Politika e jashtme e Shqipërisë Diplomatët dhe historianët, qeverisë: Turqia është partneri ynë strategjik, kujdes me Greqinë!

0
159

Gëzim Saliu

Konferenca e Akademisë së Shkencave, ministri Bushati: Statusi, ende jo i përfunduar, TAP, projekt paqeje me fqinjët

 

konferenca e akademiseDiplomatë dhe historianë vënë në dyshim cilësimin e Greqisë si partner strategjik i Shqipërisë, për shkak të çështjeve të shumta të mbetura pezull mes dy shteteve. Në konferencën e organizuar nga Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave, ‘‘Politika e jashtme dhe diplomacia e Shqipërisë’’, ku merrte pjesë edhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, diplomati dhe sociologu Fatos Tarifa theksoi se cilësimi nga qeveria i Turqisë si partnere strategjike duhet vlerësuar, pasi, sipas tij, ky shtet është treguar vend mik dhe mbështetës i Shqipërisë se 20 viteve të fundit dhe po ashtu i Kosovës. Ndërsa lidhur me Greqinë, pavarësisht se vend fqinj, ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA theksoi se ky shtet është shndërruar me shume ne rival strategjik, pasi nuk ka treguar as reciprocitet me Shqipërinë dhe as nuk e ka njohur Kosovën. “Greqia nuk e ka fatkeqësisht këto cilësi, si një vend fqinj dhe unë do ta vija në dyshim cilësinë e saj si partner strategjik për Shqipërinë”. Ndërsa ish-ministri i Jashtëm, kreu i PDS-së, Paskal Milo, kërkoi nga qeveria shqiptare të tregojë kujdes në marrëdhëniet me Greqinë. “Aktualisht dhe zyrtarisht nuk deklarohet, por ajo vazhdon të mbajë në fuqi dhe në heshtje të ashtuquajturin ligj të luftës mes dy vendeve. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë larg për t’u konsideruar si të shkëlqyera, siç edhe u deklarua një javë më parë, kur erdhi në Shqipëri për vizitë, ministri i Jashtëm grek Venizellos”. Nga ana tjetër, Milo theksoi se Shqipëria ka nevojë për mbështetjen e Greqisë për përkrahjen e saj për t’u anëtarësuar plotësisht në BE. “Greqia do të ketë presidencën e BE-së në 6-mujorin e parë të vitit të ardhshëm dhe një ngërç i ri në marrëdhëniet midis dy vendeve qoftë edhe përmes rikthimit me theksa të forta emocionale në problemet e njohura të reja ose të vjetra mund të thellojnë mosmarrëveshjet midis dy vendeve”, – deklaroi historiani Paskal Milo.

Ministri Bushati

Për ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, krahas integrimit, rritja e ndikimit te Shqipërisë ne rajon është vendosur tashme në axhendën zyrtare. Në konferencë, kreu i diplomacisë shqiptare bëri të ditur qëndrimet e reja të politikës së Jashtme të vendit duke theksuar: “Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës përbëjnë dhe do të përbëjnë prioritet konstant të politikës sonë të jashtme në rajon. Gjithashtu ne jemi qeveria e parë që e kemi përfshirë në program trajtimin e çështjes çame, në përputhje me normat e gjithë pranuara të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Përparësi kryesore do t’i jepet diplomacisë energjetike, sidomos pas nënshkrimit të projektit të gazsjellësit TAP. TAP do të jetë një projekt paqeje dhe transformimi ekonomik dhe social”, – tha Bushati. Në këtë pikë, ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo pohoi se “maqedonizimi” i marrëdhënieve Shqipëri – Greqi, siç emërtoi ai një konflikt të mundshëm, nuk i duhet as Greqisë në krizë të thellë ekonomike dhe as Shqipërisë nuk i duhen bllokues te integrimit. Milo kërkoi një trajtim te kujdesshëm te çështjes, duke theksuar rëndësinë që ka Greqi në mbështetjen e vendit për integrimin në BE. Në këtë kontekst, ministri i Jashtëm theksoi se pavarësisht rekomandimit të Komisionit Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë një javë më parë, rezultati përfundimtar do të merret në dhjetor. “Për ne marrja e statusit kandidat në dhjetor është proces i mundshëm, por jo i përfunduar, sepse e konsiderojmë rekomandimin e Komisionit Evropian, si nxitje për reforma të mëtejshme në fushën e sundimit të së drejtës dhe jo si medalje apo trofe”, – tha Bushati. Ndërkohë lidhur me sugjerimet e historianeve dhe diplomatëve ne konferencën e djeshme, ministri Bushati deklaroi se suksesi i politikes se jashtme te Shqipërisë varet se pari nga suksesi i politikes se brendshme, duke nënvizuar angazhimin për të adresuar një sërë çështjesh ende të pazgjidhur në kuadrin e politikës së jashtme.

 

 

Akademia e Arteve dhe e Shkencave

Më 31 janar, Gjykata e Tiranës miratoi krijimin e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, e cila u themelua më 17 dhjetor 2011. Në përbërje të saj janë emra të njohur të artit, kulturës, shkencës shqiptare, si Ismail dhe Helena Kadare, Inva Mula, Ermonela Jaho, Fatos Tarifa, Limoz Dizdari, Pëllumb Xhufi, Isuf Kalo etj. Në mbledhjen e themelimit të saj, Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave zgjodhi President Nderi të saj shkrimtarin Ismail Kadare.

 

 

Prezantimi i progres-raportit

Sequi: Shoqëria civile, aktor kyç i demokracisë

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi, u prezantoi dje përfaqësuesve të shoqërisë civile progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë ku rekomandohet dhënia e statusit të vendit kandidat. Në tryezën me temë “Aktorët e shoqërisë civile dhe integrimi evropian”, Sequi vlerësoi rolin e shoqërisë civile në procesin e integrimit të Shqipërisë dhe inkurajoi përfaqësuesit e kësaj qeverie të vijojnë bashkëpunimin me qeverinë, lidhur në këtë drejtim. “Shoqëria civile është një komponent kyç i çdo sistemi demokratik. Duke marrë parasysh progres-raportin, KE rekomandoi që Shqipërisë t`i jepet statusi i vendit kandidat në mënyrë që ajo të vijojë të marrë hapa në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Është e qartë që ende ka reforma dhe sfida të vështira që i kemi përpara”, – tha Sequi, duke rinënvizuar edhe njëherë se KE kërkon nga Shqipëria plotësimin e 5 prioriteteve të kërkuara për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. “KE nuk po thotë që ne jemi të gatshëm që do çelim negociatat për anëtarësim, por që ne kemi besim se do çelen negociatat nëse zbatohen këto prioritete që ne kemi theksuar”, – u shpreh kryediplomati i BE-së në vend, Ettore Sequi.

 

Ish-deputeti i PS-së

Arben Malaj: Qeveria të ketë kujdes me administratën, ndryshimet në masë shkaktojnë humbje në zgjedhje

Lëvizjet e shumta në administratë kanë pasoja të rënda elektorale. Kështu deklaroi dje ish-ministri i Financave, Arben Malaj, duke theksuar se lëvizjet e fundit të qeverisë ngjasojnë me ato të ekzekutivit “Berisha” në vitin 2005. Duke u rikthyer në kohë, Malaj vuri në dukje se në 2005-ën u miratua me konsensus një ligj, megjithëse të djathtët nuk e zbatuan. Ish-deputeti socialist pohoi se struktura e qeverisë duhet t’i japë një rol më të qartë ministres për Administratën Publike, kur vjen fjala te rekrutimet. “Bazë është ligji i administratës. Qëndrueshmëri e strukturës së qeverisë, qëndrueshmëri e strukturave të ministrive kryesore, skemë e qartë e funksionimit dhe vendimmarrjes dhe dokument i qartë kontraktual me çdo punonjës të administratës publike për të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë”, – tha ai për “abc news”. Duke paralajmëruar qeverinë për të qenë ë kujdesshme me administratën, Malaj kujtoi se lëvizjet e shpeshta shkaktojnë disfata elektorale. “Edhe kolegë të PD-së e kanë të qartë se humbja erdhi si e ndërtuan apo keqpërdorën një pjesë të administratës publike”, – deklaroi ai.

 

Linja e interkonieksionit

Ambasadori gjerman Hoffman: Është humbur kohë, ka shanse për përfundimin e projektit

Ambasadori gjerman Helmut Hoffmann deklaron se ndërtimi i linjës së interkonieksionit Shqipëri – Kosovë duhet përfunduar sa më shpejt sepse sipas tij deri më tani është humbur shumë kohë. Hoffman theksoi se më e rëndësishmja për momentin është angazhimi për të realizuar këtë projekt të rëndësishëm energjetik. “Është një temë që nuk dua ta diskutoj në publik por mund të them vetëm se fatkeqësisht kohë në implementimin e këtij projekti të rëndësishëm. Por tashmë duket se gjërat janë në rrugë të mirë dhe kjo është me rëndësishme. Nuk dua të flas për detaje të këtij projekti por vlerësoj edhe faktin se kryeministri ka treguar shumë interes dhe për këtë më mirë të shohim të ardhmen pasi duhet të punojmë sa më shpejt për të përfunduar projektin”, – theksoi ambasadori. Deklarata e ambasadorit gjerman vjen një ditë pasi Kryeministri Edi Rama u shpreh në një intervistë për “DW” se Shqipëria i detyrohet një ndjesë Gjermanisë për këtë projekt të rëndësishëm.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency