Vendimi i Apelit/ I shpëton burgimit përjetë, dënohet me 25 vite burg vrasësi me pagesë

0
196

Sonja Caka

Vrasja e policëve, Apeli në fuqi vendimin e kolegëve të Shkallës së Parë. Akuza kërkoi burgim përjetë: Vrasja me porosinë e një shtetasi nga Nikla, dy vlonjatët u ndihmuan nga Shefqet Seferi

dritan_rexhepajApeli i Krimeve të Rënda konfirmoi dje dënimin me 25 vite burg për të pandehurin Dritan Rexhepaj, i akuzuar për vrasjen me pagesë të dy policëve në Krujë. Ashtu si dhe gjyqtarët e Shkallës së Parë, edhe kolegët e Apelit, duke pranuar gjykimin e shkurtuar, e kanë shpëtuar nga burgimi përjetë të cilësuarin nga akuza si vrasës me pagesë. I akuzuar për vrasjen në bashkëpunim të dy policëve në Krujë dhe një pronari lokali, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda e ka dënuar me 25 vite burg të pandehurin Dritan (Gramoz) Rexhepaj, i dyshuar si vrasës me pagesë. Mbi të pandehurin, Dritan Rexhepaj rëndon akuza e “Vrasjes për shkak të detyrës” së dy efektivave të policisë, Arben Keqi dhe Durim Kasmi në vitin 1999 në Krujë. Në ngjarje rastësisht u vra dhe pronari i një lokali në Krujë, Rami Bakiasi. I pandehuri së bashku me dy persona të tjerë, të shpallur të pafajshëm nga gjykata, akuzohen si vrasës me pagesë dhe që krimin e kanë kryer me porosi të shtetasit Shkëlqim Haka nga Nikla i Krujës. Sipas njërit prej vëllezërve të policit Keqi, Besnikut, vrasja është porositur nga Shkëlqim Haka (tashmë i vrarë) dhe për të zbuluar një fakt të tillë dhe mënyrën se si kanë rrjedhur ngjarjet, kanë bërë një hetim privat. Sipas Besnik Keqit, Shefqet Seferi ka qenë kallëzues për dy vlonjatët e paguar për krimin. Sipas akuzës, dy policët e Komisariatit të Krujës në verën e vitit 1999 kishin një konflikt me një person, i cili ka kërkuar nga Shefqet Seferi t’i organizonte ekzekutimin e tyre. “Seferi ka paguar dy vlonjatët, Rexhepi dhe Halilaj, për të kryer krimin mëngjesin e 27 gushtit të vitit 1999 në Krujë”, – është shprehur organi i akuzës gjatë parashtrimit të fakteve. Arrestimi i Sokol Halilajt u bë në shtetin fqinj, për t’u deportuar më pas në Shqipëri, pas vuajtjes së dënimit që kishte kryer atje për disa grabitje me dhunë. Ndërsa i pandehuri Dritan Rexhepaj, i arratisur nga qelitë e paraburgimit në komisariatin e Durrësit, është vënë në pranga nga autoritetet holandeze dhe pritet të ekstradohet së shpejti në vendin tonë. Sokol Halilaj dhe Shefqet Seferi janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, për mungesë provash, ndërsa dosja e Rexhepaj u kthye për rigjykim për shkak të një fletë-thirrjeje.

Akuzat

Sipas akuzës, Sokol Halilaj nga Gjormi i Vlorës dhe Dritan Rexhepaj po nga Vlora akuzohen si vrasës me pagesë të dy policëve të Krujës në vitin 1999. I pari, Halilaj, është tradhtuar nga arma me të cilën janë kryer vrasjet. Me të njëjtën armë që ka përdorur për vrasjen e kryer në Vlorë kur ka marrë pjesë në grabitjen e një arke kursimi në vitin 1997, Halilaj ka qëlluar edhe mbi dy policët e Krujës. Skema e vrasjes së dy policëve të Krujës në vitin 1999 ka qenë e njëjtë. Autori i vrasjes ka ndjekur të njëjtën rrugë dhe ka lënë në vendin e ngjarjes të njëjtën çantë. Sipas akuzës, i pandehuri është dënuar në Itali me 10 vite burg, por nuk është arrestuar asnjëherë nga drejtësia e këtij vendi. I pandehuri Sokol Halilaj, sipas organit të akuzës, akuzohet se në bashkëpunim me Dritan (Gramoz) Rexhepin dhe Shefqet Seferin kanë kryer vrasjen e dy policëve në Krujë, në vitin 1999. Ata dyshohet se i kanë kryer vrasjet kundrejt pagesës. Prokurori u shpreh se Arben Keqi, punonjës i Policisë Kriminale (roli bazë) në komisariatin e policisë Krujë, është vrarë me armë zjarri më datë 27 gusht të vitit 1999, pranë turizmit të këtij qyteti. Ky punonjës policie ishte plagosur dhe më parë, më datë 8 nëntor të vitit 1997, në kohën kur po kthehej nga një aksion për kapjen e personave, që kishin hapur zjarr mbi forcat e policisë. Ndërsa Durim Kasmi, punonjës policie i grupeve të gatshme të komisariatit të policisë Krujë është vrarë më datë 6 tetor të vitit 1999, ngjarje në të cilën ka mbetur i vrarë dhe pronari i lokalit ku u zhvillua ngjarja, Ramë Bakiasi, i cili është qëlluar rastësisht nga plumbat, pasi Bakiasi nuk ka qenë objekt i atentatit ndaj Kasmit. Prokuroria u shpreh se autorët e drejtpërdrejtë në vrasje kanë qenë Dritan Rexhepi dhe Sokol Halilaj, ndërsa i pandehuri Seferi ka ndihmuar për të gjetur viktimat dhe për të ndërmjetësuar takimin mes vrasësve dhe porositësit. Akuza bëri të ditur se dy të pandehurit nga Vlora nuk i kanë njohur policët që kanë vrarë, ndaj dhe janë ndihmuar nga i pandehuri Seferi.

 

Gjyqi

Dajti: Policët e vrarë ishin civilë ditën e ngjarjes, asnjë me shenjë policie

Dritan Dajti vijon dëshmitë e tij me akuza kundër policisë, duke deklaruar në gjyq se katër policët e vrarë nuk kishin shenja dalluese policie ditën e ngjarjes, duke shtuar se kanë qenë civilë. “Më akuzoni për vrasjen e 4 policëve, por ata ishin me veshje civile dhe kjo gjë është e faktuar. Viktimat Altin Dizdari, Fatos Xhani, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari ishin me veshje civile. Prokuroria po falsifikon faktet”, – është shprehur Dajti. Më pas ai është larguar nga salla e gjyqit, duke shtuar se do ta vijojë dëshminë në seancën e radhës. Në këto momente, gjykata konstaton se i kishin mbaruar edhe avokatët e listës kryesisht dhe për këtë arsye do t’i drejtohej me një shkresë Këshillit të Lartë të Avokatisë, ku të kërkonte caktimin e një avokati për seancën e radhës për të pandehurin. E gjendur përballë këtyre kushteve, pa të pandehur dhe pa avokatë mbrojtës, gjykata e Krimeve të Rënda, vendosi shtyrjen e seancës. Procesi gjyqësor ndaj Dritan Dajtit po zvarritet pafund, për shkak se drejtësia nuk ka gjetur ende një avokat që të marrë përsipër mbrojtjen e këtij të pandehuri. Të gjithë avokatët kryesisht, që gjykata cakton në këtë proces, refuzojnë të marrin përsipër mbrojtjen e interesave të të dyshuarit si autor i masakrës, duke nxjerrë justifikime nga më të ndryshmet. Madje, në një nga seancat e javës së kaluar është deklaruar se Komisioni i Ndihmës Juridike do ofronte një pagesë për avokatin që do mbronte të pandehurin, shumë e cila është kërkuar të dihet edhe nga Dajti. Por, ende nuk ka një avokat që të marrë përsipër mbrojtjen e këtij të pandehuri.

 

Takimi Naço – Perez

Asistenca në drejtësi do të vazhdojë me projektet Euralius dhe Lamp

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, ka marrë siguri dje nga ambasadori spanjoll z. Rafael Perez se asistenca në drejtësi do të vazhdojë me projektet ekzistuese Euralius e Lamp. “Vazhdimësia është e rëndësishme për ne, prandaj mbështetemi tek vullneti juaj për të vazhduar projektin Euralius. Qeveria ka ndryshuar, por shteti është po ai dhe nuk duhet të ketë ndërprerje. Kjo gjithashtu, është një nga pikat në të cilat këmbëngul edhe BE. Sikurse ju e dini, ne bashkëpunojmë me vendin tuaj edhe përmes projektit LAMP, që ka të bëjë me kadastrën. Konkretisht, në Lamp, Spanja mbulon 10% të financimit të projektit, i cili pritet të përfundojë në fund të 2014, ashtu siç e kërkon edhe Banka Botërore. Me këto projekte, ne tregojmë qartazi se jemi në frontin e transformimeve të vendit tuaj”, – u shpreh ambasadori spanjoll, Perez. Nga ana e tij, Ministri Naço vuri theksin tek mbështetja e Spanjës në disa reforma në drejtësi dhe vullnetin për t’i vazhduar ato më tej. “Reformat pozitive të deritanishme në Shërbimin e Provës, Mbikëqyrjen Elektronike të të Burgosurve, reforma në sistemin e Noterisë dhe dixhitalizimi i sistemit të drejtësisë, do të çohen më tej në bashkëpunim me stafin tim ministror. Por pa dyshim, do të kërkoja asistencën tuaj edhe për vazhdimin e tyre në të ardhmen. Aktualisht, Ministria e Drejtësisë po harton një projekt-draft për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, në mënyrë që të kemi një task-forcë të drejtuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Aktualisht, është një grup i vogël gjyqtarësh që merren me hetimin e krimeve, por mendoj që ata duhet të trajnohen më tej dhe gjithashtu, të kontrollohet edhe puna e tyre. Deri në nëntor, kur pritet të mbahet Konferenca Kombëtare Kundër Korrupsionit, ne do t’i kemi hedhur hapat e para kundër korrupsionit në drejtësi”, – theksoi ministri Naço.

Vendimi

Pezullohen nga funksionet 4 zyrtarë në hetim të Ministrisë së Punës

Gjykata e Tiranës ka marrë vendim të pezullojë nga funksionet publike katër zyrtarët që janë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës për shpërdorimet e fondeve me rastin e festave të 1 Majit. Kështu, 2 zyrtarë janë të arrestuar, 2 janë nën kërkim policor dhe katër të tjerë nën hetim në gjendje të lirë, konkretisht Roland Joanidhi, Alma Lahe këshilltare për median, Flora Bitusha drejtoreshë juridike dhe Gramoz Xhangolli. Deri në përfundim të hetimeve nga organi i akuzës, katër zyrtarët e mësipërm nuk do të paraqiten pranë detyrave që manin në Ministrinë e Punës, duke qenë në dispozicion të hetimeve për të dhënë dëshmitë e tyre lidhur me shkeljet e konstatuara nga KLSH, por edhe hetimi i Prokurorisë së Tiranës.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency