Rasti i Shpëtim Gjikës Rama: Nuk do të bëhemi mburoja e askujt, inkurajojmë Prokurorinë të bëjë detyrën

0
120

Gëzim Saliu

Në mbledhjen e grupit, kreu i PS-së: Akuzat, tepër të rënda, i qëndroj pranë si mik Gjikës

“Pafajësia e Gjikës duhet të provohet me argumente dhe fakte të besueshme”

 

Rama grup parlamentarQeveria dhe Partia Socialiste nuk do të bëhen mburoja politike e askujt. Ky ishte reagimi i parë i Kryeministrit të vendit, Edi Rama, lidhur me hetimin e nisur nga Prokuroria për kryebashkiakun socialist të Vlorës, Shpëtim Gjika, duke pohuar se organi i akuzës duhet të bëjë detyrën e tij dhe se në fund duhet të flasë drejtësia dhe jo politika. “S’ka pikë dyshimi që dëshira jonë është ta shohim Shpëtim Gjikën të çliruar nga akuzat e rënda dhe ne duam të shpresojmë që kryebashkiaku i Vlorës do të provojë pafajësinë e vet me argumente dhe fakte të besueshme. Por, nga ana tjetër, duhet të jemi të qartë për të gjithë se ne nuk do të bëhemi mburoja politike e asnjë të akuzuari nga Prokuroria për korrupsion dhe abuzim me detyrën shtetërore, as sot, as kurrë. Ne duam një Shqipëri të drejtë dhe të barabartë me këdo dhe për këdo. Kjo vlen kur akuzohen kundërshtarët tanë politikë, por edhe kur akuza drejtohet nga ne, drejt njërit prej nesh”, – tha Rama në mbledhjen e grupit parlamentar socialist.

 

Deklarata

Para deputetëve socialistë, Kryeministri Rama theksoi dje se akuzat e drejtuara nga Prokuroria për Shpëtim Gjikën janë shumë të rënda. Në këtë kontekst, kreu i mazhorancës qeverisëse pohoi se pavarësisht nga dëshira që akuzat të bien poshtë, si Kryeministër ai do të mbështesë deri në fund Prokurorinë që të thotë fjalën e saj. “Akuza e Prokurorisë është shumë e rëndë dhe artikulimet e këtyre akuzave janë tepër të rënda. Duam të shpresojmë se një abuzim kaq skandaloz me detyrën nuk qëndron. Prandaj, si socialist dhe mik i Shpëtim Gjikës, unë ndihem keq për të dhe në çfarëdo situatë do jem njerëzisht pranë tij dhe familjes së tij dhe sikur ai të ketë gabuar aq rëndë. Por, si Kryeministër, unë inkurajoj prokurorinë të bëjë detyrën deri në fund dhe duam që drejtësia dhe jo politika të thotë fjalën e fundit lidhur me të”. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika u akuzua dy ditë më parë nga Prokuroria për falsifikim të lejeve të ndërtimit të dy ndërtesave njëra në lagjen “Pavarësia” dhe tjetra në bulevardin qendror Vlorë-Skelë, në afërsi të teatrit “Petro Marko”, në vendin e quajtur Tri Rasat. Në dosjen e Prokurorisë thuhej se Gjika, në bashkëpunim me Eleni Dardhajn, punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë, kanë falsifikuar dy procesverbale të mbledhjes së Këshillit të Rregullimit të Territorit, duke u hapur rrugë në këtë mënyrë, ndërtimeve pa leje në zemër të qytetit. Në bazë të ligjit, përkatësisht neni 186 i Kodit Penal, parashikon: “Falsifikimi ose përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dënohet me burgim deri në tre vjet dhe me gjobë nga dyqind mijë deri në gjashtëqind mijë lekë. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda,dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë”.

 

 

Akuzat për Shpëtim Gjikën

Kryeministri Rama

“Si socialist dhe mik i Shpëtim Gjikës unë ndihem keq për të, dhe në çfarëdo situate unë do të jem njerëzisht pranë tij dhe familjes së tij edhe sikur ai të ketë gabuar aq rëndë siç pretendon Prokuroria. Por si kryetar i Partisë Socialiste dhe Kryeministër i vendit unë mund ta inkurajojë prokurorinë dhe drejtësinë të bëjnë punën e tyre deri në fund dhe drejtësia dhe jo politika të thotë fjalën e fundit”

Prokuroria

“I pandehuri Shpëtim Gjika, në cilësinë e Kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, ka lëshuar vendimet me nr. 1/11, datë 24.3.2010 dhe nr. 4/3, datë 15.7.2010, që janë dokumente të cilat kanë në përmbajtjen e tyre rrethana të rreme, pasi dy sheshet e ndërtimit dhe dy lejet e ndërtimit që përmenden në këto dokumente sikur janë marrë në shqyrtim dhe janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë, në të vërtetë nuk janë marrë në shqyrtim dhe nuk janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë”

 

Mbledhja e qeverisë

“Crown Agents Limited” do të asistojë doganat. Berisha: KE, kundër kompanisë

Qeveria miraton marrëveshjen, e cila i jep kompanisë “Crown Agents Limited” të drejtën për të asistuar dhe mbikëqyrur doganat shqiptare. Sipas projektligjit të miratuar në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kompania britanike do të japë shërbim asistence për përmirësimin e performancës, rritjen e të ardhurave dhe zvogëlimin e korrupsionit në administratën doganore. Ndërkohë ndaj këtij vendimi ka reaguar ish-kryeministri Berisha, i cili ka deklarua se shoqëria “Crown Agents” është një agjenci private e futur ne liste te zeze nga Banka Botërore. “Ky vendim vjen pas votimit në Parlament të dekretit të gropës. Me këtë dekret qeveria në vend që 4 muajt e fundit të vitit të ruante më së paku nivelin mesatar mujor të mosrealizimit të të ardhurave në tatime dhe dogana të njëjtë me nivelin e muajve të fushatës elektorale dhe atyre pas zgjedhjeve, rriti me 4 herë mosrealizimin e tyre. Vendet partnere kanë protestuar për këtë vendim dhe kanë bërë të qartë se do të ndërpresin shkëmbimin e dokumenteve doganore me Shqipërinë ( mbasi nuk pranojnë të dorëzojnë dokumente shtetërore një kompanie private). Mosaprovim për “Crown Agents” kanë shprehur edhe Banka Botërore dhe FMN dhe me se fundi mësojmë se Komisioni Evropian, departamenti respektiv, ka shprehur qartë kundërshtitë e tij për këtë vendim absurd të qeverisë Rama-Meta”, – shkruante Berisha në rrjetin social. Ndërkohë, në mbledhjen e djeshme të qeverisë u mor vendimi për shkarkimin nga detyra të Basir Çollakut dhe emërimin në detyrë si drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Telegrafike Shqiptare të Gëzim Podgoricës.

 

Takimet e lamtumirës

Arvizu takon Topin e Idrizin

Në prag të lënies së detyrës dhe largimit nga Shqipëria, ambasadori amerikan Alexander Arvizu ka zhvilluar dje takime me kreun e FRD-së, Bamir Topi, si edhe me kryetarin e PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Në takimin me ish-presidentin, Arvizu falënderoi Topin për komentet për miqësinë e tij kundrejt SHBA-së dhe ambasadës. “Kur vjen një ambasador, takimi i parë që ai bën është me presidentin e vendit. Ka qenë një moment magjik, që do ta kujtoj gjithmonë. Kemi kaluar kohë interesante dhe të vështira, por çfarë do ruajë në mendje për Topin është kujtimi i njeriut që gjithmonë është përpjekur për dialog dhe moderacion dhe jam i lumtur që filozofia e tij politike mori shprehje në një parti si FRD, që ka më shumë 30 mijë mbështetës”. Nga ana e tij, Topi pohoi: “Kam rastin ta theksoj dhe një herë atë vlerësim të jashtëzakonshëm që kam për ambasadorin, për rolin e tij të shquar gjatë viteve që ka qëndruar në Shqipëri. Besoj se është në traditën e gjithë ambasadorëve, duke qenë vendi më mik i shqiptarëve që kanë qenë shumë të pranishëm dhe kanë ndihmuar në demokratizimin. E jap si ish-kryetar shteti si qytetar”. Ndërkohë, në takimin e zhvilluar me kreun e PDIU-së u vlerësua roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si vend mik i Shqipërisë dhe angazhimi i vetë ambasadorit në mbështetje të reformave për integrimin evropian të vendit, forcimin e shtetit ligjor, bashkëpunimin e ndërsjellë si forca aleate në NATO, si dhe partneritetin e fortë të krijuar midis dy vendeve.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency