Mazhoranca, gati riformatimin e KQZ-së, ekspertët tregojnë dy rrugët e mundshme

0
108

Florenc Drizari

Ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume: Administrata zgjedhore të jetë e depolitizuar

 

Dje-gjatë-mbledhjes-së-KQZPas përfundimit të zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Korçës në fillim të nëntorit, ndryshimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pritet të jetë çështje ditësh. Përfaqësues të qeverisë kanë thënë se përbërja aktuale e KQZ-së është e cunguar dhe bashkë me këtë, edhe legjitimiteti i komisionit më të lartë të administrimit zgjedhor në vend. Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirian Celibashi, i cili ka qenë edhe ish-kryetar i KQZ-së, ka thënë para pak ditësh se mazhoranca është e vendosur për të ndërhyrë në përbërjen aktuale të KQZ-së dhe për këtë ai ka kërkuar edhe konsensusin e opozitës në gjetjen e një formule të re. Ndërkaq, ekspertë zgjedhorë brenda Partisë Socialiste kanë deklaruar se procesi i rikompozimit pritet të fillojë pas mbylljes së procesit zgjedhor në Bashkinë e Korçës, zgjedhje vendore të cilat mbahen si pasojë e dorëheqjes që dha pak javë më parë Niko Peleshi, për t’u emëruar zv.kryeministër në qeverinë “Rama”.

Kristaq Kume

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, në një prononcim për gazetën “Standard”, shpjegoi mundësitë që mund të ndiqen nga mazhoranca apo grupe të interesuara për riformatimin e KQZ-së. Sipas tij, ka dy rrugë të mundshme nëse kërkohet riformatimi i këtij institucioni. Mënyra e parë që mund të ndiqet sipas tij, është që ndryshimi i Kodit Zgjedhor.

“Duhet të kemi të qartë se ç’kuptojmë me temin riformatim. Nëse me këtë term do të kuptojmë një formulë ndryshe nga kjo e sotmja në formimin e KQZ-së, është e mundshme të bëhet pas kësaj, vetëm nëse ndryshohet Kodi Zgjedhor. Pas ndërhyrjes në Kod, atëherë ligjvënësi ndërton ligj tjetër, duke përfshirë këtu edhe formulën”, – shprehet z. Kume.

Duke argumentuar për rrugën e dytë që mund të ndiqet për riformatimin e KQZ-së, z. Kume thotë se palët e interesuara duhet të gjejnë shkelje në kodin zgjedhor për shkarkimin e anëtarëve aktual.

“E dyta, nëse me riformatim kuptohet mosndryshimi i Kodit Zgjedhor dhe të ruhen të njëjtat parime të këtij institucioni, por njerëzit të ndryshohen; jemi në kushtet ku sot ky institucion ka nevojë për tre anëtarë. Pra, nëse do të kuptohet përfshirja e tyre në këtë proces, do të duhej dhe është e domosdoshme që mazhoranca aktuale ose të interesuarit, të gjejnë fakte nëpërmjet të cilëve mund t’i referohen Kodit Zgjedhor, në nenin në të cilin parashikohet ndërprerja e mandatit. Të gjenden fakte ku të provohet siç thuhet në Kod, ku me veprimet ose mosveprimet e tij, anëtari i KQZ-së ka ndikuar negativisht në mbarëvajtjen e punëve në KQZ. Këto janë dy rrugët”, – thotë Kristaq Kume, i cili cilësohet si një ndër ekspertët e pavarur në fushën e zgjedhjeve në Shqipëri.

Nëse do të ndiqet rruga e parë, ajo e ndërhyrjen në Kodin Zgjedhor, për rrjedhojë edhe ndërprerja e mandateve të anëtarëve aktual, për z. Kume, atëherë sipas kushteve që do të vendosë formula e re, nuk ka pse të mendohet që të ketë kufizime për anëtarët që janë sot.

Në fund ai jep mendimin e tij për mënyrën sesi duhet të jetë administrata zgjedhore. Për këtë ai vë theksin tek një administratë jashtë radhëve të politikës dhe përzgjedhja e anëtarëve të bëhet mbi bazën e funksionimit të administratës publike.

“Unë kam këmbëngulur në atë që duhet të punohet që administrata zgjedhore, jo vetëm KQZ, por edhe hallkat e tjera të kësaj strukture të ndërtohen mbi bazën jo të përfaqësimit politik. Ideja është që nesër të kemi një administratë zgjedhore jo politike në kuptimin e përfaqësimit politik, ose lidhjeve politike që mund të kenë anëtarë të kësaj administrate me partitë. Pra, një administratë që ndërtohet mbi bazën e asaj që ndërtohet administrata publike, meritokracia etj., etj. Është në parim shumë më e mirë se çdo zgjidhje tjetër që shoqërohet me ngarkesa politike. Kjo nuk është e lehtë të bëhet sepse flitet për një administratë që administron votën dhe merr vendime se kush do të marrë pushtetin. Fakti që mazhoranca aktuale nëpërmjet përfaqësuesit, z. Celibashi, është shprehur se ka si objektiv të realizojë një komision qendror i cili të ketë sa më pak mundësi për t’u ndikuar nga politika, është shumë domethënëse. Pra, jemi në kushtet ku mazhoranca heq dorë nga të zgjedhurit mazhorancë në këtë institucion, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë”, – deklaroi Kristaq Kume.

 

 

Përbërja e KQZ-së, Celibashi: Do të ndryshohet formula, në konsulta ftojmë edhe opozitën

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirian Celibashi, ka deklaruar pak ditë më parë se mazhoranca është e gatshme të ndërmarrë iniciativën për riformatimin e KQZ-së me një formulë të re. Sipas tij, përbërja aktuale e komisionit funksionon me legjitimitet të cunguar dhe për këtë, ai ka ftuar edhe përfaqësuesit e opozitës të bëhen pjesë e dialogut për gjetjen e një formule të re.

“Qëndrimi ynë ndaj KQZ-së nuk ka ndryshuar, është i njëjti me atë që ne kemi mbajtur edhe kur ishim ne opozitë dhe tashmë në mazhorancë. Ky institucion, në mënyrën se si u operua në mënyrën e ndryshimin e përbërjes se tij, e ka humbur besimin e palëve si një arbitër i paanshëm. Ne e konsiderojmë institucion me legjitimitet të cunguar dhe munguar, prandaj gjykojmë se duhet të rikthehet legjitimiteti dhe te përcaktojmë bashkërisht se cila do te ishte formula për të pasur një institucion larg ndikimeve politike dhe të karakterizohet nga paanësia dhe profesionalizmi”, – ka thënë ministri Celibashi.

Ka ardhur koha, sipas tij, që “të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për palët, mes opozitës dhe pozitës, dhe t’i japim këtij institucioni besueshmëri. Të mos jetë një konsensus për hir të konsensus, por te jetë një institucion realisht i pavarur”.

 

 

Braçe: Ushtrimi i biznesit të lojërave të fatit duhet të ndalohet me ligj

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, thotë se lojërat e fatit duhet të ndalohen me ligj. Sipas deputetit socialist, kjo që po ndodh pas operacionit kundër kumarit, kërkon një zgjidhje edhe më të egër. Policia e Shtetit nisi pak ditë më parë operacionin më të gjerë që është zhvilluar ndonjë herë kundër lojërave të fatit dhe pikave të basteve të paligjshme, duke bllokuar 540 pika në të gjithë vendin.

Gjatë një komenti në profilin e tij në internet, deputeti i Partisë Socialiste thotë se operacioni i lartpërmendur duhet të vazhdojë në një gamë më të gjerë. Sipas tij, jo vetëm duhet falënderuar ministri i Brendshëm, drejtori i ri i Policisë së Shtetit për këtë nismë, por duhen ndihmuar. “Tani duhet ndaluar me ligj; ushtrimi i biznesit të lojërave të fatit në këtë vend!! Le të mbledhë Naimi dhe Lejla gjithë liberalët e botës e të PROTESTOJNË! Ky biznes duhet të mbyllet; me ligj!

Është kriminalizuar deri në palcë, ka përthithur brenda tij segmente të forta të krimit të organizuar vendas e rajonal, financohet nga para të pista ardhur nga aktivitete kriminale, është ushtruar në kushte paligjshmërie të plotë, ka blerë e për pasojë ka kapur nëpunës të Tatimeve, Doganave, njësisë së Lojërave të Fatit, Policisë së Shtetit. Kjo është më e rrezikshme dhe e dëmshme se prishja e biznesit të kumarit!”, – shkruan Braçe në profilin e tij në “Facebook”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency