Master me kohë të pjesshme, ja datat e aplikimeve, dokumentet që duhen për regjistrim

0
196

Procedura e plotë që duhet të ndjekin kandidatët

8552 janë miratuar këtë vit akademik

 

studente-listaJanë publikuar data e aplikimeve për master me kohë të pjesshme. Aplikimet për regjistrim në programet e studimit të ciklit të dytë, “Master profesional” me kohë të pjesshme, do të bëhen pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore, nga data 23 shtator deri në datë 7 tetor, prej orës 08:00 deri në orën 16:00, ku kandidati duhet të paraqitet personalisht dhe të dorëzojë dokumentacionin e mëposhtëm:

– Fotokopje të noterizuar të diplomës të ciklit të parë të studimeve të shoqëruar me listën origjinale të notave.

– Dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë) dhe fotokopje të tyre. Në dosje të mbahet fotokopja e kartës së identitetit ose e pasaportës.

– 2 fotografi

– Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 2.500 lekësh, paguar në Postën Shqiptare.

– Deklaratë e kandidatit që vërteton se nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi në Institucionet e Arsimit të Lartë publik.

Fituesit

“Institucionet publike të Arsimit të Lartë të shpallin dhe të afishojnë listat e aplikantëve fitues në vende të dukshme, në mjediset e njësive kryesore përkatëse, brenda orës 16:00, të datës 20.10.2013, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve të grumbulluara nga aplikantët, në përputhje me kuotat e pranimeve”, – thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit. Regjistrimi i aplikantëve në programet e studimit ku janë shpallur fitues të zhvillohet nga data 21 tetor deri në datën 28 tetor, prej orës 08:00 deri në orën 16:00 pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të Institucioneve publike të Arsimit të Lartë. “Dokumentet e aplikantëve jo fitues t’u kthehen personave kundrejt kërkesës. Kandidatët që rezultojnë të regjistruar në programe të tjera studimi të ciklit të parë, ose të dytë, me kohë të plotë apo të pjesshme, në IAL-të publike, nuk marrin numër matrikulimi. AKP pas verifikimit i kërkon IAL-ve t’i çregjistrojë ata”, – përmendet në udhëzim.

Kuotat

Kuotat e pranimeve për vitin akademik 2013-2014 do të jenë si më poshtë:

-Kuotat e pranimeve të reja, në programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme  8522
-Kuotat e pranimeve të reja, në programet e studimit të ciklit të parë, të edukimit në parë 40

-Kuotat për transferim studimesh                                                                           200
-Kuota për shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit                                        400
-Kuota për personat që nuk shikojnë                                                                            20
– Kuota për romët/ballkano-egjiptianë                                                                        20
-Kuota për të përndjekurit politikë                                                                            150
-Kuota për shtetasit e huaj                                                                                                  50

 

 

Ministrja e Arsimit, letër drejtorëve: T’u kthehen shkollave mjediset e dhëna me qira për bizneset

Afati i fundit për të boshatisur ambientet është data 25 tetor

Çdo ambient i dhënë me qira apo i zaptuar nga njerëz të caktuar në mjediset e shkollave duhet të largohet deri në datën 25 tetor. Ky ishte urdhri i dhënë nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila i ka kërkuar çdo drejtuesi shkolle që të marrë masat për të hequr bizneset të cilat lulëzojnë në ambientet e përcaktuara për nxënësit. Sipas ministres së Arsimit, kontratat që janë lidhur me bizneset, duhet të ndërpriten dhe në rastet kur nuk ka një të tillë, të bëhet largimi nga mjediset e shkollave.

 

Letra e ministres së Arsimit

I/e nderuar drejtor/e

Si një mësuese në profesion, në këtë fillim viti shkollor, ndiej dhe ndaj me Ju dhe me gjithë trupën mësimore, vështirësitë e mëdha, me të cilat përballeni çdo ditë në ushtrimin e misionit fisnik.
Unë e kuptoj mirë se dikasteri që kam nderin e madh të drejtoj, nuk ka qenë frymëzimi dhe as mbështetja që i është dashur shkollës në gjithë këto vite. Mangësitë e ndjeshme të politikave arsimore dhe mungesat e konsiderueshme të mjeteve financiare e logjistike, Ju kanë bërë shpesh të ndiheni vetëm në kryerjen e një misioni që s’është thjesht e vetëm Juaji.
Kjo do të ndryshojë pa humbur më kohë. Unë jam me mish e me shpirt e angazhuar që, nëpërmjet një partneriteti të ri strategjik, mes mësuesve, prindërve dhe shtetit, të ndërtojmë modelin e ri të shkollave si qendra të komunitetit; t’i japim shkollës një rol që shkon përtej mësimdhënies, formimin e qytetarisë së re evropiane; ta bëjmë shkollën, pikë referimi të komunitetit dhe qendër graviteti të bashkëjetesës demokratike.
Prandaj, pa humbur kohë, le të fillojmë në çdo shkollë te hedhim hapin e parë.
T’i kthejmë urgjentisht shkollës çdo mjedis, brenda godinës apo territorit të saj, dhënë palëve të treta për aktivitet tregtar.
Të bëjmë të mundur, të gjithë bashkë, që deri më datën 25 tetor 2013, të gjitha njësitë arsimore vendore, të ndërpresin çdo marrëdhënie ekonomike mbi territorin e tyre, si edhe të ndalojnë dhënien me qira ose në përdorim të mjediseve që ndodhen në institucionet publike të arsimit parauniversitar.

Kam bindjen e thellë se ky hap i parë, përkon edhe me kërkesat dhe pritshmërinë e çdo mësuesi dhe prindi, të shqetësuar me të drejtë për problematikën që ka krijuar lulëzimi i aktiviteteve ekonomike nëpër shkolla, si dhe jam besimplotë që së bashku do ta çlirojmë shkollën nga çfarë e pengon të jetë sot në lartësinë e emrit që mban si institucion i dijes.
Më lejoni i/e dashur drejtor/e t’Ju përcjell me këtë rast ndjenjën e respektit tim të veçantë.

Juaja sinqerisht,

Lindita Nikolla

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency