KRIMI NË FAMILJE Vret gruan me këllëf jastëku, pendohet 49-vjeçari

0
297

 

 Anxhela Tato

 

Të afërmit: Shkaku i konfliktit, sjellja problematike e djalit 15 vjeç, u largua 3 ditë nga banesa

Dëshmia e autorit: Jam penduar, vrasja ndodhi nga gjaknxehtësia, ende s’e besoj që gruaja vdiq

 

policiMbyt bashkëshorten me këllëfin e jastëkut, duke e fajësuar për problemet e djalit 15 vjeç. Ngjarja e rëndë është shënuar rreth orës 23:00 në zonën e Saukut të Vjetër. Autori i krimit, 49-vjeçari Fehmi Brahja, është vetëdorëzuar në polici, duke rrëfyer se kishte ekzekutuar gruan e tij. Viktima, Radivije Brahja, punonte mësuese në shkollën 9-vjeçare të zonës, ku jepte lëndën e Edukatës shoqërore. Çifti kishte tre fëmijë dhe njëri prej tyre, 15 vjeç, ishte larguar prej tri ditësh nga banesa. Problemet e djalit janë kthyer në mollën e sherrit mes çiftit, duke degraduar me vrasjen e 43-vjeçares. Të afërm të viktimës tregojnë se ditën e ngjarjes djali ishte kthyer në shtëpi dhe 49-vjeçari e kishte goditur me pëllëmbë në kokë. I trembur, djali ishte larguar me nxitim, ndërsa 43-vjeçarja i kishte kërkuar bashkëshortit që të qetësohej dhe të mos e ngacmonte 15-vjeçarin, pasi është fëmijë. Por mes tyre ka nisur debati, ku autori fajësonte bashkëshorten për këtë situatë. Konflikti është finalizuar në dhomën e gjumit, ku autori i ka shtrënguar këllëfin e jastëkut në fyt bashkëshortes. Menjëherë pas krimit të rëndë ai është paraqitur në Drejtorinë e Policisë, ku ka rrëfyer çka kishte ndodhur. Para oficerëve të Policisë Gjyqësore 49-vjeçari ka shfaqur shenja pendese, duke treguar se çdo gjë e ka bërë në gjaknxehtësie e sipër. “Kam vrarë gruan dhe jam penduar. Ende nuk e besoj që ka vdekur dhe nuk jeton më. Çdo gjë e bëra në acarim e sipër, e kisha humbur logjikën”, – pjesa nga dëshmia e Fehmi Brahjes para oficerëve të policisë.

Dëshmitë

Familjarët e 43-vjeçares kanë hapur dyert e mortit për t’i dhënë lamtumirën Radivije Brahjes. Miq dhe të afërm i janë gjendur pranë familjes së viktimës, të cilët e kanë përcjellë për në banesën e fundit 43-vjeçaren. Të pranishëm kanë qenë edhe nxënësit e viktimës, të cilët janë tronditur nga krimi i rëndë. Me buqeta lulesh nëpër duar dhe me lot në sy, ata tregojnë se 43-vjeçarja ka qenë një mësuese e shkëlqyer dhe shumë e kujdesshme. “Nuk e besojmë që mësuesja jonë nuk jeton më. Ajo ishte e mrekullueshme, shumë e dashur dhe përkujdesej për ne”, – tregojnë disa nga fëmijët. Të afërm të viktimës tregojnë se shkaku i krimit ka qenë konflikti për sjelljen problematike të djalit. “Mbrëmë në darkë kanë debatuar për shkak të djalit. 15-vjeçari ishte i lëvizshëm dhe prej tri ditësh kishte ikur nga shtëpia, donte të linte edhe shkollën madje. Ne dimë që dje nga darka djali është kthyer në shtëpi dhe Fehmiu e ka goditur me pëllëmbë. Në këto momente Radivija i ka thënë që ta lërë, se është fëmijë dhe nuk ishte kjo zgjidhja. Fehmiu i ka ulërirë dhe i ka kërkuar që të mos ndërhynte se ishte ajo shkaktare e këtyre sjelljeve, ndërsa ka gjurmuar djalin dhe ka dashur ta çojë nga liqeni. Djali i ka ikur sërish dhe ka marrë policinë në telefon. I ka thënë se babai donte ta vriste. Tani ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur me detaje, por dimë që kur policia ka ardhur në banesë, Radivija kishte vdekur. Ajo është gjetur me këllëfin e jastëkut në qafë”, – tregojnë të afërmit e 43-vjeçares.

Rrëfimi i autorit

Menjëherë pas krimit të rëndë, 49-vjeçari ka vendosur të vetëdorëzohet në polici. Burime nga blutë bëjnë me dije se Fehmi Brahja është paraqitur në dyert e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit, duke treguar se kishte bërë një krim dhe donte të dorëzohej. 49-vjeçari është shoqëruar nga oficerët e Policisë Gjyqësore për t’u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Mësohet se para bluve Fehmi Brahja ka shpjeguar me detaje se çfarë ka ndodhur mes tij dhe bashkëshortes. Ai ka treguar se çdo gjë ka ndodhur nga gjaknxehtësi dhe nuk kishte si qëllim që t’i merrte jetën gruas. “Isha i acaruar dhe kisha humbur logjikën. Nuk kisha qëllim të vrisja gruan, çdo gjë e bëra në gjaknxehtësi e sipër. Jam i penduar dhe ende nuk e besoj që ajo ka vdekur”, – ka rrëfyer 49-vjeçari. Ndërsa bëhet me dije se në ngarkim të Fehmi Brahjes do të ngrihet akuza e vrasjes dhe pas tri ditësh autori i krimit do të ulet në bankën e të akuzave për t’u njohur me masën e sigurisë.

 

Ekspertiza: Viktima ka shenja shtrëngimi në qafë, është mbytur

Trupi i pajetë i 43-vjeçares është transportuar fillimisht në morgun e spitalit, ku i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore. Nga të dhënat e para mësohet se viktima ka në qafë shenja nxirjeje, çka tregon se e kanë mbytur. Sipas aktit mjekësor, viktima nuk ka mundur të marrë dot frymë nga shtrëngimi në pjesën e fytit, ndërsa mbytja i është shkaktuar nga një copë dhe kjo e vërtetuar nga shenjat që ka 43-vjeçarja. Sipas ekspertizës mjekoligjore, 43-vjeçarja Radivije Brahaj është mbytur me këllëfin e jastëkut nga bashkëshorti i saj, por ky fakt është kundërshtuar nga ana e familjarëve të 49-vjeçarit. Ata kanë dëshmuar se 43-vjeçarja vuante nga zemra dhe kishte probleme të shpeshta. Familjarët dyshojnë se viktima mund të ketë pësuar atak dhe i ka pushuar zemra gjatë konfliktit me bashkëshortin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 23:00, kur policia ka gjetur në banesë trupin e pajetë të Radivije Brahjes. Pas denoncimit në polici nga ana e djalit të çiftit, i cili ka pohuar se babai donte ta vriste, policia ka vajtur në zonën e Saukut të Vjetër. Aty ka gjetur trupin e viktimës, ndërsa autori ishte nisur në drejtim të policisë për t’u dorëzuar.

 

CEREMONIA

Hapet Gjykata Administrative, çdo dosje zgjidhet për 90 ditë

Çelet sipari i Gjykatës Administrative në mbarë vendin. Me rastin e nisjes së aktivitetit të kësaj gjykate, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, dhe nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa, vizituan mjediset e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Ministri Naço, gjatë ceremonisë, siguroi se janë marrë të gjitha masat për nisjen normale të Gjykatës Administrative në Tiranë dhe në të gjitha gjykatat në vend, ndërsa shtoi se në këtë gjykatë çështjet do gjejnë zgjidhje brenda 90 ditësh. “Kushtet janë optimale për të nisur punën. Me këtë gjykatë do të procedohet më shpejt për ankesat e qytetarëve”, – tha ministri i Drejtësisë. Në këtë gjykatë, shtoi kreu i drejtësisë, do të procedohet më shpejt për të zgjidhur çështjet nga sa është bërë më parë. “Pra, nëse në Gjykatën e Lartë sot janë 10.000 çështje të pazgjidhura prej disa vitesh, në këtë gjykatë çështjet do të gjejnë zgjidhje brenda 90 ditëve”, – tha Naço. Sipas tij, ky është një revolucion, që do të shoqërohet nga reforma të tjera në fushën e drejtësisë. Në fjalën e tij, nënkryetari i KLD-së, Elvis Çefa, tha se kjo gjykatë do jetë gardian i veprimtarisë së administratës. “Këtu jemi për të siguruar qytetarët se KLD-ja dhe sistemi i drejtësisë do ta kenë në qendër të tyre veprimtarinë e kësaj gjykate”, – tha Çefa. Kjo gjykatë, ka 7 salla që do të krijojë një lehtësi në punën e saj. Sipas nënkryetarit të KLD-së, vendet vakante në gjyqësor momentalisht nuk përbëjnë një emergjencë për punën e këtyre gjykatave. “KLD që në mbledhjen e ardhshme do të nisë punën për plotësimin e vendeve bosh”, – përfundoi fjalën e tij, nënkryetari i KLD-së, Elvis Çefa. Gjykata Administrative, ka për qëllim garantimin e mbrojtjes efektive të të drejtave subjektive dhe interesave të ligjshme të personave, nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve të shpejta e të arsyeshme, duke rritur transparencën e vendimeve administrative nis sot aktivitetin e saj.

 

Dritan Dajti: Efektivi Gentian Brodina qëlloi të ndjerin Kastriot Feskaj

Dritan Dajti çel “kutinë e Pandorës”, kësaj here në lidhje me autorin vrasjes së efektivit të policisë Kastriot Feskaj. Para togave të zeza i pandehuri ka deklaruar se personi që ka qëlluar në drejtim të Feskajt ishte efektivi i policisë Gentian Brodina. Sipas deklarimeve të të pandehurit, Brodina ka qëlluar në distancë të afërt një efektiv me kapuç, i cili ka rezultuar se ishte i ndjeri Kastriot Feskaj. Nga ana e togave të zeza Dritan Dajti ka kërkuar që t’i vihet në dispozicion procesverbali i armatimit të Gentian Brodinës, ku vërtetohet se ka qenë i pajisur me armë ditën e ngjarjes. “Kërkoj dokumentin që provon se pistoleta që ka dorëzuar në prokurori është me leje apo jo, si dhe nëse ka pasur armë tjetër. Vetë para tre vjetësh efektivi Gentian Brodina ka dëshmuar se ditën e ngjarjes ka qëlluar me armë zjarri”, – është shprehur i pandehuri. Sipas togave të zeza ky nuk është momenti i duhur procedural për të tilla kërkesa. Menjëherë pas këtij vendimi i pandehuri ka akuzuar gjykatën se qëllimisht po fsheh procesverbalin, duke kërkuar përjashtimin e trupit gjykues për njëanshmëri.

Rokadë në polici, ndërrohen shefat e krimeve

Ndryshohen shefat e krimeve dhe të rendit në të gjitha komisariatet e kryeqytetit. Dy drejtuesit e policisë Artan Didi dhe Ardian Çipa kanë firmosur listën me emrat e rinj që kanë marrë detyrën ditën e djeshme. Mësohet se tek komisariati numër 1 ka ardhur Elidon Ymeraj. Ndërsa ende nuk bëhet me dije lista e plotë e emërimeve të reja. Lëvizje janë bërë edhe në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Dibër. Ditën e djeshme është larguar shefi i komisariatit të Bulqizës Behar Caka dhe shefi i policisë rrugore, Saimir Shehu. Në vend të Cakës shef i komisariatit të Bulqizës është emëruar Niko Nikolli. Ndërkohë në Burrel është larguar shefi i komisariatit Edmond Kurti. Vetëm para pak ditësh nga ana e ministrit Tahiri u miratua lirimi nga detyra i ish-shefave të krimeve të komisariateve të kryeqytetit, përfshirë në këtë listë edhe krerët e komisariateve të shkarkuar nga detyra.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency