Shkodra në zi, 5 të adoleshentë humbin jetën aksidentalisht

0
137

Sonja Caka

 

Aksidenti, pas vdekjes së të birit, nëna e Raelv Dulit pëson infarkt dhe vdekje klinike

Policia: Shkak dyshohet shpejtësia e dy mjeteve. Prangoset shoferi i kamionit me lëndë drusore

Në pak orë, bilanc lufte në rrugët e vendit, shtatë të vdekur dhe 10 të plagosur

 

aksident_429833611Një aksident tepër i rëndë, i ndodhur mëngjesin e djeshëm, ka tronditur qytetin e Shkodrës, i cili prej 24 orësh ndodhet në zi. Pesë adoleshentë kanë humbur jetën, ndërkohë që për shkak të lajmit tragjik, nëna e njërit prej viktimave pëson infarkt, duke kaluar në vdekje klinike. Pesë të rinjtë kanë qenë në një nga lokalet e kryeqytetit, duke festuar një ditëlindje dhe në orët e mëngjesit ishin duke u kthyer për në Shkodër, kur janë përplasur me një kamion me lëndë drusore me targa të Pukës. Përplasja ka qenë fatale për mjetin në të cilin po udhëtonin të rinjtë, duke shkaktuar fillimisht vdekjen e katër prej tyre, plagosjen rëndë të drejtuesit dhe plagosjen e lehtë të drejtuesit të kamionit me lëndë drusore. Por, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme do të humbte jetën edhe i riu që drejtonte automjetin. Pas marrjes së lajmit, më tragjike ka qenë situata në familjen e njërit prej viktimave, Raelv Dulit, pasi nëna e tij, duke qarë mbi trupin e të birit, ka pësuar infarkt dhe për disa orë ishte në  vdekje klinike në spitalin e Shkodrës. Në orët e vona të mbrëmjes, edhe ajo doli nga vdeja klinike dhe kaloi në sallën e reanimacionit në spitalin e Shkodrës. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, kryebashkiaku i Shkodrës ka shpallur ditën e djeshme si ditë zie.

Ngjarja

Aksidenti i rëndë automobilistik ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Kryebushat në orën 05:30. Një automjet tip “BMË” me targë SH1818D, është përplasur me një kamion me targa PU 1463 A, i cili transportonte lëndë drusore. Përplasja ka qenë fatale. Si pasojë e përplasjes tepër të fortë, katër nga pesë adoleshentët që ndodheshin në automjetin tip “BMË” kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa i pesti humbi jetën disa orë pas tyre në spitalin e Shkodrës. Viktimat janë shtetasit Ledio Pirani, Orlend Mreca, Raelv Duli, Xheni Anamali dhe Osmand Merahja. Nga të dhënat policore mësohet se viktimat kanë qenë në Tiranë, duke festuar ditëlindjen e shokut të tyre, por festa, për fat të keq, disa orë më pas u është kthyer në mort. Policia ndërkohë ka arrestuar shtetasin Prekë Ndreca, drejtues i kamionit, i cili gjatë aksidentit mori plagë të lehta. Grupi hetimor vazhdon hetimet ne lidhje me shkakun e këtij aksidenti të rëndë që dyshohet për shkak të shpejtësisë së lëvizjes tej normave të lejuara. Nga të dhënat e para mendohet se pavarësisht nga shpejtësia, të rinjtë nuk ishin shkak i aksidentit. Në vendin e quajtur Kryebushat, në kryqëzimin për në Vaun e Dejës, kamioni me lëndë drusore u ndërpreu rrugën, duke mos i lënë drejtuesit asnjë mundësi për t’u shmangur.

Tronditja

Burri, vdekur pesë vjet më parë nga aksidenti, dhe tashmë edhe djali i saj i vetëm. Dy dhimbje mjaft të mëdha të cilat nëna e Raelv Dulit nuk ka arritur t’i përballojë teksa qante të birin paraditen e djeshme. Elvie Duli pësoi infarkt dhe pavarësisht dërgimit të saj me urgjencë në spitalin e Shkodrës, ajo kaloi në vdekje klinike. Sipas mjekëve, gruaja ka mbërritur në spital pa shenja jete, por falë ndërhyrjes së mjekëve, zemra e saj nuk është shuar, ndërsa për disa orë ka qëndruar në vdekje klinike për të dalë në reanimacion në orët e vona të mbrëmjes. Bashkia Shkodër, e gjendur dje përballë një tragjedie të tillë, ka vendosur ta shpallë ditën e djeshme ditë zie, ku në çdo institucion flamuri është ulur në gjysmë shtizë si dhe ka anuluar të gjitha aktivitetet apo programet kulturore.

Basha: Bashkohem me dhimbjen që pllakosi familjet

Kryetari i Partisë Demokratike Lulëzim Basha ka ngushëlluar familjet e katër të rinjve që humben jetën tragjikisht në një aksident automobilistik në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Shkodër. Në mesazhin e tij të ngushëllimit Basha shprehet se lajmi për vdekjen e katër të rinjve e ka tronditur pa masë. “Nuk ka fjalë që mund të lehtësojë dhimbjen e familjarëve. Bashkohem me dhimbjen që pllakosi katër familjet. Zotu u dhëntë forcë dhe kurajë për të përballuar këtë dhimbje”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit.

Rama: Ngushëllime familjeve, do marrim masa urgjente

Kryeministri Edi Rama u ka shprehur dje ngushëllime familjeve të katër të rinjve që humbën jetën në orët e para të mëngjesit në Shkodër. Në një mesazh ngushëllimi në faqen e tij në facebook Rama deklaron se qeveria do të marrë të gjitha masat për të parandaluar aksidentet rrugore. “Janë rrokullisur drejt së përtejmes, shumë më shpejt se vrapi i makinave që i sosi frymën, jetët e katër djemve të rinj nga Shkodra, që zhytet në zi me vuajtjen e katër familjeve, të cilat nuk ka fjalë t’i ngushëllosh. Durim e forcë paçi, dua t’u them si bashkëqytetar katër familjeve. Qoftë i ndritur vendi e kujtimi i djemve tuaj”-shkruan Rama në facebook.

Aksident në Elbasan, një makinë përplas tre nxënës në rrugë

Një tjetër aksident pas atij tragjik në Shkodër, ndodhi mëngjesin e djeshëm në Elbasan. Për pasojë u plagosën tre nxënës që po ecnin në këmbë, rrugës për në shkollë. Ngjarja ndodhi në afërsi të urës së Zaranikës, kur një makinë që drejtohej nga Irena Xhina i përplasi fëmijët. Menjëherë ata janë transportuar për në spitalin rajonal të Elbasanit dhe pas ndërhyrjes së mjekëve, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia e Elbasanit ka ndaluar 20-vjeçaren Xhina si shkaktare e aksidentit.

 

 

Korçë, përplasen për vdekje dy të moshuarit

Dy viktima u shënuan dy ditë më parë në aksin rrugor Korçë – Pogradec. Dy bashkëshortët Musa dhe Nigjare Potka, përkatësisht 67 dhe 62 vjeç, kanë qenë duke zbritur nga një mjet tjetër në çastin kur janë përplasur nga një furgon. Policia ka shoqëruar drejtuesin e furgonit, Nefail Myrtollari, për të sqaruar rrethanat e aksidentit tragjik ku humbën jetën dy bashkëshortët, të cilët sapo kishin zbritur nga një tjetër automjet dhe po kalonin rrugën për të hyrë në fshatin ku banonin.

Fier

Ndiqte hajdutin, makina e policisë aksidenton 46-vjeçaren

Një makinë policie në Fier ka aksidentuar një 46-vjeçare, ndërsa ishte në ndjekje të një hajduti. Ngjarja ndodhi në unazën e qytetit të Fierit në afërsi të stacionit të trenit. Si pasojë e përplasjes është plagosur Miranda Deçolli, 46-vjeçare, e cila ndodhej në vendin e pasagjerit të mjetit tip “Mercedes-Benz”. Ajo është dërguar në spital ku ka marrë ndihmën mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën. Policia po heton në vendin e ngjarjes për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

 

 

Në Austri

U plagos gjatë shpërthimit në rafinerinë e naftës, humb jetën Pashaj

Dhjetë ditë pas shpërthimit të rëndë që ndodhi në rafinerinë e naftës në Fier, ka humbur jetën në Austri, në një nga spitalet ku po kurohej, 50-vjeçari Petrit Pashaj, saldatori që po saldonte në momentin e ngjarjes. Ngjarja ndodhi më 14 tetor dhe u tha se shkak i shpërthimit të një depozite bitumi ishin shkëndijat e saldimit. Ditën e ngjarjes, të lënduar mbetën edhe dy punëtorë të tjerë, por që janë pa rrezik për jetën. Prej disa ditësh, Pashaj kurohej në klinikën austriake të djegie plastikës, por fatkeqësisht dje familjarëve iu njoftua vdekja e tij. Më 14 nëntor, Petrit Pashaj, 50 vjeç dhe Ermir Sema, rreth 30 vjeç, kanë qenë duke kryer proces saldimi në pjesën e sipërme të një depozitë 3-mijëtonëshe. Ngjarja ndodhi brenda rrethimit të uzinës së përpunimit të naftës në Fier, ndërkohë, siç mësohet, depozita që shpërtheu ka qenë e mbushur me bitum. Punonjësit e plagosur po saldonin devijimin e një tubacioni avulli sipër depozitës. Dëshmitarë të ngjarjes pohuan se shpërthimi ka qenë i fortë dhe në pak minuta. Të dy punonjësit pësuan djegie të mëdha në trup dhe dëmtime të tjera. Sapo ka ndodhur ngjarja, kolegët e tyre i kanë transportuar për në spitalin rajonal Fier. Paraprakisht dyshohet se shkëndijat e saldimit kanë ndikuar që në kontakt të menjëhershëm me tubat e gazit të shkaktojnë shpërthimin.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency