Vrasja/ Konflikti për mbledhjen e bohçeve një i vdekur, dy të plagosur rëndë

0
111

Nëna dhe dy djemtë e saj u qëlluan nga tre kushërinjtë e tyre. Arrestohen dy, RENEA kërkon të tretin

 

Vendi i ngjarjes Një i ri u vra dhe dy vëllezërit e tij e nëna e tyre u plagosën rëndë gjatë një sherri me armë zjarri për pishat e prera në zonën e Gjirit të Lalëzit. Ngjarja ndodhi gjatë pasdites së djeshme dhe policia ka arrestuar Edmond e Xhevair Bushin, ndërsa Bledar Bushi është në kërkim. Ky i fundit kushëri me viktimën dyshohet të jetë autori kryesor i kësaj ngjarje të rëndë. Sipas policisë së Durrësit, Albert Bushi, 25 vjeç, nga Biza e Ishmit i cili mori plagë të rënda nga plumbat e pistoletës humbi jetën pak më vonë në Spitalit Ushtarak. Kurse Florenc Bushi, 19 vjeç, i plagosur, ndodhet në gjendje të rëndë. Vëllai i tretë, Altin Bushi, 22 vjeç, si dhe nëna e tyre ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Të dy gjatë ditës së djeshme dhe aktualisht po marrin mjekim në Spitalin Ushtarak. Nga informacionet e policisë, thuhet se gjithçka ka nisur me një sherr midis kushërinjve të cilët prej kohësh merreshin me mbledhjen e bohçeve të pishave. Duke qenë banorë të zonës, ata kishin ndarë dhe territoret e tyre. Por si duket përplasja ka ndodhur pikërisht për mosrespektim të kufirit që kishin paravendosur. Viktima me vëllezërit kishin prerë disa pisha dhe kjo ka shkaktuar që familjet kushërinj me njëri-tjetrin të kalojnë në vrasje.

Një në kërkim

Largimi nga vendngjarje dhe mos rënia në kohë e Bledar Bushit, ka bërë që policia e Durrësit të vihet në ndjekje të tij. Në ndihmë të efektivave të Durrësit kanë shkuar dhe forcat RENEA të cilat kanë rrethuar pyllin, ku mendohet të jetë fshehur autori i tretë i gjak derdhjes. Sipas dëshmitarëve, në momentin e ngjarjes, të dyja familjet ishin duke mbledhur boçe pishe në Gjirin e Lalëzit, ku dyshohet se janë konfliktuar për ndarjen e zonës. Shumë familje në zonën e Ishmit mbledhin bohçet e pishave në këtë periudhë, për ti shitur ato si bimë medicinale në tregun vendas.

Hetimet e policisë

Në vendngjarje kanë shkuar dhjetëra efektive policie dhe specialistë të hetimit të krimit, të cilat kanë marrë deklarimet e personave që kanë qenë pranë vendit të krimit. Ndërkohë që në vendin e krimit janë sekuestruar dhjetëra gëzhoja automatiku, si dhe arma e krimit. Në pyetje nga sa mësohet është marrë dhe nëna e të viktimës,e cila megjithëse e plagosur rëndë ka qenë në gjendje t’i tregojë policisë së Durrësit se autorët e këtij krimi të rëndë kanë qenë tre vëllezërit Bushi, ndërkohë që si shkak ka shërbyer mbledhja e bohçeve të pishave. Aktualisht, policia e Durrësit ka ngritur akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese të një ose më shumë personave”, ndërkohë që i gjithë hetimi është ndjekur nga një prokuror i rrethit të Durrësit.

 

Adriatik Myrta 

 I dënuari me burg përjetë ekstradohet nga Greqia

Nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, gjatë ditës së djeshme, rreth orës 18:15, u krye ekstradimi nga Greqia drejt Shqipërisë, i shtetasit Adriatik Myrta, vjeç 37, banues në Elbasan. Ky shtetas ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, me vendim të datës 30 prill 1999, e ka dënuar me “Burgim të përjetshëm”, për veprën penale “Vjedhje me pasojë vdekje”, parashikuar nga nenet 141, 25, 49 dhe 50/gj të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Ngjarja për të cilën shtetasi Adriatik Myrta është deklaruar fajtor ka ndodhur më datë 1.11.1997, ku ky shtetas në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë grabitur me armë një autobus dhe me pas kane vrare shtetasin Albert L. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tirana me Interpol-Athinën, më datë 21.6.2013, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Adriatik Myrta. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky shtetas iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

 

 

E reja denoncon prindërit për dhunë

 Dhuna në familje, regjistrohen 500 raste në muaj, ja shkaqet e denoncimeve

 Dhuna në familje çdo ditë e më tepër regjistron raste të reja, ku shumë gra dhe vajza dhunohen nga bashkëshortët dhe njerëzit e familjes, me të cilët jetojnë. Vetëm për një muaj, në të gjithë vendin Policia e Shtetit, ka regjistruar mbi 500 raste dhune në familje, ku pjesa më e madhe e rasteve të denoncuar, janë shoqëruar me urdhër mbrojtje në gjykatë. Sipas burimeve nga policia e Tiranës, aty ku është dhe numri më i lartë i denoncimeve, shumë denoncime vijnë nga gra që keqtrajtohet nga burrat, ndërkohë që ka dhe denoncime që fëmijët denoncojnë prindërit si pasojë e dhunës fizike dhe psikologjike. Denoncime janë bërë dhe nga të moshuar, që keqtrajtohen nga nuset e djemve me qëllimin e vetëm për nxjerrjen jashtë nga objekti dhe marrjen e shtëpisë. Vetëm, pak ditë më parë sipas burimeve të policisë ka ndodhur një rast i tillë, ndërkohë që në Policinë e Tiranës është regjistruar një rast i veçantë kallëzimi, ku Edrina Bosaj, ka denoncuar prindërit e saj për dhunë fizike dhe psikologjike, për shkak se nuk e lejonin të fejohej dhe jetonte me djalin që dashuronte. Kallëzimi në fjalë është marrë në konsideratë dhe se çështja në fjalë është ende në fazën e lëshimit të urdhrit të mbrojtjes. Ndërkohë që raste shumë të ngjashëm apo të kundërt nga ky regjistrohen në komisariatet e vendit me dhjetëra çdo ditë. Megjithëse policia ka marrë masat e nevojshme për shmangien e dhunës në familje, sërish ky fenomen vazhdon të jetë një plagë e rëndë për shoqërinë shqiptare.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency