Rushdie dhe fatva

0
134

Rrëfim për fatvën dhe arratinë. Shkrimtari indiano-britanik Salman Rushdie nuk ka qenë deri tani i gatshëm të flasë për jetën e tij në ilegalitet. Sot është ndryshe. Një takim në festivalin e letërsisë në Berlin.

 imageSemans“A është vend i sigurt ky këtu?” Një gazetare përkulet përpara dhe pëshpërit: “Dua të them, a vlen ende fatva, apo?” Në shtëpinë e festivalit ndërkombëtar të letërsisë në Berlin prisnin të shtunën (14.8.2013) gazetarë, fotografë dhe kameramanë? Pas pak minutash romancieri indiano-britanik, Salman Rushdie, del në konferencë shtypi. Në vitin 1989 Ayatollah Khomeini shqiptoi kundër tij në Iran një fatva, e cila e dënoi atë me vdekje dhe me një jetë në arrati, duke e detyruar të ndryshojë vazhdimisht strehimin, nën mbrojtjen e policisë dhe me një identitet të ri.

 Çështja e sigurisë

Pseudonimi i tij për më shumë se dhjetë vjetë në ilegalitet, “Joseph Anton”, është edhe titulli i autobiografisë së tij, të botuar në vitin 2012, e cila trajton atë kohë. Kontrollet e sigurisë para konferencës së shtypit dhe gjatë leximit të mëvonshëm, që pritet me duartrokitje dhe brohoritje, janë megjithatë minimale.

Kontrolle çantash? Policë? Asnjë. Megjithatë, kur e pyesin, nëse ndihet i sigurt, autori 66-vjeçar reagon dukshëm i irrituar: “Nëse ju mendoni se keni nevojë për siguri, atëherë ju duhet të merrni masa”. Ai thotë se ndjehet për mrekulli. Dhe shton “më duket me të vërtetë dëshpëruese, që dy pyetjet e para, që ju më bëni, janë siguria dhe terrorizmi”. Rreth fatva-së, që u shqiptua mbi 20 vjet më parë e që megjithë kundër-fatva-të e dijetarëve tjerë islamikë është ende në fuqi, ai nuk do të flasë dhe këtë e bën mjaft të qartë. “Do të ishte mirë, po të më bënit tani disa pyetje letrare”. Fjalën “fatva” ai nuk e përdor.

Jeta në ilegalitet

Në librin e tij autobiografik Salman Rushdie përshkruan vitet, kur fshihej, se jeta e tij ishte në rrezik. Dhe gazetarët i bëjnë pyetjet, megjithëse me hezitim: Përse ka zgjedhur titullin “Joseph Anton” për autobiografinë e tij? Rushdie buzëqesh. Pseudonimi tregon sa e “çuditshme” ka qenë ajo kohë. E kishin këshilluar që të zgjidhte një emër, që nuk tingëllonte “indisht”. “Unë duhej të hiqja dorë njëkohësisht nga identiteti dhe nga prejardhja ime etnike”. Në fakt është në natyrën e tij të trillojë tregime, thotë ai. Por autobiografia e tij bazohet në fakte dhe shifra. Këtë ai e sheh si detyrë të tijën, fundja ai ka qenë për një kohë në qendër të një “ngjarjeje, që përbënte lajm historik”.

 

Djegie librash dhe kërcënime me vdekje

 

Shkas u bënë “Vargjet satanike”, një roman, që ishte “kundër islamit, profetit dhe kuranit,” Kështu e argumentonte Ayatollahu iranian Khomeini thirrjen e tij për vrasjen e Rushdiut. Kjo u pasua nga djegia e librave dhe nga kërcënimet me vdekje, madje edhe ndaj përkthyesve dhe botuesve, që guxonin të shpërndanin librin. Me pak fjalë, “përvoja më e keqe e jetës sime”, shprehet shkurt Rushdie. Por edhe në vitet në arrati “shkrimtari i vogël brenda meje më rrinte ulur mbi sup dhe më pëshpëriste se kjo është një histori vërtetë e vlefshme për t’u shkruar”. Rushdie qesh. Megjithatë: “sigurisht që do të dëshiroja shumë, që e gjithë kjo të kishte qenë vetëm imagjinatë”. Atij i është dashur një kohë e gjatë për ta përpunuar historinë dhe për të gjetur distancën e duhur: “Fillimisht doja të kisha kontrollin e plotë mbi materialin”, thotë Rushdie. “Nuk doja të shkarkoja emocionet e mia mbi faqe”. # B #

Me ndihmën e ditarëve të vjetër nga ajo kohë kam sajuar tregimin. Kam ndryshuar vetëm emrat e më shumë se 100 policëve, të cilët më kanë shoqëruar dhe mbrojtur në atë kohë dhe disa ngjarje dhe sekuenca kohore i kam ngjeshur. “Problemi i jetës së vërtetë është se ajo nuk i përmbahet standardeve të një dramë interesante. Ngjarjet ecin ngadalë përpara dhe janë të ndërlidhura”.

 

“Të çosh një jetë normale”

 

Rushdie, i cili tani jeton dhe punon në Nju Jork, i janë dashur katër vjet për autobiografinë e tij”, në një kohë, kur isha në një gjendje shumë të keqe shpirtërore, për shkak të materialit, me të cilin më duhej të merresha. Tani ai ka nevojë të shkruajë një libër, që “është tërësisht i trilluar”. Më shumë ai nuk do që të tregojë. Vetëm kaq: “Libri im i ardhshëm është ndoshta libri më surrealist, që kam shkruar ndonjëherë”. Dhe komik gjithashtu, shton ai. Së paku kështu ka thënë botuesi i tij, që i kanë lexuar 100 faqet e para.

Një gazetare ngre dorën dhe e pyet: a është penduar ndonjëherë që ka shkruar “Vargjet satanike”? Rushdie merr frymë thellë. “A e dini se këtë pyetje ma kanë bërë çdo ditë në 12 vitet e fundit?” Jo, përkundrazi, ai ka qenë madje krenar për librin e tij dhe për mënyrën se si i ka mbijetuar këtij “sulmi të jashtëzakonshëm”: Sot, thotë Rushdie, ‘romani i tij thjesht lexohet dhe studjohet nga njerëzit. Disave u pëlqen libri i tij, të tjerëve jo, por kjo është “jeta normale” e një libri”, thotë ai. “Më në fund ai mund të çojë një jetë normale, që nuk ka mundur ta bëjë për aq shumë kohë”, thotë Rushdie dhe ndoshta nuk e ka fjalën vetëm për librin e tij.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency