Reformë e dytë për ish-drejtorët, në janar shkrihet sektori i Studimit

0
143

Elton Qyno

Ish-drejtuesit më të lartë rrezikojnë të nxirren në reformë ose të transferohen në rrethe si specialistë

Në rrezik dhe vendi i Hysni Burgajt. Tahiri kërkon të transformojë Akademinë Policore në universitet

 

policia-e-shtetit-ndertesa_3Ish-drejtorët e Policisë së Shtetit që kanë shërbyer në 12 qarqe të vendit dhe në drejtorinë qendrore, duket se shumë shpejt do të zihen sërish në reformë, e cila do të jetë më e rëndë se transferimi i pak ditëve më parë. Pikërisht të gjithë drejtuesit, që kanë shkuar specialistë në sektorin e Studimeve Strategjike, rrezikojnë që në vitin e kaluar të mbeten jashtë radhëve të policisë, duke dalë në reformë. Kjo, për shkak se në Ministrinë e Brendshme për momentin është duke u përpiluar një projekt për shkrirjen e sektorit të Studimeve Strategjike dhe për pasojë, të parët që preken nga këto ndryshime do të jenë sërish ish-drejtuesit më të lartë të policisë, duke filluar nga Tonin Vocaj, Bernard Çaushaj, Artan Cuku dhe të gjithë drejtuesit e tjerë të policisë. Reforma e policisë, që në fakt sapo ka nisur, nuk dihet nëse do të prekë dhe ish-kreun e Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i cili aktualisht drejton Akademinë e Policisë. Këtë institucion ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, kërkon ta kthejë në një universitet të studimeve policore, kriminalistike, juridike dhe investiguese.

Reforma në janar

Shkrirja e sektorit të Studimeve Strategjike pritet të bëhet në muajin janar të vitit të kaluar. Nuk dihet me saktësi se si do të procedohet me ish-drejtorët, tashmë të emëruar në këtë sektor, por burime pranë Policisë së Shtetit thanë se efektivët e policisë që tashmë qëndrojnë si specialistë në këtë sektor, ose mund të nxirren në reformë, ose mund të shërbejnë në rrethe si specialistë hetimi të krimit, duke u zbritur kështu në detyrë dhe gradë. Një gjë e tillë për momentin është duke u menduar me seriozitet, pasi reformimi i strukturës së Policisë së Shtetit është ende në proces e sipër. Në sektorin e Studimeve Strategjike për momentin janë caktuar dy zv.drejtorët Muharrem Furriku dhe Muhamet Rrumbullaku, ndërkohë që në këtë sektor është transferuar dhe Tonin Vocaj, që dikur mbante postin e drejtorit të Hetimit të Krimeve të Rënda në polici dhe, së fundi, pas dorëheqjes së Agron Kuliçit, zuri vendin e tij, atë të drejtorit të Hetimit të Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda. Në këtë sektor, janë caktuar dhe ish-drejtorët e policive në qarqe, duke filluar nga Bernard Çaushaj, Gjergj Jorgo, Artan Cuku dhe ish-drejtuesit e tjerë në qarqe.

Akademia-Universitet

Ish-drejtori Hysni Burgaj, që pak ditë më parë i dhuroi flamurin e Policisë së Shtetit drejtorit të ri, Artan Didi, gjatë vitit 2014 do të preket nga reforma dhe ka shumë gjasa që ai të ulet në gradë. Ministri Tahiri ka si projekt shndërrimin e Akademisë së Policisë në një universitet me degë të veçanta, ku studentët do të marrin mësime teorike dhe praktike rreth punës hetimore, sjelljes dhe policimit në komunitet. Nëpërmjet këtij plani e gjithë Akademia do t’i nënshtrohet një strukturimi të ri dhe në krye të saj do të jenë njerëz të tjerë. Një plan i tillë tregon se transferimi i Hysni Burgajt në krye të këtij institucioni ka qenë i përkohshëm dhe nëse plani për shndërrimin e Akademisë në universitet realzohet, atëherë edhe ish-drejtori i Policisë së Shtetit do të transferohet në një pozicion tjetër.

 

 

 

Tashmë disa dosje civile do të gjykohen me 3 anëtarë

Gjykata e Lartë, mbingarkesë dosjesh pas 3 vitesh ligji nuk shmangu ngarkesën

Me hyrjen në fuqi të paketës së re civile në 1 shtator, e cila parashikonte ndryshime në disa ligje të rëndësishme në fushën e drejtësisë, u mendua se qytetarët do ta kishin më të thjeshtë marrëdhënien e tyre me gjykatat. Kjo, sepse ndër të tjera me ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile ata do të harxhonin më pak para dhe kohë për të marrë drejtësinë e kërkuar. Por, me sa duket, nuk ndodh kështu të paktën sa u përket ndryshimeve që parashikohen në Gjykatën e Lartë. Me ndryshimet ligjore të Kodit të Procedurës Civile parashikohet që prej 1 shtatorit kur paketa ka hyrë në fuqi, të gjitha çështjet që gjykohen në Shkallë të Parë me një gjyqtar, do të gjykohen në Gjykatën e Lartë me tre 3 dhe jo më 5 anëtarë, siç parashikohej më herët. Kjo ndryshe do të thotë që do të rritet ndjeshëm shpejtësia e gjykimit. Mirëpo që kjo reformë e rëndësishme të japë rezultat e pritura, duhet të presim akoma, pasi ligjvënësi ka parashikuar se ndryshimet prekin vetëm dosjet e reja që pas 1 shtatorit të këtij viti drejtohen në Gjykatën e Shkallës së Parë, më pas në atë të apelit për të përfunduar në fund në Gjykatën e Lartë. Kjo do të thotë që duhet të kalojnë të paktën edhe dy vite të tjera, në rastin më të mirë, që këto dosje të vinë në Gjykatën e Shkallës së Lartë. Ndërkohë, mijëra dosjet që presin në këtë gjykatë për shqyrtim do të vazhdojnë të gjykohen me 5 anëtarë, nëse ligji nuk ndryshohet sërish për të përshpejtuar procesin. Sipas burimeve nga Gjykata e Lartë, që prej vitit 2008 e deri më sot janë regjistruar pranë këtij institucioni 10 mijë e 600 çështje. Një gjyqtar arrin të shqyrtojë rreth 120 çështje në vit, të cilat kalojnë më pas për gjykim ndërkohë që 250 të tjera po në një vit shqyrtohen në dhomën e këshillimit. Aktualisht, pranë kësaj gjykate ka ende shumë dosje të vitit 2008 të cilat po shqyrtohen këtë vit e shumë të tjera presin radhën.

 

Konsumimi i kërpudhave

Raste të reja helmimi 3 të prekur në Burrel

Tri raste të reja helmimi janë regjistruar sërish në Burrel. Një çift bashkëshortësh, 45 dhe 40 vjeç, si dhe një djalë 17-vjeçar nga një familje tjetër janë dërguar me urgjencë në spital, pasi kanë pësuar helmim nga konsumimi i kërpudhave. Sipas bluzave të bardha në Burrel, tre personat e helmuar gjenden jashtë rrezikut për jetën. Sipas të dhënave nga spitali i Burrelit, në 16 ditët e fundit janë shtruar me simptoma të helmimit nga kërpudhat të paktën 30 persona. Mjekët bëjnë të ditur se çdo ditë në këtë spital shënohen të paktën 5 raste të reja, disa prej të cilave i nënshtrohen terapisë mjekësore duke u shtruar, ndërsa të tjerë pasi marrin mjekimin e duhur kthehen në shtëpi. Helmimi nga kërpudhat ka shënuar viktimën e parë më 3 tetor. Një 12-vjeçare ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak në kryeqytet, pasi u helmua bashkë me 3 pjesëtarë të tjerë të familjes, prindërit dhe vëllain e saj, në fshatin Pleshtë të rrethit të Matit. Vajza 12 vjeçe ndërroi jetë pas 3 ditësh qëndrimi dhe trajtimi në spital.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency