Intervista për “RAI 3” Rama: Italianët? Shqiptarë të veshur me Versaçe

0
132

Gëzim Saliu

Kryeministri: Duhet dhe mund të jemi pjesë e BE-së. TAP është një projekt që na bashkon më shumë me Italinë

 

Rama intervisteVetëm pak ditë pasi Komisioni Europian rekomandoi dhënien e statusit kandidatit për Shqipërinë, televizioni italian  “RAI 3” i ka kushtuar një reportazh vendit në kuadër të rrugës së tij drejt integrimit evropian. Emisioni “Est Ovest” që prej 10 vitesh ndalet në problematikat e vendeve të Evropës Lindore analizoi dje situatën në Shqipëri dhe ndryshimet që pritet të ndodhin në vend me ardhjen e qeverisë së re. Në përshkrimin e kryeministrit Rama si një artist që si kryetar bashkie ngjyrosi qytetin, por që tashmë sheh drejt perëndimit, gazetari italian theksoi se Italia cilësohet si partneri kryesor tregtar e kulturor i Shqipërisë. I pyetur për lidhjen mes Shqipërisë dhe Italisë, kreu i qeverisë pohoi,:  “Italia është Shqipëria e veshur nga Versaçe. Jemi shumë të ngjashëm. Shqipëria është Italia e gjyshërve tuaj. Italia ka bërë për Shqipërinë përmes gjithë qeverive, detyrën e një fqinji që vënë pjesë në të njëjtin kopsht shtëpie. I jemi shumë mirënjohës”, tha ai.

BE dhe Italia

Emisioni i djeshëm i “RAI 3”, i cili mbante titullin  “Era Rama”, u ndal gjerësisht tek përgjigja pozitive e KE-së për statusin e kandidatit, për të cilin gazetari italian pohoi se zgjedhjet e qeta të 23 qershorit që i dhanë fund tensionit politik ishin një faktor pozitiv.  Në këtë pikë, kryeministri Rama tha se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet prioriteti kryesor i Shqipërisë.  “Jemi në mes të Evropës dhe duam të bëhemi pjesë e familjes së Bashkimit Europian. Do të jetë një rrugë drejt vetes sonë si evropianë, që duhet dhe mund të jemi pjesë e BE-së”, u shpreh ai. Ndërkohë i pyetur për projektin TAP, i cili lidh Shqipërinë, Greqinë dhe Italinë, ku në reportazh cilësohet si ndër më të rëndësishmit për 3 vendet, kreu i qeverisë u shpreh i bindur se projekti do realizohet. “Projekti TAP është një projekt që na bashkon më shumë. Pata mundësinë të flas me kryeministrin tuaj dhe jam i sigurt se do të jetë më i rëndësishmi mes nesh dhe Italisë”, tha Rama. Ndërkohë në emision ishte përfshirë edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në vend Ettore Sequi, i cili analizoi raportin e KE-së për statusin e vendit kandidat. “Shqipëria po punon për realizmin e reformave të nevojshme. Në fund të dhjetorit, Këshilli do të vendosë nëse do japë statusin e kandidatit. Është e rëndësishme të shohim angazhimin me të cilin po punohet për të realizuar reformat kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformat ekonomike”, tha ambasadori i BE-së. Më 16 tetor, Komisioni Evropian propozoi që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, duke rënë dakord që të vazhdohej lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kryeministri i vendit e cilësoi këtë rekomandim të KE-së si një inkurajim për reforma të mëtejshme të qeverisë së re, duke theksuar se nuk ka asnjë arsye për të festuar. Ndërkohë opozita e cilësoi si një ndër arritjet më të mëdha dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Sipas të djathtëve, e vetmja arsye e mungesës së entuziazmit të qeverisë ishte fakti se merita më e madhe për marrjen e statusit i takonte ekzekutivit të paraardhës të drejtura nga PD.

 

Reforma administrative

Ministri i pushteti vendor: Duhet bërë para zgjedhjeve të 2015-ës. Kreu i shoqatave: Vetëm në 2019

Qeveri e cilëson si një domosdoshmëri reformën administrative në vend, duke theksuar se mundësitë për përfundimin e saj para zgjedhjeve vendore të 2015-ës janë të mëdha. Ministri Shteti për Çështjet Vendore Bledi Çuçi deklaroi dje se Shqipëria sot vuan nga mungesa e një qeverisjeje të vërtetë vendore në shumë komuna të vendit. “Statistikat janë alarmante për sa i përket funksionimit të qeverisë vendore në një pjesë të madhe të territorit të Shqipërisë. Sa për ta ilustruar mund të them që ka komuna të tëra që nuk japin shërbime fare për komunitetet, ka komuna që nuk realizojnë të ardhura, zero të ardhura për buxhetet e tyre, ka komuna që shpenzojnë 80-100 përqind të buxhetit të tyre vetëm për pagat e punonjësve të tyre. Kur flas për këto komuna është në nivelin 50 % e komunave të Shqipërisë. Një nga shkaqet kryesore është fragmentimi i madh i hartës së Shqipërisë, e ndarë në një numër shumë të madhe komunash. Kështu që Shqipëria ka një nevojë urgjente të rishikimit të hartës administrative-territoriale”, tha  Çuçi për Top Channel. I pyetur specifikisht për kohën se kur kjo reformë mund të përfundojë, ministri tha se,: “Koha është më se e mjaftueshme po të kesh vullnet për ta bërë një gjë të tillë dhe modelet europiane që na vijnë flasin për një periudhë 1-vjeçare ose më tepër të zbatimit të reformave territoriale. Por ajo që dua të them është që ne nuk jemi në pikën zero për reformën. Ne e kemi nisur të paktën me pjesën e analizës, për të evidentuar nëse ka nevojë Shqipëria për një reformë territoriale apo jo, tashmë këtë e kemi kaluar”. Ndërkohë drejtuesi i Shoqatës së Komunave Agron Haxhimali vlerësoi reformën por theksoi se koha më e mundshme ëpr përfundimin e saj përputhet me zgjedhjet vendore të 2019-ës. “Ne gjykojmë që kjo reformë duhet bërë dhe duhet të mbyllet në vitin 2019. Edhe nga studimet tona dhe në rekomandimin që i është bërë qeverisë nga Shoqata e Komunave është që të ketë një përgjysmim të njësive të qeverisjes vendore. Mendojmë që mund të kemi rreth 160 njësi të qeverisjes vendore dhe ne mendojmë që pas zgjedhjeve lokale të 2015, të kemi këtë hartë me 160 njësi vendore”, tha Haxhimali.

 

 

 

Gara në Korçë

Kandidati i PD, Stratobërdha: Ristrukturim të pedonales, jo premtimeve utopike

Në vijim të fushatës së tij, kandidati për Bashkinë e Korçës, Sotiraq Stratobërdha, i cili garon nën siglën e “Aleanca për qytetarinë korçare” u ndal dje tek “Parkut “Rinia”, ku për pedonalen tha se do i kushtohet një rëndësi e veçantë gjatë mandatit të ardhshëm.  Ai tha se nuk mund të premtojë projekte me shifra astronomike të parealizueshme, por premtoi rivitalizimin e bimësisë së parkut, rregullimin e rrugicave të parkut, por edhe krijimin e monopateve deri tek ish-gjeologjia, në mënyrë që qytetarët korçarë të kenë mundësi të shëtisin në të gjithë zonën e parkut “Rinia”.  “Gjatë 7 viteve, bashkia aktuale ka hedhur lek pafund për të prishur asfalte dhe për të ndërtuar pedonale duke i mbushur asfaltet me tulla. Por, këtu ku është pedonalja e vërtetë e qytetit të Korçës mungojnë investimet. Mjafton të shikosh gjendjen në të cilët ndodhet. Rrugët janë të shkatërruara, liqeni ka vite që nuk funksionon, edhe pemët dhe gjithë bimësia e këtij parku ka nevojë për një ristrukturim, ka nevojë për një ripërtëritje, për një organizim më të mirë për ta bërë atë sa më komod për qytetarët”, u shpreh Stratobërdha.

 

Këshilli i Qarkut

Të djathtët humbin shumicën në Lezhë

Koalicioni i djathtë ka humbur dje mazhorancën në Këshillin e Qarkut të Lezhës, duke zgjedhur në postin e nënkryetarit të këtij këshilli Gjokë Noka, përfaqësues i së majtës. Kandidati i majtë ka marrë 21 vota, ndërsa përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Preng Lala ka marrë 9 vota, ndërsa 6 këshilltarë kane abstenuar. Në fillim të mbledhjes, kreu i Qarkut të Lezhës, Pashk Gjoni ka kërkuar që të zhvillohet një votim i qetë, dhe pa tensione. Posti i nënkryetarit të Qarkut të Lezhës kishte mbetur vakant, pas largimit të Mhill Fufit, i cili në zgjedhjet e 23 qershorit u zgjodh deputet i Partisë Demokratike. Mazhoranca në qarkun e  Lezhës i përkiste koalicionit të djathtë, por nënkryetarit i ri ka marrë edhe votat e përfaqësuesve të së djathtës.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency