Rama: Tri prioritet e qeverisë sime

0
128

Gëzim Saliu

Ekspertët e huaj: Çfarë sugjerojmë për vendet e punës dhe zhvillimin ekonomik

 

Rama5Qeveria e re e të majtëve do të ketë tri prioritete kryesore sapo të marrë detyrën pas seancës së parë plenare të 9 shtatorit.  Kështu bëri të ditur dje kryeministri i ardhshëm i vendit Edi Rama në ditën e dytë të punimeve të konferencës “Shqipëria e gjeneratës tjetër”, e fokusuar tek modeli ekonomik. Sipas kryesocialistit, buxheti i shtetit, energjia dhe siguria përbëjnë tri elementët ku do të përqendrohet ekzekutivi i ri.  “Së pari, buxheti,  ç’lloj buxheti do kemi. Së dyti energjia, sepse jemi në një drejtim ku për 2 apo 3 muaj do përballemi me një formë krize. Së treti siguria e individit dhe pronës. Është e qartë se siguria është çështja kryesore për shqiptarët. Më pas na duhet të përballemi me situatën financiare. Për këtë na duhet një auditim ndërkombëtar dhe të përballemi me të. Do duhet të përballemi me problemin e madh të individëve që bëjnë biznes dhe administratën tatimore. Ka ardhur koha ti japim fund një tradite që e ka bërë Shqipërinë, një vend që drejtori i administratës tatimore është njeriu më i rëndësishëm i qytetit”, theksoi Rama. Kreu i PS-së e cilësoi mandatin e qeverisë së re si të brishtë, për shkak siç theksoi ai, të pritshmërisë së lartë të popullit. “Kemi mandat të fortë, por të brishtë se pritshmëritë janë shumë herë më të larta se viti vitin 1992, ku i njëjti ndryshim ndodhi. Ishte koha, kur Shqipëria vendosi të vuloste ndryshimin e regjimit. Në të njëjtën kohë njerëzit nuk kanë kohë, njerëzit duan rezultate menjëherë. Jemi të angazhuar për një qeverisje të orientuar karshi rezultateve”. Sipas Ramës, mesazhi më i rëndësishëm i mandatit është se socialistët nuk u rikthyen në pushtet për të kopjuar qeverinë aktuale , por për të ndryshuar, vendin.   “Besoj se duhet të udhëheqim përmes shembullit. Është institucioni që duhet së pari të paguajë faturat pastaj ti kërkojë njerëzve të paguajnë. Duhet të merremi me borxhin si një e tërë në pjesën zyrtare të saj”, tha ai.

Ekspertët

Dita e dytë e konferencës së organizuar nga PS u përqendruar kryesisht tek modeli ekonomik dhe zhvillimi tërësor i vendit. Ndryshe nga një ditë më parë, dje konferenca ishte e ndarë në tre pjesë me tre panele përkatëse. Në fillim ishte kryesocialisti Rama, drejtorja e BB-së Goldstein , ministri i ardhshëm i financave Shkëlqim Cani,  ish-Guvernatori i Bankës Qendrore të Turqisë Durmus Tilmaz dhe ministri i ardhshëm i ekonomisë Arben Ahmetaj, ku diskutimi u përqendrua kryesisht tek modeli ekonomik. Në fjalën e tij, ish-guvernatori i Bankës së Turqisë vuri theksin tek krijimi i një mjedisi ekonomik dhe social. “Që një vend të rritet duhet të ketë bujqësi rurale moderne, industri në zhvillim, sistem i fortë fiskal”, tha ai. Më tej, Tilmaz pohoi se problemet strukturore janë afatgjata dhe kërkojnë ndryshime, duke theksuar se disiplina fiskale është kyç për suksesin.  “Komunikimi, transparenca dhe llogaridhënia ndaj publikut mbeten kryesore në punën e qeverisë”, theksoi ish-guvernatori. Ndërkohë në panelin e dytë, morën pjesë zv.kryeministri i ardhshëm i vendit Niko Peleshi, ministër i ardhshëm i Çështjeve Sociale Erion Veliaj, drejtuesi i industrive të teknologjisë së lartë në Izrael Jacob Faas si edhe dy ekspertët Mathias Kollatz-Ahnen dhe Saskia Bruysten. Interesant në këtë panel ishte debati i lindur mes zv.kryeministri të ardhshëm  dhe përfaqësuesit të biznesit izraelit, ku ky i fundit kundërshtoi idenë e Peleshit për rihapjen e industrisë tekstile ftoi që shqiptarët të investonin në teknologjinë e lartë, telemjekësinë, nanoteknologjinë prej nga burojnë fitime miliarda. Nuk jam dakord që ju të investoni në tekstilet ku të krahasoheni me Indonezinë që prodhon me 1 dollar, por të investoni në teknologjinë e lartë. Në Izrael ne investuam një fond të vogël dhe sot kemi fitime deri në 5 miliardë dollarë. Ideja është që kishim 1100 apo 1200 biznese dhe këto arritën të gjeneronin para e të futeshin në bursë. Ne arritëm të ndryshonim mënyrën sesi mendonim. Këtu nuk dëgjova për nanoteknologjinë, për nanomjekësinë, mirëpo këto ju bëjnë vend të varur nga BE-ja kur ju mund të jeni të konkurueshëm. Ju duhet të tregtoni veten jashtë, të bëni shfaqje, të tregoni se çfarë projektesh nisni”, tha Faas. Dita e djeshme shënoi edhe mbylljen e konferencës dy ditore të organizuar nga PS “Shqipëria e gjeneratës tjetër”, ku në qendër të punimeve të saj u vendos zhvillimi urban dhe ai ekonomik.

 

Prioritet e kabinetit të ri qeveritar për ekonominë

Peleshi: Të hapim industrinë tekstile

Zv.Kryeministri i qeverisë së ardhshme Niko Peleshi, dha idetë e tij për hapjen e vendeve të punës, duke vënë prioritet industrinë tekstile. “Ne si qeveri duhet të përmballemi me modelet teorike, të jemi si ndërlidhës të modeleve ekonomike me dëshirat, pritshëmritë e qytetarëve. Kur themi se modeli ekzistues i ekonomisë është i ezaruar, e themi se ai nuk mundi të krijojë vende pune, nuk rriti të ardhurat. Ndaj duhen investime të huaja të drejtpërdrejta dhe kjo është e vetmja mënyrë që shqiptarët të përfitojnë nga marrëveshja e tregtisë së lirë, nga globalizimi. Do të jemi shumë miqësore më investimet e huaja të drejtpërdrejta, do t’i mirëpresim. Le t’i kthehemi tani industrisë tekstile, që ka shumë potencial në Shqipëri dhe ka ekzistuar. Ne kemi eksportuar në Holandë në Gjermani e vende të tjera të Evropës”

 

Cani: Reforma strukturore dhe stabilitet për tregun

Për ministrin e ardhshëm e financave rëndësi parësore sa i takon ekonomisë së vendit mbetet stabilizimi i tregut dhe reforma strukturore. “Stabiliteti financiar kërkon dhe stabilitet të ekonomisë. Ekonomia ka hyrë në një fazë interesante dhe realitet të vështirë. Pika e parë që do të thoja, janë reformat strukturore, modeli i ri dhe liberalizmi i ekonomisë. Pika parë ka të bëjë me stabilitetin e tregut. Pikë e dytë do ishte mirëqeverisja. Duhet të fillojmë epokë të re kur organet e tatim-taksave duhet te krijojnë një marrëdhënie të re me institucionet. Duhet te bëjmë transparencë për tatim-taksat se ku shkojnë paratë tona. Do ndalesha, dhe tek pika si të nxisim ekonominë që të ecim para. Një ekonomi nuk mund të krijojë para pa kredi. Kreditë e këqija janë shumë të larta sot dhe ne do përpiqemi ritavilizojmë”, u shpreh ministri i ardhshëm i Financave.

 

Haxhinasto: Duhet të gjejmë formulën për të shlyer detyrimet ndaj bizneseve

Ministri i ardhshëm i Transporteve Edmond Haxhinasto deklaroi dje se një ndër prioritet e qeverisë së ardhshme duhet të jetë shlyerja e detyrimeve që ka qeveria e këtyre katër viteve ndaj bizneseve.  “Së pari duhet të mbarojmë punët e pambaruara në vend. Duhet të standardizojmë cilësinë e tyre. Është e dukshme se ato nuk janë fare të pranueshme. Duhet të përmirësojmë situatën e infrastrukturës sonë në ato që i quajmë pika të zeza, që qytetarët shqiptarë të një të sigurt dhe te mos kemi humbje jete. Edhe transporti është çështje tjetër. Të ulim koston për qytetarët shqiptarë ky do jete prioritet afatshkurtër. Përfshirja e bizneseve private, ose atyre që duhen partneritete publike private. Së fundi të gjejmë formulën e duhur për të paguar ato pagesa që nuk janë bërë ende tek biznesi. Kjo duhet bërë dhe ne duhet të gjejmë formulën me të mirë për të paguar detyrimet e biznesit”, tha Haxhinasto.

 

Ahmetaj: Ekonomia duhet të kalojë nga konsumi tek prodhimi

Ministri i ardhshëm i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj deklaroi dje se ekonomia shqiptare duhet të kalojë nga ekonomi konsumi në ekonomi prodhimi. “Qeveria duhet të ndërmarrë vendime që do të nxisnin sektorët e industrisë që do të formësoheshin në bazë të platformës së lirë. Kemi 2 sfida: Sfida urgjente dhe sfida afatmesme dhe afatgjata. Në ditët e pra qeveria dhe shoqëria do të përballet me sfidën e borxhit publik dhe atë që qeveria i detyrohet biznesit. Sfidë tjetër situata emergjente e energjisë, për 6 muajt që vijnë. Kjo është sfidë afatshkurtër. Rritja ekonomike nuk duhet të mbetet retorike. Asgjë nuk do të ndodhe nëse ne si qeveri dhe gjithë aktoret nuk shkojmë drejt rritjes së qëndrueshme”, deklaroi ai.

 

Veliaj: Të përmbysim mentalitetin e “punëve të pista”

Ministër i ardhshëm i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj pohoi dje se të majtët synojmë të krijomë 300 mijë vende pune e të përmbysim mentalitetin e “Punëve të pista”.  “Në vend që të përcaktojmë ambicien me vendet e zhvilluara, ne duhet të krahasohemi me vendet e rajonit me të cilët ne jemi pas. Si  mund ta ndryshojmë këtë situatë? Prindërit shqiptare mezi presin të dërgojnë fëmijët në shkollë por nuk i çojnë ku duhet. Shohim avokatë që shesin patate të skuqura dhe duhet të orientojmë se nuk ka vende pune për këtë inflacion diplomash. Ne i kemi shpallur luftë, “punëve të pista”, si hidraulik, elektricist” etj. Jo, ne duhet të bëjmë të kundërtën. Le të përmendim Turqinë, historinë e atij vendi që tregon sesi qeveria dhe sektori privat mund të punojnë bashkë”, theksoi Veliaj.

 

Deklarata

Rama paralajmëron reformë administrative

Kryeministri i ardhshëm i vendit Edi Rama paraljmëroi dje nisjen e një reforma administrative në të gjithë vendin. Në fjalën e tij në ditën e dytë të konferencës “Shqipëria e Gjeneratës Tjetër” kreu i Partisë Socialiste i cilësoi planet aktuale rregullues në qytete si të padobishme. “Planet rregulluese që janë ndërtuar brenda për brenda qyteteve, kanë rezultuar krejtësisht të padobishme në funksion të përmbajtjes së këtyre flukseve që kanë ardhur nga jashtë qytetit dhe që janë stabilizuar rreth e rrotull qytetit. Kjo ka rezultuar fatale qoftë për ndërtimet pa leje, qoftë për sa i përket planeve ose mosplaneve të komunave kufitare”, deklaroi Rama.  Sipas kryesocialistit, një reformë e tillë nuk është sfidë vetëm e mazhorancës së re, por duhet të jetë një sfidë për të gjithë klasën politike në vend për t’i dhënë jetë reformës territoriale. “Është një sfidë jo e jona, por besoj është një sfidë e gjithë klasës politike sot, e gjithë përfaqësuesve të popullit shqiptar në parlament, për t’i dhënë më në fund jetë reformës territoriale, e cila duhet të çojë në shkurtimin e numrit të njësive vendore në funksion të situatës krejtësisht të re që kemi në vend, pavarësisht politikës, pavarësisht qeverisë”, theksoi Rama. Reforma administrative është një reformë e cila kërkon votim me shumicë të cilësuar në Kuvend me 84 vota, ku mazhoranca e re ka gjithsej 83 vota.

 

Situata ekonomike në vend

Banka Botërore përgënjeshtron PS-në: Shqipëria me transformime të jashtëzakonshme

Drejtuesja e Bankës Botërore në Shqipëri Ellen Goldstein deklaroi dje në ditën e dytë të punimeve të konferencës së PS-së për zhvillimin urban dhe ekonomik se Shqipëria ka pasur ndryshime rrënjësore në vitet e fundit. Goldtesin e nisi fjalën e saj me vizitën e parë në vend, duke theksuar se transformimet që ka pësuar Shqipëria në krahasim me vitet ’90 janë të jashtëzakonshme. “Unë kam ardhur në Shqipëri në fakt përpara 20 vjetësh, dhe kam qenë pjesë e zyrës së Bankës Botërore, e ekipit të parë për të vlerësuar ekonominë, pasi Shqipëria doli nga dekada të shumta të izolimit politik. Në atë kohë kolegët e Bankës Botërore këtu në Tiranë, zgjoheshin në 2 -3 të mëngjesit që të kishin mundësi të përdornin energjinë elektrike që vinte vetëm në atë orë, dhe unë mbaj mend fare mirë në fakt që dridhesha e tëra në hotel Tirana pasi nuk kishim ngrohje dhe kishte vetëm pak ushqim për të ngrënë, kështu që ishte vërtet një situatë tërësisht ndryshe,. Përpara dy javësh kur erdha për pushime, erdha nga Greqia me makinë në Shqipëri. Isha diku në rrugën mes Korçës dhe Pogradecit, për ata që nuk e njohin Shqipërinë është një zonë rurale. Ndalova që të pyesja tek një vend, për të pyetur pra për drejtimin që duhej të ndiqja. Kisha disa dyshime nëse do të arrija të komunikoja, gjithsesi i thashë atij çunit që :”A ke gjë ndonjë hartë?”-ai u duk pak i çuditur dhe përpiqej të kuptonte se çfarë po thoja unë në anglisht, e po thoja:” nuk ka gjasa që ky do të më japi hartë,”, por pritur sytë iu zmadhuan, më pa dhe më tha :”google map”, hartë pra nga google. Dhe unë i thashë po, dhe ai më çoi tek kafja ngjitur, dhe pa pritur me krahët e hapur më tha këtu ke wireless, wifi pafund edhe falas. Dhe unë mendova, ua sa e çuditshme, dhe sa e pazakontë, dhe sa shumë gjërat kanë ndryshuar në Shqipëri, dhe sa shumë është transformuar Shqipëria nga një vend me të ardhura të ulta, në një vend tërësisht ndryshe”,  theksoi në fjalën e saj Goldestein. Sipas saj, zhvillimi i vendit mund të vërtetohet lehtë edhe në terren, ku drejtuesja e BB-së mori si shembull Prodhimin e Brendshëm Bruto i cili në vitet ’90 ishte 500 $ dhe tani është rritur në 4000 $. Po ashtu drejtuesja e BB-së në vend dha edhe këshillën e saj për qeverinë e re të majtë, duke bërë publike katër prioritete ku duhet të mbështet ajo. “Unë do të sugjeroja katër fusha prioritare ku mendoj se qeveria duhet të marrë hapa specifikë  në 6-12 muajt e ardhshëm : 1) të parandalohet kriza, 2) krijimi i vendeve të punës, 3) dhënia e shërbimeve dhe 4) mbrojtja pikërisht e burimeve natyrore”, pohoi drejtuesja e Bankës Botërore në Shqipëri Ellen Goldstein.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency