Analisti gjerman/ Kevin Körner: Shqipëria ka nevojë për reforma për një ekonomi më të qëndrueshme

0
118

Kevin Körner–  Ekonomia shqiptare nuk është në pozita të forta, mendon Kevin Körner, analist pranë Deutsche Bank

 

DW:Si e shikoni gjendjen e ekonomisë shqiptare?

 Kevin Körner: Për momentin ekonomia nuk është pozita të forta. Nëse shikojmë zhvillimin ekonomik në kursin e krizës, mund të themi që Shqipëria nuk është prekur shumë, ashtu si disa vende të tjera të rajonit. Pastaj duke nisur nga viti 2012 rritja ra në shifrën 1,3 përqind dhe në 2013 me 0,4 përqind, kjo është shifra më e ulët në 15 vitet fundit. Por për vitin 2014 situata është përmirësuar, presim që rritja do të jetë pak më e fortë dhe gjithë vitin do të jetë rreth 2%.

Nëse shikojmë sektorin e eksportit, Italia është partneri kryesor i Shqipërisë me 40% të eksporteve. Por Italia edhe këtë vit pritet të jetë në recension. Kjo do të thotë se edhe eksportet shqiptare do të ndiejnë vështirësinë që po kalon Italia. Një tjetër vend i rëndësishëm për Shqipërinë është Greqia, veçanërisht kur flitet për remitancat. Një pjesë e madhe kapitalit që përdoret nga qytetarët shqiptarë vjen nga remitancat nga jashtë vendit, e sidomos nga Greqia dhe Italia. Në vitin 2011 remitancat nga Italia dhe Greqia ishin 85%, pra rreth 9% të GDP të atij viti, çka është një shumë e madhe. Nëse kriza do të vazhdojë për disa vjet ashtu, siç po ndodh në Greqi, sigurisht që të ardhurat nga remitancat do të jenë më të vogla dhe kjo do të prekë edhe familjet shqiptare. Por Shqipëria nuk është vendi i vetëm i prekur. Kroacia do të jetë sërish në recesion këtë vit, po ashtu dhe Serbia nuk është në gjendje të mirë.

 

DW: Po sa i përket tregut financiar?

Tregu financiar në Shqipëri zotërohet në pjesën më të madhe nga bankat e huaja, ka banka nga Italia e Greqia e vende të tjera. Ato duan konsolidojnë balancat në vendet e tyre dhe kanë nisur të kufizojnë kreditë. Edhe kushtet për të dhënë kredi janë përkeqësuar. Kompani apo individë që papritur kanë humbur punën, apo kompani që janë prekur nga rritja e vogël ekonomike vitin e shkuar, do të jenë në kushte të vështira për të paguar këstet e kredive dhe kjo çon tek kreditë tek këqija. Kreditë e këqija para krizës ishin në nivelin 4%, ndërsa tani rreth 25%. Natyrisht që një gjendje e tillë e bën sektorin bankar të shtrëngojë kredidhënien. Nga ana tjetër edhe kompanitë nëse shohin se zhvillimi ekonomik nuk do të jetë në rritje, nuk do të marrin kredi për të zgjeruar bizneset, për shkak të frikës së mos paguarit të kredisë.

Për vitin 2013 pati një rënie të kreditimit për sektorin privat. 63 përqind e kredive në Shqipëri janë në monedhë të huaj. Nëse shohim zhvillimet e viteve të fundit, që prej fundit të vitit 2009 patëm një rritje të kredive të këqija dhe u prekën më shumë kreditë në valutë të huaj dhe jo ato në lek. Por tani duket se kredidhënia në Shqipëri po rritet, por jo në monedhë të huaj.

 

DW: Si ndikon përdorimi i Euros në tregjet shqiptare?

Fenomeni i eurozimit nuk është vetëm në Shqipëri. Në Kroaci përqindja e kredive në Euro është pak më e lartë, në Maqedoni është pak më e ulët, por të gjitha kanë një përqindje të konsiderueshme kredish në Euro. Arsyeja kryesore është se atje shkojnë banka të huaja dhe për to është e përshtatshme të bëjnë biznes në valutën e tyre, sepse nuk përballen me rreziqet e tregut valutor. Por ato përballen me rreziqet e kreditimit sepse nëse ndodh diçka, si psh kriza financiare tani, do të ndikojë tek kursi i këmbimit dhe njerëzit do të kenë të vështirë të paguajnë kreditë.

 

DW: Pra mund të ketë efekte negative?

Efekte negativ mund të jetë rrudhja e kreditimit, por kjo nuk mund të jetë gjithmonë kështu. Nëse kthehemi në vitet 2000 kur bankat perëndimore filluan të investojnë në Evropën Lindore, ato patën një rol të rëndësishëm atje, sepse shkuan dhe dhanë kredi. Kjo gjë ndodhi edhe me Shqipërinë. Ato ndihmojnë ekonominë të rritet. Ato japin para që vijnë nga jashtë. Për një bankat perëndimorë kur shkojnë në një treg jo shumë të qëndrueshëm, ato preferojnë të japin në fillim kredi ne Euro ose dollarë sepse e dinë që nuk kanë rrezik monetar. Sepse në rast krize monedha e atij vendi mund të zhvlerësohet dhe më pas kur banka ta kthejë në Euro, humbjet do të jenë më të mëdha.

 

DW: Çfarë do të thotë kjo për biznesin dhe njerëzit e thjeshtë?

Ata do të marrin para që nuk do të mund t’i merrnin, ose jo në atë shumë. Kjo është pozitive. Këto banka kanë çuar para në rajon dhe i japin ndihmë ekonomive të këtyre vendeve. Bankat nuk kanë rrezik monetar, por nëse je klient i asaj banke dhe ke një kredi në valutë të huaj, je i ekspozuar nga faktorë të jashtëm që prekin kursin e këmbimit. Por edhe faktorë të brendshëm, për shembull nëse qeveria nuk bën si duhet punën e saj dhe ka probleme fiskale, investitorët nuk do të besojnë më tek qeveria. Por edhe faktorët e jashtëm që prekin kursin e këmbimit. Për shembull në vitin 2009 në fillim të krizës, leku u zhvlerësua me 15% ndaj Euros. Kjo krizë e prek shumë vendin sepse niveli i kredive në valutë të huaj është në nivel të lartë. Atëherë do të ndihen dhimbjet. Sepse jo vetëm është dobësuar ekonomia, eksportet janë ulur dhe është dobësuar leku, por njerëzit duhet të paguajnë më shumë për kreditë në valutë të huaj. Ky mund të jetë një problem.

 

DW: A mund të shihet një e ardhme në zonën Euro për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit?

Së pari vendet e rajonit duhet të futen në BE dhe për këtë duhen bërë shumë reforma. Shqipëria në veçanti duhet të luftojë kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit që është shumë i lartë, duhet të reformojnë sistemin ligjor, edhe shumë kushte të tjera që duhet të plotësohen. Më pas, pasi të jetë bërë pjesë e BE, hapi i fundit i integrimit shihet futja në Eurozonë, ku sërish janë kushte të tjera që duhet të plotësohen.

 

DW: Pra, do të jetë një rrugë e gjatë?

Se sa e gjatë do të jetë nuk mund ta themi. Si fillim ata duhet të plotësojnë të gjitha kushtet. Por ajo që mund të them se marrja e statusit kandidat është diçka pozitive sepse investitorët e shohin që këto vende janë drejt BE, edhe mund të afrohen.

 

DW: Deri në vitin 2020 Shqipëria do të marre 650 milionë euro në formë investimesh nga BE…

Për përmasat e Shqipërisë kjo është një shumë e madhe. Është një impuls i rëndësishëm për Shqipërinë për të plotësuar të gjitha kriteret. Nëse shohim situatën tani në Shqipëri, qeveria ka një shumicë të konsiderueshme në parlament për të bërë reforma, bashkëpunojnë me FMN dhe ka disa tregues pozitivë, si për shembull mbledhja e taksave.

Një rëndësi të veçantë për investitorët e huaj është stabiliteti politik. Vendet që nuk kanë stabilitet politik do të kenë probleme të mëdha me kompanitë që investojnë atje. Në Shqipëri tani është e rëndësishme të bëhen reforma që janë në të mirë të sektorit të biznesit, si për shembull për të drejtën e pronës, sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit

 

(Publikohet me shkurtime nga radioja “Deutsche Welle”. Kevin Körner është analist në Departamentin e Kërkimeve të Deutsche Bank. Ai është përgjegjës për Evropën Juglindore)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency