drejtën dhe detyrimin të konstatojmë sot: “Crown Agents” do të paguhet për rritjen e të ardhurave të ulura nga vetë qeveria Rama. Këta pra, në rastin më të mirë, do të mbledhin të ardhurat që vijnë natyrshëm dhe në vazhdimësi nga doganat, por që do të duken të rritura për shkak të uljes së tyre artificiale dhe të paligjshme nga vetë Rama.

Ky është shembulli “par excellence” i kapjes së shtetit. Ky është një batakçillëk, në përputhje me stilin e një kryeministri, që kërkon të bëjë sukses me gjetjen e një gjëje që ka fshehur vetë”, – deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Zoti Basha e ka konsideruar të paligjshme kontratën me “Crown Agents” pasi në mënyrë arbitrare qeveria përjashton nga pagimi i çdo lloj takse kompaninë dhe punonjësit e saj, duke krijuar një pabarazi shumë të madhe me kompanitë e asistencës që operojnë në vend dhe me punonjësit shqiptarë të sistemit tonë doganor.

Z. Basha denoncoi dhe faktin se qeveria po tenton ta kalojë këtë marrëveshje me procedurë të përshpejtuar duke e kthyer Kuvendin në një zyrë që noterizon arbitraritetin dhe abuzivizmin e saj.

“Qeveria po tenton ta kalojë në Kuvend me procedurë të përshpejtuar, duke dëshmuar sërish se e konsideron aulën e përfaqësuesve të popullit një zyrë të rëndomtë ku shkon dhe noterizon arbitraritetin, abuzivizimin dhe makutërinë e saj.

Pse me procedurë të përshpejtuar? Çfarë urgjence ka? Drejtoresha e re e Doganave, sapo na deklaroi se po e tejkalon planin e ulur, apo jo? Kush po i pret me urgjencë këto para që Rama ka vendosur t’ia marrë në mënyrë arbitrare arkës së publikut?”, – u shpreh zoti Basha.

Më tej, kryetari i PD-së foli edhe për përjashtimin që Banka Botërore i ka bërë kompanisë në fjalë për mashtrime financiare në veprimtarinë e saj.

“Nevoja për këtë marifet të ulët përputhet edhe me vlerësimin dhe qëndrimin e Bankës Botërore ndaj kompanisë “Crown Agents”, të cilën e ka përjashtuar për gjashtë muaj nga projektet e saj për praktika mashtrimi”, – deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.

 

 

Kastriot Islami analizon zgjedhjet në Korçë: Zhgënjim dhe frikë

“Zhgënjim për votuesit e mazhorancës” dhe “frikë për humbjen e vendit të punës për votuesit e opozitës”. Kështu i ka cilësuar zgjedhjet e pjesshme që u zhvilluan të dielën në Bashkinë e Korçës, deputeti Kastriot Islami. Gjatë një analize të tij, z. Islami evidenton faktin se kanë votuar më pak zgjedhës se në 23 qershor, edhe pse në koalicion me të majtën u rreshtua edhe Partia Fryma e Re Demokratike.

“Në zgjedhjet ne Bashkinë e Korçës vihen re këto dukuri:

1) kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit 13338 votues më pak se në zgjedhjet e 23 qershorit;

2) mazhoranca fituese Aleanca për Shqipërinë Evropiane plus FRD-në kanë grumbulluar në 3 nëntor 2013 më pak vota se në 23 qershor 2013, gjithsej 5666 vota më pak.

Këto dy shifra tregojnë, ndër të tjera, se me gjithë angazhimin politik jo vetëm të tri partive PS, LSI e FRD, por edhe të të gjithë qeverisë për ta trajtuar këtë betejë të pjesshme si ballafaqim politik:

a) votuesit e mazhorancës aktuale nuk janë më po aq entuziastë sa në 23 qershor apo një e katërta e tyre është zhgënjyer nga mosmbajtja e premtimeve, sidomos për sa i përket atyre që lidhen me punësimin e tyre;

b) votuesit që mbështesin opozitën, nën presionin e humbjes së vendit të punës, po ashtu kanë preferuar të abstenojnë. Natyrisht humbja e 23 qershorit ka pasur gjithashtu ndikim në abstenimin e votuesve të opozitës.

c) gjithashtu një ndikim në këtë abstenim ka pasur edhe prezenca jo aq e lartë e emigrantëve.

d) segmente të votuesve në të dyja anët, që kishin një ide mbi rezultatin dhe mendonin se vota e tyre nuk do të ndikonte në rezultatin e paraditur kanë preferuar të mos prishin qetësinë/argëtimin e tyre të së dielës”, – shkruan deputeti i opozitës, Kastriot Islami, në një publikim që bëri dje për zgjedhjet në Bashkinë e Korçës.

 

 

Mbyllen zgjedhjet në Korçë dhe Karbunarë të Lushnjës, fitojnë Filo dhe Nexha

Zgjedhjet e pjesshme që u mbajtën të dielën në Bashkinë e Korçës dhe në Komunën Karbunarë të Lushnjës, u fituan nga e majta. Sipas KQZ-së, në Bashkinë Korçë, kandidati Sotiraq Stratobërdha ka marrë 5284 vota ndërsa kandidati Sotiraq Filo ka marrë 15973 vota, ndërsa në Komunën Karbunarë në Qarkun Fier, kandidati Mynyr Shehu ka marrë 864 vota dhe kandidati Bektash Nexha ka marrë 1173 vota.

Procesi i pandërprerë i numërimit të votave sipas KQZ-së, ka qenë i pandërprerë çka solli përfundimin procesit brenda një kohë të shkurtër.

KQZ bëri me dije se procesi i votimit ka ecur normalisht, i qetë dhe pa asnjë lloj incidenti. Pjesëmarrja ka qenë e ulët, pasi kanë votuar 30,92% e votuesve, ndërsa në Komunën Karbunarë në Fier pjesëmarrja ka qenë në shifrat 51.14%.

Sipas administratës zgjedhore, korrektësia në zbatimin e detyrimeve ligjore e komisionerëve të niveleve të dyta dhe të treta (KZAZ, KQV, GNV) ndikuan në realizimin me sukses të zgjedhjeve të pjesshme të datës 3 nëntor.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency