Planet e qeverisë së re, 6 orët e diskutimit mes Ramës dhe ministrave

0
140

Gëzim Saliu

Në Vlorë, 6 orët e “ngujimit” të Ramës me ministrat

Mbledhja  me dyer të mbyllura, Rama: I mbresuar nga puna dhe planet e ministrave

 

Qeveria RamaMblidhet për herë të parë kabineti i ri qeveritar. Në qytetin e Vlorës, kryeministri i ardhshëm i vendit Edi Rama zhvilloi dje mbledhjen me 19 ministrat e ekzekutivit të majtë, i cili pritet të marrë detyrën pas mandatimit në kuvend në 9 shtator. Në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura pa praninë e medias, e cila zgjati për më shumë se gjashtë orë, kreu socialist ka diskutuar me ministrat programin e ri qeverisës për 300 ditët e para si edhe strategjinë e përcaktuar nga ata për drejtimin e secilit dikaster. Për Ramën, takimi i parë me kabinetin e ardhshëm qeveritar ishte pozitiv. “Shumë i mbresuar pozitivisht nga puna përgatitore, paraqitja e planeve të ministrave dhe diskutimi i ideve në grup”, bënte të ditur Rama në rrjetin social “twitter”, i vetmi brumi informacioni zyrtar nga e ana e së majtës për mbledhjen e djeshme. Kjo pasi si në nisjes të mbledhjes ashtu edhe në përfundim të saj, kryesocialisti dhe ministrat, nuk kanë pranuar të japin asnjë prononcim për median e pranishme në qytetin e Vlorës.

Takimi i parë

Të parët që kanë mbërritur në hotelin pranë zonës së Ujit të Ftohtë, ku u zhvilluar mbledhja e kabinetit të ri qeveritar, kanë qenë ministrat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Panariti dhe Lefter Koka. Menjëherë pas tyre në orën 11: 45 minuta në ambientin e hotelit është shfaqur kreu socialist Edi Rama, i cili mbante në dorë një dosje me ngjyrën e Rilindjes. Sapo ka takuar dy ministrat e LSI-së, të cilët prisnin në hollin e jashtëm,  Rama i ka ftuar ata për nja kafe dhe së bashku u ulën në verandën e hapur të hotelit. Më pas kanë mbërritur me radhë të gjithë ministrat e kabinetit të ri qeveritar, ku edhe u zhvilluan përshëndetjet e rastit mes tyre. Por megjithëse ishte programuar për tu zhvilluar në orën 12:00 të mesditës së djeshme, mbledhja e qeverisë së re u shty për në orën 15:00.

Mbledhja

Mbledhja e kabinetit të ri qeveritar, pas shtyrjes me rreth tri orë, nisi fiks në orën 15:00. Të gjithë ministrat e kabinetit të ri qeveritar ishin në sallën e hotelit ku u zhvillua mbledhja dhe pas tyre ka mbërritur edhe kreu i mazhorancës së re Edi Rama. Mësohet se në qendër të diskutimit mes kryeministrit të ardhshëm dhe ministrave të rinj ishte programi qeverisës për 300 ditët e para. Dy bashkëhartuesit e këtij programi Ilir Beqja, dhe Edmond Haxhinasto kanë qenë të parët ndër ministrat që kanë marrë fjalën në mbledhje, duke bërë të ditur edhe detajet. Më pas, mësohet se të gjithë ministrat e kabinetit të ri kanë paraqitur para Ramës strategjinë e tyre për dikasteret që do të drejtojnë në qeverinë e re. Nga ana e tij, mësohet se kreu i PS-së i ka dhënë detyrat e para ministrave të tij, ku pjesë e këtij diskutimi ishin edhe propozimet e idetë e vetë ministrave. Mbledhja e qeverisë së re ka përfunduar rreth orës 18: 30 minuta, ku edhe pas zhvillimit të saj, ministrat dhe Rama nuk kanë pranuar të prononcohen për mediat lidhur me tematikat e diskutuara. Pas një pushimi 30 minutësh mbledhja e ekzekutivit të ri ka vazhduar edhe për tri orë të tjera, ku janë detajuar të gjitha planet e ministrave. Për mbledhjen dy ditore, Rama bëri të ditura përshtypjet e tij në rrjetin social, ku tha se,: “Vlorë, takim dy ditor i qeverisë së re. Reforma rrënjësore, shpirt skuadre, qytetari europiane në komunikim. Kurajo, integritet, transparencë”. Ditën e sotme rreth orës 09: 00 të mëngjesit do të zhvillohet mbledhja e dytë e punimeve të qeverisë së re, ku pritet që të diskutohen piketat për drejtimin e vendit si edhe tema e nxehtë për punësimet në administratë.

 

6 orë ka zgjatur mbledhja e qeverisë së re të majtë. Mbledhja e parë ka nisur në orën 15:00 dhe ka përfunduar në orën 18: 30. Pas një pushimi, mbledhja ka rinisur në 19: 20 dhe ka zgjatur deri në 10: 30

Edmond Haxhinasto dhe Ilir Beqja paraqitën dje në mbledhjen e kabinetit të ri qeveritar në Vlorë, programin qeverisës për 300 ditët e para

Strategjia e përcaktuar nga secili ministër për dikasterin përkatës dhe programi qeveris ishin dy ndër temat kryesore të diskutuara në mbledhjen e djeshme të qeverisjes së majtë

 

Reformat që pritet të ndërmarrë qeveria e re

Reforma e raportimit financiar në sektorin publik

1. Aktualisht qeveria shqiptare punon në bazë inkasimi ku janë të përfshira të Ardhurat (kur inkasohen) dhe Shpenzimet( kur paguhen), PS do të zbatojë skemën me bazë aktuale, ku janë të përfshira të Ardhurat (kur ndodhin) dhe Shpenzimet( kur ndodhin). Socialistët theksojnë se vendet e zhvilluara në Evropë e me gjerë kane zbatuar raportimin akrual sipas standardeve ndërkombëtare.  Shembull i një reforme të suksesshme sipas tyre është dhe Slovakia.

2. Auditimi i jashtëm i pasqyrave financiare të qeverisë

Reforma e administratës fiskale

1. Ndryshim i sistemit të menaxhimit të doganave e taksave.

Reforma për rendin

1. Riorganizim i gjithë sistemit të administrimit të territorit

2. Reformë tërësore në funksion të sundimit të ligjit

3. Ndarje të re territoriale të Republikës në funksion të administrimit të ri të territorit

4. Unifikim të policisë

Reforma për pasuritë natyrore

1. Mbrojtje dhe zhvillim i ri për ujërat, tokën dhe të gjithë burimet e energjisë

Reforma për pronësinë

1. Transparencë për të siguruar vendimmarrje të drejtë të procesit të çuarjes deri në fund të procesit të zgjidhjes së pronës

2. Legalizime në zonat informale për të garantuar brenda mandatit të parë inventarizimin e pasurisë por dhe të njerëzve

 

Programi për 300 ditët

Masa emergjente për financat publike

Rritja e të ardhurave tatimore dhe doganore

Ulje e informalitetit me shlyerjen e detyrimeve nga subjektet

Rendi dhe siguria

Energjia

Rishikimi i koncesioneve

Nga 1 janari zero taksë për biznesin e vogël dhe TVSH-në në shëndetësi

 

Qeveria e re

Braçe: Transparencë për vendimmarrjen

Deputeti i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Erjon Braçe ka reaguar dje ndaj deklaratave të kreut të PD-së Lulzim Basha lidhur me mbledhjen e qeverisë së majtë në Vlorë. Ai i ka cilësuar këto deklarata si të pavërteta duke thënë se sa i takon privatësisë, Kushtetuta përcakton se mbledhjet e qeverisë nuk janë të hapura. Nga ana tjetër, Braçe ka dhënë edhe dy këshilla për qeverinë e re të majtë duke pohuar se,:  “E para, duhet të marrë fund praktika e mbledhjeve gjasme të hapura të Qeverisë, ku flet një i çmendur me pushtet, nuk thotë asgjë për rendin e mbledhjes e në fund nuk publikohet ajo që vendoset!E dyta, transparenca nuk ka tregues a hyjnë mediat në mbledhjen e qeverisë apo jo, por vendimmarrjen; Si përgatitet ajo, a mbrohet interesi publik apo jo, a diskutohet e me kë diskutohet para se të draftohet, si reflektohen vërejtjet e sugjerimet, si shkon në qeveri e në fund, vendimi i publikuar dhe madje në kohë!”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency