Kompanitë kineze, interes për ndërtimin e tramit në Tiranë

0
149

Trami, ulet kostoja e lëvizjes

Mundësi për dhjetëra vende pune

 

Trami-300x163Shumë shpejt në Tiranë do të nisë ndërtimi i linjave të tramit. Ndërtimi i linjave të tramit në Tiranë, projekti strategjik i lançuar nga kryebashkiaku Basha ka ngjallur interes të madh tek kompanitë prestigjioze ndërkombëtare. Korporata Shtetërore Kineze për Ndërtim dhe Projektim (China State Construction Engineering Corporation), kompania e tretë më e madhe në botë për ndërtime, ka shprehur interes për ndërtimin e linjës së tramit nga terminali multimodal i pasagjerëve, përmes bulevardit të ri, deri në sheshin “Nënë Tereza”. Zyrtarisht, kjo kompani i ka paraqitur Bashkisë së Tiranës interesin e saj, për financimin dhe ndërtimin e kësaj linje, nëpërmjet partneritetit publik privat. Interes është shfaqur edhe për ndërtimin e linjës tjetër të tramit, atë që lidh Kombinatin me Kinostudion. Përfundimi i studimit të fizibilitetit të kësaj linje, nga kompania “Egis – International”, financuar nga qeveria franceze, me një grant prej 750 mijë euro ka faktuar se ndërtimi i kësaj linje është i leverdishëm, gjë që ka nxitur kompanitë të shprehin interesin e tyre për ndërtimin e saj. Kompania “Egis – International” është duke përfunduar modelin e financimit për linjën Kinostudio – Kombinat. Bashkia e Tiranës po shqyrton interesin e shprehur, në mënyrë që pas përcaktimit të modelit të financimit, t’i hapë rrugë ndërtimit të linjës së tramvajit Kombinat-Kinostudio.

Transformimi

Vënia në funksionim e shërbimit të tramit në Tiranë do të ketë një impakt të menjëhershëm, në modernizimin dhe uljen e kostos së lëvizshmërisë për qytetarët dhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe ambientit në Tiranë. Këto investime pritet të sjellin një transformim tërësor të mentalitetit të lëvizjes në Tiranë, duke orientuar më shumë qytetarë drejt transportit publik dhe duke ulur ndjeshëm nevojën për përdorim të automjeteve private brenda qytetit. Nisja së shpejti e ndërtimit të bulevardit të ri, si dhe projektet strategjike të terminalit multimodal të pasagjerëve dhe të linjave të tramvajit do të ndikojnë fuqishëm në zhvillimin ekonomik, nxitjen e punësimit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Tiranës.

Trami

Linjat e tramit do të jenë nga Kombinati në Kinostudio dhe nga Tirana e Re tek stacioni i ri i trenit, nëpërmjet bulevardit. “Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për sjelljen e tramit në Tiranë, por bëhet fjalë për një revolucion të madh në mënyrën se si lëvizim ne, qytetarët e Tiranës dhe ata që vijnë në qytetin tonë, në mënyrë të përditshme, bëhet fjalë për një zhvendosje psikologjike nga autobusi që marrin ata që nuk kanë makinë, apo që nuk kanë lekë për benzinë apo për naftë tek transporti publik i Tiranës, si mjeti i preferuar i lëvizjes në kryeqytet, pavarësisht nëse kemi apo jo automjet privat, jemi biznesmenë mjekë, avokatë, e cila do të çojë në një ulje drastike të përdorimit të automjeteve private në qytet, ajër më të pastër, lëvizje më të shpejtë dhe më të pakushtueshme për qytetarët e Tiranës dhe të gjithë ata që gjenden në qytetin tonë”, – u shpreh pak kohë më parë kryebashkiaku Lulzim Basha.

 

Proteston ekonomiku: Do të bojkotojmë mësimin në muajin tetor

Studentë të Fakultetit të Ekonomikut së bashku me pedagogët kanë zhvilluar një protestë kundër ndërtimit të një objekti në territorin e institucionit ku ata studiojnë. Në shenjë proteste ata kanë pezulluar të gjitha provimet që ishin parashikuar të zhvilloheshin dje, ndërsa kërkojnë marrjen e masave për prishjen e objektit që po ndërtohet para fakultetit. Një ndërtesë shumëkatëshe, thonë ata, po ndërtohet pa leje, ndonëse ka një proces gjyqësor që ende vazhdon. Ndërkohë, drejtuesit e fakultetit i bëjnë thirrje bashkisë, por edhe inspektoratit ndërtimor që të mos shkelë ligjin, pasi leja e lëshuar në vitin 2004 për ndërtim është shfuqizuar. “Kjo godinë s’ka leje ndërtimi, në këto kushte kërkojmë vetëm zbatimin e ligjit. Do përdorim të gjitha metodat demokratike që lejon ligji që ne të fitojmë të drejtat tona si fakultet. I bëj thirrje inspektoratit ndërtimor vetëm të zbatojë ligjin dhe të mos bëhet avokat i ndërtimeve pa leje në territorin e fakultetit, jo vetëm për këtë godinë por edhe për godinën tjetër që është në territorin e kampusit të universitetit. I bëj thirrje kryetarit të bashkisë të zbatojë ligjin”, – tha Fatmir Mema, zv.dekan i Fakultetit Ekonomik. Nga ana tjetër ka reaguar edhe përfaqësuesi i ndërtesës që po ndërtohet në oborrin e Fakultetit Ekonomik. Ai shprehet se ndërtesa që po ngrihet, ka një leje ndërtimi si dhe një vendim tjetër për vazhdimin e punimeve. “Ka një leje ndërtimi, e lëshuar nga KRT-ja e Tiranës, ka edhe një vendim gjykate e cila lë në fuqi këtë leje ndërtimi ka dhe një urdhër përmbarimi për vazhdimin e punimeve, ne duhet të vazhdojmë punimet dhe të mbarojmë objektin sa më shpejt, është i datës 6 qershor 2013”, – tha Pavlin Kalushaj, administrator i ndërtesës që po ndërtohet. Nëse nuk merren masa studentët dhe pedagogët do të pezullojnë mësimin në fillim të muajit tetor.

 

 

 

Rriten me 30 mijë lekë, tarifat e strehimit në Qytetin Studenti

 

Rreth 6 mijë studentë që do të strehohen këtë vit në godinat e Qytetit Studenti do të paguajnë më shumë se një vit më parë. Tarifa e strehimit do të rritet, si pasojë e punimeve që po kryhen në të gjitha godinat. Sipas drejtorit Bujar Brovina, rritja e pagesës do të jetë prej 3 mijë lekë të rinj, pra nga 42 mijë leke në 45 mijë, një shifër që është menduar si e përballueshme nga studentët. Aktualisht në bujtinat e Qytetit Studenti po kryhen rregullime të cilat do shërbejnë për kushte më cilësore jetese për ta. Strehimi i studentëve të viteve të para për sezonin e ri pritet të fillojë gjatë javës së dytë të muajit shtator në bashkëpunim me Sekretaritë e Fakulteteve të cilat do të paraqesin në Drejtorinë e Qytetit Studenti listat me emrat e studentëve të rinj. Duhet theksuar se përgjatë viteve të fundit drejtoria e Qytetit Studenti ka rritur çdo vit tarifat e strehimit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency